MËSIMI 15
Paraqitja e jashtme
PARAQITJA e jashtme flet shumë për ty. Ndërkohë që Jehovai shikon si është zemra, në përgjithësi njerëzit i nxjerrin përfundimet nga ‘ajo që sheh syri’. (1 Sam. 16:7) Kur je i pastër dhe i rregullt, ka të ngjarë që të tjerët të mendojnë se ke respekt për veten dhe do të jenë më të prirur për të të dëgjuar. Veshja në mënyrë të përshtatshme do të ndikojë për mirë edhe në emrin e organizatës që përfaqëson. Do të ndikojë edhe në pikëpamjen që kanë dëgjuesit e tu për Perëndinë që ti adhuron.
Udhëzime për t’i zbatuar. Bibla nuk përmban shumë rregulla për paraqitjen e jashtme. Por siguron parime të drejtpeshuara që mund të na ndihmojnë të marrim vendime të mençura. Në themel të të gjitha këtyre parimeve qëndron fakti që ne ‘gjithçka e bëjmë për lavdi të Perëndisë’. (1 Kor. 10:31) Cilat parime hyjnë në lojë kur bëhet fjalë për paraqitjen tonë të jashtme?
Së pari, Bibla na nxit të jemi të pastër si në trup, ashtu edhe në veshje. Në Ligjin që i dha Izraelit të lashtë, Jehovai përfshiu edhe kërkesa për pastërtinë. Për shembull, kur priftërinjtë ishin në detyrë, duhej të lanin trupin dhe rrobat në kohë të caktuara. (Lev. 16:4, 24, 26, 28) Të krishterët nuk janë nën Ligjin e Moisiut, por parimet te të cilat bazohej ai Ligj janë ende të vlefshme. (Gjoni 13:10; Zbul. 19:8) Sidomos kur shkojmë në një vend adhurimi ose kur marrim pjesë në shërbimin në fushë, që të mos jemi të pakëndshëm për të tjerët duhet t’i kemi të pastra trupin dhe rrobat, si edhe nuk duhet të na vijë erë goja. Ata që mbajnë fjalime ose që marrin pjesë në demonstrime para kongregacionit duhet të jenë shembuj të shkëlqyer në këtë drejtim. Kur i kushtojmë vëmendje paraqitjes së jashtme tregojmë respekt për Jehovain dhe për organizatën e tij.
Së dyti, Bibla na bën thirrje që të kultivojmë modesti dhe të kemi mendje të shëndoshë. Apostulli Pavël i nxiti gratë e krishtere të «stolisen . . . me modesti dhe mendje të shëndoshë, jo me modele gërshetash dhe me ar e me margaritarë ose me rroba shumë të shtrenjta, por si u ka hije grave që pohojnë se nderojnë thellësisht Perëndinë». (1 Tim. 2:9, 10) Edhe për burrat është e rëndësishme të jenë modestë e me mendje të shëndoshë për mënyrën se si vishen e rregullohen.
Njeriu modest interesohet që të mos i ofendojë më kot të tjerët dhe të mos tërheqë vëmendjen në mënyrë të papërshtatshme drejt vetes. Mendja e shëndoshë sjell si rrjedhim maturi ose gjykim të shëndoshë. Ai që i shfaq këto cilësi ka një drejtpeshim që vjen si pasojë e respektit për normat hyjnore. Të shfaqim këto cilësi nuk do të thotë që të mos vishemi në mënyrë tërheqëse, por na ndihmon të jemi të vëmendshëm për sa i përket paraqitjes sonë dhe të shmangim stilet ekstravagante të veshjes dhe të rregullimit. (1 Gjon. 2:16) Duhet t’i zbatojmë këto parime në çdo rast: kur jemi në një vend adhurimi, kur marrim pjesë në shërbimin në fushë e kur merremi me ndonjë veprimtari tjetër. Edhe veshja jonë e përditshme duhet të pasqyrojë modesti dhe mendje të shëndoshë. Në shkollë ose në punë do të krijohen raste për të dëshmuar, edhe pse nuk jemi në shërbim. Ndonëse nuk do të jemi të veshur siç vishemi kur jemi në mbledhje, në kongrese dhe në asamble, prapëseprapë veshja jonë duhet të jetë e rregullt, e pastër dhe modeste.
