Sauli: Një enë e zgjedhur për Zotërinë
SAULI nga Tarsi ishte një kundërshtar për vdekje i ithtarëve të Krishtit. Por Zotëria kishte ndër mend një të ardhme të ndryshme për të. Sauli do të bëhej një përfaqësues i shquar i vetë kauzës të cilën e kishte luftuar me aq furi. Jezui tha: «Ky njeri [Sauli] është një enë e zgjedhur për mua, që t’ua çojë emrin tim kombeve, si edhe mbretërve e bijve të Izraelit.»—Veprat 9:15, BR.
Jeta e Saulit si «një njeri fyes» ndryshoi plotësisht kur iu tregua mëshirë dhe u bë ‘ena e zgjedhur’ e Zotërisë Jezu Krisht. (1. Timoteut 1:12, 13) Energjitë që e kishin nxitur të merrte pjesë në vrasjen me gurë të Stefanit dhe në sulme të tjera mbi dishepujt e Jezuit, u drejtuan mbi objektiva krejt të ndryshme kur Sauli u bë apostulli i krishterë Pavël. Nga sa duket, Jezui pa karakteristika të dëshirueshme te Sauli. Çfarë karakteristikash? Kush ishte Sauli? Në ç’mënyrë prejardhja e tij e bëri të përshtatshëm për t’u përdorur në çuarjen përpara të adhurimit të vërtetë? A mund të mësojmë diçka nga përvoja e tij?
Prejardhja familjare e Saulit
Në kohën kur u vra Stefani, jo shumë pas Rrëshajëve të vitit 33 të e.s, Sauli ishte një «i ri». Kur i shkroi Filemonit rreth viteve 60-61 të e.s., ishte «burrë i moshuar». (Veprat 7:58, BR; Filemonit 9, BR) Studiuesit sugjerojnë se sipas një llogaritjeje të lashtë të moshës, «i ri» ka të ngjarë të nënkuptonte moshën mes 24 dhe 40 vjeç, kurse një «burrë i moshuar» do të ishte nga 50 deri në 56 vjeç. Kështu, ka të ngjarë që Sauli të ketë lindur vetëm ca vite pas Jezuit.
Në atë kohë, judenjtë jetonin në shumë pjesë të botës. Ndër shkaqet e shpërndarjes së tyre nga Judea ishin pushtimet nga kombet e tjera, skllavëria, dëbimi, tregtia dhe emigrimi i vullnetshëm. Edhe pse familja e Saulit ishte ndër judenjtë që u shpërndanë, ai thekson përmbajtjen e tyre ndaj Ligjit, duke thënë se u ‘rrethpre ditën e tetë, ishte nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, hebre nga hebrenj dhe sipas ligjit farise’. Sauli mbante emrin hebraik të një pjesëtari të shquar të fisit të tij, mbretit të parë të Izraelit. Duke qenë romak nga lindja, Sauli nga Tarsi kishte edhe një emër latin, Paulus.—Filipianëve 3:5; Veprat 13:21; 22:25-29.
Fakti që Sauli kishte lindur si romak donte të thoshte se njëri prej paraardhësve të tij meshkuj e kishte fituar privilegjin e qytetarisë. Si? Ka disa mundësi. Përveçse nëpërmjet trashëgimisë, qytetaria mund t’u jepej individëve ose grupeve për merita të veçanta, thjesht për interesa politike ose si një shpërblim për ndonjë shërbim të veçantë që i kishin kryer shtetit. Një skllav që ishte në gjendje të blinte lirinë e tij nga një romak ose një person i liruar nga një qytetar romak, mund të bëhej edhe vetë një romak. Po kështu, qytetarinë mund ta merrte edhe një ish-ushtar i huaj i forcave të armatosura, pasi të lirohej nga legjionet romake. Banorët vendas që jetonin nëpër koloni romake me kalimin e kohës mund të bëheshin qytetarë romakë. Gjithashtu, thuhet se në disa periudha, qytetaria blihej me shuma të mëdha parash. Se si hyri në familjen e Saulit qytetaria romake mbetet një mister.
Ne dimë se Sauli vinte nga Tarsi, qyteti kryesor dhe kryeqyteti i provincës romake të Kilikisë (që tani ndodhet në Turqinë jugore). Edhe pse në atë zonë kishte një komunitet të madh judaik, jeta në atë qytet duhet ta ketë ekspozuar Saulin edhe ndaj kulturës johebraike. Tarsi ishte një qytet i madh dhe i begatë, i njohur si një qendër e mësimit helenistik ose grek. Përllogaritjet tregojnë se popullsia e tij në shekullin e parë shkonte nga 300.000 në 500.000 banorë. Ai ishte një qendër tregtare në rrugën kryesore që lidhte Azinë e Vogël me Sirinë dhe Mesopotaminë. Tarsi ia detyronte begatinë e tij tregtisë dhe produktivitetit të rrafshinës që e rrethonte, e cila prodhonte kryesisht grurë, verë dhe li. Nga industria e tij lulëzuese tekstile vinin stofrat prej leshit të cjapit, me të cilat bëheshin tendat.
Arsimimi i Saulit
Sauli ose Pavli e siguronte jetesën në mënyrë të ndershme dhe i mbështeste aktivitetet e tij misionare duke bërë tenda. (Veprat 18:2, 3; 20:34) Zanati i tendabërësit ishte tipik për qytetin ku kishte lindur, Tarsin. Ka të ngjarë që Sauli të ketë mësuar të bëjë tenda nga babai i tij, që kur ishte i ri.
Edhe njohuria që kishte për gjuhët e veçanërisht zotërimi i greqishtes, që ishte gjuha e përbashkët e Perandorisë Romake, dolën shumë të vlefshme në veprën misionare të Saulit. (Veprat 21:37–22:2) Analizuesit e shkrimeve të tij thonë se greqishtja e tij është e shkëlqyer. Fjalori i tij nuk është klasik ose libror, por përkundrazi pasqyron gjuhën e përdorur në Septuaginta, përkthimi grek i Shkrimeve Hebraike, të cilat ai shpesh i citoi ose i parafrazoi. Bazuar në këtë dëshmi, disa studiues nxjerrin përfundimin se Sauli ka marrë të paktën një arsim të mirë fillor në gjuhën greke, ndoshta në një shkollë judaike. «Në lashtësi, një arsimim më i mirë e mbi të gjitha një arsimim grek, nuk merrej falas. Si rregull ai kërkonte njëfarë baze materiale»,—thotë dijetari Martin Hengel. Arsimimi i Saulit sugjeron, pra, se ai vinte nga një familje e ngritur.
Ka të ngjarë që kur ishte jo më shumë se 13 vjeç, Sauli ta ketë vazhduar arsimimin e tij në Jerusalem, rreth 840 kilometra larg shtëpisë. Ai u arsimua në këmbët e Gamalielit, një mësues i mirënjohur e shumë i vlerësuar i traditës fariseje. (Veprat 22:3; 23:6) Ato studime, që sot mund të krahasohen me një arsimim universitar, krijonin plotësisht mundësinë për të fituar rëndësi në judaizëm.a
Aftësi të përdorura për mirë
Duke qenë se kishte lindur në familje judeje, në një qytet helenik dhe romak, Sauli i përkiste tri botëve. Kjo prejardhje kozmopolite shumëgjuhëshe patjetër që e ndihmoi atë për t’u bërë «gjithçka për njerëzit e çdo lloji». (1. Korintasve 9:19-23, BR) Më vonë, qytetaria romake i dha mundësi atij për ta mbrojtur ligjërisht shërbimin e tij dhe për ta çuar lajmin e mirë para autoritetit më të lartë të Perandorisë Romake. (Veprat 16:37-40; 25:11, 12) Sigurisht që prejardhja, arsimimi dhe personaliteti i Saulit ishin të njohura për Jezuin e ringjallur, i cili i tha Ananisë: «Vazhdo udhën, sepse ky njeri është një enë e zgjedhur për mua, që t’ua çojë emrin tim kombeve, si edhe mbretërve e bijve të Izraelit. Sepse unë do t’i tregoj qartë atij se sa shumë gjëra duhet të vuajë për emrin tim.» (Veprat 9:13-16, BR) Kur u përqendrua në drejtimin e duhur, zelli i Saulit luajti një rol të rëndësishëm në përhapjen e mesazhit të Mbretërisë në territoret e largëta.
Zgjedhja e Saulit nga Jezui për të kryer një detyrë të veçantë ishte një ngjarje unike në historinë e krishterë. Megjithatë, të gjithë të krishterët e ditëve të sotme kanë aftësi dhe karakteristika individuale që mund të përdoren me efektshmëri në përhapjen e lajmit të mirë. Kur kuptoi se çfarë kishte ndër mend Jezui për të, Sauli nuk u përmbajt, por bëri gjithçka që mundi për të çuar përpara interesat e Mbretërisë. A është e vërtetë kjo në rastin tënd?
[Shënimi]
a Në lidhje me përmbajtjen dhe natyrën e arsimit që duhet të ketë marrë Sauli nga Gamalieli, shiko Kullën e Rojës, 15 korrik 1996, faqet 26-29.
[Kutia dhe figura në faqen 30]
Regjistrimi dhe certifikata e qytetarisë romake
Regjistrimi i fëmijëve të ligjshëm të qytetarëve romakë u vendos nga Augusti me dy statute që hynë në fuqi në vitin 4 dhe 9 të e.s. Regjistrimi duhej bërë brenda 30 ditëve të para pas lindjes. Nëpër provinca, një familje duhej të bënte deklaratë para një gjykatësi në zyrën e posaçme të regjistrimit civil, duke pohuar se fëmija ishte i ligjshëm dhe kishte qytetarinë romake. Regjistroheshin, gjithashtu, emrat e prindërve, gjinia dhe emri i fëmijës, si edhe data e lindjes. Edhe përpara hyrjes në fuqi të këtyre ligjeve, regjistrimi i qytetarëve në të gjitha komunat, kolonitë dhe prefekturat romake përtërihej çdo pesë vjet me anë të një regjistrimi të përgjithshëm.
Kështu, statusi i një personi mund të demonstrohej duke iu referuar një tërësie arkivash të mbajtura mirë. Certifikata të këtyre regjistrimeve mund të merreshin në formën e pllakave prej druri të palosura më dysh, të cilat mund të mbaheshin me vete. Sipas disa studiuesve, kur Pavli deklaroi se kishte qytetari romake, ai mund të ketë qenë në gjendje të paraqiste një certifikatë për vërtetim. (Veprat 16:37; 22:25-29; 25:11) Meqenëse qytetaria romake konsiderohej se kishte pothuajse një «cilësi të shenjtë» dhe e pajiste një person me shumë privilegje, falsifikimi i këtyre dokumenteve ishte një shkelje tepër e rëndë. Falsifikimi i statusit dënohej me vdekje.
[Burimi]
Kostume historike të Pikturuar/Botimet Dover, Inc., Nju Jork
[Kutia dhe figura në faqen 31]
Emri romak i Saulit
Çdo qytetar romak mashkull kishte të paktën tri elemente të emrit të tij. Kishte emrin, një emër të familjes (që lidhej me fisin dhe që ndryshe quhej gens) dhe mbiemrin. Një shembull i njohur është Gaius Julius Cezari. Bibla nuk jep emra të plotë romakë, por burime jofetare na thonë se Agripa ishte Markus Julius Agripa. Galioni ishte Lucius Junius Galioni. (Veprat 18:12; 25:13) Shembuj biblikë ku përmenden të paktën dy prej tri emrave të një personi janë Ponc Pilati (mbishkrimi poshtë), Sergjus Paulus, Klaudius Lisia dhe Porcius Festus.—Veprat 4:27; 13:7; 23:26; 24:27.
Nuk është e mundur të përcaktohet me saktësi nëse Paulus ishte emri ose mbiemri i Saulit. Nuk ishte e pazakontë që një personi t’i vihej në mënyrë joformale një emër tjetër, me të cilin e thërrisnin familja dhe të njohurit. Mundësia tjetër është që një emër jo romak si Saul të ishte përdorur si zëvendësues. «[Saul] nuk do të ishte kurrë një emër romak,—thotë një studiues,—por mund të shkonte mirë si një emër vendas që i ishte dhënë si një signum (pseudonim) një qytetari romak.» Në zonat ku fliteshin shumë gjuhë, situata mund ta kishte përcaktuar se cilin emër mund të zgjidhte për të përdorur një person.
[Burimi]
Fotografi nga Muzeu i Izraelit, ©Israel Antiquities Authority