Të tregojmë dashuri ndaj atyre në nevojë
TË KRISHTERËT kanë si detyrimin, ashtu dhe privilegjin, për t’u treguar dashuri vëllezërve dhe motrave të tyre në nevojë. (1. Gjonit 3:17, 18) Apostulli Pavël shkroi: «Le t’u bëjmë të mirën të gjithëve, por në radhë të parë atyre që janë në familjen e besimit.» (Galatasve 6:10) Një vëlla që ka qenë duke i shërbyer Jehovait për pothuajse katër dekada, kohët e fundit përjetoi dashurinë e vëllazërisë së krishterë gjatë sëmundjes së gruas së tij dhe vdekjes që e pasoi atë. Ai shkruan:
«Meqenëse gjatë sëmundjes së gruas, unë kujdesesha për të në shtëpi, nuk kisha mundësi të punoja në botë për pothuajse dy muaj. Sa i lehtësuar u ndjeva kur miqtë në kongregacion na erdhën me gatishmëri në ndihmë! Me dyzinat e dhuratave në para, ‘që t’ju ndihmojnë për shpenzimet plus’, siç thoshin pusullat që shoqëronin ato, u pagua hipoteka, pagesat mujore dhe shpenzimet e tjera.
Dy javë përpara vdekjes së gruas sime, mbikëqyrësi ynë qarkor na bëri një vizitë inkurajuese. Ai na tregoi madje diapozitivat që kongregacioni do t’i shihte në fund të javës. Patëm mundësi t’i dëgjonim mbledhjet me telefon, duke përfshirë edhe mbledhjet për shërbimin në fushë, të drejtuara nga mbikëqyrësi qarkor. Në njërën prej këtyre mbledhjeve, ai bëri që të gjithë ata që ishin të pranishëm për shërbimin në fushë, ta përshëndetnin njëzëri gruan time. Kështu, edhe pse ishte e veçuar fizikisht, ajo nuk u ndje kurrë e vetmuar.
Brenda një ore pas vdekjes, pothuajse të gjithë pleqtë ishin në shtëpinë time. Vetëm atë ditë më erdhën për vizitë më shumë se njëqind vëllezër e motra. Ushqimi për të gjithë të pranishmit, u shfaq ‘mrekullisht’ në tryezë. Nuk mundem të filloj t’i numëroj të gjitha dhuratat, shprehjet e bashkëndjenjësisë, fjalët ngushëlluese dhe lutjet që u ofruan në emrin tim. Sa forcuese ishin! Më në fund m’u desh t’u kërkoja vëllezërve të mos më siguronin më ndihmën për ushqimin dhe pastrimin e shtëpisë!
Ku tjetër, përveçse në organizatën e Jehovait, mund të gjejmë shprehje të tilla dhembshurie, kujdesi dhe dashurie? Sot, shumica e njerëzve mund t’i numërojnë me një dorë miqtë e vërtetë që kanë. Jehovai na ka bekuar me një familje shumë të madhe vëllezërish dhe motrash frymore!»—Marku 10:29, 30.