Natyrisht, ne nuk vishemi të gjithë njësoj. Dhe as nuk pritet diçka e tillë. Njerëzit kanë shije të ndryshme, dhe kjo është më se normale. Por parimet e Biblës duhen zbatuar gjithmonë.
Apostulli Pjetër tregoi se paraqitja që ka të bëjë me ‘njeriun e fshehtë të zemrës’ është më e rëndësishme se modeli i flokëve dhe se veshja. (1 Pjet. 3:3, 4) Kur zemrën e kemi të mbushur me dashuri, gëzim, paqe, mirëdashje dhe me një besim që ka themele të forta, këto do të bëhen për ne veshje frymore që e nderojnë vërtet Perëndinë.
Së treti, Bibla na nxit të shqyrtojmë nëse paraqitja jonë e jashtme është e rregullt. Te 1 Timoteut 2:9 flitet për «veshje të rregullta». Ndonëse apostulli Pavël e kishte fjalën për veshjen e grave, i njëjti parim zbatohet edhe për burrat. Një veshje e rregullt është e pastër dhe e rregulluar mirë. Kemi apo s’kemi shumë nga ana financiare, ne mund të kemi një pamje të jashtme të rregullt.
Një nga veçoritë e para të paraqitjes së jashtme që u bie në sy të tjerëve janë flokët, të cilët duhet të jenë të rregullt e të pastër. Zakonet vendëse dhe faktori trashëgimi ndikojnë në mënyrën se si i rregullojnë njerëzit flokët. Te 1 Korintasve 11:14, 15 gjejmë këshilla nga apostulli Pavël lidhur me modelet e flokëve, këshilla të cilat, me sa duket, u dhanë duke i marrë parasysh të dy këta faktorë. Megjithatë, kur modeli i flokëve të dikujt jep përshtypjen se ai ose ajo po përpiqet të duket si një person i seksit të kundërt, kjo është në kundërshtim me parimet biblike.—Ligj. 22:5.
Për burrat, paraqitja e jashtme e rregullt mund të nënkuptojë të jenë gjithnjë të rruar. Në ato zona ku në përgjithësi mustaqet shihen si dinjitoze, ata që kanë mustaqe duhet t’i mbajnë të prera me rregullsi.
Së katërti, paraqitja jonë e jashtme nuk duhet të pasqyrojë dashuri për botën dhe për rrugët e saj. Apostulli Gjon paralajmëroi: «Mos kini dashuri as për botën, as për gjërat që janë në botë.» (1 Gjon. 2:15-17) Këtë botë e karakterizojnë shumë dëshira mëkatare. Ndër to Gjoni përmend dëshirën e mishit mëkatar dhe kapardisjen për t’u dukur me zotërimet personale. Shkrimet na e tërheqin vëmendjen edhe ndaj frymës së rebelimit ose mosbindjes ndaj autoritetit. (Prov. 17:11; Efes. 2:2) Këto dëshira dhe qëndrime paraqiten shpesh në mënyrën se si vishen dhe rregullohen njerëzit. Si pasojë, paraqitja e tyre e jashtme mund të jetë jomodeste, provokuese, pa shije, e çrregullt, e shkujdesur ose moskokëçarëse. Si shërbëtorë të Jehovait ne i shmangim mënyrat e të veshurit që pasqyrojnë këtë frymë jo të krishterë.
Në vend që të imitojmë botën, është më mirë të lëmë që shembulli i shkëlqyer i burrave dhe i grave me pjekuri frymore në kongregacionin e krishterë të ndikojë në mënyrën se si vishemi dhe rregullohemi. Burrat e rinj që shpresojnë të jenë një ditë oratorë publikë mund të shohin se si vishen ata që tashmë kualifikohen për të mbajtur fjalime publike. Të gjithë ne mund të mësojmë nga shembulli i individëve që kanë marrë pjesë me besnikëri për shumë vjet në shërbimin publik.—1 Tim. 4:12; 1 Pjet. 5:2, 3.
Së pesti, kur vendosim se çfarë është e përshtatshme, duhet të mbajmë parasysh se «edhe Krishti nuk kënaqi veten». (Rom. 15:3) Interesimi kryesor i Jezuit ishte të bënte vullnetin e Perëndisë. Gjithashtu, për Jezuin ishte më e rëndësishme të ndihmonte të tjerët sesa të kërkonte rehatinë personale. Çfarë duhet të bëjmë për sa u përket disa modeleve të veshjes e të krehjes, nëse këto do të krijonin një mur midis nesh dhe njerëzve mes të cilëve po shërbejmë? Imitimi i frymës së përulur që tregoi Krishti mund të na ndihmojë të marrim vendime të mençura. Apostulli Pavël tregoi parimin: «Në asnjë mënyrë nuk po japim asnjë shkak për pengesë.» (2 Kor. 6:3) Për këtë arsye ne mund të heqim dorë nga disa modele flokësh ose nga disa veshje që do t’i pengonin njerëzit të cilëve duam t’u japim dëshmi.
Pozicioni i trupit. Paraqitja personale e mirë ka të bëjë edhe me mbajtjen e trupit në pozicionin e duhur. Natyrisht, ne nuk e mbajmë trupin të gjithë në të njëjtën mënyrë dhe nuk përpiqemi të ndjekim ndonjë model. Megjithatë, vlen të përmendet që në përdorimin biblik, të qëndruarit me trupin drejt shpreh një ndjenjë dinjiteti personal dhe optimizmi. (Lev. 26:13; Luka 21:28) Sidoqoftë, ngaqë ka punuar për vite të tëra në një pozicion të kërrusur ose për shkak të moshës së thyer a të shëndetit të keq, një vëlla ose një motër mund të mos jetë në gjendje ta mbajë trupin drejt ose mund të ketë nevojë të mbështetet diku. Por për ata që kanë mundësi, është e këshillueshme që të mundohen ta mbajnë trupin drejt kur u flasin të tjerëve, për të mos dhënë përshtypjen sikur janë indiferentë ose sikur po kërkojnë ndjesë. Në mënyrë të ngjashme, ndonëse nuk është e gabuar që një orator t’i mbështetë ndonjëherë duart në pultin e leximit, zakonisht auditori krijon një përshtypje më pozitive po qe se ai nuk mbështetet në të.
Mjete të pastra. Nuk duhet të jetë e pastër dhe e rregullt vetëm paraqitja jonë e jashtme, por edhe mjetet që përdorim në shërbim.
Mendoni për shembull për Biblën. Kur Bibla jonë na vjetërohet, jo të gjithë kemi mundësi për të pasur një të re. Por pavarësisht se sa e vjetër është, Bibla jonë duhet të tregojë se e kemi përdorur me kujdes.
Sigurisht, ka shumë mënyra për t’i vendosur gjërat në çantën e shërbimit, por gjithsesi çanta duhet të jetë e rregullt. A ke parë ndonjëherë t’i binin fleta nga Bibla një lajmëtari kur po përgatitej t’i lexonte një shkrim pronarit të shtëpisë ose një vëllai kur po mbante fjalim para kongregacionit? Kjo gjë ju ka shpërqendruar, apo jo? Në rast se fletët që mban në Bibël janë burim shpërqendrimi, duke i vënë ato në një vend tjetër do të kesh mundësi t’i mbash mjetet e shërbimit në rregull. Mbaj parasysh, gjithashtu, që në disa kultura shihet si mungesë e thellë respekti vendosja e Biblës ose e botimeve të tjera fetare në dysheme.
Paraqitja e jashtme e mirë duhet të jetë e rëndësishme për ne. Ajo ndikon edhe në mënyrën se si na shohin të tjerët. Por mbi të gjitha, i kushtojmë asaj vëmendje të madhe sepse duam ‘që në çdo gjë të stolisim mësimin e Shpëtimtarit tonë, Perëndisë’.—Titit 2:10.