Prindër, fëmijët tuaj kanë nevojë për kujdes të veçantë
«Bijtë tuaj do të jenë si filizat e drurit të ullirit rreth tryezës sate.»—PSALMI 128:3, BR.
1. Si mund të krahasohet rritja e bimëve me rritjen e fëmijëve?
NË SHUMË aspekte, fëmijët rriten dhe zhvillohen si bimët. Prandaj, nuk është për t’u habitur që Bibla e krahason gruan e një njeriu me «hardhinë që sjell fryte» dhe fëmijët me «filizat e drurit të ullirit rreth tryezës [së tij]». (Psalmi 128:3, BR) Një bujk do të të thotë se nuk është e lehtë t’i rritësh bimët, veçanërisht kur klima dhe kushtet e terrenit s’janë të favorshme. Në mënyrë të ngjashme, në këto «ditë të fundit» kritike është tepër e vështirë të rritësh fëmijë dhe t’i ndihmosh të bëhen madhorë të ekuilibruar që i frikësohen Perëndisë.—2. Timoteut 3:1-5.
2. Çfarë nevojitet zakonisht për të pasur një korrje të mbarë?
2 Për të pasur një korrje të mbarë, bujkut i nevojitet tokë pjellore, diell dhe ujë. Përveç kësaj, për ta kultivuar dhe për ta prashitur, ai duhet të ketë kujdes nga dëmtuesit dhe të sigurojë mjete të tjera mbrojtëse. Deri në kohën e korrjeve mund të ketë gjithmonë momente të vështira. Është vërtet për të ardhur keq kur korrja nuk shkon mbarë! Megjithatë, sa kënaqësi mund të ndiejë kultivuesi, kur pas shumë e shumë mundimesh korrja është e mbarë!—Isaia 60:20-22; 61:3.
3. Si mund të krahasohen bimët dhe fëmijët për nga rëndësia dhe çfarë lloj kujdesi duhet të marrin fëmijët?
3 Një jetë njerëzore e suksesshme dhe me rezultate të mira, sigurisht që është më e çmuar se të korrat e bujkut. Prandaj, nuk duhet të na habisë fakti që rritja me sukses e një fëmije mund të kërkojë më shumë kohë dhe përpjekje, sesa të arrish një korrje të bollshme. (Ligji i përtërirë 11:18-21) Një fëmijë i mbjellë në kopshtin e jetës, nëse ujitet dhe ushqehet me dashuri dhe i jepet shëndet me bollëk, mund të rritet dhe të lulëzojë frymësisht edhe në këtë botë plot me vlera morale të dëmshme. Por, nëse keqtrajtohet apo mbahet nën zgjedhë, fëmija mund të fishket nga brenda dhe mund të vdesë frymësisht. (Kolosianëve 3:21; krahaso Jeremia 2:21; 12:2.) Po, të gjithë fëmijët kanë nevojë për kujdes të veçantë!
Kujdes i përditshëm që nga fëmijëria
4. Çfarë lloj kujdesi u nevojitet fëmijëve «që nga fëmijëria»?
4 Prindërit duhet t’u kushtojnë vazhdimisht kujdes të porsalindurve. Por, a ka nevojë fëmija për kujdes të përditshëm vetëm në kuptimin fizik apo material? Apostulli Pavël i shkroi shërbëtorit të Perëndisë, Timoteut: «Që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin.» (2. Timoteut 3:15) Prandaj, kujdesi prindëror që i ishte kushtuar Timoteut, madje që nga fëmijëria, ishte edhe në kuptimin frymor. Por, kur fillon fëmijëria?
5, 6. (a) Çfarë thotë Bibla për të palindurit? (b) Çfarë tregon fakti që prindërit duhet të kujdesen për mirëqenien e fëmijës së palindur?
5 Fjala greke e përdorur këtu nga Pavli (breʹphos), mund t’i referohet edhe një fëmije ende të palindur. Elizabeta, nëna e Gjon Pagëzorit, i tha kushërirës së vet, Marijes: «Sapo arriti në veshët e mi zëri i përshëndetjes sate, fëmija [breʹphos] nga gëzimi kërceu në barkun tim.» (Luka 1:44) Prandaj, edhe një i palindur mund të quhet fëmijë dhe Bibla tregon se ata mund të jenë të ndjeshëm ndaj aktiviteteve jashtë mitrës. Atëherë, a do të përfshinte kujdesin për mirëqenien frymore të fëmijës së palindur, kura e paralindjes që sugjerohet shpesh sot?
