Pse vuajmë, plakemi dhe vdesim?
Krijuesi na konsideron si fëmijët e tij, prandaj nuk do që të vuajmë. Gjithsesi, kudo shohim shumë vuajtje. Pse kështu?
Prindërit tanë të parë janë shkaktarë të vuajtjeve tona
«Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, e kështu vdekja u përhap te të gjithë njerëzit.»—ROMAKËVE 5:12.
Zoti i krijoi prindërit tanë të parë, Adamin dhe Evën, me mendje e trup të përsosur. U dha edhe një parajsë në tokë, kopshtin e bukur të Edenit. U tha se mund të hanin nga të gjitha pemët e kopshtit, me përjashtim të njërës. Por Adami e Eva zgjodhën të hanin nga fryti i asaj peme, dhe kjo ishte mëkat. (Zanafilla 2:15-17; 3:1-19) Meqë nuk u bindën, Perëndia i nxori jashtë kopshtit, e kështu jeta u bë e vështirë për ta. Me kohë patën fëmijë, dhe jeta u bë e vështirë edhe për ata. Të gjithë u plakën dhe vdiqën. (Zanafilla 3:23; 5:5) Edhe ne sëmuremi, plakemi dhe vdesim ngaqë i kemi rrënjët nga kjo familje.
Edhe frymërat e liga ndikojnë në vuajtjet tona
«Gjithë bota dergjet nën pushtetin e të Ligut.»—1 GJONIT 5:19.
Ky ‘i Lig’ quhet Satana. Ai është një engjëll që u rebelua kundër Perëndisë. (Gjoni 8:44; Zbulesa 12:9) Më vonë, edhe engjëj të tjerë u bashkuan me Satanain. Ata quhen demonë. Këto frymëra të liga e përdorin fuqinë e tyre për të mashtruar njerëzit që të mos i binden Krijuesit. Ata influencojnë te njerëzit që të bëjnë gjëra të liga. (Psalmi 106:35-38; 1 Timoteut 4:1) Satanai dhe demonët kënaqen kur na sjellin dhembje e vuajtje.
Ndonjëherë jemi ne që i shkaktojmë vuajtje vetes
«Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.»—GALATASVE 6:7.
Të gjithë ne vuajmë në forma të ndryshme, si pasojë e mëkatit të trashëguar dhe ndikimit të Satanait në botën ku jetojmë. Por ndonjëherë njerëzit i hapin vetë telashe vetes. Si? Shpesh, kur bëjnë gjëra të këqija ose marrin vendime të pamenda, korrin rezultate negative. Ndërsa, kur bëjnë gjëra të mira, korrin rezultate pozitive. Për shembull, një bashkëshort e baba i ndershëm, punëtor dhe që e do familjen, korr shumë të mira dhe e bën familjen të lumtur. Por, ai që merret me bixhoz, pi tepër ose është dembel, mund ta çojë veten dhe familjen në skamje. Prandaj tregohemi të mençur kur ia vëmë veshin Krijuesit. Ai do që të korrim shumë të mira, përfshirë «paqe të pafund».—Psalmi 119:165.
Jetojmë në «ditët e fundit»
«Në ditët e fundit . . . njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, lakmues parash, . . . të pabindur ndaj prindërve, . . . pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë.»—2 TIMOTEUT 3:1-5.
Sot shumë njerëz sillen fiks siç ishte parathënë në këto vargje. Sjellja e tyre është një provë e mëtejshme se jetojmë në «ditët e fundit». Gjithashtu, Shkrimet e Shenjta kanë parathënë se do ta kuptojmë që po jetojmë në «ditët e fundit», kur të vërejmë luftëra, mungesë ushqimi, tërmete të mëdha dhe sëmundje. (Mateu 24:3, 7, 8; Luka 21:10, 11) Këto sjellin shumë vuajtje dhe vdekje.