BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/9 f. 13-18
  • Të rinj: Stërvitini aftësitë tuaja perceptuese!

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të rinj: Stërvitini aftësitë tuaja perceptuese!
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Të stërvitim aftësitë perceptuese
  • Të tregojmë aftësi shquese në zbavitje
  • Aftësi shquese në planifikimin e arsimimit
  • Ta mbajmë të nderuar periudhën e njohjes
  • I mësuar ‘që nga rinia’
  • Të zhvillojmë aftësitë tona perceptuese
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2001
  • A mund ta ‘shquani si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Vazhdoni të ushtroni aftësitë perceptuese
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • «Vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/9 f. 13-18

Të rinj: Stërvitini aftësitë tuaja perceptuese!

«Ushqimi i fortë u përket njerëzve të pjekur, atyre që nëpërmjet përdorimit i kanë të stërvitura aftësitë e tyre perceptuese, për të dalluar si të drejtën, ashtu dhe të gabuarën.»—HEBRENJVE 5:14, BR.

1, 2. (a) Si është situata jonë sot në krahasim me atë të të krishterëve të hershëm në Efes? (b) Cilat aftësi mund t’ju mbrojnë nga rreziku dhe si mund t’i zhvilloni ato?

«KUJDESUNI, pra, që të ecni me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit, duke e shfrytëzuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta.» (Efesianëve 5:15, 16) Që kur apostulli Pavël shkroi këto fjalë, dy mijë vjet më parë, ‘njerëzit e ligj dhe mashtruesit kanë shkuar keq e më keq’. Jetojmë në «kohë të vështira» ose, siç e thotë një përkthim tjetër, në kohë që janë «plot rrezik».—2. Timoteut 3:1-5, 13; Phillips.

2 Por ju mund ta shmangni dëmtimin nga rreziqet që mund të zënë pritë në shteg, duke zhvilluar «zgjuarsi, . . . njohuri dhe aftësi të menduari». (Proverbat [Fjalët e urta] 1:4, BR) Në Fjalët e urta 2:10-12 thuhet: «Kur mençuria të hyjë në zemrën tënde dhe vetë njohuria të bëhet e këndshme për shpirtin tënd, vetë aftësia e të menduarit do të vigjilojë mbi ty, vetë aftësia shquese do të të mbrojë, për të të çliruar nga udha e keqe, nga njeriu që flet gjëra të mbrapshta.» (BR) Por, si mund t’i zhvilloni këto aftësi? Në Hebrenjve 5:14 thuhet: «Ushqimi i fortë u përket njerëzve të pjekur, atyre që nëpërmjet përdorimit i kanë të stërvitura aftësitë e tyre perceptuese, për të dalluar si të drejtën, ashtu dhe të gabuarën.» (BR) Ashtu si me çdo zanat, për të fituar zotësi në përdorimin e aftësive perceptuese kërkohet stërvitje. Fjala greke që përdori Pavli, fjalë për fjalë do të thotë ‘të jesh stërvitur si gjimnast’. Si fillohet kjo stërvitje?

Të stërvitim aftësitë perceptuese

3. Si mund t’i përdorni aftësitë perceptuese, kur duhet të merrni një vendim?

3 Vëreni se aftësitë perceptuese, aftësia për të dalluar të drejtën nga e gabuara, stërviten «nëpërmjet përdorimit». Kur duhet të merrni ndonjë vendim, hamendja, veprimi sipas impulsit ose thjesht ndjekja e turmës, rrallëherë do të sjellë si rezultat një zgjedhje të mençur. Për të marrë vendime të mençura, duhet të përdorni aftësitë perceptuese. Si? Para së gjithash, duke e hetuar tërësisht situatën dhe duke i njohur të gjitha faktet. Nëse është e nevojshme, bëni pyetje. Përcaktoni se cilat janë mundësitë tuaja për të zgjedhur. Në Fjalët e urta 13:16 thuhet: «Çdo njeri i matur vepron me dituri [njohuri, BR].» Pastaj, përpiquni të përcaktoni se cilat ligje ose parime biblike kanë lidhje me këtë çështje. (Fjalët e urta 3:5) Sigurisht, për të bërë këtë, duhet të keni njohuri për Biblën. Ja përse Pavli na inkurajon të marrim ‘ushqim të fortë’, të mësojmë «cila është gjerësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia» e së vërtetës.—Efesianëve 3:18.