6 Kjo gjë duhet marrë parasysh, pasi është provuar që një fëmijë i palindur mund të përfitojë apo mund të ndikohet për keq nga ajo që dëgjon. Një dirigjent vërejti se partitura të ndryshme që ai i kujtonte me hollësi tingëllonin në mënyrë të habitshme të njohura, veçanërisht pjesa me violonçel. Kur ia përmendi emrat e veprave muzikore të ëmës, që ishte një violonçeliste profesioniste, ajo tha se ato ishin kompozimet muzikore që ajo luante gjatë kohës që ishte shtatzënë me të. Ngjashëm, një fëmijë i palindur mund të ndikohet negativisht, nëse nënat e tyre e bëjnë zakon të shohin telenovela në TV. Kështu, një gazetë mjekësore foli për «ndikimin e keq tek fetusi».
7. (a) Si kanë treguar vëmendje për mirëqenien e të palindurit shumë prindër? (b) Çfarë aftësish ka një fëmijë?
7 Duke kuptuar dobinë e nxitjeve pozitive tek fëmijët, shumë prindër fillojnë t’u lexojnë, t’u flasin dhe t’u këndojnë fëmijëve të tyre edhe para se të lindin. Edhe ti mund të veprosh në të njëjtën mënyrë. Edhe pse fëmija nuk i kupton fjalët, ndoshta përfiton nga zëri qetësues dhe toni i tij i dashur. Pas lindjes, fëmija do të fillojë t’i kuptojë fjalët, ndoshta shumë më shpejt nga ç’mund të mendosh. Vetëm në dy apo tre vjet, fëmija mëson një gjuhë komplekse vetëm duke e dëgjuar të flitet. Gjithashtu, një fëmijë mund të fillojë të mësojë «gjuhën e pastër» të së vërtetës biblike.—Sofonia 3:9.
8. (a) Çfarë do të tregojë dukshëm Bibla kur thotë që Timoteu i njihte shkrimet e shenjta «që nga fëmijëria»? (b) Ç’gjë u vërtetua lidhur me Timoteun?
8 Çfarë kishte ndër mend Pavli, kur tha se Timoteu ‘i njihte shkrimet e shenjta që nga fëmijëria’? Dukshëm ai donte të thoshte se Timoteu kishte marrë stërvitje frymore që nga foshnjëria dhe jo nga fëmijëria. Kjo është në pajtim me kuptimin e fjalës greke breʹphos, e cila zakonisht u referohet të porsalindurve. (Luka 2:12, 16; Veprat 7:19) Me sa kujtonte, Timoteu kishte marrë mësime frymore nga e ëma, Eunika dhe nga gjyshja e tij, Loida. (2. Timoteut 1:5) Thënia «pema njihet që në filiz» me siguri u tregua e vërtetë në rastin e Timoteut. Ai ishte ‘stërvitur sipas rrugës që ishte për të’ dhe si rezultat u bë një shërbëtor i shkëlqyer i Perëndisë.—Proverbat 22:6; Filipianëve 2:19-22, BR.
Kujdesi i veçantë që nevojitet
9. (a) Çfarë duhet të eliminojnë prindërit dhe përse? (b) Çfarë duhet të bëjnë prindërit gjatë periudhës së rritjes së fëmijës dhe cilin shembull duhet të ndjekin?
9 Fëmijët janë si bimët edhe në kuptimin se jo të gjithë kanë të njëjtat karakteristika dhe as nuk u përshtaten të njëjtave metoda të kujdesit. Prindërit e zgjuar do ta respektojnë ndryshimin e moshave dhe nuk do të bëjnë diferencime midis fëmijëve. (Krahaso Galatasve 6:4.) Nëse do që fëmijët e tu të rriten të shëndetshëm, duhet të vëresh karakteristikat individuale, duke kultivuar ato të mirat dhe duke eliminuar të këqijat. Çfarë mund të bësh, nëse vëren ndonjë dobësi apo prirje të gabuar, ndoshta lidhur me pandershmërinë, materializmin apo egoizmin? Korrigjoje me mirësjellje, ashtu siç i korrigjoi Jezui dobësitë e dishepujve të tij. (Marku 9:33-37) Veçanërisht, lëvdoje regullisht çdo fëmijë për cilësitë dhe karakteristikat e tij të mira.
10. Çfarë u nevojitet veçanërisht fëmijëve dhe si mund të sigurohet?
10 Fëmijët kanë veçanërisht nevojë për kujdes të dashur. Jezui gjente kohë për t’u kushtuar të vegjëlve një kujdes të tillë të veçantë, edhe gjatë ditëve të fundit intensive të shërbimit të tij. (Marku 10:13-16, 32) Prindër, ndiqeni atë shembull! Me vetëmohim, gjeni kohë për të qëndruar me fëmijët tuaj. Mos kini turp t’u tregoni dashuri të sinqertë. Merrini në krahë, ashtu siç bëri Jezui. Përqafojini dhe puthini me ngrohtësi. Kur prindërve me fëmijë të rritur dhe të ekuilibruar iu kërkua se ç’këshilla mund t’u jepnin prindërve të tjerë, ndërmjet përgjigjeve më të shpeshta ishin: «Dashuri të pakufishme», «kaloni kohën së bashku», «kultivoni respekt reciprok», «dëgjojini», «ofrojuni këshilla në vend se t’u mbani fjalime» dhe «jini realistë».
11. (a) Si duhet ta konsiderojnë prindërit sigurimin e kujdesit të veçantë për fëmijët e tyre? (b) Kur mund të gëzojnë biseda të çmuara prindërit me fëmijët e tyre?
11 Sigurimi i këtij kujdesi të veçantë mund të jetë kënaqësi. Një prind që kishte rezultate të mira me fëmijët shkroi: «Kur dy djemtë tanë ishin të vegjël, ishte kënaqësi për ne t’i përgatitnim për në shtrat, t’u lexonim diçka, t’u palosnim kuvertat dhe të luteshim me ta.» Raste të tilla i hapin rrugë bashkëbisedimeve që mund të jenë inkurajuese si për prindërit, ashtu edhe për fëmijët. (Krahaso Romakëve 1:11, 12.) Një çift e dëgjoi fëmijën tre vjeçar që i lutej Perëndisë të bekonte «Wally». Edhe netët vijuese ai u lut për «Wally» dhe prindërit u inkurajuan shumë kur kuptuan se ai kishte në mendje vëllezërit në Malaivi, që atëherë persekutoheshin. Një grua tha: «Kur isha katër vjeçe, mamaja më ndihmonte të mësoja përmendësh shkrime dhe të këndoja këngët e Mbretërisë, ndërsa qëndroja në këmbë mbi një karrige për të tharë pjatat që ajo lante.» A mund të sjellësh ndër mend raste kur mund të gëzosh bashkëbisedime të çmuara me fëmijët e tu?
12. Çfarë do të siguronin për fëmijët e tyre prindërit e mençur të krishterë dhe cilat metoda mund të përdoren?
12 Prindërit e mençur të krishterë planifikojnë një program të rregullt studimi. Edhe pse mund të përdorësh një metodë formale me pyetje dhe përgjigje, a mund ta bësh më të këndshëm bashkëbisedimin, veçanërisht për më të vegjlit, duke bërë ndonjë modifikim? Mund të përshkruash piktura nga skenat biblike, të tregosh tregime biblike ose të dëgjosh rezultatet e ndonjë kërkimi që ia ke besuar njërit prej fëmijëve. Bëje Fjalën e Perëndisë sa më të shijshme që të jetë e mundur për fëmijët e tu, në mënyrë që ata të kenë një dëshirë të zjarrtë për të. (1. Pjetrit 2:2, 3) Një baba tha: «Kur fëmijët ishin të vegjël ecnim këmbadoras me ta mbi dysheme dhe vinim në skenë ngjarje historike, duke përfshirë edhe personazhe të famshëm biblikë. Kalamajtë i kishin shumë qejf.»
13. Ku qëndron vlera e demonstrimeve praktike dhe mbi ç’gjëra mund të ushtrohen?
13 Edhe demonstrimet praktike i hapin rrugë bashkëbisedimeve, sepse ato i ndihmojnë fëmijët të përgatiten për të përballuar situata të jetës reale. Një fëmijë nga familja e Kuserovëve—ishin 11 fëmijë dhe të gjithë i mbetën besnikë Perëndisë gjatë persekutimit nazist—tha për prindërit e vet: «Ata na mësonin se si të vepronim dhe se si të mbroheshim me Bibël. [1. Pjetrit 3:15] Shpeshherë ushtroheshim përmes pyetjeve dhe përgjigjeve.» Përse të mos veprosh edhe ti kështu? Mund të praktikosh demonstrime për shërbimin, ku një prind të luajë rolin e pronarit të shtëpisë. Demonstrimet praktike mund të jenë edhe lidhur me tundimet e jetës reale. (Proverbat 1:10-15) «Përgatitja për të përballuar situata të vështira mund të përforcojë aftësitë dhe bindjen e fëmijës,—tha një person.—Praktika mund të përfshijë luajtjen e rolit të një shoku që i ofron fëmijës tënd një cigare, pije alkoolike apo drogë.» Një gjë e tillë mund të të ndihmojë të kuptosh se si reagon ai në situata të tilla.
