Prit me durim
BARIU që thërriste herë pas here «ujku! ujku!», kur nuk kishte ujk, vuri re se kur thirri përsëri për ndihmë, nuk ia vuri veshin njeri. Ngjashëm, sot shumë veta shpërfillin afërsinë e ditës së Jehovait, sepse kanë dëgjuar paralajmërime të panumërta, që kanë dalë alarme të rreme. Vetë fakti që kaq shumë veta nuk arrijnë ta shquajnë se cili paralajmërim është i vërtetë dhe pastaj t’ia vënë veshin atij, shpie ujë në mullirin e armikut të madh të Perëndisë, Satanait, ‘engjëllit të rremë të dritës’.—2. Korintasve 11:14.
Një frymë moskokëçarëse do të ishte e rrezikshme edhe për ata që janë duke i shërbyer Jehovait nga njëfarë kohe. Pse? Shqyrto paralajmërimin nga apostulli Pjetër, në shekullin e parë.
Mendo qartë
Letra e dytë e frymëzuar e Pjetrit ishte një përkujtues për të krishterët e hershëm dhe është e tillë edhe për ne. «Të dashur,—shkruan ai,—kjo është letra e dytë që po ju shkruaj, në të cilën, ashtu si në të parën, po zgjoj aftësitë tuaja të të menduarit qartë, me anë të një përkujtuesi.» (2. Pjetrit 3:1, BR) Çfarë baze kishte Pjetri për këtë merak? Pjetri nxjerr në pah praninë e tallësve, talljet e të cilëve minojnë ndjenjën e nevojshme të urgjencës në lidhje me kohën në të cilën jetojnë shërbëtorët e Perëndisë. Tani është koha për t’u ruajtur, që të mos na e hedhin përqeshësit. Kështu, Pjetri i nxit lexuesit e tij të ‘kujtojnë fjalët e thëna më parë nga profetët e shenjtë’. (2. Pjetrit 3:2; Veprat 3:22, 23, BR) Çfarë kishin thënë profetët?
Shërbëtorët besimplotë të Perëndisë, në shumë raste kishin tërhequr vëmendjen te fakti se si gjykimet hyjnore i kishin dhënë fund ligësisë. Pjetri u kujton lexuesve të tij Përmbytjen e ditëve të Noes, të cilën Perëndia e përdori si mjet për të ndërhyrë, kur toka ishte plot me ligësi. Ajo Përmbytje e rrëmbyeshme i dha me të vërtetë fund botës së asaj kohe. Por Perëndia e ruajti Noen dhe familjen e tij në një arkë, bashkë me krijesa të gjalla, përfaqësuese «të çdo lloj mishi». Legjendat universale dëshmojnë për vërtetësinë e tregimit të Biblës.a—Zanafilla 6:19; 2. Pjetrit 3:5, 6, BR.
Pjetri e quan atë ndërhyrje hyjnore ‘një fakt që i shpëton vëmendjes’ së disa njerëzve. Më pas, të tjerë u nanurisën në moskokëçarje nga tallësit e atyre ditëve. Por ne nuk duhet ta humbasim kurrë nga sytë atë që ka bërë tashmë Jehovai. Pjetri na thotë: «Me anë të së njëjtës fjalë, qiejtë dhe toka që janë tani, janë ruajtur për zjarrin dhe po rezervohen për ditën e gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm.» (2. Pjetrit 3:7, BR) Po, ndërhyrja hyjnore do të ndodhë përsëri.
Perëndia nuk është i ngadalshëm
Tashmë kanë kaluar mijëra vjet. Pse Perëndia ka pritur kaq shumë për të zgjidhur problemet e njerëzimit? Përsëri, Pjetri përqendrohet në një fakt tjetër. Ai thotë: «Le të mos i shpëtojë vëmendjes suaj ky fakt, të dashur, se një ditë është për Jehovain si një mijë vjet dhe një mijë vjet si një ditë.» (2. Pjetrit 3:8, BR) Pikëpamja e Jehovait për kohën ndryshon nga e jona. Për Perëndinë e përjetshëm, periudha prej krijimit të Adamit e deri tani nuk arrin as deri në një javë. Por çfarëdo pikëpamje që të kemi për kohën, çdo mijëvjeçar dhe çdo ditë që kalon, na afron më shumë me realizimin e qëllimit të Jehovait.
«Uji, të cilit i rri te koka, nuk zien kurrë», është një thënie që nënkupton se thjesht pritja e një ngjarjeje duket sikur e shtyn kohën kur do të ndodhë ajo. Megjithatë, Pjetri rekomandon ‘të presim dhe të mbajmë mirë në mend praninë e ditës së Jehovait’. (2. Pjetrit 3:12, BR) Si mund të zhvillojmë një qëndrim mendor, që na mban syçelur ndaj afërsisë së ndërhyrjes hyjnore?
Veprat flasin më shumë se fjalët
Pjetri e përqendron vëmendjen te veprimet dhe te veprat. Ai u referohet «veprave të shenjta të sjelljes», si dhe «veprimeve të devocionit hyjnor». (2. Pjetrit 3:11, BR) Çfarë përfshijnë këto?
Shërbëtori i vërtetë i Perëndisë vepron në një mënyrë që i pëlqen Atij. Besimi i një adhuruesi të tillë të vërtetë pasqyrohet në sjelljen e tij. Kjo e dallon nga ata që thjesht flasin për besimin në Perëndinë dhe në premtimet e tij. Ndoshta e ke vënë re se shërbimi publik i Dëshmitarëve të Jehovait i veçon ata si të ndryshëm. Ata vijnë në shtëpinë tënde, për të ta tërhequr vëmendjen te premtimet e Perëndisë të paraqitura në Bibël. Por ata japin dëshmi edhe për shpresat dhe bindjet e tyre, kudo që takojnë njerëz.
Dëshmitarit që e mban veten të zënë me deklarimin e besimit të tij të tjerëve, i ritheksohen dhe i forcohen bindjet e veta. Fakti që shprehet, i thellon mbresat dhe në të njëjtën kohë i sjell gëzim dhe kënaqësi të brendshme. Gjithashtu, kur njoftojmë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, i pëlqejmë Jehovait. Ne e dimë se ai ‘nuk është i padrejtë, që të harrojë punën tonë dhe dashurinë që tregojmë për emrin e tij’, siç deklaron Pavli, një apostull bashkë me Pjetrin.—Hebrenjve 6:10, BR; Romakëve 10:9, 10.
Cili është rezultati i gjithë këtij meraku të madh për përhapjen e lajmit të mirë të Mbretërisë, gjatë ditëve të fundit të këtij sistemi të lig të tanishëm? Qindra e mijëra njerëz me zemër të ndershme po mësojnë se si të krijojnë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, të nxjerrin dobi nga dashamirësia e tij e pamerituar dhe të gjejnë lumturi të vërtetë në perspektivën e jetës së përhershme në një tokë parajsore.
Njohuri paraprake
Megjithëse e dimë nga Bibla se Perëndia Jehova do të ndërhyjë në kohën e tij të duhur, duhet t’ia vëmë veshin një paralajmërimi të mëtejshëm që jep Pjetri. «Duke pasur këtë njohuri paraprake, ruhuni që të mos tërhiqeni me ta nga gabimi i njerëzve që shpërfillin ligjin dhe të mos bini nga palëkundshmëria juaj.»—2. Pjetrit 3:17, BR.
Sigurisht që Jehovai e dinte më përpara se disave që u mungonte besimi i fortë, mund të shkurajoheshin nga vonesa në dukje e ndërhyrjes hyjnore. Gjithashtu, ai e dinte se ndikimi i njerëzve të paperëndishëm mund t’i korruptonte shërbëtorët e tij të vërtetë ose, të paktën, të minonte bindjen e tyre se shenjtërimi i emrit të Perëndisë është pranë. Sa tragjike do të ishte të bije nga palëkundshmëria në këto ditë të fundit!
Tani nuk është koha për të ushqyer dyshime në lidhje me atë që do të bëjë Jehovai. (Hebrenjve 12:1) Përkundrazi, tani është koha të rritemi në çmueshmërinë për atë që ka sjellë durimi i Jehovait: perspektivën e shpëtimit për miliona vetë, të cilët bëhen pjesë e shumicës së madhe ndërkombëtare dhe mezi presin mbijetimin në mjerimin e madh që po vjen. (Zbulesa 7:9, 14) Pjetri nxit: «Vazhdoni të rriteni në dashamirësinë e pamerituar dhe në njohurinë e Zotërisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Atij i qoftë lavdia tani dhe deri në ditët e përjetësisë!»—2. Pjetrit 3:18, BR.
«Mbahuni në dashurinë e Perëndisë»
Duke qenë të zënë me predikimin e Mbretërisë dhe duke marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e krishtere për adhurimin dhe studimin e Fjalës së Perëndisë, na ofrohet mbrojtje. Në këtë mënyrë, nuk do të kemi kohë që të merakosemi së tepërmi për kushtet në keqësim të sistemit të sotëm të lig. Frika dhe ankthet duhet të zënë pak vend në jetën e të krishterëve të vërtetë. (1. Korintasve 15:58) Sa më të zënë të jemi me shërbimin e Jehovait, aq më shpejt kalon koha.
Juda, që ishte bashkëkohës i Pjetrit dhe gjysmëvëlla i Jezuit, na nxit: «Ju, të dashur, duke u ndërtuar mbi besimin tuaj më të shenjtë dhe duke u lutur me frymë të shenjtë, mbahuni në dashurinë e Perëndisë, ndërsa pritni mëshirën e Zotërisë sonë Jezu Krisht, me sytë nga jeta e përhershme.» (Juda 20, 21, BR) Vëre rëndësinë e një qëndrimi pozitiv, që ushqehet nga këmbëngulja në lutje. (1. Thesalonikasve 5:17) Pastaj Juda shton: «Vazhdoni t’u tregoni mëshirë disave që mund të kenë dyshime; shpëtojini duke ia rrëmbyer zjarrit. Por vazhdoni t’u tregoni mëshirë të tjerëve, duke e bërë këtë me druajtje, ndërsa urreni edhe veshjen e brendshme që është ndotur nga mishi.» (Juda 22, 23, BR) Sa jetësore është ta forcojmë njëri-tjetrin gjatë këtyre kohëve të vështira! Sa e rëndësishme është edhe që të mos biem në tundim, duke e përdorur këtë «ditë shpëtimi» të zgjatur, si një pretekst për «sjellje të shthurur», kaq e përhapur tani në botën e sotme të korruptuar!—Juda 4, BR; 2. Korintasve 6:1, 2.
Duke ua vënë veshin këshillave të dashura të Pjetrit, të Pavlit dhe të Judës, si edhe duke qenë i zënë dhe aktiv në shërbimin e Perëndisë, mund të presësh me durim ndërhyrjen e Jehovait. Por, a do ta presësh?
Mos ngurro të vihesh në kontakt me Dëshmitarët në zonën tënde, që të të ndihmojnë të forcosh besimin tënd në premtimin e Krijuesit për një jetë të përhershme. Mëso se çfarë kërkohet për t’u kualifikuar që të marrësh pjesë në këtë vepër globale dëshmie që nuk do të përsëritet kurrë, e cila do të përfundojë në mjerimin e madh që po afrohet. (Marku 13:10) Atëherë, do të kesh perspektivën për të jetuar në botën e re të drejtësisë, që premton Jehovai. (2. Pjetrit 3:13) Vërua veshin përkujtuesve të tij! Prit me durim! Ji i zënë!
[Shënimi]
a Të lutemi, shiko librin Bibla: Fjalë e Perëndisë apo e njeriut?, faqe 116, botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc., anglisht.
[Figura në faqen 7]
Mëso tani rreth premtimit të Perëndisë për Parajsën
[Burimi i figurës në faqen 5]
Ujk: Kafshët/Jim Harter/Dover Publications, Inc.; bari i ri: Fëmijët: Arkiv fotografish nga burime të shekullit të nëntëmbëdhjetë/Grafton/Dover Publications, Inc.