Kush është antikrishti?
Një film horror i kohëve të fundit titullohej Antikrishti.
Një grup i famshëm muzikor nxori një album me titull Superstari Antikrisht.
Fridrih Niçe, filozof i shekullit të 19-të, e titulloi një nga veprat e tij Antikrishti.
Shpesh mbretërit e perandorët e mesjetës i quanin antikrishtër armiqtë e tyre.
Martin Luteri, udhëheqësi i Reformës Gjermane, i quajti antikrishtër papët e Kishës Katolike Romake.
MEQË termi «antikrisht» është përdorur prej kohësh për të emërtuar shumë gjëra, duke filluar që nga monarkët e deri te titujt e filmave, natyrshëm lind pyetja: kush është antikrishti? A ka rëndësi ky term për ne sot? Sigurisht, është më se logjike që kërkimet për identitetin e antikrishtit t’i fillojmë në Bibël, ku termi shfaqet pesë herë.
DEMASKOHET ANTIKRISHTI
I vetmi shkrimtar biblik që përdori fjalën «antikrisht» është apostulli Gjon. Si e përshkroi ai antikrishtin? Vër re këto fjalë në letrën e tij të parë: «Fëmijë të vegjël, është ora e fundit, dhe sikurse keni dëgjuar se antikrishti po vjen, tani kanë dalë shumë antikrishtër; e nga kjo e kuptojmë se është ora e fundit. Ata dolën nga gjiri ynë, por nuk ishin të sojit tonë. . . . Kush është gënjeshtari, përveç atij që mohon se Jezui është Krishti? Ky është antikrishti, pra, ai që mohon Atin dhe Birin.»—1 Gjonit 2:18, 19, 22.
Sipas Gjonit, tek antikrishti futen të gjithë ata që me qëllim përhapin gënjeshtra fetare për Jezu Krishtin e për mësimet e tij
Çfarë na tregojnë këto fjalë? Kur Gjoni përmendi shprehjen «shumë antikrishtër», nuk e kishte fjalën për një individ të vetëm, por për një grup njerëzish. Njerëzit ose organizatat që përbëjnë antikrishtin përhapin gënjeshtra, nuk duan ta pranojnë se Jezui është Krishti, ose Mesia, dhe përpiqen të keqparaqitin marrëdhënien midis Perëndisë e Birit të Tij, Jezu Krishtit. Ata që përbëjnë antikrishtin pohojnë se janë Krishti a përfaqësuesit e tij. Ata «dolën nga gjiri ynë», por devijuan nga mësimet e vërteta të Biblës. Për më tepër, ky grup ekzistonte që në kohën kur Gjoni shkroi letrën, në ‘orën e fundit’, me sa duket në fund të kohës së apostujve.
Çfarë shkroi tjetër Gjoni për antikrishtin? Duke pasur ndër mend profetët e rremë, ai paralajmëroi: «Çdo shprehje e frymëzuar që rrëfen se Jezu Krishti erdhi në mish, vjen nga Perëndia, por çdo shprehje e frymëzuar që nuk rrëfen Jezuin, nuk vjen nga Perëndia. Veç kësaj, kjo është shprehja e frymëzuar e antikrishtit, për të cilin ju keni dëgjuar se po vinte, e tani është tashmë në botë.» (1 Gjonit 4:2, 3) Në letrën e dytë foli prapë për këtë: «Shumë mashtrues kanë dalë në botë, njerëz që nuk rrëfejnë se Jezu Krishti erdhi në mish. Ai është mashtruesi dhe antikrishti.» (2 Gjonit 7) Qartë, sipas Gjonit, tek antikrishti futen të gjithë ata që me qëllim përhapin gënjeshtra fetare për Jezu Krishtin e për mësimet e tij.
«PROFETËT E RREMË» DHE «NJERIU I PALIGJSHMËRISË»
Jezui paralajmëroi se profetët e rremë do të vinin si ‘ujqër grabitqarë të veshur si dele’
Shumë kohë para se Gjoni të shkruante për këta mashtrues fetarë, Jezu Krishti i këshilloi dishepujt: «Kini kujdes nga profetët e rremë, që vijnë te ju të veshur si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.» (Mateu 7:15) Po njësoj, apostulli Pavël i paralajmëroi të krishterët në Selanik: «Askush të mos ju joshë në ndonjë mënyrë, sepse ajo [dita e Jehovait] nuk do të vijë pa ardhur më parë apostazia dhe pa u zbuluar njeriu i paligjshmërisë, biri i shkatërrimit.»—2 Selanikasve 2:3.
Pra, në shekullin e parë profetët e rremë dhe apostatët i ishin përveshur punës për të përçarë kongregacionin e krishterë. Të gjithë ata që përhapnin gënjeshtra e mashtrime fetare për Jezu Krishtin dhe për mësimet e tij bënin pjesë tek «antikrishti» për të cilin foli Gjoni. Pavli pasqyroi pikëpamjen e Jehovait për ta kur i quajti «biri i shkatërrimit».
RUHU NGA VEPRIMTARITË E ANTIKRISHTIT SOT
Po sot, ç’mund të themi? Njerëzit e organizatat që përbëjnë antikrishtin sot, ende hedhin poshtë Krishtin dhe mësimet e tij. Qëllimisht përhapin gënjeshtra e mashtrime që të mjegullojnë identitetin e Atit, Perëndisë Jehova, dhe të Birit të Tij, Jezu Krishtit. Kemi arsye të forta për t’u ruajtur nga këto mashtrime fetare. Le të shohim dy shembuj.
Për shekuj të tërë kishat kanë propaganduar doktrinën e Trinitetit, duke pohuar se Ati dhe Biri janë një. Në këtë mënyrë, antikrishti ka mbështjellë nën velin e misterit identitetin e Perëndisë Jehova dhe të Jezu Krishtit. Kjo i pengon njerëzit me zemër të sinqertë të imitojnë Jezu Krishtin e t’i afrohen Perëndisë, siç i nxit Bibla.—1 Korintasve 11:1; Jakovi 4:8.
Kishat i përkeqësojnë edhe më shumë gjërat, duke nxitur përdorimin e përkthimeve të Biblës që e kanë hequr emrin e Zotit, Jehova, edhe pse ky emër del rreth 7.000 herë në tekstet origjinale të Biblës. Rezultati? Identiteti i Perëndisë së vërtetë vishet edhe më tepër me mister.
Nga ana tjetër, mjaft njerëz me zemër të sinqertë janë afruar me Perëndinë Jehova kur kanë mësuar emrin e tij. Kështu i ndodhi Riçardit. Ai kujton bisedën me dy Dëshmitarë të Jehovait: «Më treguan nga Bibla se emri i Perëndisë së vërtetë është Jehova. U mrekullova kur mësova se Zoti ka një emër, diçka që s’e kisha dëgjuar kurrë më parë.» Që nga ai moment bëri ndryshime që të jetonte sipas normave të Biblës e t’i pëlqente Jehovait. Ai thotë: «Pasi mësova emrin e Zotit, u lidha ngushtë me të.»
Për shekuj me radhë antikrishti ka mbajtur në errësirë miliona njerëz, duke mos i lënë ta njohin Perëndinë. Por duke studiuar Fjalën e Perëndisë, Biblën, mësojmë kush është vërtet antikrishti e çlirohemi nga gënjeshtrat e mashtrimet e tij fetare.—Gjoni 17:17.