14. Përse janë kaq të rëndësishme bisedat e dashura dhe të dhembshura me fëmijët tuaj?
14 Gjatë bisedave, drejtoju fëmijës në të njëjtën mënyrë të dhembshur, ashtu siç bëri autori i këtyre fjalëve: «Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia, sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje.» (Proverbat 3:1, 2) A nuk do ta prekje zemrën e fëmijës, po t’i shpjegoje me dashuri se kërkon që ai të të bindet, sepse kjo gjë do t’i jepte paqe dhe ditë të gjata—në fakt jetën e përhershme në botën e re paqësore të Perëndisë? Ki parasysh personalitetin e fëmijës, kur arsyeton me të nga Fjala e Perëndisë. Bëje këtë në lutje dhe Jehovai do t’i bekojë përpjekjet e tua. Këto biseda të dashura e të dhembshura të bazuara në Bibël, ndoshta japin rezultate të shkëlqyera dhe sjellin bekime të qëndrueshme.—Proverbat 22:6.
15. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që të zgjidhin problemet?
15 Edhe nëse ky lloj dialogu nuk ndodh gjatë periudhës së planifikuar të studimit, mos e largo vëmendjen në gjëra të tjera. Dëgjo me kujdes jo vetëm se çfarë thotë fëmija, por edhe se si e shpreh ai mendimin. «Vëreje fëmijën,—tha një ekspert në këtë fushë.—Kushtoji vëmendje të plotë. Duhet të kuptosh, jo vetëm të dëgjosh. Prindërit që ushtrojnë këtë përpjekje suplementare mund të bëjnë një ndryshim të madh në jetën e fëmijëve të tyre.» Fëmijët sot ndeshen me probleme serioze në shkollë e kudo. Si prind, inkurajoje fëmijën të shprehet dhe ndihmoje që t’i shikojë gjërat nga pikëpamja e Perëndisë. Nëse nuk je i sigurt për mënyrën se si mund të zgjidhet një problem, kërko në Shkrime dhe në botimet e siguruara nga «skllavi besnik dhe i matur». (Mateu 24:45) Me çdo mënyrë, jepi fëmijës kujdesin e veçantë që i nevojitet për të zgjidhur problemin.
Çmojeni kohën e kaluar së bashku
16, 17. (a) Përse veçanërisht sot, fëmijëve u nevojitet kujdes i veçantë dhe mësim? (b) Çfarë duhet të dinë fëmijët kur disiplinohen nga prindërit?
16 Sot më shumë se kurrë, fëmijët kanë nevojë për kujdes të veçantë, sepse jetojmë në «ditët e fundit» dhe këto janë «kohë të vështira». (2. Timoteut 3:1-5; Mateu 24:3-14) Prindër e fëmijë bashkë, kanë nevojë për mbrojtjen nga mençuria e vërtetë që «i bën të jetojnë ata që e zotërojnë». (Eklisiastiu 7:12) Meqenëse mençuria hyjnore përfshin vetë zbatimin e njohurisë së bazuar në Bibël, fëmijët kanë nevojë të mësohen rregullisht në Fjalën e Perëndisë. Prandaj, studioji Shkrimet me fëmijët e tu. Flit me ta për Jehovain, shpjegoju me kujdes kërkesat e tij dhe ngjall tek ta pritje të gëzueshme për plotësimin e premtimeve të tij madhështore. Flit për gjëra të tilla në shtëpi, kur ecën me ta—po, në çdo rast të përshtatshëm.—Ligji i përtërirë 6:4-7.
17 Bujqit e dinë se jo të gjitha bimët rriten në të njëjtat kushte. Ato kanë nevojë për kujdes të veçantë. Ngjashëm, çdo fëmijë është i ndryshëm dhe ka nevojë për kujdes të veçantë, mësim dhe disiplinë. Për shembull, një vështrim që shpreh mospëlqim nga ana e prindit mund të mjaftojë për të ndaluar sjelljen e gabuar të një fëmije, ndërkohë që një fëmijë tjetër mund të ketë nevojë për disiplinë të ashpër. Megjithatë, të gjithë fëmijët duhet të dinë se përse nuk jeni të kënaqur me disa fjalë apo veprime dhe të dy prindërit duhet të bashkëpunojnë, në mënyrë që disiplina të jetë e qëndrueshme. (Efesianëve 6:4) Është veçanërisht e rëndësishme që prindërit e krishterë të sigurojnë udhëheqje të qartë që përputhet me Shkrimet.
