BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 1/8 f. 14-19
  • Le të vazhdojë dashuria juaj vëllazërore!

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Le të vazhdojë dashuria juaj vëllazërore!
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Tregoni ndjenja të përbashkëta
  • Të tregojmë çmueshmëri
  • Veprat e dashamirësisë së dashur
  • Ji i vendosur që ‘dashuria jote vëllazërore të vazhdojë’!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2016
  • Gjetja e çelësit të dashurisë së përzemërt vëllazërore
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Shkrimi i vitit 2016
    Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 2016
  • ‘Të vazhdojmë të ecim në dashuri’
    T’i afrohemi Jehovait
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 1/8 f. 14-19

Le të vazhdojë dashuria juaj vëllazërore!

«Le të vazhdojë dashuria juaj vëllazërore.»​—HEBRENJVE 13:1, BR.

1. Çfarë do të bëje për ta mbajtur të ndezur zjarrin në një natë të ftohtë dhe çfarë përgjegjësie të ngjashme ka secili prej nesh?

JASHTË bën një i ftohtë i rrezikshëm dhe temperatura po bie ndjeshëm. Burimi i vetëm i ngrohjes në shtëpinë tënde është një zjarr bubulak në oxhak. Jetët varen nga mbajtja e zjarrit ndezur. A do të uleshe e të bëje sehir, ndërsa flakët fashiten dhe prushi i përskuqur i thëngjijve venitet në një ngjyrë të përhimtë të plogët e të pajetë? Natyrisht që jo. Pa u lodhur ti vazhdon t’i hedhësh dru, që të mos shuhet. Në njëfarë kuptimi, secili prej nesh ka një punë të ngjashme, kur bëhet fjalë për një «zjarr» shumë më të rëndësishëm, për atë që duhet të digjet në zemrat tona, për dashurinë.

2. (a) Përse mund të thuhet se në këto ditë të fundit dashuria është ftohur? (b) Sa e rëndësishme është dashuria për të krishterët e vërtetë?

2 Jetojmë në një kohë kur, siç paratha Jezui kohë më parë, dashuria është duke u ftohur mes atyre që pohojnë se janë të krishterë përreth botës. (Mateu 24:12) Jezui po i referohej llojit më të rëndësishëm të dashurisë, dashurisë për Perëndinë Jehova dhe për Fjalën e tij, Biblën. Në rënie janë edhe lloje të tjera të dashurisë. Bibla paratha se në «ditët e fundit» shumë nuk do të kishin «dashuri të përzemërt të natyrshme». (2. Timoteut 3:1-5, BR) Sa i vërtetë është ky pohim! Familja duhet të jetë një liman i dashurisë së përzemërt të natyrshme, por edhe aty, dhuna dhe abuzimi, nganjëherë tmerrësisht brutal, janë bërë një gjë e zakonshme. Sidoqoftë, në atmosferën e ftohtë të kësaj bote, të krishterët urdhërohen jo vetëm që të kenë dashuri për njëri-tjetrin, por të kenë dashuri vetëflijuese, duke vënë të tjerët mbi veten. Ne duhet ta shfaqim këtë dashuri kaq hapur, sa të bëhet e dukshme për të gjithë, duke e bërë atë shenjën identifikuese të kongregacionit të vërtetë të krishterë.​—Gjoni 13:34, 35.

3. Çfarë është dashuria vëllazërore dhe çfarë do të thotë ta lësh atë të vazhdojë?

3 Apostulli Pavël u frymëzua të jepte këtë urdhër: «Le të vazhdojë dashuria juaj vëllazërore.» (Hebrenjve 13:1) Sipas një vepre studimi, fjala greke që këtu përkthehet «dashuri vëllazërore» (phi·la·del·phiʹa) «i referohet dashurisë së përzemërt, që tregon dashamirësi, simpati e që ofron ndihmë». E çfarë donte të thoshte Pavli, kur tha se ne duhet të lejojmë që një dashuri e tillë të vazhdojë? «Ajo kurrë nuk duhet të ftohet»,​—vëren e njëjta vepër. Prandaj, nuk mjafton vetëm të ndiejmë dashuri të përzemërt për vëllezërit tanë; ne duhet ta lëmë të shfaqet. Më tej, ne duhet ta bëjmë këtë dashuri të zgjasë, duke mos lejuar kurrë që ajo të ftohet. E vështirë? Po, por fryma e Jehovait mund të na ndihmojë të kultivojmë dashurinë e përzemërt vëllazërore dhe ta mbajmë atë. Le të shqyrtojmë tri mënyra për të ushqyer zjarrin e kësaj dashurie në zemrat tona.

Tregoni ndjenja të përbashkëta

4. Çfarë janë ndjenjat e përbashkëta?

4 Nëse dëshiron të kesh më shumë dashuri për vëllezërit dhe motrat e tua të krishtere, mund të nevojitet së pari që të ndjesh për ta, të kesh empati për ta në sprovat dhe sfidat që ndeshin në jetë. Këtë sugjeroi apostulli Pjetër, kur shkroi: «Jini të gjithë të të njëjtit mendim, duke treguar ndjenja të përbashkëta, duke pasur dashuri të përzemërt vëllazërore, me dhembshuri të butë, të përulur në mendje.» (1. Pjetrit 3:8, BR) Fjala greke e përdorur këtu për shfaqjen e «ndjenjave të përbashkëta» do të thotë «të vuash me». Një autoritet në greqishten biblike shprehet kështu për këtë fjalë: «Ajo përshkruan atë gjendje mendjeje, që ekziston kur hyjmë në ndjenjat e të tjerëve, sikur të ishin tonat.» Prandaj, nevojitet empati. Një shërbëtor besimplotë i moshuar i Jehovait, njëherë tha: «Empatia është dhimbja jote në zemrën time.»

5. Si e dimë se Jehovai ka ndjenja të përbashkëta?

5 A ka Jehovai ndjenja të tilla të përbashkëta? S’ka asnjë dyshim që po. Për shembull, lidhur me vuajtjet e popullit të tij, Izraelit, ne lexojmë: «Gjatë gjithë dëshpërimit të tyre, ishte dëshpëruese për të.» (Isaia 63:9, BR) Jehovai jo vetëm që i shihte shqetësimet e tyre, por ai ndiente për njerëzit. Vetëm se sa shumë ndjen ai, është ilustruar nga vetë fjalët e Jehovait drejtuar popullit të tij, të regjistruara në Zaharinë 2:8: «Ai që ju prek ju, prek beben e syrit tim.»a (BR) Një komentues vëren në lidhje me këtë varg: «Syri është një ndër strukturat më të ndërlikuara dhe delikate të trupit të njeriut, kurse bebja e syrit, vrima nga e cila hyn drita e diellit për qëllime shikimi, përbën pjesën më të ndjeshme si edhe më të rëndësishme të asaj strukture. Asgjë nuk mund ta përçojë më me imtësi idenë e kujdesit më të përkryer të Jehovait për objektet e dashurisë së tij.»

6. Si ka treguar Jezu Krishti ndjenja të përbashkëta?

6 Edhe Jezui ka shfaqur gjithmonë ndjenja të thella të përbashkëta. Herë pas here ai «u nxit nga mëshira» për gjendjen e mjerueshme të njerëzve të tjerë që ishin të sëmurë apo të shqetësuar. (Marku 1:41; 6:34, BR) Ai tregoi se kur dikush dështon t’i trajtojë ithtarët e tij të mirosur me dashamirësi, ai ndjen sikur po trajtohet vetë në atë mënyrë. (Mateu 25:41-46) Në fakt, sot si «kryeprifti» ynë qiellor, ai është një që mund «të përdëllehet për dobësitë tona».​—Hebrenjve 4:15, BR.

7. Si mund të na ndihmojnë ndjenjat e përbashkëta, kur një vëlla apo motër na acaron?

7 «Të përdëllehet për dobësitë tona», a nuk është ky një mendim ngushëllues? Atëherë, sigurisht që ne duam të bëjmë të njëjtën gjë për njëri-tjetrin. Natyrisht, është shumë më e lehtë të shohësh dobësitë e një tjetri. (Mateu 7:3-5) Por herën tjetër që një vëlla apo motër të acaron, përse të mos e provosh këtë? Imagjinoje veten në rrethanat e atij personi, me atë të kaluar, atë personalitet, atë grumbull të metash personale për të luftuar. A mund të jesh i sigurt se nuk do të bëje të njëjtat gabime apo ndoshta edhe më të rënda? Në vend se të presim shumë prej të tjerëve, ne duhet të tregojmë ndjenja të përbashkëta, të cilat do të na ndihmojnë për të qenë të arsyeshëm, si Jehovai, i cili ‘nuk harron se jemi pluhur’. (Psalmi 103:14, BR; Jakovit 3:17) Ai i njeh kufizimet tona. Kurrë nuk pret prej nesh më shumë nga sa mund të bëjmë në mënyrë të arsyeshme. (Krahaso 1. Mbretërve 19:5-7.) Le ta zgjerojmë që të gjithë këtë ndjenjë të përbashkët për të tjerët.

8. Si duhet të reagojmë kur një vëlla apo motër po kalon disa vështirësi?

8 Pavli shkroi se kongregacioni është si një trup me gjymtyrë të ndryshme që duhet të punojnë së bashku në unitet. Ai shtoi: «Nëse një gjymtyrë vuan, të gjitha gjymtyrët e tjera vuajnë me të.» (1. Korintasve 12:12-26, BR) Ne duhet të vuajmë apo të kemi empati për ata që po kalojnë ndonjë provë të rëndë. Pleqtë marrin drejtimin në bërjen e kësaj gjëje. Veç kësaj, Pavli shkroi: «Kush është i dobët dhe unë nuk jam i dobët? Kush pengohet e unë nuk jam i zemëruar?» (2. Korintasve 11:29, BR) Pleqtë dhe mbikëqyrësit udhëtues imitojnë Pavlin në këtë aspekt. Në fjalimet e tyre, në veprën e tyre të kullotjes dhe madje në trajtimin e çështjeve gjyqësore, ata përpiqen të tregojnë ndjenja të përbashkëta. Pavli sugjeroi: «Qaj me ata që qajnë.» (Romakëve 12:15, BR) Kur delet ndiejnë se bariu ka vërtet empati për to, i kupton kufizimet e tyre dhe përdëllehet për vështirësitë që hasin, zakonisht ato janë më të gatshme për të pranuar këshillat, drejtimin dhe disiplinimin. Ato janë të pranishme me zell në mbledhje, me bindjen se atje do të gjejnë ‘freskim për shpirtrat e tyre’.​—Mateu 11:29, BR.

Të tregojmë çmueshmëri

9. Si tregon Jehovai se e çmon atë që është e mirë në ne?

9 Një mënyrë e dytë për të ushqyer dashurinë vëllazërore, është nëpërmjet çmueshmërisë. Për të çmuar të tjerët, ne duhet të përqendrohemi e të vlerësojmë cilësitë e tyre të mira dhe përpjekjet. Kur bëjmë kështu, imitojmë vetë Jehovain. (Efesianëve 5:1) Ditë për ditë ai na fal shumë mëkate të vogla. Ai na fal madje edhe mëkate serioze, në rast se pendohemi me të vërtetë. Më pas, pasi na i fal mëkatet tona, ai nuk fiksohet në to. (Ezekieli 33:14-16) Psalmisti pyeti: «Nëse do të shihje gabimet, o Jah, o Jehova, kush do të mund të qëndronte në këmbë?» (Psalmi 130:3, BR) Ato në të cilat përqendrohet Jehovai, janë gjërat e mira që ne bëjmë në shërbim të tij.​—Hebrenjve 6:10.

10. (a) Përse është e rrezikshme që bashkëshortët martesorë të humbin çmueshmërinë për njëri-tjetrin? (b) Çfarë duhet të bëjë ai që është duke humbur çmueshmërinë për bashkëshortin?

10 Është veçanërisht e rëndësishme që ky shembull të ndiqet në familje. Kur prindërit tregojnë se e çmojnë njëri-tjetrin, ata vendosin një model për familjen. Në këtë epokë të martesave jetëshkurtra, është fare e lehtë ta trajtosh bashkëshorten apo bashkëshortin me moskokëçarje, të zmadhosh të metat e të zvogëlosh karakteristikat e mira. Kjo mënyrë negative të menduari e gërryen martesën, duke e kthyer atë në një barrë pa gëzim. Nëse çmueshmëria jote për bashkëshortin është duke rënë, pyet veten: «A është vërtet bashkëshorti im pa cilësi të mira?» Kthehu e mendo për arsyet, për të cilat re në dashuri e u martove me të. A janë zhdukur vërtet të gjitha ato arsye për ta dashur këtë person unik? Sigurisht që jo, prandaj, puno pa u lodhur për të çmuar të mirën tek bashkëshorti yt e për ta shprehur çmueshmërinë tënde me fjalë.​—Proverbat (Fjalët e urta) 31:28.

11. Cilat praktika duhen shmangur, që dashuria martesore të jetë pa hipokrizi?

11 Çmueshmëria i ndihmon, gjithashtu, partnerët në martesë për ta mbajtur dashurinë të pastër nga hipokrizia. (Krahaso 2. Korintasve 6:6; 1. Pjetrit 1:22.) Një dashuri e tillë e ushqyer nga çmueshmëria e përzemërt, nuk do të lërë vend për mizori pas dyerve të mbyllura, nuk do të lërë vend për fjalë që lëndojnë dhe poshtërojnë, për injorim me qëllim të bashkëshortit, ku mund të kalojnë ditë pa thënë një fjalë të mirë apo të sjellshme dhe sigurisht nuk do të lënë vend për dhunë fizike. (Efesianëve 5:28, 29) Një burrë dhe një grua që e çmojnë me të vërtetë njëri-tjetrin, e nderojnë njëri-tjetrin. E bëjnë këtë jo vetëm kur janë në publik, por kurdoherë që janë në pamjen e Jehovait, me fjalë të tjera, gjithë kohën.​—Proverbat 5:21.

12. Përse prindërit duhet të shfaqin çmueshmëri për të mirën që gjendet në fëmijët e tyre?

12 Edhe fëmijët kanë nevojë të ndiejnë se çmohen. Jo që prindërit duhet t’i mbytin me lajka boshe, por duhet të lavdërojnë cilësitë e denja për lavdërim të fëmijëve të tyre dhe të mirën e vërtetë që ata bëjnë. Mos harro shembullin e Jehovait në shprehjen e miratimit të tij për Jezuin. (Marku 1:11) Mos harro, gjithashtu, shembullin e Jezuit si «zotëri» në një shëmbëlltyrë. Ai i lavdëroi njësoj të dy ‘skllevërit e mirë dhe besimplotë’, edhe pse kishte ndryshim në atë që iu dha secilit dhe një ndryshim përkatës në atë që solli secili. (Mateu 25:20-23, BR; krahaso Mateun 13:23.) Ngjashëm, prindërit e mençur gjejnë mënyra për të shprehur çmueshmërinë për cilësitë, aftësitë dhe arritjet e veçanta të çdo fëmije. Në të njëjtën kohë, ata përpiqen të mos i theksojnë kaq shumë arritjet, sa fëmijët të ndihen vazhdimisht të detyruar për të shkëlqyer mbi të tjerët. Ata nuk duan që fëmijët e tyre të rriten të acaruar apo me zemër të lëshuar.​—Efesianëve 6:4; Kolosianëve 3:21.

13. Kush e merr drejtimin në shfaqjen e çmueshmërisë për çdo anëtar të kongregacionit?

13 Pleqtë dhe mbikëqyrësit udhëtues në kongregacionin e krishterë marrin drejtimin në shfaqjen e çmueshmërisë për çdo anëtar individual të kopesë së Perëndisë. Pozita e tyre është e vështirë, pasi ata mbajnë edhe përgjegjësinë e rëndë për të disiplinuar në drejtësi, për të korrigjuar me një frymë butësie ata që gabojnë dhe për t’u ofruar këshilla të fuqishme atyre që e kanë të nevojshme. Si i ekuilibrojnë ata këto përgjegjësi të ndryshme?​—Galatasve 6:1; 2. Timoteut 3:16.

14, 15. (a) Si tregoi Pavli ekuilibër në çështjen e dhënies së këshillave të forta? (b) Si mund ta ekuilibrojnë mbikëqyrësit e krishterë nevojën për të korrigjuar gabimet me nevojën për të dhënë lavdërime? Ilustro.

14 Shembulli i Pavlit është një ndihmë e madhe. Ai ishte një mësues, plak dhe bari i shquar. Atij iu desh të merrej me kongregacione që kishin probleme të rënda dhe nuk u tërhoq me frikë nga dhënia e këshillës së fuqishme, kur kërkohej. (2. Korintasve 7:8-11) Një përmbledhje e shërbimit të Pavlit na sugjeron se ai e përdori qortimin me kursim, vetëm atëherë kur situata e bënte të nevojshme apo të këshillueshme. Në këtë gjë, ai tregoi mençuri hyjnore.

15 Nëse shërbimi i një plaku para kongregacionit krahasohej me një pjesë muzikore, atëherë qortimi dhe vërejtja do të ishin si një notë e vetme që i shkon për shtat të tërës. Ajo notë është e bukur në vendin e saj. (Luka 17:3; 2. Timoteut 4:2) Imagjino një këngë që përmban vetëm atë notë, të përsëritur herë pas here. Menjëherë do të na vriste veshin. Ngjashëm, pleqtë e krishterë përpiqen ta rrumbullakosin mësimin e tyre dhe t’i japin atij shumëllojshmëri. Ata nuk e kufizojnë mësimin e tyre vetëm në ndreqjen e problemeve. Përkundrazi, toni i tij në tërësi është pozitiv. Ashtu si Jezu Krishti, pleqtë e dashur kërkojnë së pari të mirën për të lavdëruar, jo të metën për të kritikuar. Ata e çmojnë punën e palodhur që po bëjnë bashkëbesimtarët e tyre. Ata janë të sigurt se në përgjithësi, secili po bën më të mirën nga ana e vet për t’i shërbyer Jehovait. E në fakt, pleqtë e shprehin me gatishmëri atë ndjenjë me fjalë.​—Krahaso 2. Selanikasve (Thesalonikasve) 3:4.

16. Çfarë efekti pati qëndrimi me çmueshmëri dhe empati i Pavlit për bashkë të krishterët e tij?

16 S’ka dyshim që shumica e të krishterëve, të cilëve Pavli u shërbeu, e ndienë se ai i çmonte dhe kishte ndjenja të përbashkëta me ta. Si e dimë këtë? Të shohim se çfarë ndienin ata për Pavlin. Ata nuk e kishin frikë, edhe pse ai kishte autoritet të madh. Jo, ai ishte i dashur dhe i afrueshëm. Ja, përse kur iku nga një zonë, pleqtë ‘iu hodhën në qafë dhe e puthën me butësi’! (Veprat 20:17, 37, BR) Sa mirënjohës duhet të jenë pleqtë dhe të gjithë ne, që kemi shembullin e Pavlit për të imituar! Po, le të tregojmë çmueshmëri për njëri-tjetrin.

Veprat e dashamirësisë së dashur

17. Cilat janë disa pasoja të mira që rrjedhin nga veprat e dashamirësisë në kongregacion?

17 Një ndër lëndët më të fuqishme djegëse për dashurinë vëllazërore është një akt i thjeshtë dashamirësie. Ashtu siç tha Jezui, «ka më shumë lumturi në të dhënë, sesa në të marrë». (Veprat 20:35, BR) Çfarëdo që të japim frymësisht, materialisht apo nga koha dhe energjitë tona, jo vetëm që i bëjmë të tjerët të lumtur, por gjithashtu edhe veten. Dashamirësia në kongregacion është ngjitëse. Një vepër dashamirësie sjell më pas vepra të ngjashme. S’kalon shumë dhe dashuria vëllazërore lulëzon.​—Luka 6:38.

18. Cila është domethënia e «dashamirësisë», për të cilën flitet në Mikenë 6:8?

18 Jehovai e nxiti popullin e tij, Izraelin, që të shfaqte dashamirësi. Në Mikenë 6:8, lexojmë: «Ai të ka thënë, o njeri tokësor, çfarë është e mirë. E çfarë kërkon Jehovai nga ti, veçse të ushtrosh drejtësinë, të duash dashamirësinë dhe të jesh modest në ecjen me Perëndinë tënd?» (BR) Çfarë do të thotë «të duash dashamirësinë»? Fjala hebraike e përdorur këtu për «dashamirësi» (cheʹsedh) në shqip është përkthyer edhe «mëshirë». Sipas një vepre fetare, kjo fjalë «përshkruan diçka shumë më aktive sesa fjala abstrakte mëshirë në shqip. Ajo nënkupton ‘mëshirën e transformuar në vepra’, kryerjen e veprave personale të dashamirësisë së dashur jo vetëm ndaj të varfrit dhe nevojtarit, por ndaj të gjithë njerëzve». (The Soncino Books of the Bible) Kështu, një tjetër studiues thotë se cheʹsedh do të thotë «dashuri e transformuar në veprim».

19. (a) Në cilat mënyra mund të marrim iniciativën për të treguar dashamirësi ndaj të tjerëve në kongregacion? (b) Jep një shembull se si të është treguar ty dashuri vëllazërore.

19 Dashuria jonë vëllazërore nuk është një gjë teorike apo abstrakte. Ajo është një realitet konkret. Prandaj, kërko mënyra për të bërë gjëra dashamirëse për vëllezërit dhe motrat e tua. Ji si Jezui, i cili nuk priti gjithmonë që thjesht njerëzit t’i afroheshin e t’i kërkonin ndihmë, por shpesh mori vetë iniciativën. (Luka 7:12-16) Mendo veçanërisht për ata që janë më në nevojë. A ka nevojë një person i moshuar apo shëndetlig për një vizitë apo ndoshta ka nevojë për ca ndihmë për ndonjë porosi? Mos ndoshta një ‘fëmijë jetim’ ka nevojë që t’i kushtohet ca kohë dhe vëmendje? Mos vallë një shpirt i dëshpëruar ka nevojë për një vesh dëgjues apo për disa fjalë ngushëlluese? Për aq sa kemi mundësi, le të lëmë kohë për vepra të tilla dashamirësie. (Jobi 29:12; 1. Selanikasve 5:14; Jakovit 1:27) Asnjëherë mos harro se në një kongregacion plot me njerëz të papërsosur, një nga veprat më jetësore të dashamirësisë është falja, duke lënë lirisht që zemërimi të kalojë, edhe kur ka një shkak legjitim për ankesë. (Kolosianëve 3:13) Gatishmëria për të falur ndihmon për ta mbajtur kongregacionin të lirë nga përçarjet, mbajtja e inatit dhe hakmarrjet, të cilat janë si një batanije e qullur që shuan zjarrin e dashurisë vëllazërore.

20. Si duhet të vazhdojmë të gjithë ne të shqyrtojmë vetveten?

20 Qofshim të gjithë ne të vendosur për ta mbajtur të ndezur në zemrat tona këtë zjarr jetik të dashurisë! Le të shqyrtojmë vetveten. A tregojmë ndjenja të përbashkëta për të tjerët? A tregojmë çmueshmëri për të tjerët? A kryejmë vepra dashamirësie ndaj të tjerëve? Në qoftë se e bëjmë, zjarri i dashurisë do të ngrohë vëllazërinë tonë, paçka se sa e ftohtë dhe e pandjeshme bëhet kjo botë. Pra, ‘le të vazhdojë dashuria juaj vëllazërore’ me çdo mënyrë tani e përgjithmonë!​—Hebrenjve 13:1.

[Shënimi]

a Disa përkthime në këtë varg nënkuptojnë se ai që prek popullin e Perëndisë, prek jo syrin e Perëndisë, por syrin e Izraelit, e madje të vetin. Ky gabim erdhi nga disa skribë të mesjetës, të cilët me përpjekjet e tyre të keqdrejtuara për të korrigjuar fragmentet që i konsideronin si të parespektueshme, e ndryshuan këtë varg. Me anë të kësaj, ata errësuan dendësinë e empatisë personale të Jehovait.

Çfarë mendon?

◻ Çfarë është dashuria vëllazërore dhe përse duhet që ta lëmë atë të vazhdojë?

◻ Si na ndihmojnë ndjenjat e përbashkëta për të mbajtur dashurinë tonë vëllazërore?

◻ Çfarë roli luan çmueshmëria në dashurinë vëllazërore?

◻ Në ç’mënyrë veprat e dashamirësisë shkaktojnë që dashuria vëllazërore të lulëzojë në kongregacionin e krishterë?

[Kutia në faqen 16]

Dashuria në veprim

Disa vjet më parë, një burrë që kishte studiuar Biblën për njëfarë kohe me Dëshmitarët e Jehovait, ishte akoma disi skeptik lidhur me dashurinë vëllazërore. Ai e dinte se Jezui kish thënë: «Me anën e kësaj do t’ju njohin se ju jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.» (Gjoni 13:35, BR) Por e kishte të vështirë ta besonte. Një ditë, ai vajti për ta parë dashurinë e krishterë në veprim.

Megjithëse i kufizuar në një karrige me rrota, ky burrë po shkonte larg shtëpisë. Ai mori pjesë në një mbledhje kongregacioni në Bethlehem, Izrael. Atje, një Dëshmitar arab insistonte që një tjetër Dëshmitar që kishte ardhur si turist ta kalonte natën me familjen e tij dhe në ftesë ishte përfshirë edhe ky student i Biblës. Para se të shkonte në shtrat, studenti i kërkoi mikpritësit leje që të shkonte në verandë në mëngjes për të parë lindjen e diellit. Mikpritësi e paralajmëroi rreptë se nuk duhej ta bënte këtë. Ditën tjetër ky vëlla arab shpjegoi përsenë. Me anë të një përkthyesi, ai tha se nëse fqinjët e tij mësonin se kishte mysafirë me prejardhje judaike, siç ishte rasti me studentin e Biblës, do t’i digjnin shtëpinë bashkë me të dhe familjen e tij brenda. I shastisur, studenti i Biblës e pyeti: «Përse, atëherë, more përsipër një rrezik të tillë?» Pa ndihmën e përkthyesit, vëllai arab e shikoi në sy dhe i tha vetëm: «Gjoni 13:35.»

Studentit të Biblës i bëri përshtypje të thellë realiteti i dashurisë vëllazërore. Pak kohë më pas, ai u pagëzua.

[Figura në faqen 18]

Natyra miqësore dhe çmuese e apostullit Pavël e bënë atë të afrueshëm

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo