-
Vazhdoni t’i praktikoni gjërat që keni mësuarKulla e Rojës—2002 | 15 Shtator
-
-
Hidhni poshtë «tregimet e rreme»
8. (a) Si përpiqet Satanai të na e shkatërrojë besimin sot? (b) Cilin paralajmërim të Pavlit gjejmë te 2 Timoteut 4:3, 4?
8 Satanai përpiqet ta thyejë besnikërinë tonë duke mbjellë dyshime për atë që na është mësuar. Sot, ashtu si në shekullin e parë, apostatët dhe të tjerë përpiqen të shkatërrojnë besimin e njerëzve të pafajshëm. (Galatasve 2:4; 5:7, 8) Nganjëherë përdorin mjetet e informacionit për të përhapur të dhëna të shtrembëruara ose edhe gënjeshtra haptazi për metodat që përdor dhe për motivet që ka populli i Jehovait. Pavli paralajmëroi se disa do të largoheshin nga e vërteta. «Do të vijë një periudhë kohe,—shkroi ai,—kur ata njerëz nuk do ta durojnë mësimin e shëndoshë, por në përputhje me dëshirat e veta, do të grumbullojnë për vete mësues që t’u gudulisin veshët; do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’u kthehen tregimeve të rreme.»—2 Timoteut 4:3, 4.
9. Çfarë mund të ketë pasur ndër mend Pavli kur foli për «tregimet e rreme»?
9 Në vend që të mbanin modelin e fjalëve të shëndosha, disa u tërhoqën nga «tregimet e rreme». Çfarë ishin këto tregime të rreme? Ndoshta Pavli kishte ndër mend gojëdhënat imagjinare si ato që gjenden në librin apokrif të Tobias.a Tregimet e rreme mund të kenë përfshirë edhe thashetheme të bujshme e të diskutueshme. Përveç këtyre, kishte disa që, «në përputhje me dëshirat e veta», mund të jenë joshur nga ana intelektuale prej atyre që përkrahnin një pikëpamje toleruese për normat e Perëndisë ose që kritikonin ata që merrnin drejtimin në kongregacion. (3 Gjonit 9, 10; Judës 4) Çfarëdo pengese të ishte, disa me sa duket pëlqenin më shumë mashtrimet, sesa të vërtetat e Fjalës së Perëndisë. S’kaloi shumë e nuk i vinin më në praktikë gjërat që kishin mësuar, dhe kjo i dëmtoi frymësisht.—2 Pjetrit 3:15, 16.
10. Cilat janë sot disa tregime të rreme dhe si e theksoi Gjoni nevojën për të pasur kujdes?
10 Sot mund t’u shmangemi tregimeve të rreme nëse shqyrtojmë me kujdes dhe jemi përzgjedhës për atë që dëgjojmë dhe lexojmë. Për shembull, shpesh mjetet e informacionit nxitin imoralitetin. Shumë njerëz mbështetin agnosticizmin ose edhe ateizmin. Disa kritikë letrarë tallen me pohimin e Biblës se është e frymëzuar nga Perëndia. Ndërsa apostatët e sotëm vazhdojnë të përpiqen të mbjellin farëra dyshimi për t’u minuar besimin të krishterëve. Lidhur me një rrezik të ngjashëm, të shkaktuar nga profetët e rremë në shekullin e parë, apostulli Gjon paralajmëroi: «Të dashur, mos i besoni çdo shprehjeje të frymëzuar, por vërini shprehjet e frymëzuara në provë për të parë nëse vijnë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë.» (1 Gjonit 4:1) Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm.
11. Cila është një mënyrë për të vënë veten në provë që të shohim nëse jemi në besim?
11 Lidhur me këtë, Pavli shkroi: «Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim.» (2 Korintasve 13:5) Apostulli na nxiti që të vazhdojmë ta vëmë në provë veten për të përcaktuar nëse po mbahemi fort pas gjithë bindjeve të krishtere. Në qoftë se jemi të prirur t’i dëgjojmë me ëndje njerëzit e pakënaqur, duhet ta analizojmë veten në lutje. (Psalmi 139:23, 24) A jemi të prirur të gjejmë të meta te populli i Jehovait? Nëse po, përse? A na kanë lënduar fjalët ose veprimet e dikujt? Nëse është kështu, a po i shohim gjërat nga këndvështrimi i duhur? Çdo shtrëngim që hasim në këtë sistem është i përkohshëm. (2 Korintasve 4:17) Edhe sikur të kalojmë ndonjë sprovë në kongregacion, përse duhet të mos i shërbejmë më Perëndisë? Në qoftë se jemi të mërzitur për diçka, a nuk është shumë më mirë të bëjmë ç’të mundemi për ta zgjidhur çështjen dhe pastaj t’ia lëmë Jehovait në dorë?—Psalmi 4:4; Fjalët e urta (Proverbat) 3:5, 6; Efesianëve 4:26.
12. Si lanë bereasit një shembull të shkëlqyer për ne?
12 Në vend që të jemi kritikues, le të mbajmë një pikëpamje të shëndoshë frymësisht për informacionin që marrim nëpërmjet studimit personal dhe mbledhjeve të kongregacionit. (1 Korintasve 2:14, 15) E në vend që ta vëmë në dyshim Fjalën e Perëndisë, është shumë më e mençur të kemi qëndrimin e bereasve të shekullit të parë, të cilët i shqyrtonin me kujdes Shkrimet. (Veprat 17:10, 11) Pra, le të veprojmë në bazë të asaj që mësojmë, duke hedhur poshtë tregimet e rreme dhe duke u kapur fort pas së vërtetës.
13. Si mund të ndodhë që pa dashje të përhapim tregime të rreme?
13 Ka edhe një lloj tjetër tregimi të rremë ndaj të cilit duhet të ruhemi. Qarkullojnë jashtëzakonisht shumë histori të bujshme, shpesh me anë të postës elektronike. Është e mençur të jemi të kujdesshëm për këto histori, sidomos në qoftë se nuk e dimë burimin fillestar të informacionit. Edhe sikur një përvojë ose një histori ta ketë dërguar një i krishterë i besueshëm, ky individ mund të mos ketë njohuri të drejtpërdrejtë për faktet. Ja përse është e rëndësishme të jemi të kujdesshëm për sa i përket përsëritjes ose dërgimit të tregimeve që nuk janë të verifikuara. Sigurisht që nuk do të donim të përsëritnim «mite të paperëndishme» ose ‘përralla të cilat dhunojnë atë që është e shenjtë’. (1 Timoteut 4:7; New International Version) Meqë kemi edhe detyrimin për t’i thënë të vërtetën njëri-tjetrit, veprojmë me mençuri duke shmangur çdo gjë që do të na bënte të përhapnim, qoftë edhe pa dashje, gjëra të pavërteta.—Efesianëve 4:25.
-
-
Vazhdoni t’i praktikoni gjërat që keni mësuarKulla e Rojës—2002 | 15 Shtator
-
-
a Libri i Tobias, i shkruar ndoshta në shekullin e tretë p.e.s., flet për historinë e mbushur me besëtytni të një hebreu me emrin Tobia. Për të thuhej se kishte aftësinë të fitonte fuqi kuruese dhe për të dëbuar demonët duke përdorur zemrën, tëmblin dhe mëlçinë e një peshku përbindësh.
-