4. Pse njohuria e parimeve të Perëndisë është thelbësore?

4 Është thelbësore ta bëjmë këtë, pasi jemi të papërsosur, të prirur ndaj mëkatit. (Zanafilla 8:21; Romakëve 5:12) «Zemra është më tradhtare se çdo gjë tjetër dhe është vështirë të kontrollohet»,—thuhet në Jereminë 17:9, BR. Po të mos kemi parimet hyjnore që na udhëheqin, ne mund të mashtrojmë veten, duke menduar se diçka e keqe është e mirë, thjesht sepse trupi ynë e dëshiron atë. (Krahaso Isainë 5:20.) Psalmisti shkroi: «Si mundet një i ri ta bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde. Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarsinë, prandaj urrej çdo shteg falsiteti.»—Psalmi 119:9, 104.

5. (a) Pse disa të rinj ndjekin shtigje falsiteti? (b) Si e bëri të sajën të vërtetën një vajzë e re?

5 Përse disa të rinj, të cilët janë rritur në familje të krishtere, kanë ndjekur shtigje falsiteti? Mos ndoshta ngaqë vetë këta persona kurrë nuk e kanë ‘provuar cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë’? (Romakëve 12:2) Disa mund t’i ndjekin mbledhjet e krishtere së bashku me prindërit dhe mund të jenë në gjendje të thonë përmendësh disa nga mësimet themelore të Biblës. Por, kur u kërkohet që të japin prova të bindjeve të tyre ose të shpjegojnë disa nga gjërat më të thella të Fjalës së Perëndisë, njohuria e tyre, në mënyrë zhgënjyese, del e cekët. Këta të rinj mund të mashtrohen me lehtësi. (Efesianëve 4:14) Nëse është kështu në rastin tuaj, përse të mos vendosni të bëni ndryshime? Një motër e re kujton: «Bëra kërkime. Pyeta veten: ‘Si e di që kjo është feja e vërtetë? Si e di që ekziston një Perëndi me emrin Jehova?’»a Shqyrtimi i kujdesshëm i Shkrimeve e bindi atë se gjërat që kishte mësuar prej prindërve ishin të vërteta!—Krahaso Veprat 17:11.

6. Si mund të ‘provoni se çfarë është e pranueshme për Perëndinë’ Jehova?

6 Të pajisur me njohurinë e parimeve të Jehovait, do ta keni më të lehtë të ‘provoni se çfarë është e pranueshme për Perëndinë’. (Efesianëve 5:10) Megjithatë, po sikur të mos jeni të sigurt për drejtimin më të mençur që duhet marrë në një situatë të veçantë? Lutjuni Jehovait për drejtim. (Psalmi 119:144) Përpiquni të flitni për këtë çështje me prindërit ose me një të krishterë të pjekur. (Fjalët e urta 15:22; 27:17) Drejtim të dobishëm mund të gjeni edhe duke bërë kërkime në Bibël dhe në botimet e Watch Tower-it. (Fjalët e urta 2:3-5) Sa më shumë t’i përdorni aftësitë perceptuese, aq më të mprehta do të bëhen ato.

Të tregojmë aftësi shquese në zbavitje

7, 8. (a) Si mund t’i përdorni aftësitë perceptuese për të përcaktuar nëse duhet të shkoni në një grumbullim shoqëror apo jo? (b) Cila është pikëpamja biblike për zbavitjen?

