Jehovai duhet të jetë siguria jonë
«Vetë Jehovai do të provojë se është, në të vërtetë, siguria jote.»—PROVERBAT 3:26, BR.
1. Ndonëse shumë veta deklarojnë se e besojnë Perëndinë, ç’gjë tregon se jo gjithmonë e bëjnë këtë?
NË PARATË e Shteteve të Bashkuara të Amerikës paraqitet motoja: «I besojmë Perëndisë». Por, a besojnë vërtet te Perëndia të gjithë ata që e përdorin këtë monedhë, në atë vend apo diku gjetkë? Apo besojnë më shumë te vetë paraja? Besimi i tillë te paratë e atij vendi apo të ndonjë vendi tjetër, nuk mund të pajtohet me besimin te një Perëndi i plotfuqishëm dashurie, i cili asnjëherë nuk e keqpërdor fuqinë e tij dhe që nuk është fare lakmitar. Në fakt, ai e dënon haptazi lakminë.—Efesianëve 5:5.
2. Ç’qëndrim kanë të krishterët e vërtetë në lidhje me fuqinë e pasurisë?
2 Të krishterët e vërtetë e gjejnë sigurinë te Perëndia, jo te pasuria, e cila ka një ‘fuqi mashtruese’. (Mateu 13:22, BR) Ata e dinë se fuqia e parasë për të nxitur lumturinë dhe për ta ruajtur jetën është shumë e kufizuar. Por nuk është kështu me fuqinë e Perëndisë së Plotfuqishëm. (Sofonia 1:18) Prandaj, sa e mençur është këshilla: «Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë e lirë nga dashuria për para, ndërsa kënaqeni me gjërat e tanishme. Sepse ai ka thënë: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis!’»—Hebrenjve 13:5, BR.
3. Si hedh dritë mbi citimin e vargut nga Pavli, konteksti i Ligjit të përtërirë 31:6?
3 Kur u shkroi të krishterëve hebrenj fjalët e mësipërme, apostulli Pavël citoi disa prej udhëzimeve që u dha Moisiu izraelitëve, pak para se të vdiste: «Jini të guximshëm dhe të fortë. Mos kini frikë dhe mos u tronditni para tyre, sepse ai që marshon me ty është Jehovai, Perëndia yt. Ai as nuk do të të braktisë, as nuk do të të lërë krejtësisht.» (Ligji i përtërirë 31:6, BR) Konteksti tregon se Moisiu po inkurajonte një siguri të tillë te Jehovai, e cila shkonte përtej besimit të thjeshtë se do t’u plotësonte nevojat materiale. Si vallë?
4. Si ua provoi Perëndia izraelitëve se mund t’i besonin atij?
4 Gjatë 40 vjetëve që Izraelit iu desh të endej në shkretëtirë, Perëndia u tregua i besueshëm, duke u siguruar gjërat e domosdoshme për të jetuar. (Ligji i përtërirë 2:7; 29:5) Ai u siguroi edhe udhëheqje. Shprehje e kësaj udhëheqjeje ishte një re ditën dhe zjarr natën, që i udhëhiqte izraelitët drejt «një vendi ku rrjedh qumësht dhe mjaltë». (Dalja [Eksodi] 3:8; 40:36-38) Ndërsa afrohej koha që të hynin me të vërtetë në Tokën e Premtuar, Jehovai zgjodhi si pasues të Moisiut, Josiun. Izraelitët mund të pritnin që banorët e atij vendi t’u paraqitnin rezistencë. Por Jehovai kishte marshuar me popullin e tij për dekada të tëra, kështu që s’kishin pse frikësoheshin. Ata kishin çdo arsye për ta njohur Jehovain si një Perëndi të cilit mund t’i besohet!
5. Si është e ngjashme situata e të krishterëve sot, me atë të izraelitëve përpara se të hynin në Tokën e Premtuar?
5 Të krishterët e sotëm, në rrugën e tyre drejt botës së re të Perëndisë, janë duke marshuar përmes shkretëtirës së botës së tanishme të ligë. Disa prej tyre kanë më shumë se 40 vjet që po ndjekin këtë drejtim. Tani po qëndrojnë në kufirin e botës së re të Perëndisë. Por rrugës dalin ende armiq që kanë si qëllim ta pengojnë ndonjë të hyjë në atë që do të bëhet si një Tokë e Premtuar, më e mrekullueshme se ajo e lashta, ku rridhte qumësht dhe mjaltë. E pra, sa të përshtatshme janë për të krishterët e sotëm fjalët e Moisiut të përsëritura nga Pavli: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis!» Të gjithë ata që qëndrojnë të fortë, të guximshëm, plot besim dhe që e gjejnë sigurinë te Jehovai, do të shpërblehen patjetër.
Siguri e bazuar te njohuria dhe miqësia
6, 7. (a) Ç’gjë e vuri në provë sigurinë e Abrahamit te Jehovai? (b) Si mund të jetë ndjerë Abrahami, ndërsa udhëtonte drejt vendit ku duhej të flijonte Isakun?
6 Në një moment të jetës së tij, paraardhësi i izraelitëve, Abrahami, u urdhërua ta flijonte birin e tij Isakun si ofertë të djegur. (Zanafilla 22:2) Ç’gjë bëri të mundur që ky baba i dashur të kishte një siguri kaq të pathyeshme te Jehovai, aq sa qe menjëherë i gatshëm të bindej? Hebrenjve 11:17-19 përgjigjet: «Me anë të besimit, Abrahami, kur u provua, pothuajse e flijoi Isakun dhe burri që kishte marrë me gëzim premtimet, provoi ta flijonte birin e tij të vetëmlindur, megjithëse i ishte thënë: ‘Ajo që do të quhet «fara jote», do të jetë nëpërmjet Isakut. Por ai e konsideroi Perëndinë në gjendje për ta ngritur atë edhe nga të vdekurit dhe, gjithashtu, prej andej e mori në mënyrë ilustruese.» (BR)
7 Sill ndër mend se Abrahamit dhe Isakut iu deshën tri ditë për të mbërritur në vendin ku do të bëhej flijimi. (Zanafilla 22:4) Kështu që Abrahami kishte gjithë atë kohë për ta shqyrtuar përsëri atë që i ishte kërkuar të bënte. A mund ta imagjinojmë se ç’ndjenja dhe emocione provonte ai? Lindja e Isakut kishte qenë një shkak kaq i papritur gëzimi. Kjo dëshmi e ndërhyrjes hyjnore e kishte thelluar lidhjen e fortë që kishin me Perëndinë Abrahami dhe gruaja e tij më parë shterpë, Sara. Pas kësaj, me siguri që ata jetuan në pritje të asaj që rezervonte e ardhmja për Isakun dhe pasardhësit e tij. Mos vallë ëndrrave të tyre po u vinte një fund i beftë, siç mund të dukej nga ajo që kërkonte tani Perëndia?
8. Si u shtri siguria e Abrahamit te Perëndia, përtej bindjes së tij se Ai mund ta ringjallte Isakun?
8 Megjithatë, Abrahami pati një siguri të bazuar tek ajo njohuri personale që kanë për njëri-tjetrin miqtë e ngushtë. Si «mik i Jehovait», Abrahami «pati besim te Jehovai dhe kjo iu llogarit si drejtësi». (Jakovit 2:23, BR) Siguria e Abrahamit te Jehovai i kaloi caqet e bindjes se Perëndia mund ta ringjallte Isakun. Edhe pse nuk i dinte të gjitha faktet, Abrahami ishte po aq i sigurt se ajo që Jehovai po i kërkonte të bënte ishte e drejtë. Ai nuk pati asnjë arsye të dyshonte në drejtësinë e Jehovait për këtë gjë që i kishte kërkuar. Më pas, siguria e Abrahamit u forcua, kur engjëlli i Jehovait ndërhyri që Isaku të mos vritej me të vërtetë si flijim.—Zanafilla 22:9-14.
9, 10. (a) Kur e kishte shfaqur më parë Abrahami sigurinë te Jehovai? (b) Cilin mësim të rëndësishëm mund të nxjerrim nga Abrahami?
9 Të njëjtën lloj sigurie te drejtësia e Jehovait, Abrahami e kishte shfaqur pothuajse 25 vjet më parë. I paralajmëruar se Sodoma dhe Gomorra do të shkatërroheshin, natyrisht që u bë merak se ç’do të bëhej me ndonjë njeri të drejtë që jetonte atje, përfshirë edhe nipin e tij, Lotin. Abrahami iu drejtua Perëndisë me fjalët: «Është e pamendueshme që ti të veprosh në këtë mënyrë, të dënosh me vdekje njeriun e drejtë me të ligun, kështu që njeriut të drejtë t’i ndodhë si të ligut! Është e pamendueshme për ty. A nuk do të bëjë atë që është e drejtë Gjykatësi i gjithë tokës?»—Zanafilla 18:25, BR.
10 Patriarku Abraham ishte i bindur se Jehovai nuk bën kurrë asgjë të padrejtë. Më vonë, psalmisti këndoi: «Jehovai është i drejtë në të gjithë rrugët e tij dhe besnik në të gjitha veprat e tij.» (Psalmi 145:17, BR) Bëjmë mirë të pyesim veten: ‘Atë që Jehovai më lejon ta përjetoj, a e pranoj pa dyshuar në drejtësinë e tij? A jam i sigurt se çfarëdo që të lejojë ai, do të dalë për të mirën time dhe atë të të tjerëve?’ Nëse mund të përgjigjemi ‘po’, kemi nxjerrë një mësim të rëndësishëm nga Abrahami.
Të shfaqim siguri në zgjedhjet e Jehovait
11, 12. (a) Cili aspekt i sigurisë ka qenë i domosdoshëm për shërbëtorët e Perëndisë? (b) Cili mund të jetë problemi ynë herë pas here?
11 Ata që e konsiderojnë Jehovain si sigurinë e tyre, tregojnë siguri edhe te njerëzit që ai zgjedh t’i përdorë për realizimin e qëllimeve të tij. Për izraelitët, kjo donte të thoshte të tregonin siguri te Moisiu dhe më vonë te pasuesi i tij, Josiu. Për të krishterët e hershëm, donte të thoshte të tregonin siguri tek apostujt dhe te pleqtë e kongregacionit të Jerusalemit. Për ne sot, do të thotë të kemi siguri te «skllavi i besueshëm dhe i matur», i emëruar për të na dhënë ‘ushqimin tonë frymor në kohën e duhur’, si dhe tek ata pjesëtarë të tij që formojnë Trupin Udhëheqës.—Mateu 24:45, BR.
12 Në fakt, siguria jonë tek ata që marrin drejtimin në kongregacionin e krishterë është për të mirën tonë. Ne na është thënë: «Bindjuni atyre që marrin drejtimin mes jush dhe jini të nënshtruar, sepse po vigjëlojnë mbi shpirtrat tuaj, si ata që do të japin llogari; në mënyrë që këtë ta bëjnë me gëzim dhe jo duke psherëtirë, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.»—Hebrenjve 13:17, BR.
Të mos vëmë në dyshim zgjedhjet e Jehovait
13. Ç’arsye kemi për të treguar siguri tek ata që janë emëruar për të marrë drejtimin?
13 Bibla na ndihmon të jemi të drejtpeshuar në lidhje me sigurinë që tregojmë ndaj atyre që marrin drejtimin në popullin e Jehovait. Mund të pyesim veten: ‘A bëri ndonjëherë gabime Moisiu? Po apostujt, a treguan gjithmonë një qëndrim si ai i Krishtit, qëndrim që Jezui donte ta kishin?’ Përgjigjet janë të qarta. Për të udhëhequr popullin e tij, Jehovai ka zgjedhur për të përdorur burra besnikë dhe të devotshëm, edhe pse janë burra të papërsosur. Prandaj, ndonëse pleqtë e sotëm janë të papërsosur, megjithatë duhet t’i pranojmë si «[të emëruar nga] fryma e shenjtë [për të qenë] mbikëqyrës, që të kullotin kongregacionin e Perëndisë». Ata meritojnë përkrahjen dhe respektin tonë.—Veprat 20:28, BR.
14. Ç’gjë vlen të përmendet në lidhje me faktin që Jehovai zgjodhi si udhëheqës Moisiun, në vend se Aaronin ose Miriamin?
14 Aaroni ishte tre vjet më i madh se Moisiu, por që të dy ishin më të rinj se motra e tyre, Miriami. (Dalja 2:3, 4; 7:7) Gjithashtu, meqenëse Aaroni fliste më rrjedhshëm se Moisiu, u emërua për të shërbyer si zëdhënësi i të vëllait. (Dalja 6:29–7:2) E megjithatë, për t’u prirë izraelitëve, Jehovai nuk zgjodhi më të madhen, Miriamin, apo atë që fliste më rrjedhshëm, Aaronin. Zgjedhja e tij, Moisiu, u bë duke qenë plotësisht në dijeni të fakteve dhe të nevojave të çastit. Kur Aaronit dhe Miriamit i mungoi për njëfarë kohe kjo mendjehollësi e qartë, u ankuan: «Mos ka folur vetëm nëpërmjet Moisiut Jehovai? A nuk ka folur edhe nëpërmjet nesh?» Miriami, ndoshta shtytësja e parë, u dënua për këtë qëndrim pa respekt ndaj zgjedhjes që kishte bërë Jehovai, ndaj një njeriu që ajo dhe Aaroni duhet ta kenë njohur si «më zemërbutin nga të gjithë njerëzit që ishin mbi faqen e tokës».—Numrat 12:1-3, 9-15.
15, 16. Si e tregoi Kalebi se kishte siguri te Jehovai?
15 Kur për të eksploruar Tokën e Premtuar u dërguan 12 spiunë, 10 prej tyre sollën një raport negativ. Duke folur për kananitët si për «burra me përmasa të jashtëzakonshme», ata futën frikën në zemrat e izraelitëve. Kjo bëri që izraelitët «të murmuritnin kundër Moisiut dhe Aaronit». Por jo të gjithë spiunët shfaqën mungesë sigurie te Moisiu dhe te Jehovai. Lexojmë: «Atëherë Kalebi u përpoq ta qetësonte popullin kundrejt Moisiut dhe vazhdoi, duke thënë: ‘Le të ngjitemi menjëherë dhe patjetër që do ta zotërojmë, sepse sigurisht që mund të mbizotërojmë mbi të.’» (Numrat 13:2, 25-33; 14:2, BR) Të njëjtin qëndrim të patundur të Kalebit, mbajti edhe një spiun tjetër, Josiu. Që të dy treguan se e kishin bërë Jehovain sigurinë e tyre, kur thanë: «Nëse Jehovai ka gjetur kënaqësi te ne, atëherë do të na futë patjetër në këtë vend dhe do të na e japë, një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë. Vetëm . . . mos e kini frikë popullin e vendit . . . Jehovai është me ne. Mos i kini frikë.» (Numrat 14:6-9, BR) Kjo siguri te Jehovai u shpërblye. Nga brezi i të rriturve që në atë kohë ishin gjallë, vetëm Kalebi, Josiu dhe disa levitë patën privilegjin të hynin në Tokën e Premtuar.
16 Disa vjet më vonë, Kalebi tha: «Sa për mua, e ndoqa plotësisht Jehovain, Perëndinë tim. . . . Dhe tani, ashtu siç kishte premtuar, ja tek më ka ruajtur të gjallë Jehovai këta dyzet e pesë vjet, që kur Jehovai ia bëri këtë premtim Moisiut, kur Izraeli ecte në shkretëtirë dhe ja tek jam tani tetëdhjetë e pesë vjeç. Megjithatë, sot jam po aq i fortë sa dhe atë ditë që më dërgoi Moisiu. Ashtu siç ishte atëherë fuqia ime, kështu është edhe tani fuqia ime.» (Josiu 14:6-11, BR) Vëre qëndrimin pozitiv të Kalebit, faktin që ishte besimplotë dhe aftësitë e tij fizike. Por Jehovai, si pasues të Moisiut nuk kishte zgjedhur Kalebin. Ky privilegj iu ofrua Josiut. Mund të jemi të sigurt se Jehovai pati arsye të bënte këtë zgjedhje dhe se ajo ishte më e mira.
17. Nga se mund të dukej se Pjetri nuk kualifikohej për të pasur përgjegjësi?
17 Apostulli Pjetër e mohoi tri herë Zotërinë. Gjithashtu, me rrëmbim, ai veproi sipas mendjes së tij, duke i këputur veshin skllavit të kryepriftit. (Mateu 26:47-55, 69-75; Gjoni 18:10, 11) Disa mund të thonë se Pjetri ishte një frikacak pa drejtpeshim, që nuk ishte i denjë të gëzonte privilegje speciale. Por, kujt iu dhanë çelësat e Mbretërisë, duke pasur kështu privilegjin t’u hapte rrugën drejt thirrjes qiellore tri grupeve? Pjetrit.—Veprat 2:1-41; 8:14-17; 10:1-48.
18. Cilin gabim të rëndë, siç përmendet nga Juda, dëshirojmë të shmangim?
18 Këta shembuj tregojnë se duhet të jemi të kujdesshëm në lidhje me gjykimin nga dukja e jashtme. Nëse besojmë te Jehovai, nuk do t’i vëmë në dyshim zgjedhjet e tij. Ndonëse kongregacioni i tij tokësor është i përbërë nga njerëz të papërsosur, të cilët nuk pretendojnë se janë të pagabueshëm, ai po i përdor ata në mënyrë të fuqishme. Juda, gjysmëvëllai i Jezuit, i paralajmëroi të krishterët e shekullit të parë për individë që «përçmojnë pozitën si Zotëri dhe flasin në mënyrë sharëse për të lavdishmit». (Juda 8-10, BR) Nuk duhet të jemi kurrë si ata.
