«Shmangu nga përrallat profane»
BIBLA është e mbushur plot me përvoja dhe tregime mbi njerëzit. Ato jo vetëm që janë të këndshme për t’u lexuar, por janë edhe të dobishme. Apostulli Pavël i shkroi kongregacionit të krishterë në Romë: «Të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë.»—Romakëve 15:4.
Vetë Pavli tregonte përvoja. Duke folur për Pavlin dhe Barnabën në përfundim të udhëtimit të tyre të parë misionar, Bibla thotë: «Si arritën atje [në Antiokinë e Sirisë], mblodhën kishën dhe treguan ç’gjëra të mëdha kishte kryer Perëndia me anë të tyre.» (Veprat 14:27) Pa dyshim që vëllezërit ishin shumë të inkurajuar nga këto përvoja.
Megjithatë, jo të gjitha përvojat janë ndërtuese. I frymëzuar, Pavli e paralajmëroi Timoteun: «Shmangu nga përrallat profane dhe të të vjetërve, edhe ushtrohu në perëndishmëri.» (1. Timoteut 4:7) Edhe Titit ai i shkroi se të krishterët besnikë duhej të qëndronin «pa u vënë vesh përrallave të Judenjve dhe urdhërimeve të njerëzve që largohen nga e vërteta».—Titi 1:14.
Çfarë ishin këto përralla apo fabula? Të dy termat vijnë nga greqishtja my’thos («mit»). The International Standard Bible Encyclopaedia bën të ditur se kjo fjalë përshkruan «një tregim fetar që nuk ka asnjë lidhje me realitetin».
Bota në ditët e Pavlit ishte e mbushur me tregime të tilla. Një shembull është libri apokrif i Tobit, me sa duket i shkruar rreth dyqind vjet para kohës së Pavlit. Ky tregim flet për Tobin, një hebre i devotshëm, i cili u verbua kur i ra në sy një glasë zogu. Më vonë, ai dërgoi të birin Tobiasin, të mblidhte një borxh. Rrugës, nën drejtimin e një engjëlli ai gjeti zemrën, mëlçinë dhe vrerin e një peshku. Pastaj, ai u ndesh me një vejushë, e cila megjithëse ishte martuar shtatë herë, ishte akoma e virgjër, sepse burrat e saj i vriste një frymë e ligë natën e parë të martesës. I nxitur nga engjëlli, Tobiasi martohet me të dhe e largon demonin duke djegur zemrën dhe mëlçinë e peshkut. Me vrerin e peshkut, Tobiasi më vonë i sjell shikimin të atit.
Është e qartë se ky rrëfim nuk është i vërtetë. Pavarësisht nga natyra e saj imagjinare dhe e thirrjes për bestytni, ajo përbën një gabim. Për shembull, tregimi thotë se Tobi dëshmon si për revoltat e fiseve veriore, ashtu edhe për mërgimin e izraelitëve në Ninevi, ngjarje këto që në tregimin e Izraelit kanë ndodhur 257 vjet larg nga njëra-tjetra. Ndërkohë, tregimi thotë që Tobi ishte 112 vjeç kur vdiq.—Tobit 1:4, 11; 14:1, The Jerusalem Bible.
Fabula të tilla janë të huaja në «modelin e fjalëve të shëndosha» të shpallura nga shërbëtorë besnikë të Perëndisë. (2. Timoteut 1:13) Ato janë fryte të imagjinatës, kundërshtojnë faktet historike dhe janë lloje të atyre gjërave që tregohen nga gra të vjetra jofetare. Këto ishin tregime që të krishterët duhet t’u shmangeshin.
Kontrollo fjalët e së vërtetës
Tregime të tilla ka edhe sot me bollëk. Pavli shkroi: «Do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por . . . do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’i sjellin drejt përrallave.» (2. Timoteut 4:3, 4) Në disa pjesë të botës, rrëfimet e mbinatyrshme janë të zakonshme dhe të famshme. Megjithatë, të krishterët me zgjuarsi «i kontrollojnë fjalët» e tregimeve fetare dhe shikojnë nëse ato janë në harmoni me Biblën.—Jobi 12:11.
Është e qartë se shumica nuk janë. Në shumë pjesë të botës, për shembull, është e zakonshme të dëgjosh tregime të cilat mbështesin konceptin që shpirti njerëzor është i pavdekshëm. Në këto tregime flitet se si njeriu vdes vetëm për t’u rishfaqur pastaj në trupin e një fëmije të sapolindur, si një shpirt, si një kafshë ose si një person në një vend tjetër.
Por Fjala e Perëndisë tregon se shpirtrat njerëzorë nuk janë të pavdekshëm; shpirtrat vdesin. (Ezekieli 18:4) Për më tepër, Bibla thotë se të vdekurit janë në varr të pajetë, të pazotët për të menduar, folur ose për të bërë çdo gjë tjetër. (Eklisiastiu 9:5, 10; Romakët 6:23) Kështu, ata që janë të joshur nga këto përralla profane, që përkrahin idenë se shpirti është i pavdekshëm, «kanë dredhuar» siç thotë Pavli, «nga mësimet e shëndosha» të Biblës.
Rrëfimet e mbinatyrshme
Tregime të tjera përqendrohen në veprat e shtriganëve dhe magjistarëve. Në disa vende të Afrikës, për shembull, këta përfaqësues të së ligës thuhet se kanë fuqi të tmerrshme, janë në gjendje të ndryshojnë veten e tyre ose të tjerët në zvarranikë, majmunë ose zogj; janë në gjendje të fluturojnë në ajër që të kryejnë misionet e tyre, janë në gjendje të duken dhe të zhduken, janë në gjendje të kalojnë përmes mureve dhe të shikojnë objekte të fshehura nën tokë.
Bollëku i tregimeve të tilla dhe besimi që është përhapur në to, mund të ndikojë në disa anëtarë të kongregacioneve të krishtere të besojnë se ato janë të vërteta. Ata mund të arsyetojnë se ndërsa njerëzit normalë nuk mund të bëjnë gjëra të tilla, mund t’i bëjnë ata që marrin fuqi të mbinatyrshme nga krijesat frymore, demonët. Një pikënisje e dukshme për të dalë në këtë konkluzion është 2. Selanikasve 2:9, 10, e cila thotë: «Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanait, bashkë me çudira, shenja dhe mrekullish të rreme dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar.»
Megjithëse është e vërtetë që ky shkrim tregon që Satanai është i aftë për vepra të fuqishme, kjo do të thotë që Satanai është gjithashtu autori i «shenjave dhe mrekullive të rreme» si dhe i «mashtrimeve të padrejta». Në përputhshmëri me këtë, Bibla tregon se Satanai është kryemashtruesi që «mashtron gjithë dheun». (Zbulesa 12:9) Ai është i zoti të bëjë që njerëzit të besojnë gjëra që nuk janë të vërteta.
Për këtë, dëshmia dhe pohimet e atyre që kanë qenë të përfshirë në spiritizëm dhe në zanatin e magjisë, janë shpesh larg nga e besueshmja. Njerëzit e këtillë mund të besojnë sinqerisht se kanë parë, dëgjuar ose përjetuar disa gjëra, por në fakt nuk është kështu. Për shembull, ka nga ata që mendojnë se kanë komunikuar me shpirtrat e të vdekurve. Por gabohen, ata janë të mashtruar, viktima të gënjeshtrave të Satanait. Bibla thotë se të vdekurit «zbresin në vendin e heshtjes».—Psalmi 115:17.
Duke parë historinë e zhgënjimeve të Djallit, vërtetësia e rrëfimeve të mbinatyrshme është diçka që meriton të dyshohet. Shumica janë shpikje të një imagjinate bestytnore, të ekzagjeruara nga të ritreguarit e vazhdueshëm.
Qarkullimi i këtyre fabulave përkrah interesat e atit të gënjeshtrës, Satana Djallit. (Gjoni 8:44) Ato nxisin interes në praktika të dyshimta, që janë të urryera nga Jehovai. (Ligji i përtërirë 18:10-12) Ato i futin njerëzit në grackën e frikës dhe të bestytnisë. Nuk habitemi që Pavli i këshilloi të krishterët «që të mos merren me përralla».—1. Timoteut 1:3, 4.
Hidh poshtë dëshminë e demonëve
Por, ç’mund të themi nëse tregimet duken të vërteta? Disa herë, përvojat janë treguar mbi frymëra apo spiritistë që kanë njohur pushtetin suprem të Jehovait dhe vërtetësinë e Dëshmitarëve të tij. A duhet t’i përsëritin të krishterët tregime të tilla?
Jo, s’duhet ta bëjnë një gjë të tillë. Bibla thotë se kur frymërat e ndyra bërtitën se Jezui ishte biri i Perëndisë, ai «i qortoi rreptësisht që të mos thoshin se kush ishte ai». (Marku 3:12) Ngjashëm, kur një demon parashikues e shtyu një vajzë të identifikonte Pavlin dhe Barnabën si «shërbëtorë të Më të Lartit Perëndi» dhe shpallës të «udhës së shpëtimit», Pavli e nxori frymën prej saj. (Veprat 16:16-18) As Jezui, as Pavli dhe asnjë nga shkrimtarët biblikë nuk i lejonin demonët të dëshmonin rreth qëllimit të Perëndisë ose për shërbëtorët e tij të zgjedhur.
Mund të kujtojmë, gjithashtu, se Jezu Krishti përpara se të vinte në tokë, ka jetuar në mbretërinë frymore. Ai e kishte njohur personalisht Satanain. Megjithatë Jezui nuk i zbaviste dishepujt e tij me tregime mbi aktivitetin e Satanait, ose me hollësira se çfarë mund të bëjë Djalli dhe çfarë jo. Satanai dhe demonët e tij nuk ishin miq të Jezuit. Ata ishin braktisës, rebelë, urryes të asaj që është e shenjtë dhe armiq të Perëndisë.
Bibla na tregon se çfarë kemi nevojë të njohim. Ajo shpjegon se kush janë demonët, se si ata i çojnë njerëzit në rrugë të shtrembër dhe se si mund të ruhemi prej tyre. Ajo tregon që Jehovai dhe Jezui janë më të fuqishëm sesa demonët. Na mëson se në qoftë se i shërbejmë Jehovait me besnikëri, frymërat e liga nuk mund të na bëjnë asnjë dëm të përhershëm.—Jakovi 4:7.
Kështu, duke pasur arsye të mira, të krishterët duhet t’u shmangen përrallave profane, tregimeve që përkrahin interesat e atyre që kundërshtojnë Perëndinë. Si Jezui «që erdhi për të dëshmuar të vërtetën», kështu bëjnë edhe ithtarët e tij sot. (Gjoni 18:37) Ata me mençuri i kushtojnë vëmendje paralajmërimit të Biblës: «Të gjitha gjërat që janë të vërteta, . . . këto mendoni.»—Filipianëve 4:8.
[Figura në faqen 31]
Të krishterët e vërtetë duhet të shmangin rreptësisht të gjitha paraqitjet e mbinatyrshme