7 Le të shqyrtojmë tani se si mund të përdoren aftësitë perceptuese në disa situata specifike. Imagjinoni, për shembull, se ju kanë ftuar në një grumbullim shoqëror. Madje, mund të keni marrë një ftesë të shtypur, ku lajmërohet ky grumbullim. Ju thuhet se atje do të ketë një numër të madh Dëshmitarësh. Por duhet të paguani një kuotë parash për të mbuluar shpenzimet. A duhet të shkoni?

8 E pra, këtu vërini në përdorim aftësitë tuaja perceptuese. Së pari, njihuni me faktet. Sa i madh do të jetë ky grumbullim? Cilët do të jenë atje? Kur do të fillojë? Kur do të mbarojë? Çfarë aktivitetesh janë planifikuar? Si do të mbikëqyret? Pastaj, bëni disa kërkime, duke u konsultuar me zërat «Grumbullimet shoqërore (Social Gatherings)» dhe «Zbavitja (Entertainment)» në Indeksin e Botimeve Watch Tower, anglisht.b Çfarë mund të zbulojnë kërkimet që bëni? Pikësëpari, që Jehovai nuk i dënon grumbullimet që bëhen për të kaluar një kohë të këndshme. Në fakt, në Predikuesin (Eklisiastiun) 8:15 thuhet se krahas punës së lodhshme, «nuk ka gjë më të mirë për njeriun nën diell se të hajë, të pijë dhe të jetë i gëzuar». Edhe vetë Jezu Krishti mori pjesë në darka të veçanta dhe të paktën në një dasmë. (Luka 5:27-29; Gjoni 2:1-10) Kur mbahet në ekuilibër, shoqërimi me të tjerët mund të jetë dobiprurës.

9, 10. (a) Çfarë rreziqesh mund të paraqesin disa grumbullime? (b) Cilat pyetje mund t’i bëni vetes para se të vendosni nëse do të shkoni apo jo në një grumbullim?

9 Megjithatë, grumbullimet e organizuara në mënyrë të papërshtatshme mund të nënkuptojnë telashe. Në 1. Korintasve 10:8, lexojmë se si shoqërimet jo të mençura çuan në kurvërim dhe në ekzekutimin e ‘njëzet e tre mijë [izraelitëve jobesnikë] në një ditë’. Një paralajmërim tjetër kthjellues e gjejmë në Romakëve 13:13: «Le të ecim me ndershmëri, si ditën, jo në orgji dhe në dehje, jo në imoralitet dhe sensualizëm, jo në grindje e në smirë.» (Krahaso 1. Pjetrit 4:3.) Vërtet, nuk mund të vendoset asnjë numër specifik se sa veta mund të marrin pjesë në një grumbullim. Por përvoja tregon se sa më i madh të jetë një grumbullim, aq më e vështirë është të mbikëqyret. Grumbullimet më të vogla, të organizuara mirë, ka më pak të ngjarë të kthehen në «festa të shfrenuara».—Galatasve 5:21, Byington.

10 Kërkimet që do të bëni, do të nxjerrin padyshim pyetje të mëtejshme, të tilla si: A do të ketë të krishterë të rritur të pjekur në grumbullim? Faktikisht, kush e financon grumbullimin? Cili është qëllimi i grumbullimit, që të nxitet shoqërimi i shëndetshëm apo që dikush të nxjerrë përfitime financiare? A ka ndonjë kufizim se kush mund të marrë pjesë? Nëse grumbullimi është gjatë fundjavës, a do të mbarojë në një kohë të arsyeshme, me qëllim që të nesërmen, të pranishmit të mund të marrin pjesë në shërbimin e krishterë? Nëse do të ketë muzikë dhe vallëzim, a do të jenë në përputhje me normat e krishtere? (2. Korintasve 6:3) Bërja e këtyre pyetjeve mund të mos jetë e lehtë. Por në Fjalët e urta 22:3 kemi paralajmërimin: «Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet, por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.» Megjithatë, situatat e rrezikshme mund të shmangen duke përdorur aftësitë perceptuese.

