Prindër nën presion
PRINDËRIT e rinj shpesh duken sikur luajnë mendsh nga lumturia. Gati çdo gjë rreth foshnjës së tyre duket se i drithëron ata. Buzëqeshja e parë, fjalët e para dhe hapat e para të foshnjës janë raste të rëndësishme për ta. Miqve dhe të afërmve të tyre nuk u tregojnë gjë tjetër veçse histori dhe fotografi. Pa dyshim, ata e duan fëmijën e tyre.
Megjithatë, në disa familje, me kalimin e viteve zhvillohet një tragjedi. Shprehjet lozonjare të prindërve u lënë vendin fjalëve të ashpra dhe të ulëta; përqafimet e përzemërta i lënë vendin goditjeve me zemërim apo një mungese të plotë të prekjes; krenaria prindërore i lë vendin hidhërimit. Shumë thonë: «Nuk duhet të kisha pasur kurrë fëmijë.» Në familje të tjera problemi është akoma më keq; prindërit kanë dështuar të tregojnë dashuri, madje edhe kur fëmija e tyre ishte një foshnjë! Çfarë ka ndodhur në të dyja këto raste? Ku është dashuria?
Natyrisht, fëmijët nuk janë shumë të aftë në gjetjen e përgjigjeve për këto pyetje. Por kjo nuk i pengon ata të arrijnë në përfundimet sipas tyre. Thellë në zemër një fëmijë mund të nxjerrë si përfundim: «Nëse mami dhe babi nuk më duan, kjo ndodh sepse ka diçka që nuk shkon në mua. Kushedi sa i keq duhet të jem.» Kjo mund të bëhet një bindje e rrënjosur thellë, e tillë saqë mund të shkaktojë të gjitha llojet e dëmtimeve gjatë gjithë jetës.
Por, e vërteta është se prindërit mund të dështojnë t’u tregojnë fëmijëve dashurinë për të cilën kanë nevojë, nga një shumëllojshmëri e madhe arsyesh. Duhet pranuar se prindërit sot përballojnë presione të tmerrshme, disa prej të cilave janë në një shkallë të papërjetuar më parë. Për prindërit që nuk janë të përgatitur për t’i trajtuar ato në mënyrën e duhur, këto presione mund të dëmtojnë shumë punën që bëjnë ata si prindër. Një thënie e mençur e lashtë deklaron: «Me siguri, shtypja e bën të pamend njeriun e urtë.»—Predikuesi 7:7.
«Kohë kritike dhe të vështira»
Një epokë utopike. Kjo është ajo që shumë njerëz prisnin të zhvillohej në shekullin tonë. Imagjinoni: jo më presione ekonomike, jo më zi buke, jo më thatësira apo luftëra! Por, shpresa të tilla kanë humbur pa u përmbushur. Në vend të kësaj, bota e sotme ka përfunduar ashtu si e profetizoi një shkrimtar biblik në shekullin e parë të e. s. Ai shkroi se në ditët tona ne do të ndesheshim me «kohë kritike dhe të vështira». (2. Timoteut 3:1-5, BR) Shumica e prindërve sot, do të ishin të parët që do të pajtoheshin me këto fjalë.
Shumë prindër të rinj mbesin të befasuar nga kostoja jashtëzakonisht e lartë e rritjes së një fëmije në botën e sotme. Shpesh, që të dy prindërit duhet të punojnë jashtë shtëpisë vetëm për të siguruar gjërat e nevojshme. Shpenzimet mjekësore, veshja, shkollimi, kopshti e madje edhe ushqimi e strehimi mund t’i kontribuojnë një numri të madh faturash mujore që u lënë shumë prindërve ndjenjën sikur po u zihet fryma. Kjo situatë ekonomike u sjell ndër mend studentëve biblikë profecinë në librin e Zbulesës, e cila parathoshte një kohë kur njerëzit do të shpenzonin pagën e një dite të tërë, vetëm për të blerë gjërat e nevojshme që do të mjaftonin për një ditë!—Zbulesa 6:6.
Nuk mund të presim që fëmijët të kuptojnë të gjitha këto presione, me të cilat ndeshen prindërit e tyre. Përkundrazi, për vetë natyrën e tyre, fëmijët kanë nevojë dhe janë të uritur për dashuri dhe vëmendje. Dhe presioni që ata thithin nga media dhe nga shokët e shkollës për të pasur të rejat më të fundit për sa u përket lodrave, veshjeve dhe elektronikës, shpesh kthehet në presion për prindërit, të cilët duhet t’u plotësojnë atyre një listë gjithnjë në rritje me dëshira.
Një presion tjetër mbi prindërit, që duket se po keqësohet më tej këto kohë, është rebelimi. Është interesant fakti se Bibla e profetizoi mosbindjen e përhapur të fëmijëve ndaj prindërve si një tregues tjetër të kohëve tona të turbullta. (2. Timoteut 3:2, BR) Vërtet që problemet e disiplinimit të fëmijëve nuk janë një gjë e re. Dhe asnjë prind nuk mund të justifikojë me të drejtë trajtimin abuziv ndaj një fëmije për shkak të sjelljes së keqe të tij. Por a nuk jeni edhe ju dakord se prindërit sot duhet të luftojnë për të rritur fëmijët në një kulturë të plotë rebelimi? Muzika shumë e përhapur që nxit tërbimin, kryengritjen dhe dëshpërimin; programet televizive që i paraqesin prindërit si budallenj të hutuar dhe fëmijët si eprorë që dinë gjithçka; filma që lartësojnë veprimet sipas impulseve të dhunshme—fëmijët e sotëm bombardohen nga ndikime të tilla. Fëmijët që thithin dhe imitojnë këtë kulturë rebelimi mund të shkaktojnë një sforcim të tmerrshëm mbi prindërit e tyre.
«Duke mos pasur dashuri të përzemërt të natyrshme»
Megjithatë, ka edhe një aspekt tjetër të kësaj profecie të lashtë që paralajmëron edhe më shumë telashe për familjen e sotme. Ajo tregon se një numër i madh njerëzish do të ishin «pa dashuri të përzemërt të natyrshme». (2. Timoteut 3:3, BR) Dashuria e përzemërt e natyrshme është ajo që i mban familjet të lidhura bashkë. Madje edhe më skeptikëve rreth profecive të Biblës do t’u duhej të pranonin se në kohët tona është parë një prishje tronditëse e jetës familjare. Në gjithë botën përqindja e divorceve është rritur shumë. Në shumë zona, familjet me një prind dhe me njerk janë më të zakonshme sesa familjet tradicionale. Prindi i vetëm dhe njerku disa herë ndeshen me sfida dhe presione të veçanta, të cilat mund t’i pengojnë që t’u shfaqin fëmijëve dashurinë për të cilën këta kanë nevojë.
Por ekziston një ndikim edhe më i thellë. Shumë nga prindërit e sotëm janë rritur edhe ata në familje ku kishte pak apo aspak «dashuri të përzemërt të natyrshme»—shtëpi të shkatërruara nga tradhëtia bashkëshortore dhe divorci; shtëpi të dëmtuara nga ftohtësia dhe urrejtja; madje ndoshta shtëpi ku abuzimi gojor, emocional, fizik apo seksual ishin në rend të ditës. Rritja në shtëpi të tilla jo vetëm që i dëmton ata kur janë fëmijë, por mund t’i dëmtojë edhe kur të bëhen të rritur. Statistikat ravijëzojnë një panoramë të zymtë—prindërit, mbi të cilët ishte abuzuar kur ishin fëmijë ka shumë të ngjarë që të abuzojnë mbi fëmijët e tyre. Në kohët biblike, hebrenjtë kishin një thënie: «Etërit janë ata që hanë rrush të papjekur, por janë dhëmbët e bijve që mpihen.»—Ezekieli 18:2.
Megjithatë, Perëndia i tha popullit të tij se gjërat nuk kishin pse të ishin në atë mënyrë. (Ezekieli 18:3) Këtu duhet bërë një saktësim i rëndësishëm. Fakti që prindërit kanë presione a do të thotë se ata thjesht nuk mund të përmbahen dot për të mos keqtrajtuar fëmijët e tyre? Sigurisht që jo! Nëse jeni një prind dhe e shihni veten duke luftuar me disa nga presionet e sipërpërmendura, e gjithashtu, jeni të shqetësuar nëse mund të jeni ndonjëherë një prind i mirë, merrni zemër! Ju nuk jeni thjesht një e dhënë statistikore. E kaluara juaj nuk përcakton automatikisht të ardhmen tuaj.
Në harmoni me sigurinë biblike se përmirësimi është i mundur, libri Kujdesi i shëndetshëm prindëror (Healthy Parenting) bën këtë koment: «Nëse ju nuk bëni hapa të vendosur për t’u sjellë ndryshe nga prindërit tuaj, modelet e fëmijërisë suaj do të përsëriten, pa marrë parasysh nëse ju doni apo jo. Për ta ndërprerë këtë cikël të mbyllur, ju keni nevojë të bëheni të vetëdijshëm për modelet jo të shëndetshme që po përjetësoni dhe të mësoni se si t’i ndryshoni ato.»
Po, nëse është e nevojshme, ju mund ta ndërprisni ciklin e mbyllur të sjelljes abuzive prindërore! Dhe mund t’i trajtoni me sukses presionet që e bëjnë kujdesin prindëror kaq të vështirë sot. Por si? Ku mund t’i mësoni normat më të mira e më të besueshme të kujdesit të shëndetshëm prindëror? Artikulli ynë vijues do të shqyrtojë këtë çështje.
[Figura në faqen 6]
Nën presione, disa prindër dështojnë t’u shprehin dashuri fëmijëve të tyre.
[Figura në faqen 7]
Prindërit duhet të shprehin dashurinë, për të cilën kanë nevojë fëmijët.