MËSIMI 52
Nxitja e efektshme
PLEQTË e krishterë duhet të jenë në gjendje ‘të nxitin me anë të mësimit që është i shëndoshë’. (Titit 1:9) Ndonjëherë kjo duhet bërë përballë rrethanave shumë të vështira. Është e rëndësishme të jepen këshilla në përputhje me udhëzimet biblike. Prandaj, pleqtë duhet t’i vënë veshin këshillës: «Vazhdo t’i kushtohesh . . . nxitjes.» (1 Tim. 4:13) Kjo këshillë u drejtohet kryesisht pleqve ose atyre që synojnë për këtë privilegj. Megjithatë, ka raste kur edhe prindërit duhet t’i nxitin fëmijët e tyre ose ata që drejtojnë studime biblike duhet t’i nxitin studentët e Biblës. Në këto raste, do të zbatohen udhëzime të ngjashme.
Rrethana në të cilat nevojitet nxitje. Për të përcaktuar kur është e nevojshme të jepet nxitje, është e dobishme të shqyrtojmë disa rrethana të dokumentuara në Bibël, në të cilat u dha nxitje. Apostulli Pjetër i nxiti pleqtë që t’i kushtonin vëmendje përgjegjësisë së tyre si barinj të kopesë së Perëndisë. (1 Pjet. 5:1, 2) Pavli e këshilloi Titin t’i nxiste të rinjtë që ‘të ishin me mendje të shëndoshë’. (Titit 2:6) Pavli i nxiti të bashkëkrishterët që ‘të flitnin në harmoni’ dhe t’i shmangnin ata që përpiqeshin të shkaktonin përçarje mes vëllezërve. (1 Kor. 1:10; Rom. 16:17; Filip. 4:2) Ndonëse i lavdëroi pjesëtarët e kongregacionit të Selanikut për gjërat e mira që po bënin, Pavli i nxiti që t’i zbatonin edhe më plotësisht udhëzimet që kishin marrë. (1 Sel. 4:1, 10) Pjetri iu përgjërua të bashkëkrishterëve që ‘të vazhdonin të përmbaheshin nga dëshirat e mishit’. (1 Pjet. 2:11) Juda i nxiti vëllezërit e tij që ‘të luftonin me të gjitha forcat për besimin’ duke pasur parasysh ndikimin e njerëzve të paperëndishëm që jepeshin pas sjelljes së shthurur. (Jud. 3, 4) Të krishterëve në përgjithësi iu bë thirrje që të nxitnin njëri-tjetrin, me qëllim që asnjë të mos ngurtësohej nga fuqia mashtruese e mëkatit. (Hebr. 3:13) Pjetri i nxiti judenjtë që nuk kishin besuar ende te Krishti: «Shpëtoni nga ky brez dredharak.»—Vep. 2:40.
Çfarë cilësish nevojiten për të dhënë nxitje të fuqishme në këto rrethana? Në ç’mënyrë ai që nxit mund të bëjë thirrje për të vepruar urgjentisht pa qenë shtypës apo i vrazhdë?
«Në bazë të dashurisë.» Nëse nxitja jonë nuk jepet «në bazë të dashurisë», ajo mund të tingëllojë e ashpër. (Fil. 9) Vërtet, kur kërkohet të veprohet menjëherë, nga fjalimi i oratorit duhet të dalë në pah përse kjo duhet bërë urgjentisht. Të folurit e butë mund të japë përshtypjen sikur oratori po kërkon të shfajësohet. Njëkohësisht, nxitja duhet bërë edhe me seriozitet e me ndjenja të thella. Nxitja e dhënë me dashuri ka më shumë të ngjarë ta motivojë auditorin. Duke folur për veten dhe për shokët e tij, Pavli u tha selanikasve: «Ju e dini mirë se ashtu siç bën ati me fëmijët e tij, ne vazhduam të nxitnim secilin prej jush.» (1 Sel. 2:11) Ata mbikëqyrës të krishterë u përgjëroheshin me dashuri vëllezërve. Lër që shprehjet e tua të burojnë nga shqetësimi i sinqertë për ata që të dëgjojnë.
Trego takt. Mos i bëj armiq ata të cilët po përpiqesh t’i nxitësh që të veprojnë. Në të njëjtën kohë, mos ngurro t’i tregosh auditorit tënd «gjithë qëllimin e Perëndisë». (Vep. 20:27) Personat mirënjohës nuk do të ofendohen ose nuk do të të duan më pak për faktin se i ke nxitur me dashamirësi që të bëjnë atë që është e drejtë.—Psal. 141:5.
Shpesh është e dobishme t’i paraprish nxitjes me një lavdërim specifik të sinqertë. Mendo për gjërat e mira që po bëjnë vëllezërit e tu, gjëra që Jehovait duhet t’i pëlqejnë shumë: besimi që shfaqin në veprën e tyre, dashuria që i shtyn të përpiqen me të gjitha forcat dhe qëndrueshmëria e tyre në rrethana sprovuese. (1 Sel. 1:2-8; 2 Sel. 1:3-5) Kjo do t’i ndihmojë vëllezërit që të ndiejnë se të tjerët i vlerësojnë e i kuptojnë dhe do t’i vërë në qëndrimin e duhur mendor që t’i përgjigjen nxitjes që do të pasojë.
«Me plot shpirtgjerësi». Nxitja duhet dhënë «me plot shpirtgjerësi». (2 Tim. 4:2) Çfarë përfshin kjo? Shpirtgjerësia përfshin qëndrueshmërinë me durim ndaj së keqes ose provokimit. Një individ shpirtgjerë shpreson se dëgjuesit e tij do ta zbatojnë atë që u thotë. Dhënia e nxitjes me këtë frymë do të bëjë që dëgjuesit të mos krijojnë përshtypjen se ke mendim negativ për ta. Siguria jote se vëllezërit dhe motrat duan t’i shërbejnë Jehovait sa më mirë që munden do të nxitë dëshirën e tyre për të bërë atë që është e drejtë.—Heb. 6:9.
Me anë të mësimit që është i shëndoshë.» Si mund ‘të nxitë’ një plak «me anë të mësimit që është i shëndoshë»? Duke ‘iu mbajtur fort fjalës së besueshme për sa i përket artit të tij të mësimdhënies’. (Titit 1:9) Në vend që të shprehësh mendimin tënd personal, lër që të jetë Fjala e Perëndisë burimi i nxitjes. Lër që të jetë Bibla ajo që modelon pikëpamjen tënde për atë që duhet thënë. Trego me radhë dobitë që rrjedhin nga zbatimi i asaj që thotë Bibla për çështjen në fjalë. Mbaj mirë parasysh pasojat, e tanishme e të ardhshme, të mospërputhjes me Fjalën e Perëndisë dhe përdori ato për ta bindur auditorin pse ka nevojë që të ndërmarrë veprimin e duhur.
Sigurohu që t’i shpjegosh qartë auditorit çfarë duhet të bëjë dhe se si duhet ta bëjë atë. Bëje të qartë se arsyetimi yt është i bazuar plotësisht te Shkrimet. Nëse Shkrimet lejojnë njëfarë hapësire veprimi në marrjen e një vendimi, trego se deri në ç’masë shtrihet kjo hapësirë. Pastaj, në mbyllje, bëj një nxitje përfundimtare që do t’ua forcojë dëgjuesve vendosmërinë për të vepruar.
Me «çiltërsi fjale». Për të nxitur me efektshmëri të tjerët, individi duhet të ketë ‘çiltërsi fjale në besim’. (1 Tim. 3:13) Çfarë e ndihmon individin të flasë me çiltërsi? Fakti se ‘shembulli i tij në vepra të shkëlqyera’ përputhet me atë që po i nxit vëllezërit të bëjnë. (Titit 2:6, 7; 1 Pjet. 5:3) Kur është kështu, ata të cilëve po u jepet nxitja për të vepruar do të kuptojnë se ai që po i nxit nuk pret prej tyre që të bëjnë gjëra të cilat ai vetë nuk i bën. Ata do të shohin se mund të imitojnë besimin e tij ashtu si ai përpiqet të imitojë Krishtin.—1 Kor. 11:1; Filip. 3:17.
Nxitja e bazuar në Fjalën e Perëndisë dhe e dhënë me frymë dashurie mund të japë shumë rezultate të mira. Ata që janë caktuar për të dhënë këtë nxitje duhet të jenë të zellshëm që ta bëjnë atë në mënyrë të shkëlqyer.—Rom. 12:8.