Libri biblik numër 55—2 Timoteut
Shkrimtari: Pavli
Vendi ku u shkrua: Romë
Shkrimi përfundoi: rr. 65 të e.s.
1. Ç’përndjekje u ndez në Romë rreth vitit 64 të e.s. dhe me sa duket për ç’arsye?
PAVLI ishte përsëri i burgosur në Romë. Mirëpo kushtet e burgimit kësaj here ishin shumë më të rënda se ato të burgimit të parë. Ishte aty afër vitit 65 të e.s. Në korrik të vitit 64 të e.s. Romën e kishin përpirë flakët, që kishin shkaktuar dëme të mëdha në 10 nga 14 zonat e qytetit. Sipas Tacitit, një historiani romak, perandori Neron nuk mundi «të largonte bindjen ogurzezë se ky zjarr i madh erdhi si pasojë e një urdhri të dhënë nga vetë ai. Kështu, për të shuar këta zëra, Neroni ia ngjiti fajin dhe ndëshkoi me tortura nga më mizoret një klasë të urryer për veprimet e tyre të neveritshme, që populli i quante të krishterë. . . . Një shumicë e madhe njerëzish u fajësua jo dhe aq për krimin e vënies së zjarrit në qytet, sesa për urrejtjen kundër njerëzimit. Vdekja e tyre shoqërohej me tallje të çdo lloji. Të mbuluar me lëkura kafshësh, ata shqyheshin nga qentë derisa vdisnin, gozhdoheshin në kryqe ose digjeshin të gjallë për të bërë dritë kur binte nata. Për këtë spektakël, Neroni ofroi kopshtet e tij . . . Kjo ngjalli një ndjenjë dhembshurie, pasi ata nuk po bëheshin fli për atë që dukej, për të mirën e publikut, por që një njeri i vetëm të shfrynte mizorinë e tij».a
2. Në cilat rrethana e shkroi Pavli 2 Timoteut dhe pse flet me mirënjohje për Onesiforin?
2 Ndoshta Pavli u gjend përsëri i burgosur në Romë në kohën kur ndodhi kjo valë përndjekjesh të dhunshme. Kësaj here ai ishte i lidhur me zinxhirë dhe nuk priste lirimin, por vetëm gjykimin përfundimtar dhe ekzekutimin. Vizitorë kishte pak. Në të vërtetë, kush dilte hapur se ishte i krishterë, rrezikonte të arrestohej e të torturohej derisa të vdiste. Prandaj, Pavli shkroi me mirënjohje për vizitorin e tij nga Efesi: «Zotëria u dhëntë mëshirë atyre të shtëpisë së Onesiforit, sepse ai më ka sjellë shpeshherë freskim dhe nuk i ka ardhur turp për zinxhirët e mi. Përkundrazi, kur ishte në Romë, më kërkoi me ngulm dhe më gjeti.» (2 Tim. 1:16, 17) Duke shkruar nën kërcënimin e afërt të vdekjes, Pavli e quan veten «apostull i Krishtit Jezu nëpërmjet vullnetit të Perëndisë dhe në përputhje me premtimin e jetës», që është në unitet me Krishtin Jezu. (1:1) Pavli e dinte se e priste jeta në unitet me Krishtin. Ai kishte predikuar në shumë nga qytetet kryesore të botës që njihej deri atëherë, nga Jerusalemi deri në Romë, e mbase deri edhe në Spanjë. (Rom. 15:24, 28) Ai e kishte përfunduar me besnikëri garën.—2 Tim. 4:6-8.
3. Kur u shkrua 2 Timoteut dhe si u ka sjellë dobi të krishterëve të çdo epoke?
3 Ka mundësi që Pavli ta ketë shkruar këtë letër rreth vitit 65 të e.s., shumë pak para martirizimit të tij. Ka mundësi që Timoteu të ketë qenë akoma në Efes, sepse Pavli e kishte nxitur të qëndronte atje. (1 Tim. 1:3) Mirëpo tani, Pavli e nxit dy herë Timoteun të shkojë tek ai sa më shpejt dhe i thotë të marrë Markun me vete. Gjithashtu, i kërkon t’i sjellë mantelin dhe rrotullat që kishte lënë në Troadë. (2 Tim. 4:9, 11, 13, 21) Duke qenë se u shkrua në një çast kaq kritik, kjo letër i dha një inkurajim të fuqishëm Timoteut, dhe që atëherë, ka vazhduar t’u sjellë inkurajim të dobishëm të krishterëve të vërtetë të çdo epoke.
4. Ç’gjë provon se 2 Timoteut është autentik dhe pjesë e kanunit të Biblës?
4 Libri i 2 Timoteut është autentik dhe pjesë e kanunit të Biblës, për arsye që tashmë i shqyrtuam kur folëm për 1 Timoteut. Ai është njohur si i tillë dhe është përdorur nga shkrimtarë dhe komentues të hershëm, duke përfshirë edhe Polikarpin, në shekullin e dytë të e.s.
PËRMBAJTJA E 2 TIMOTEUT
5. Ç’lloj besimi ka Timoteu, e megjithatë ç’duhet të vazhdojë të bëjë?
5 «T’i përmbahesh modelit të fjalëve të shëndosha» (1:1–3:17). Pavli i thotë Timoteut se nuk harron kurrë ta përmendë në lutjet e tij dhe se digjet nga dëshira për ta parë. Ai sjell ndër mend ‘besimin pa hipokrizi’ të Timoteut, që në fillim e kishte gjyshja e tij Loida dhe nëna e tij Eunika. Timoteu duhet ta rigjallërojë si zjarr dhuratën që ka, ‘sepse Perëndia nuk dha frymën e burracakërisë, por të fuqisë, të dashurisë dhe të mendjes së shëndoshë’. Prandaj, të mos i vijë turp të dëshmojë e të vuajë për lajmin e mirë, sepse dashamirësia e pamerituar e Perëndisë është bërë qartësisht e dukshme nëpërmjet shfaqjes së Shpëtimtarit, Jezu Krishtit. Timoteu duhet ‘t’i përmbahet modelit të fjalëve të shëndosha’ që dëgjoi nga Pavli e ta ruajë atë si një gjë të shkëlqyer që i është lënë në dorëzim.—1:5, 7, 13.
6. Ç’këshilla jep Pavli në lidhje me mësimdhënien, dhe si mund të jetë Timoteu një punëtor i miratuar dhe një enë për qëllim të nderuar?
6 Timoteu duhet t’ua besojë gjërat që mësoi nga Pavli «njerëzve të besueshëm, të cilët pastaj duhet të jenë të kualifikuar aq sa duhet për të mësuar edhe të tjerë». Timoteu duhet të tregojë se është ushtar i shkëlqyer i Krishtit Jezu. Ushtari nuk ngatërrohet me çështje tregtare. Gjithashtu, kush merr kurorën në garë, ndeshet sipas rregullave. Që të ketë aftësi dalluese, Timoteu duhet të mendojë vazhdimisht për fjalët e Pavlit. Gjërat e rëndësishme që duhet t’i kujtojë vetes dhe të tjerëve janë se «Jezu Krishti u ngrit nga të vdekurit dhe ishte nga fara e Davidit» dhe se shpëtimi e lavdia e përhershme në unitet me Krishtin, domethënë, mbretërimi bashkë me të, janë shpërblimi i të zgjedhurve që tregojnë qëndrueshmëri. Timoteu duhet të bëjë çmos që të paraqitet para Perëndisë si një punëtor i miratuar, duke shmangur fjalët boshe që dhunojnë atë që është e shenjtë e që përhapen si gangrenë. Ashtu si në një shtëpi të madhe enët për qëllim të nderuar mbahen veç nga ato për një qëllim pa nder, Pavli e këshillon Timoteun ‘të ikë nga dëshirat karakteristike rinore, dhe të ndjekë më mirë drejtësinë, besimin, dashurinë e paqen, bashkë me ata që e thërrasin Zotërinë me zemër të pastër’. Skllavi i Zotërisë duhet të jetë i ëmbël me të gjithë, i kualifikuar për të mësuar dhe të mësojë me butësi.—2:2, 8, 22.
7. Pse Shkrimet e frymëzuara janë veçanërisht të dobishme «në ditët e fundit»?
7 «Në ditët e fundit» do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Njerëzit që duket sikur kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por nuk ndikohen nga fuqia e tij, «gjithmonë mësojnë, e megjithatë nuk janë kurrë në gjendje të arrijnë njohurinë e saktë për të vërtetën». Kurse Timoteu ka ndjekur hap pas hapi mësimin e Pavlit, mënyrën e tij të jetesës dhe përndjekjet e tij, nga të cilat Zotëria e çliroi. «Në të vërtetë,—shton ai,—të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim hyjnor në unitet me Krishtin Jezu, do t’i përndjekin.» Megjithatë, Timoteu duhet të vazhdojë në gjërat që mësoi që nga foshnjëria, të cilat janë në gjendje ta bëjnë të mençur e t’i sjellin shpëtimin, sepse «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm».—3:1, 7, 12, 16.
8. Ç’nxitje i jep Pavli Timoteut dhe për çfarë ngazëllen Pavli?
8 Kryerja e shërbimit në mënyrë të plotë (4:1-22). Pavli e urdhëron Timoteun ‘të predikojë fjalën’ me urgjencë. (4:2) Do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë dot mësimin e shëndoshë e do të kthehen te mësuesit e rremë, por Timoteu duhet të ruajë gjykimin, ‘të bëjë veprën e ungjillëzuesit e ta kryejë plotësisht shërbimin e tij’. Duke e kuptuar se vdekja e tij është afër, Pavli ngazëllen që e ka bërë luftën e shkëlqyer, e ka përfunduar vrapimin dhe e ka ruajtur besimin. Tani ai pret i sigurt shpërblimin, ‘kurorën e drejtësisë’.—4:5, 8.
9. Ç’siguri shpreh Pavli në fuqinë e Zotërisë?
9 Pavli i thotë Timoteut të shkojë sa më shpejt tek ai dhe i jep disa udhëzime për udhëtimin. Kur bëri mbrojtjen e parë, Pavlin e braktisën të gjithë, por Zotëria e mbushi me fuqi që predikimi të kryhej plotësisht në të gjitha kombet. Ai është i sigurt se Zotëria do ta çlirojë nga çdo vepër e ligë dhe do ta shpëtojë për Mbretërinë e Tij qiellore.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
10. (a) Cili tipar veçanërisht i dobishëm i ‘gjithë Shkrimit’ theksohet te 2 Timoteut dhe ç’duhet të përpiqen të bëjnë të krishterët? (b) Ndaj cilit ndikim nuk duhet të biem pre dhe si mund të arrihet kjo? (c) Cila nevojë e ngutshme ekziston?
10 «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm.» I dobishëm për çfarë? Pavli na e tregon në letrën e tij të dytë drejtuar Timoteut: «Për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.» (3:16, 17) Pra, në këtë letër vihet theksi te dobia që sjell ‘mësimi’. Të gjithë ata që e duan drejtësinë sot, duan t’ia vënë veshin këshillës së mençur të kësaj letre që të përpiqen të bëhen mësues të Fjalës dhe të bëjnë çmos që të jenë punëtorë të miratuar të Perëndisë, ‘që e përdorin drejt fjalën e së vërtetës’. Njësoj si në Efesin e kohës së Timoteut, edhe në kohën tonë ka nga ata që humbin kohën me ‘diskutime të marra dhe prej injoranti’, të cilët «gjithmonë mësojnë, e megjithatë nuk janë kurrë në gjendje të arrijnë njohurinë e saktë për të vërtetën» dhe hedhin poshtë «mësimin e shëndoshë» për të dëgjuar mësuesit që u gudulisin veshët dhe u vijnë pas qejfit me fjalët e tyre. (2:15, 23; 3:7; 4:3, 4) Për të mos rënë pre e ndikimit ndotës të kësaj bote, nevojitet ‘t’i përmbahemi modelit të fjalëve të shëndosha’ me besim dhe dashuri. Gjithashtu, ekziston nevoja e ngutshme që gjithnjë e më shumë njerëz të bëhen «të kualifikuar aq sa duhet për të mësuar edhe të tjerë» brenda dhe jashtë kongregacionit, siç ishte edhe Timoteu, «njeriu i Perëndisë». Lum ata që mbajnë mbi supe këtë përgjegjësi duke ‘u kualifikuar për të mësuar me butësi’, dhe që e predikojnë fjalën «gjithë shpirtgjerësi dhe art mësimdhënieje»!—1:13; 2:2, 24, 25; 4:2.
11. Ç’këshillë u jepet të rinjve?
11 Siç tha edhe Pavli, Timoteu i kishte njohur shkrimet e shenjta «që nga foshnjëria» falë Loidës dhe Eunikës që e mësuan me dashuri. Gjithashtu, shprehja «që nga foshnjëria» tregon se kur duhet të fillojnë fëmijët e sotëm të marrin njohuri për Biblën. Por, ç’mund të bëhet nëse vite më vonë zelli i fillimit nis të shuhet? Pavli këshillon ta rindezin atë zjarr me frymën e «fuqisë, të dashurisë dhe të mendjes së shëndoshë», duke mbajtur një besim pa hipokrizi. «Në ditët e fundit», tha ai, do të ketë kohë kritike, ku do të bien në sy sjellja prej krimineli dhe mësimet e rreme. Ja pse është aq e nevojshme që të gjithë, por sidomos të rinjtë, ‘të ruajnë gjykimin në gjithçka e ta kryejnë plotësisht shërbimin e tyre’.—3:15; 1:5-7; 3:1-5; 4:5.
12. (a) Si e tërhoqi vëmendjen Pavli te Fara e Mbretërisë dhe ç’shpresë shprehu? (b) Si mund të kenë shërbëtorët e Perëndisë sot të njëjtin qëndrim mendor si Pavli?
12 Ia vlen të luftosh për një çmim të tillë. (2:3-7) Për këtë qëllim, Pavli e tërheq vëmendjen te Fara e Mbretërisë, kur thotë: «Kujtohu se Jezu Krishti u ngrit nga të vdekurit dhe ishte nga fara e Davidit, sipas lajmit të mirë.» Pavli shpresonte të qëndronte në unitet me atë Farë. Më tej në letrën e tij, ai flet për ekzekutimin e tij të afërt me një ton triumfues: «Që tani e tutje, për mua ruhet kurora e drejtësisë, të cilën Zotëria, gjykatësi i drejtë, do të ma japë si shpërblim atë ditë, madje jo vetëm mua, por edhe të gjithë atyre që e kanë dashur shfaqjen e tij.» (2:8; 4:8) Sa të lumtur janë të gjithë ata që mund të sjellin ndër mend vitet e shumta të shërbimit besnik e të shprehen me të njëjtat fjalë! Por kjo kërkon që të shërbejmë që tani me integritet, nga dashuria për shfaqjen e Jezu Krishtit, dhe të tregojmë të njëjtën siguri si Pavli, kur shkroi: «Zotëria do të më çlirojë nga çdo vepër e ligë e do të më shpëtojë për mbretërinë e tij qiellore. Atij i qoftë lavdia në jetë të jetëve! Amin!»—4:18.
[Shënimi]
a «Analet», (vëll. XV, par. 44), botuar në The Complete Works of Tacitus, 1942, nga Moisi Hejdasi, faqet 380, 381.