Një botë e drejtë jo një ëndërr!
«DREJTËSIA përbën interesimin e madh të njeriut në tokë»,—vërejti një burrë shteti, Daniel Uebster. Bibla thotë: «Jehovai është dashurues i drejtësisë.» (Psalmi 37:28, BR) I bërë në ngjashmëri të Perëndisë, çifti i parë njerëzor pati atribute hyjnore, ku përfshihej edhe një ndjesi drejtësie.—Zanafilla 1:26, 27.
Shkrimet flasin, gjithashtu, për ‘njerëzit e kombeve që nuk kanë ligj, por që nga natyra bëjnë gjërat e ligjit’. Kështu, ata «demonstrojnë se çështja e ligjit është shkruar në zemrat e tyre, ndërkohë që ndërgjegjja e tyre jep dëshmi me ta dhe, ndërmjet mendimeve të atyre vetë, ata janë të akuzuar apo edhe të shfajësuar». (Romakëve 2:14, 15, BR) Po, njerëzit janë të pajisur me aftësinë e ndërgjegjes, një ndjesi e brendshme e së drejtës dhe e së gabuarës. Qartë, nevoja për drejtësi është e lindur tek njeriu.
E lidhur ngushtë me nevojën për drejtësi, është kërkesa e njeriut për lumturi, sepse Psalmi 106:3 deklaron: «Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.» Pse, atëherë, nuk ka qenë në gjendje njeriu të sjellë një botë të drejtë?
Pse ka dështuar njeriu?
Një arsye themelore e dështimit në realizimin e një bote të drejtë, është e meta që kemi trashëguar nga prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva. Bibla shpjegon: «Ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan.» (Romakëve 5:12) E meta është mëkat. Megjithëse u krijuan të patëmetë, Adami dhe Eva vendosën të rebeloheshin kundër Perëndisë dhe kështu e bënë veten mëkatarë. (Zanafilla 2:16, 17; 3:1-6) Për shkak të kësaj, ata u lanë fëmijëve të tyre trashëgiminë e tendencave mëkatare dhe të gabuara.
A nuk janë tipare të tilla të personalitetit, si lakmia dhe paragjykimi, rezultatet e tendencave mëkatare? A nuk i kontribuojnë këto tipare padrejtësive në botë? Ja sepse lakmia është në rrënjë të abuzimeve të qëllimshme ndaj ambientit dhe të shtypjes ekonomike! Sigurisht që prapa konflikteve etnike dhe padrejtësive raciale ndodhen paragjykimet. Tipare të tilla i shtyjnë, gjithashtu, njerëzit të vjedhin, mashtrojnë dhe të veprojnë në një mënyrë që i dëmton të tjerët.
Edhe përpjekjet me motivet më të mira për të ushtruar drejtësi dhe për të bërë të mirën, shpesh dështojnë për shkak të prirjeve tona mëkatare. Vetë apostulli Pavël bëri këtë rrëfim: «Të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s’dua, atë bëj.» Ai vazhdoi ta shpjegojë betejën, duke thënë: «Unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm, por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia.» (Romakëve 7:19-23) Ngjashëm, sot ne kemi të njëjtin konflikt. Ja sepse padrejtësitë ndodhin kaq shpesh.
Mënyra njerëzore e sundimit i ka kontribuar, gjithashtu, padrejtësisë në botë. Në çdo vend ka ligje, si dhe persona që detyrojnë zbatimin e tyre. Ka natyrisht edhe gjykatës e gjykata. Sigurisht që disa njerëz parimesh janë përpjekur t’i përkrahin të drejtat njerëzore dhe të sigurojnë për të gjithë drejtësi të barabartë. Megjithatë, shumica e përpjekjeve të tyre kanë dështuar. Pse? Duke përmbledhur faktorët e ndryshëm të përfshirë në dështimin e tyre, Jeremia 10:23 nxjerr në pah: «Mirë e di unë, o Jehova, se njeriut tokësor nuk i përket udha e tij. Nuk i përket njeriut që ecën, as të drejtojë hapin e tij.» (BR) I larguar nga Perëndia, njeriu është thjesht i paaftë të vendosë një botë të re e të drejtë.—Fjalët e urta 14:12; Predikuesi 8:9.
Një pengesë e madhe në përpjekjet e njeriut për të ndërtuar një botë të drejtë, është Satana Djalli. Bibla thotë qartë se engjëlli rebel, Satanai, është «vrasësi» dhe «gënjeshtari» fillestar dhe se «e gjithë bota shtrihet nën pushtetin e të ligut». (Gjoni 8:44; 1. Gjonit 5:19, BR) Apostulli Pavël e identifikon atë si «perëndinë e këtij sistemi gjërash». (2. Korintasve 4:3, 4, BR) Duke qenë një urrejtës i së drejtës, Satanai bën çdo gjë të mundshme për të nxitur ligësinë. Për sa kohë që bota kontrollohet prej tij, njerëzimi do të skllavërohet nga padrejtësi të çdo lloji dhe nga brengat që rezultojnë prej tyre.
A do të thotë e gjithë kjo se në një shoqëri njerëzore, padrejtësia është e pashmangshme? A është një botë e drejtë një ëndërr e parealizueshme?
Një botë e drejtë, një realitet: Si?
Që shpresa për një botë të drejtë të bëhet realitet, njerëzimi duhet t’i drejtohet një burimi që mund të çrrënjosë shkaqet e padrejtësisë. Por kush mund ta shkulë me rrënjë mëkatin e të eliminojë Satanain dhe sundimin e tij? Qartë që asnjë njeri dhe asnjë mjet njerëzor nuk mund ta kryejë një detyrë të tillë tepër të vështirë. Vetëm Perëndia Jehova mundet! Në lidhje me të, Bibla thotë: «Ai është Shkëmbi, vepra e tij është e përsosur, sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. Është një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë.» (Ligji i përtërirë 32:4) Duke qenë një «dashurues i drejtësisë», Jehovai dëshiron që njerëzimi ta gëzojë jetën në një botë të drejtë.—Psalmi 37:28, BR.
Duke folur për rregullimin e Perëndisë për të sjellë një botë të drejtë, apostulli Pjetër shkroi: «Sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia.» (2. Pjetrit 3:13) Këta «qiej të rinj» nuk janë qiej të rinj fizikë. Perëndia i bëri qiejtë tanë fizikë të përsosur dhe ata i sjellin atij lavdi. (Psalmi 8:3; 19;1, 2) «Qiejtë e rinj» janë një sundim i ri mbi tokën. «Qiejtë» e tanishëm konsistojnë në qeveritë e bëra nga njeriu. Shumë shpejt, në luftën e Perëndisë, në Harmagedon, këta qiej do t’ia lënë vendin «qiejve të rinj», Mbretërisë së tij qiellore apo qeverisë. (Zbulesa 16:14-16) Mbreti i kësaj Mbretërie është Jezu Krishti. Duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë sundimit njerëzor, kjo qeveri do të sundojë në kohë të pacaktuar.—Danieli 2:44.
Po «toka e re», çfarë është? Nuk është një planet i ri, sepse Perëndia e bëri tokën tamam për t’u banuar nga njeriu dhe është vullneti i tij që ajo të qëndrojë përgjithmonë. (Psalmi 104:5) «Toka e re» i referohet një shoqërie të re njerëzish. (Zanafilla 11:1; Psalmi 96:1) «Toka» që do të shkatërrohet konsiston në njerëz që e bëjnë veten pjesë të këtij sistemi të lig gjërash. (2. Pjetrit 3:7) «Toka e re» që i zëvendëson ata do të përbëhet nga shërbëtorë të vërtetë të Perëndisë, që urrejnë ligësinë, duan të drejtën dhe drejtësinë. (Psalmi 37:10, 11) Pra, ajo që do të ikë do të jetë bota e Satanait.
Por çfarë është rezervuar për Satanain? Apostulli Gjon paratha: «Ai [Krishti Jezu] e kapi dragoin, gjarpërin e lashtë, që është Djalli dhe Satanai dhe e lidhi për një mijë vjet dhe e hodhi atë në humnerë dhe e mbylli atë dhe e vulosi mbi të, që të mos i mashtrojë më kombet.» (Zbulesa 20:1-3) Ndikimi mbi njerëzimin i Satanait të lidhur me zinxhirë, nuk do të jetë më i madh se ai i një të burgosuri në një birucë të thellë. Çfarë lehtësimi do të jetë për njerëzimin, që vjen si pararendësi i një bote të drejtë! Në fund të një mijë vjetëve, do t’i jepet fund ekzistencës së Satanait.—Zbulesa 20:7-10.
Po ç’të themi për mëkatin e trashëguar? Jehovai ka siguruar tashmë bazën për çrrënjosjen e mëkatit? «Biri i njeriut [Jezu Krishti] erdhi . . . për të dhënë shpirtin e tij si shpërblim në shkëmbim për shumë.» (Mateu 20:28, BR) Fjala «shpërblim» do të thotë çmimi i kërkuar për shpengimin e robërve. Jezui pagoi çmimin e jetës së tij të përsosur njerëzore si shpërblim për të çliruar njerëzimin.—2. Korintasve 5:14; 1. Pjetrit 1:18, 19.
Sakrifica shpërblerëse njerëzore mund të na sjellë dobi edhe tani. Duke ushtruar besim në të, mund të gëzojmë një qëndrim të pastër para Perëndisë. (Veprat 10:43; 1. Korintasve 6:11) Nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, shpërblerja do të bëjë të mundur për njerëzimin një shërim të plotë nga mëkati. Libri i fundit i Biblës përshkruan një ‘lum të ujit të jetës’ figurativ, që del nga froni i Perëndisë dhe përgjatë brigjeve të tij ka pemë frutash simbolike me gjethe «për shërim të kombeve». (Zbulesa 22:1, 2) Ajo që Bibla portretizon këtu, paraqet sigurimin e mrekullueshëm të Krijuesit për shërimin e njerëzimit nga mëkati, mbi bazën e sakrificës shpërblerëse të Jezuit. Vënia e plotë në përdorim e këtij sigurimi, do t’i çlirojë njerëzit e bindur nga mëkati dhe vdekja.
Jeta në një botë të drejtë
Mendo se si do të jetë jeta nën sundimin e Mbretërisë. Krimi dhe dhuna do të jenë gjëra të së kaluarës. (Fjalët e urta 2:21, 22) Padrejtësia ekonomike do të ketë ikur. (Psalmi 37:6; 72:12, 13; Isaia 65:21-23) Të gjitha gjurmët e diskriminimit social, racial, fisnor dhe etnik do të jenë fshirë. (Veprat 10:34, 35) Luftërat dhe armët e luftës nuk do të jenë më. (Psalmi 46:9) Me miliona të vdekur do të jenë të rikthyer në jetë, në një botë të lirë nga padrejtësia. (Veprat 24:15) Të gjithë do të gëzojnë shëndet të përsosur dhe plot gjallëri. (Jobi 33:25; Zbulesa 21:3, 4) «Ai [Jezu Krishti],—na siguron Bibla,—do ta paraqesë drejtësinë sipas së vërtetës.»—Isaia 42:3.
Ndërkohë, mund të na ndodhin padrejtësi, por nga ana jonë, le të mos jemi kurrë të padrejtë. (Mikea 6:8) Edhe kur duhet duruar padrejtësia, le të mbajmë një pikëpamje pozitive. Bota e drejtë e premtuar do të bëhet së shpejti një realitet. (2. Timoteut 3:1-5; 2. Pjetrit 3:11-13) Perëndia i Plotfuqishëm ka dhënë fjalën dhe ajo «do të dalë». (Isaia 55:10, 11, BR) Tani është koha që të përgatitemi për jetën në atë botë të drejtë, duke mësuar çfarë kërkon Perëndia prej nesh.—Gjoni 17:3; 2. Timoteut 3:16, 17.
[Figura në faqen 7]
Në botën e re të premtuar të Perëndisë, do të jetë fshirë çdo gjurmë padrejtësie