Aftësi shquese në planifikimin e arsimimit

11. Si mund t’i përdorin të rinjtë aftësitë e tyre perceptuese në planifikimin e së ardhmes?

11 Bibla thotë se është e mençur të planifikojmë për të ardhmen. (Fjalët e urta 21:5) A keni folur me prindërit për të ardhmen tuaj? Ndoshta keni në plan të filloni shërbimin e plotkohor si pionierë. Në të vërtetë, nuk ka ndonjë karrierë tjetër që mund të sjellë më shumë kënaqësi se kjo. Nëse po kultivoni zakone të mira studimi dhe po zhvilloni aftësi në shërbim, jeni duke u përgatitur për këtë karrierë entuziazmuese. A keni menduar se si do ta mbani veten financiarisht në shërbim? Nëse në të ardhmen do të zgjidhni të krijoni familje, a do të jeni në gjendje të kujdeseni për këtë përgjegjësi të mëtejshme? Marrja e vendimeve të ekuilibruara dhe realiste mbi këto gjëra, kërkon përdorimin e aftësive perceptuese.

12. (a) Në ç’mënyrë disa familje kanë zgjedhur t’i përshtaten situatës ekonomike që ka ndryshuar? (b) A janë medoemos në kundërshtim marrja e arsimimit të mëtejshëm me synimin e shërbimit si pionier? Shpjego.

12 Në disa vende, ka akoma mundësi për të marrë stërvitje në punë, për një mjeshtëri ose profesion të dobishëm. Disa të rinj mësojnë biznesin familjar ose marrin stërvitje nga miq më të rritur, të cilët kanë aktivitete ekonomike të tyret. Të tjerë bëjnë kurse në shkollë, të cilat do të jenë të dobishme për të siguruar jetën më vonë. Aty ku nuk ka në dispozicion mundësi të tilla, prindërit, pasi e mendojnë me kujdes çështjen, mund të rregullojnë që fëmijët e tyre të marrin arsimim të mëtejshëm pas shkollës së mesme. Planifikimi që më përpara në këtë mënyrë, me qëllim që të kujdesesh për përgjegjësitë si i rritur e veçanërisht për të qenë në gjendje të marrësh pjesë në shërbimin e pionierit për një kohë të gjatë, nuk është në kundërshtim me vënien e Mbretërisë së Perëndisë në vend të parë. (Mateu 6:33) Gjithashtu, arsimimi i mëtejshëm nuk e përjashton shërbimin si pionier. Një Dëshmitare në moshë të re, për shembull, kishte dëshiruar të shërbente si pioniere nga shumë kohë. Pasi mbaroi shkollën e mesme, prindërit, të cilët vetë ishin pionierë të rregullt, morën masa që ajo të merrte arsimim të mëtejshëm. Ajo pati mundësi të shërbente si pioniere, ndërsa shkonte në shkollë dhe tani ka një zanat, me të cilin mbështetet financiarisht ndërsa vazhdon shërbimin si pioniere.

13. Si duhet ta llogaritin familjet koston e arsimimit të mëtejshëm?

13 Në çështjen e arsimimit të mëtejshëm, çdo familje ka të drejtën dhe përgjegjësinë për të marrë vendimin e saj. Kur ky arsimim zgjidhet mirë, mund të jetë i dobishëm. Por, ai mund të jetë edhe një grackë. Nëse po mendoni për këtë lloj arsimimi, cili është synimi juaj? A është që të përgatiteni për t’i mbajtur përgjegjësitë si të rritur në mënyrë të nderuar? Apo ‘kërkoni gjëra të mëdha për vete’? (Jeremia 45:5; 2. Thesalonikasve [Selanikasve] 3:10; 1. Timoteut 5:8; 6:9) Ç’të themi për marrjen e arsimimit të mëtejshëm larg shtëpisë, ndoshta duke jetuar në konvikt? A do të ishte i mençur ky vendim, duke pasur parasysh paralajmërimin e Pavlit se «shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira»? (1. Korintasve 15:33; 2. Timoteut 2:22) Mos harroni, gjithashtu, se «koha tashmë është shkurtuar». (1. Korintasve 7:29) Sa kohë do t’i kushtoni këtij arsimimi? A do t’ju harxhojë pjesën më të madhe të viteve të rinisë? Nëse po, atëherë si do ta zbatoni inkurajimin e Biblës, që thotë, ‘kujtoni Krijuesin në ditët e rinisë suaj’? (Predikuesi 12:1) Më tej, a do t’ju lënë kurset kohë për aktivitetet e tilla jetësore të krishtere, si: pjesëmarrja në mbledhje, shërbimi në fushë dhe studimi personal? (Mateu 24:14; Hebrenjve 10:24, 25) Nëse i keni të mprehta aftësitë perceptuese, nuk do t’i humbni kurrë nga sytë synimet frymore, ndërsa së bashku me prindërit, planifikoni të ardhmen tuaj.

Ta mbajmë të nderuar periudhën e njohjes

14. (a) Cilat parime duhet t’i udhëheqin çiftet që po shoqërohen për t’u njohur, në përzemërsinë që tregojnë ndaj njëri-tjetrit? (b) Si kanë treguar disa çifte gjykim të dobët në këtë aspekt?

14 Një fushë tjetër ku nevojiten aftësitë perceptuese është periudha e njohjes. Është krejt e natyrshme të dëshirosh t’i tregosh përzemërsi një personi të cilin e pëlqen. Çifti i dëlirë, për të cilin flitet në Kantikun e kantikëve (Kënga e Solomonit), me sa duket këmbeu disa shfaqje përzemërsie para martesës. (Kantiku i kantikëve 1:2; 2:6; 8:5) Sot, disa çifte që janë në periudhën e njohjes mund të mendojnë në mënyrë të ngjashme se mbajtja për dore, puthjet dhe përqafimet janë të përshtatshme, veçanërisht kur martesa duket se është afër. Por, mos harroni: «Kush i beson zemrës së vet është budalla.» (Fjalët e urta 28:26) Tragjikisht, disa çifte kanë treguar gjykim të dobët, duke e vënë veten në rrethana kompromentuese. Shfaqjet e përzemërsisë janë bërë të dendura e të pakontrolluara dhe si pasojë janë bërë akte të papastra e madje kanë arritur deri në imoralitet seksual.

15, 16. Çfarë masash të arsyeshme paraprake mund të marrin çiftet, për t’u siguruar që periudha e njohjes të mbetet e nderuar?

15 Nëse po shoqëroheni për t’u njohur, bëni mirë ta shmangni qëndrimin vetëm për vetëm me bashkëshortin e ardhshëm, në rrethana të papërshtatshme. Prandaj, më e mira mund të jetë që të gëzoni shoqërinë e njëri-tjetrit, kur jeni në grup me të tjerë ose në vende publike. Disa çifte marrin masa që të kenë me vete një shoqërues. Gjithashtu, shqyrtoni fjalët e Hozeas 4:11: «Vera dhe mushti të lënë pa mend.» Alkooli mund ta dëmtojë gjykimin e shëndoshë dhe të bëjë që një çift të veprojë në ndonjë mënyrë, për të cilën më vonë do t’u vijë keq.

16 Në Fjalët e urta 13:10 thuhet: «Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet, por dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave [me ata që këshillohen së bashku, BR].» Po, ‘këshillohuni së bashku’ dhe diskutoni se si do të silleni. Vendosni kufij në shfaqjet e përzemërsisë, duke respektuar secili ndjenjat dhe ndërgjegjen e tjetrit. (1. Korintasve 13:5; 1. Thesalonikasve 4:3-7; 1. Pjetrit 3:16) Fillimisht mund ta keni të vështirë të flisni për këtë temë delikate, por kjo gjë mund të parandalojë daljen e problemeve të rënda më vonë.

I mësuar ‘që nga rinia’

17. Si e bëri Davidi Jehovain ‘besimin e tij qëkurse ishte fëmijë’ dhe çfarë mësimi mund të nxjerrin të rinjtë sot?

17 Shmangia e kurtheve të Satanait do të kërkojë një vigjilencë të vazhdueshme nga ana juaj dhe disa herë shumë guxim. Ndoshta në ndonjë rast mund të gjendeni në kundërshtim, jo vetëm me bashkëmoshatarët, por edhe me gjithë botën. Psalmisti David u lut: «Ti je shpresa ime, o Zot, besimi im qëkurse isha fëmijë. O Perëndi, ti më ke mësuar që në fëmijëri [në rini, BR] dhe deri më sot unë kam shpallur mrekullitë e tua.» (Psalmi 71:5, 17)c Davidi njihet për guximin që kishte. Por, kur e zhvilloi ai këtë guxim? Që në rini! Edhe më përpara ballafaqimit të famshëm me Goliadin, Davidi kishte treguar guxim të jashtëzakonshëm, kur kishte mbrojtur kopetë e babait të tij, duke vrarë një luan dhe një ari. (1. Samuelit 17:34-37) Megjithatë, për çdo trimëri që shfaqi, Davidi ia dha Jehovait të gjithë meritën, duke e quajtur atë «besimi im qëkurse isha fëmijë». Aftësia e Davidit për t’u mbështetur në Jehovain e pajisi të përballonte çdo sprovë që haste. Edhe ju do të zbuloni se, po të mbështeteni në Jehovain, ai do t’ju japë guximin dhe forcën për të ‘mundur botën’.—1. Gjonit 5:4.

18. Çfarë thirrjeje u bëhet të rinjve të perëndishëm sot?

18 Mijëra të rinj si ju kanë marrë një qëndrim të guximshëm dhe tani shërbejnë si lajmëtarë të pagëzuar të lajmit të mirë. E falënderojmë Perëndinë për besimin dhe guximin që keni ju të rinj! Qëndroni të vendosur për t’iu larguar korruptimit të botës! (2. Pjetrit 1:4) Vazhdoni t’i përdorni aftësitë tuaja perceptuese të stërvitura nga Bibla! Bërja e kësaj do t’ju mbrojë nga katastrofat dhe, së fundi, do ta bëjë të sigurt shpëtimin tuaj. Në fakt, siç do ta tregojë artikulli i fundit, ju do ta bëni të suksesshme jetën tuaj.

[Shënimet]

a Shikoni artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Si mund ta bëj timen të vërtetën?», në Zgjohuni!, 22 tetor 1998, anglisht.

b Artikulli «Zbavitje shoqërore: përfitoni dobitë, shmangni grackat», i Kullës së Rojës, 1 mars 1993, përmban informacion të pasur mbi këtë temë.

c Psalmi 71 duket se është vazhdim i Psalmit 70, i cili, në mbishkrim, identifikohet si një psalm i Davidit.

Pyetje për rishikim

◻ Si i stërvit një i ri aftësitë perceptuese?

◻ Si mund t’i përdorë një i ri aftësitë perceptuese, kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen në grumbullime të krishtere?

◻ Cilët faktorë mund të merren në konsideratë, kur planifikohet për arsimimin?

◻ Si mund ta shmangin çiftet që po shoqërohen për t’u njohur, grackën e imoralitetit seksual?

[Figura në faqen 15]

Të mësoni të bëni kërkime, do t’ju ndihmojë për të stërvitur aftësitë perceptuese

[Figura në faqen 16]

Grumbullimet më të vogla mbikëqyren më me lehtësi dhe ka më pak të ngjarë të kthehen në zbavitje të pakontrolluara

[Figura në faqen 16]

Prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët për të planifikuar arsimimin

[Figura në faqen 17]

Shoqërimi për t’u njohur, në grup, është mbrojtje

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo