JETIMI
Jetimët dhe vejushat mund të binin kollaj pre e shtypjes dhe e vështirësive, pasi nuk kishin një burrë në shtëpi që t’i mbështeste e të mbronte interesat e tyre. Për këtë arsye, për mirëqenien e tyre kujdesej Ligji, i cili siguronte jo vetëm drejtësi për jetimët, për vejushat e për të ardhurit, por edhe siguronte disa masa në ndihmë të tyre. (Da 22:22-24; Lp 24:17) Prodhimet që liheshin në arë, në ullishte ose në vreshta, ishin për këta fukarenj. (Lp 24:19-21) Çdo vit u bëhej një ftesë e veçantë që të merrnin pjesë në festën e Grumbullimit (festa e Kasolleve), ku mund të gëzonin në gostinë e bollshme që bëhej me rastin e këtij kremtimi. (Lp 16:9-14) Çdo tre vjet, e dhjeta e veçantë që izraelitët e hanin normalisht në Jerusalem, grumbullohej brenda portave të qyteteve të tyre. Jetimëve u takonte me ligj një pjesë nga kjo e dhjetë.—Lp 14:28, 29; 26:12, 13.
Sa rëndësi ka për shërbëtorët e Perëndisë të kujdesen me dashuri për jetimët?
Meqë këta fëmijë të pambrojtur mund të liheshin kollaj pas dore, Jehovai e përdorte shprehjen «jetim» kur donte të tregonte deri në ç’masë Izraeli e ndiqte drejtësinë ose devijonte prej saj. Kur kombi gëzonte shëndet frymor të mirë, kujdesej për jetimët. Por, kur drejtësia përdhosej në vend, ishte e sigurt se jetimët liheshin pas dore, dhe kjo ishte simptomë e rrënimit të kombit. (Ps 82:3; 94:6; Is 1:17, 23; Jr 7:5-7; 22:3; Ezk 22:7; Za 7:9-11; Ma 3:5) Mallkimi i Jehovait binte mbi ata që shtypnin jetimët. (Lp 27:19; Is 10:1, 2) Jehovai e përshkruan veten si Shpenguesi (Pr 23:10, 11) e Ati (Ps 68:5) i jetimëve, si ai që i ndihmon (Ps 10:14). Kur gjykon, ai u jep të drejtën atyre (Lp 10:17, 18), u tregon mëshirë (Ho 14:3), i çliron (Ps 146:9) dhe i mban gjallë.—Jr 49:11.
Një nga shenjat identifikuese të krishterimit të vërtetë është kujdesi për gratë që kanë humbur bashkëshortët ose për fëmijët pa prindër. Dishepulli Jakov u shkroi të krishterëve: «Adhurimi i pastër dhe i pandotur nga pikëpamja e Perëndisë, Atit tonë, është ky: të kujdesesh për jetimët dhe vejushat në vështirësitë e tyre dhe ta ruash veten të panjollë nga bota.»—Jk 1:27.
Fjala greke për jetim (orfanós) është përdorur në mënyrë të figurshme te Gjoni 14:18 dhe është përkthyer në mënyra të ndryshme, si «të-varfërë» (Kris) ose «të pikëlluar» (BR).