19. Pse nuk kemi arsye për t’i vënë në dyshim zgjedhjet e Jehovait?
19 Duket se për disa përgjegjësi Jehovai zgjedh individë që kanë cilësi të veçanta, të nevojshme për ta udhëhequr popullin e tij në rrugën që ai dëshiron të ecë, në atë kohë të veçantë. Ne duhet të përpiqemi ta pranojmë këtë fakt, duke mos vënë në diskutim zgjedhjet e Perëndisë, por duke qenë të kënaqur që t’i shërbejmë përulësisht Perëndisë atje ku na ka vendosur individualisht. Kështu tregojmë se e kemi bërë Jehovain sigurinë tonë.—Efesianëve 4:11-16; Filipianëve 2:3.
Të shfaqim siguri në drejtësinë e Jehovait
20, 21. Çfarë mund të mësojmë nga mënyra se si veproi Perëndia me Moisiun?
20 Nëse hera-herës kemi prirjen të besojmë tepër shumë te vetja dhe tepër pak te Jehovai, le të mësojmë prej Moisiut. Kur ishte 40 vjeç, ai vendosi me kokën e vet t’i çlironte izraelitët nga robëria egjiptiane. Pa dyshim që përpjekjet e tij kishin qëllim të mirë, por rezultati i tyre nuk qe çlirimi i menjëhershëm i Izraelit dhe as përmirësimi i situatës së vetë Moisiut. Në fakt, ai u detyrua t’ia mbathte. Vetëm pasi kaloi 40 vjet stërvitje të mundimshme në një vend të huaj, u kualifikua të zgjidhej për të bërë atë që kishte dashur të bënte më parë. Këtë radhë mund të ishte i sigurt për mbështetjen e Jehovait, sepse tani gjërat po bëheshin sipas mënyrës së Jehovait, në një kohë që përputhej me orarin e tij.—Dalja 2:11–3:10.
21 Secili prej nesh mund të pyesë veten: ‘A dal disa herë përpara Jehovait dhe pleqve të emëruar në kongregacion, që t’i përshpejtoj gjërat ose që t’i bëj ato sipas mënyrës sime? Në vend që të ndihem i shpërfillur për disa privilegje, a e pranoj me gatishmëri periudhën e vazhdueshme të stërvitjes?’ Pra, në thelb, a kemi nxjerrë një mësim të rëndësishëm nga Moisiu?
22. Megjithëse humbi një privilegj të madh, si u ndie Moisiu për Jehovain?
22 Për më tepër, nga Moisiu mund të nxjerrim një mësim tjetër. Numrat 20:7-13 na tregojnë për një gabim që ai bëri, i cili i kushtoi shtrenjtë. Ai humbi privilegjin për t’i çuar izraelitët në Tokën e Premtuar. A u përgjigj duke thënë se vendimi i Jehovait për këtë çështje ishte i padrejtë? A u tërhoq, si të thuash, në një cep, duke varur turinjtë sepse Jehovai po e trajtonte kaq keq? A e humbi Moisiu sigurinë te drejtësia e Jehovait? Përgjigjet mund t’i gjejmë në fjalët që vetë Moisiu i tha Izraelit pak para vdekjes. Për Jehovain, Moisiu tha: «Aktiviteti i tij është i përsosur, sepse të gjitha rrugët e tij janë drejtësi. Një Perëndi besueshmërie, pranë të cilit nuk ka padrejtësi, ai është i drejtë dhe i ndershëm.» (Ligji i përtërirë 32:4, BR) S’ka dyshim që Moisiu e mbajti deri në fund sigurinë e tij te Jehovai. Po ne? A po ndërmarrim individualisht hapa për ta forcuar sigurinë te Jehovai dhe te drejtësia e tij? Si mund ta bëjmë këtë? Le ta shohim.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Çfarë arsyesh patën izraelitët për ta besuar Jehovain?
◻ Për sa i përket sigurisë, ç’mund të mësohet nga Abrahami?
◻ Pse nuk duhet t’i vëmë në dyshim zgjedhjet e Jehovait?
[Figura në faqen 13]
Siguria te Jehovai përfshin respektimin e atyre që marrin drejtimin në kongregacion