18, 19. Çfarë përgjegjësie kanë prindërit e krishterë lidhur me fëmijët e tyre dhe cili do të jetë rezultati i mundshëm, nëse ajo kryhet mirë?
18 Bujku duhet të mbjellë dhe të kultivojë në kohën e duhur. Nëse vonon apo neglizhon, të korrat do të jenë pak ose aspak. Po kështu, fëmijët tuaj janë «bimë» që kërkojnë kujdes të veçantë që tani dhe jo muajin apo vitin tjetër. Mos lejo të të shpëtojnë rastet për nxitjen e rritjes së tyre frymore në përputhje me Fjalën e Perëndisë dhe elimino mendimet nga bota që mund të shkaktojnë fishkjen dhe vdekjen e tyre frymore. Çmojini orët dhe ditët që keni privilegjin t’i kaloni bashkë me fëmijët tuaj, sepse këto momente kalojnë shpejt. Punoni shumë për të kultivuar tek pasardhësit tuaj cilësitë hyjnore që nevojiten për një jetë të lumtur si shërbëtorë besnikë të Jehovait. (Galatasve 5:22, 23; Kolosianëve 3:12-14) Këtë gjë nuk duhet ta bëjë dikush tjetër, është puna juaj dhe me ndihmën e Perëndisë do t’ia dilni mbanë.
19 Jepuni fëmijëve një trashëgimi të pasur frymore. Studioni Fjalën e Perëndisë me ta dhe zbavituni bashkë në mënyrë të shëndetshme. Merrini me vete në mbledhjet e krishtere dhe në veprën e predikimit të Mbretërisë. Ndërtoni tek pasardhësit tuaj të dashur llojin e personalitetit që i pëlqen Jehovait dhe ka shumë mundësi që ata t’ju sjellin gëzim të madh më vonë. Në të vërtetë «babai i të drejtit do të gëzohet shumë; kush ka lindur një të urtë do t’ia ndjejë gëzimin. Le të gëzohet ati yt dhe nëna jote dhe le të gëzohet ajo që të ka lindur».—Proverbat 23:24, 25.
Një shpërblim i pasur
20. Cili është sekreti i suksesit kur kemi fëmijë adoleshentë?
20 Rritja e një fëmije është një detyrë komplekse dhe me afat të gjatë. Të ndihmosh këta «filiza të drurit të ullirit rreth tryezës sate», për t’u rritur me frikë Perëndie që i sjellin fryte Mbretërisë, është quajtur një iniciativë 20-vjeçare. (Psalmi 128:3; Gjoni 15:8) Zakonisht, kjo iniciativë vështirësohet kur fëmijët arrijnë vitet e adoleshencës, kur presionet mbi ta rriten dhe prindërve u duket i nevojshëm intensifikimi i përpjekjeve të tyre. Por sekreti i suksesit mbetet po i njëjti—të jemi të kujdesshëm, të ngrohtë dhe të kuptueshëm. Mos harro se fëmijët tuaj kanë vërtet nevojë për vëmendjen tuaj. Mund t’ua tregoni një vëmendje të tillë, duke u kushtuar kujdes të dashur dhe të sinqertë për mirëqenien e tyre. Për t’i ndihmuar, duhet t’u dedikoni veten duke u siguruar kohën, dashurinë dhe kujdesin që atyre me të vërtetë u nevojiten.
21. Cili mund të jetë shpërblimi, nëse fëmijëve u kushtohet kujdes i veçantë?
21 Shpërblimi i përpjekjeve tuaja për kujdesin kushtuar fryteve të çmuara që Jehovai ju ka besuar, mund të jetë shumë më i këndshëm sesa çdo korrje e mbarë e bujkut. (Psalmi 127:3-5) Prandaj prindër, vazhdoni t’u kushtoni fëmijëve tuaj kujdes të veçantë. Bëjeni për të mirën e tyre dhe për lavdinë e Atit tonë qiellor, Jehovait.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si mund të krahasohet rritja e bimëve me rritjen e fëmijëve?
◻ Çfarë lloj kujdesi të përditshëm duhet të marrë një fëmijë që nga foshnjëria?
◻ Çfarë kujdesi i veçantë u nevojitet fëmijëve dhe si mund t’u jepet?
◻ Përse duhet t’u kushtoni kujdes të veçantë fëmijëve?