BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • yp2 kap. 35 f. 289-296
  • Si të bëhem mik me Perëndinë?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si të bëhem mik me Perëndinë?
  • Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Rëndësia e studimit
  • Rëndësia e lutjes
  • Kur e provon vetë
  • Si ta organizoj kohën?
    Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
  • Pse më lëndoi?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • A duhet të pagëzohem?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • Si ta shfrytëzoj kohën me mençuri?
    Zgjohuni!—2009
Shih më tepër
Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
yp2 kap. 35 f. 289-296

KAPITULLI 35

Si të bëhem mik me Perëndinë?

Nga ajo që kaloi kur ishte fëmijë, Xheri e kuptoi sa vlerë kishte miqësia me Perëndinë. «Babi na braktisi kur isha 12 vjeç,—shpjegon ai.—Një natë po i lutesha Jehovait në shtrat që të kthehej përsëri.»

I dëshpëruar, Xheri nisi të lexonte Biblën. Kur lexoi Psalmin 10:14 u prek shumë, pasi aty thuhet për Jehovain: «I gjori dhe jetimi e lënë veten në dorën tënde. Ti je ai që i ndihmon.» Xheri shprehet: «M’u duk sikur Jehovai po më fliste dhe po më linte të kuptoja se ai më ndihmonte; se ishte Ati im. Ku ka baba më të mirë se ai?»

PAVARËSISHT nëse je apo jo në një situatë të ngjashme me atë të Xherit, Bibla tregon se Jehovai do që të jesh mik me të. Në fakt, Bibla thotë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jakovi 4:8) Ndalu pak e mendo se çfarë do të thonë këto fjalë. Edhe pse s’mund ta shohësh dhe në gjithçka qëndron shumë më lart se ti, Perëndia Jehova të fton të jesh miku i tij!

Megjithatë, që të jesh mik me Perëndinë, kërkohen përpjekje. Le të bëjmë një shembull. Nëse ke një bimë zbukuruese, ti e di që nuk rritet vetë. Që të rritet mirë, duhet ta ujitësh rregullisht dhe ta mbash në një vend të përshtatshëm. Njësoj është edhe me miqësinë me Perëndinë. Çfarë duhet të bësh që ta rritësh këtë miqësi?

Rëndësia e studimit

Kur je mik me dikë, duhet edhe të flasësh me të, edhe ta dëgjosh. Kështu është edhe me Perëndinë. Ne dëgjojmë çfarë na thotë Perëndia kur lexojmë dhe studiojmë Biblën.​—Psalmi 1:2, 3.

Mbase studimin nuk e ke shumë qejf. Shumë të rinj do të parapëlqenin të shihnin televizor, të luanin ose thjesht të rrinin me shokët. Por që të bëhesh mik me Perëndinë, nuk ka rrugë shkurt. Duhet ta dëgjosh duke studiuar Fjalën e tij.

Por mos u tremb. Studimi i Biblës s’ka pse të jetë një punë e mërzitshme. Mund të mësosh ta pëlqesh, megjithëse nuk të duket vetja tip që studion. Gjëja e parë që duhet të bësh është të lësh kohë për studimin e Biblës. Një vajzë me emrin Lela thotë: «Kam bërë një program. Dhe gjëja e parë që bëj në mëngjes është leximi i një kapitulli të Biblës.» Marina 15 vjeçe e bën ndryshe. «Lexoj pak nga Bibla çdo natë para se të fle»,—thotë ajo.

Për të filluar një program studimi, shih kutinë në faqen 292. Pastaj, më poshtë, shkruaj kur mund të kalosh rreth 30 minuta duke studiuar Fjalën e Perëndisë.

․․․․․

Programimi i kohës është vetëm fillimi. Pasi ke filluar studimin, mund të kuptosh se nuk është edhe aq e lehtë të lexosh Biblën. Ndoshta je në një mendje me Jeselën, një vajzë 11-vjeçare, e cila thotë me sinqeritet: «Në disa pjesë të Biblës ngec dhe mezi shtyhen.» Nëse je i këtij mendimi edhe ti, mos u dorëzo. Gjithmonë shikoje studimin e Biblës me mendimin se është koha për të dëgjuar mikun tënd, Perëndinë Jehova. Në fund të fundit, varet nga ti se sa interesant dhe i kënaqshëm do të jetë studimi i Biblës!

Rëndësia e lutjes

Lutja na jep mundësinë të flasim me Perëndinë. Ç’dhuratë e mrekullueshme është ajo! Mund të flasësh me Perëndinë Jehova në çdo moment të ditës ose të natës. Ai është gjithmonë gati për të dëgjuar. Madje, ai do që të dëgjojë çfarë ke për t’i thënë. Prandaj, Bibla të nxit: «Për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.»​—Filipianëve 4:6.

Siç tregon ky shkrim, ka shumë gjëra për të cilat mund të flasësh me Jehovain. Për shembull, mund të flasësh për problemet dhe ankthet e tua, ose mund ta falënderosh. Në fund të fundit, a nuk i falënderon miqtë e tu për ato që bëjnë për ty? Njësoj mund të veprosh me Jehovain që ka bërë për ty më shumë se çdo mik.​—Psalmi 106:1.

Më poshtë, shkruaj disa gjëra për të cilat i je mirënjohës Jehovait.

․․․․․

Nuk diskutohet që, herë pas here, mendja të rri te frika dhe ankthet që ke. Te Psalmi 55:22, Bibla thotë: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.»

Shkruaj ato shqetësime që do të doje t’i përmendje në lutje.

․․․․․

Kur e provon vetë

Miqësia me Perëndinë ka edhe një aspekt tjetër që s’duhet ta shpërfillësh. Psalmisti David shkroi: «Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai!» (Psalmi 34:8) Kur kompozoi Psalmin e 34-t, Davidi sapo kishte lënë pas një përvojë të frikshme. Ai ishte arratisur që të shpëtonte nga mbreti Saul, i cili ia kishte nxirë jetën. Pastaj, iu desh të strehohej mes armiqve të tij filistinë. Duke u gjendur përballë vdekjes së sigurt, Davidi u tregua i shkathët dhe u hoq si i çmendur që t’ia hidhte pa u lagur.​—1 Samuelit 21:10-15.

Davidi nuk mendoi se shpëtoi për një qime falë shkathtësisë së tij. Përkundrazi, ia dha meritën Jehovait. Disa vargje më sipër në psalmin e përmendur më parë, ai shkroi: «E kërkova Jehovain, dhe ai m’u përgjigj e më çliroi nga çdo frikë.» (Psalmi 34:4) Pra, ajo që provoi vetë e shtyu Davidin t’i nxiste të tjerët ‘të provonin e të shijonin sa i mirë ishte Jehovai’.a

A të vjen ndër mend ndonjë rast kur Jehovai është kujdesur për ty? Nëse po, shkruaje më poshtë. S’është e thënë që të jetë një gjë e jashtëzakonshme. Provo të kujtosh bekimet e thjeshta që të ka dhënë çdo ditë, disa prej të cilave mund të merren fare lehtë si të zakonshme.

․․․․․

Ndoshta prindërit të kanë mësuar shumë gjëra për Biblën. Edhe ky është një bekim. Megjithatë, ti duhet të bëhesh vetë mik me Perëndinë. Nëse akoma nuk e ke bërë, materiali i këtij kapitulli mund të të ndihmojë. Jehovai do t’i bekojë përpjekjet e tua. Bibla thotë: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni.»​—Mateu 7:7.

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 38 DHE 39

NË KAPITULLIN TJETËR:

E ke të vështirë t’u flasësh të tjerëve për Perëndinë? Mëso si t’i mbrosh bindjet e tua.

[Shënimi]

a Shprehjen «provoni dhe shijoni» disa Bibla e përkthejnë «zbulo vetë», «kupto vetë» dhe «provo vetë».​—Contemporary English Version, Today’s English Version dhe The Bible in Basic English.

SHKRIMI KYÇ

«Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë!»​—Mateu 5:3.

KËSHILLË

Lexo çdo ditë vetëm katër faqe nga Bibla, dhe do ta përfundosh për rreth një vit.

A E DIJE . . . ?

Fakti që po lexon këtë libër dhe po ndjek këshillat e tij të bazuara në Bibël, tregon se Jehovai po interesohet personalisht për ty.​—Gjoni 6:44.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Që të përfitoj sa më shumë nga studimi i Biblës, do të ․․․․․

Që të lutem më rregullisht, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Si mund ta bësh më të këndshëm studimin e Biblës?

● Pse Jehovai do që t’i dëgjojë lutjete njerëzve të papërsosur?

● Si mund të bësh lutje më cilësore?

[Diçitura në faqen 291]

«Kur isha e vogël, thosha gjithmonë të njëjtat gjëra në lutje. Tani përpiqem të lutem për të mirat dhe të këqijat e çdo dite. Përderisa s’ka ditë që të jenë njësoj, kjo nuk më lë të përsëris gjithmonë të njëjtat gjëra.»​—Eva

[Kutia dhe figura në faqen 292]

Zhbiroje Biblën

1. Zgjidh një tregim biblik që të pëlqen. Lutu për mençuri që ta kuptosh atë që do të lexosh.

2. Lexoje tregimin me vëmendje. Mos nxito. Gjatë leximit, përpiqu të përfytyrosh ngjarjen. Vër në punë sa më shumë shqisa: përpiqu të shohësh veprimet, të dëgjosh zërat e personazheve, të ndiesh ajrin, të shijosh ushqimin, e kështu me radhë. Bëje sa më të gjallë tregimin në mendje!

3. Mendo për atë që sapo lexove. Bëji vetes pyetje si këto:

● Pse e përfshiu Jehovai këtë tregim në Bibël?

● Cilët personazhe janë shembuj të mirë dhe cilët janë shembuj të këqij?

● Çfarë mësoj nga ky tregim?

● Çfarë më mëson ky tregim për Jehovain dhe mënyrën si vepron ai?

4. Bëji një lutje të shkurtër Jehovait. Tregoji çfarë mësove nga studimi i Biblës dhe si mendon ta zbatosh në jetën tënde. Falënderoje gjithmonë Jehovain për dhuratën që të ka bërë​—Fjalën e tij, Biblën e Shenjtë!

[Figura]

«Fjala jote është një llambë për këmbën time dhe një dritë për shtegun tim.»​—Psalmi 119:105.

[Kutia dhe figura në faqen 294]

Në fillim gjërat e rëndësishme

A të duket sikur s’ke kohë për t’u lutur ose për të studiuar Biblën? Shpesh varet nga përparësitë që vë ti.

Provo këtë eksperiment: Merr një kovë dhe fut disa gurë të mëdhenj. Pastaj, mbushe kovën deri në buzë me rërë. Tani kova është plot me gurë dhe rërë.

Boshatise kovën dhe mbaj të njëjtën sasi rëre e gurësh. Mbushe përsëri kovën, por tani fut në fillim rërën dhe pastaj gurët. S’ka vend për gurët? Po, sepse këtë herë fute në fillim rërën.

Çfarë na mëson kjo? Bibla thotë: «Të siguroheni për gjërat më të rëndësishme.» (Filipianëve 1:10) Nëse bën në fillim gjëra të vogla, si zbavitja, do të të duket sikur s’do të ketë asnjëherë vend në jetën tënde për gjëra të mëdha, si synimet frymore. Por nëse ndjek këshillën e Biblës, do të shohësh se ka vend edhe për aktivitete frymore, edhe për zbavitje. E gjitha varet nga çfarë fut në fillim në kovë!

[Figura në faqen 290]

Njësoj si një bimë zbukuruese, miqësia me Perëndinë kërkon përkujdesje që të rritet

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo