BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w14 1/9 f. 3-6
  • A do ta rrënojë njeriu krejtësisht tokën?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A do ta rrënojë njeriu krejtësisht tokën?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2014
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • NUK DO TË KETË MË KTHIM MBRAPA?
  • BORXHI EKOLOGJIK GJITHNJË E NË RRITJE
  • QËLLIMI I KRIJUESIT PËR TOKËN
  • TOKA—SHTËPIA JONË E PËRHERSHME
  • Perëndia premton se planeti ynë do të mbijetojë
    Zgjohuni!—2023
  • Kush do ta shpëtojë planetin Tokë?
    Tema të tjera
  • A do të shkatërrohet toka?
    Përgjigje për pyetje rreth Biblës
  • Një dhuratë e përjetshme nga Krijuesi
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2014
w14 1/9 f. 3-6
Fëmijë që luajnë në një ambient ku edhe toka, edhe uji janë tejet të ndotur

TEMA KRYESORE

A do ta rrënojë njeriu krejtësisht tokën?

«Një brez shkon dhe një brez tjetër vjen, por toka qëndron përjetë.»—MBRETI SOLOMON, SHEKULLI I 11-TË, P.E.S.a

Për shkrimtarin biblik në lashtësi, natyra jetëshkurtër e njeriut ndryshonte kryekëput nga përjetësia e tokës. Vërtet, për mijëra vjet, breza të tërë kanë ardhur dhe kanë ikur, por prapëseprapë, planeti Tokë ka qenë jashtëzakonisht i qëndrueshëm në aftësinë e tij për të mbështetur jetën—deri tani.

Që nga Lufta II Botërore, bota ka pësuar ndryshime në një shkallë dhe shpejtësi më të madhe se kurrë më parë. Vetëm në rreth 70 vjet, njeriu ka parë goxha përparim në transport, në komunikim dhe në teknologji të tjera, të cilat kanë sjellë ndryshime ekonomike të paprecendenta. Shumë veta gëzojnë një standard jetese që dikur mendohej i pamundur. Ndërkohë, popullsia e tokës thuajse është trefishuar.

Gjithsesi, e gjithë kjo nuk është arritur pa një kosto. Mendohet se veprimtaritë e njeriut po i dëmtojnë jashtë mase ciklet natyrore të tokës. Në fakt, disa shkencëtarë thonë se kemi hyrë në një epokë të re gjeologjike që e quajnë Antropocen—një epokë ku ndikimi i njerëzve te planeti po bëhet gjithnjë e më i dukshëm.

Bibla ka parathënë një kohë kur njeriu ‘do ta rrënonte tokën’. (Zbulesa 11:18) Disa pyesin veten nëse po jetojmë në një kohë të tillë. Edhe sa do të dëmtohet akoma toka? A do të shkojë deri aty sa të mos ketë më kthim mbrapa? Pra, a do ta rrënojë njeriu krejtësisht tokën?

NUK DO TË KETË MË KTHIM MBRAPA?

A po shkon toka drejt një pike ku nuk do të ketë më kthim mbrapa? Disa shkencëtarë mendojnë se mund të jetë e vështirë të parashikohen pasojat e ndryshimeve klimatike. Për shkak të kësaj, ata druhen se mos po i afrohen «pikës kritike», ku ndryshimet klimatike të befta dhe të papritura mund të sjellin pasoja shkatërrimtare.

Një ari polar mbi një copë të vogël akulli

Për shembull, mendo për akullnajat në pjesën perëndimore të Antarktidës. Disa besojnë se nga ngrohja e vazhdueshme globale, shkrirja e akullnajave do të arrijë deri në atë pikë, sa nuk do të ketë më kthim mbrapa. Kjo mund të ndodhë ngaqë shtresa e sipërme e tyre i pasqyron natyrshëm rrezet e diellit. Por, ndërsa akullnajat hollohen dhe shkrihen, oqeani poshtë, i cili është më pak pasqyrues, dalëngadalë ekspozohet. Sipërfaqja e errët e oqeanit thith më tepër nxehtësi, e cila shkrin më shumë akuj. Ky cikël shkatërrimtar mund të bëhet i pandalshëm. Si pasojë, rritja e nivelit të detit nga shkrirja, do të ishte katastrofike për qindra milionë njerëz.

BORXHI EKOLOGJIK GJITHNJË E NË RRITJE

Për t’i dhënë zgjidhje kësaj «urgjence planetare», janë propozuar strategji të ndryshme. Një strategji e krijuar prej kohësh është quajtur zhvillimi ekologjik, i cili nënkupton nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror brenda kufijve ekologjikë të planetit. Cilat kanë qenë rezultatet?

Mjerisht, ashtu si kriza e borxhit financiar global, edhe borxhi ekologjik i tokës vazhdon të rritet gjithnjë e më tepër. Njerëzit vazhdojnë t’i konsumojnë burimet natyrore të planetit më shpejt nga sa mund të ripërtërihen natyrshëm. A mund të bëhet diçka? Një ekolog e pranoi hapur: «Në njëfarë kuptimi, nuk e kemi fare idenë si ta administrojmë siç duhet planetin.» Kjo situatë përputhet më së miri me atë që thotë Bibla: «Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.»—Jeremia 10:23.

Nga ana tjetër, Bibla na siguron se Perëndia, Krijuesi, nuk do ta lejojë njeriun ta çojë drejt falimentimit planetin tonë. Te Psalmi 115:16, lexojmë: «Tokën [Perëndia] ua ka dhënë bijve të njerëzve.» Po, planeti ynë është një «dhuratë e mirë» nga Ati ynë qiellor. (Jakovi 1:17) A mund të presim që dhurata që na ka bërë Perëndia të jetë e përkohshme, sikur të kishte një afat skadence? Sigurisht që jo! Kjo duket nga mënyra si është projektuar planeti.

QËLLIMI I KRIJUESIT PËR TOKËN

Libri biblik i Zanafillës na tregon me shumë hollësi se me sa kujdes dhe mjeshtëri e ka bërë Perëndia tokën. Aty thuhet se në fillim toka ishte «pa formë dhe e shkretë, dhe errësira mbulonte sipërfaqen». Por, aty përmendet në mënyrë specifike edhe se ‘ujërat’—të cilat janë thelbësore për jetën—ekzistonin në planet. (Zanafilla 1:2) Pastaj Perëndia tha: «Le të bëhet dritë.» (Zanafilla 1:3) Me sa duket, rrezet e diellit depërtuan në atmosferë, dhe, për herë të parë, drita u bë e dukshme në tokë. Më pas flitet edhe për formimin e tokës së thatë dhe të deteve. (Zanafilla 1:9, 10) Më tej, në tokë u shfaq ‘bari, bimësia që jep farë sipas llojit të vet dhe drurët që japin fryt’. (Zanafilla 1:12) Tani ishin gati elementet e nevojshme për proceset dhe ciklet që janë jetësore për jetën, siç është fotosinteza. Për çfarë qëllimi u bë e gjithë kjo?

Një profet i lashtë, Isaia, tha se Perëndia është «Formuesi i tokës dhe Bërësi i saj, Ai që e ka bërë të patundshme, që nuk e krijoi më kot, por e formoi që të banohej». (Isaia 45:18) Qartë, Perëndia ka si qëllim që toka të banohet përgjithmonë nga njerëzit.

Mjerisht, njeriu e ka keqpërdorur dhuratën e bukur të Perëndisë deri aty sa po e çon drejt rrënimit. Prapëseprapë, qëllimi i Krijuesit nuk ka ndryshuar. Një burrë i kohëve të lashta ka thënë: «Perëndia nuk është njeri që të gënjejë, as bir njeriu që të ndërrojë mendje. Mos vallë ka thënë dhe nuk do ta bëjë?» (Numrat 23:19) Në fakt, në vend që ta lejojë tokën të rrënohet, Perëndia ‘do t’i rrënojë ata që rrënojnë tokën’, dhe kjo kohë po afrohet me të shpejtë.—Zbulesa 11:18.

TOKA—SHTËPIA JONË E PËRHERSHME

Jezu Krishti tha në Predikimin e famshëm në Mal: «Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!» (Mateu 5:5) Më vonë, në të njëjtin predikim, Jezui zbuloi mjetin me të cilin toka do të shpëtohet nga rrënimi. Ai i udhëzoi dishepujt e tij të luteshin: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» Po, Mbretëria ose qeveria e Perëndisë do ta përmbushë qëllimin e Tij për tokën.—Mateu 6:10.

Në lidhje me ndryshimet e jashtëzakonshme që do të sjellë kjo Mbretëri, Perëndia shpall: «Ja, po bëj çdo gjë të re.» (Zbulesa 21:5) A do të thotë kjo se Perëndia do ta zëvendësojë tokën me një tokë të re? Jo, sepse në të vërtetë s’ka asgjë të projektuar keq në planetin tonë. Përkundrazi, Perëndia do të zhdukë ata që janë përgjegjës për krizën e planetit tonë, «ata që rrënojnë tokën», pra sistemin e sotëm me strukturën e tij qeverisëse. Ai do të zëvendësohet nga ‘një qiell i ri dhe një tokë e re’—një qeveri e re qiellore, Mbretëria e Perëndisë, e cila do të sundojë mbi njerëzimin që i bindet Perëndisë.—Zbulesa 21:1.

Që të eliminojë borxhin ekologjik që ka shkaktuar njeriu, Perëndia si të thuash, do ta shtojë buxhetin ekologjik. Duke përshkruar çfarë do të bëjë Perëndia, psalmisti u frymëzua të shkruante: «Ti e ke drejtuar vëmendjen nga toka, që t’i japësh begati, po, ti e pasuron shumë atë.» Meqë nuk do të ketë më mot shkatërrimtar dhe mbi të gjitha, do të ketë bekimin e Perëndisë, toka do të bëhet një parajsë që prodhon ushqim me bollëk.—Psalmi 65:9-13.

Pjarelali, sekretari i Mohandas Gandit, udhëheqësit të ndjerë fetar në Indi, vërejti: «Toka prodhon mjaftueshëm për të plotësuar çdo nevojë të njeriut, por jo mjaftueshëm për të plotësuar çdo lakmi të tij.» Mbretëria e Perëndisë do t’i zhdukë me rrënjë problemet e tokës, duke ndryshuar zemrat e njerëzve. Profeti Isaia paratha se nën sundimin e Mbretërisë, asnjë njeri «nuk do të bëjë asnjë dëm dhe nuk do të prishë asgjë», as ndaj një njeriu tjetër, as ndaj tokës. (Isaia 11:9) Në fakt, miliona veta sot nga të gjitha prejardhjet tashmë po mësojnë për normat e larta të Perëndisë. Ata po mësojnë të duan Perëndinë dhe njëri-tjetrin, të tregojnë një frymë mirënjohëse, të kujdesen për mjedisin, të mbrojnë burimet natyrore dhe të jetojnë në një mënyrë që e mbështet qëllimin e Krijuesit. Ata po përgatiten për jetën në një tokë parajsore.—Eklisiastiu 12:13; Mateu 22:37-39; Kolosianëve 3:15.

Planeti Tokë

Perëndia nuk do të lejojë që toka jonë e mrekullueshme të rrënohet krejtësisht

Tregimi i Zanafillës për krijimin përfundon me fjalët: «Perëndia pa çdo gjë që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë.» (Zanafilla 1:31) Vërtet, Perëndia nuk do të lejojë që toka jonë e mrekullueshme të rrënohet krejtësisht. Ngushëllohemi duke ditur se e ardhmja e planetit është e sigurt në duart e Krijuesit tonë të dashur, Perëndisë Jehova. Ai premton: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psalmi 37:29) Urojmë që edhe ti të jesh mes këtyre ‘të drejtëve’ që do ta quajnë tokën shtëpinë e tyre të përjetshme!

a Nga Eklisiastiu 1:4 në Bibël.

Keqpërdorimi i planetit tonë nga njeriu

  • Atmosfera. «Ka prova të pakundërshtueshme se pjesa e poshtme e atmosferës së Tokës, oqeani dhe sipërfaqja tokësore po ngrohen. . . . Shkaku kryesor i kësaj ngrohjeje që nga vitet 50 është vetë dora e njeriut.»—American Meteorological Society, 2012.

  • Sipërfaqja tokësore. «Thuajse 50 për qind e sipërfaqes tokësore është transformuar nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë e njeriut, me pasoja të konsiderueshme për shumëllojshmërinë biologjike, për ciklin ushqyes bimë-tokë . . . dhe për klimën.»—Libri Global Change and the Earth System.

  • Oqeanet. «Rreth 85 për qind e rezervave të peshkut në mbarë botën janë shumë të shfrytëzuara, të shteruara fare, të shfrytëzuara plotësisht ose në fazën e përtëritjes nga shfrytëzimi.»—BBC, shtator 2012.

  • Shumëllojshmëria biologjike. «Shumë shkencëtarë mendojnë se . . . faji për [zhdukjen e ardhshme masive], ndoshta më e shpejta në historinë e Tokës, bie kryekëput mbi njerëzit.»—Nga science.nationalgeographic.com.

Zona e jetës

Një njeri dhe ndikimi i tij mbi tokën, oqeanet dhe atmosferën

Çfarë është «zona e jetës» ose ndryshe biosfera? Sipas NASA-s, është «ajo pjesë e Tokës dhe e atmosferës që mbështet jetën». Ashtu si lëvozhga e vezës, biosfera është një zonë ose një shtresë shumë e hollë që mbështjell planetin tonë.

Biosfera përbëhet nga gjallesat dhe mjedisi—atmosfera, sipërfaqja tokësore dhe oqeanet—nga i cili ato marrin energjinë dhe ushqimin e nevojshëm për të jetuar. Për shembull, bimët thithin energjinë diellore, të cilën e përdorin për të shndërruar dyoksidin e karbonit, ujin dhe mineralet në oksigjen e ushqim. Njerëzit dhe kafshët marrin oksigjenin e ushqimin dhe futin përsëri në cikël dyoksidin e karbonit dhe elemente të tjera. Dhe ky cikël përsëritet vetë. Pra, biosfera mbështet pa fund jetën.

Jo më kot, Bibla e përshkruan Perëndinë në mënyrë të përshtatshme si ‘Ai që e ka bërë tokën të patundshme me mençurinë e vet’. (Jeremia 10:12) Siç vërejti një studiues i Biblës, «pjesa e banueshme e tokës është bërë në mënyrë mbresëlënëse për t’u përdorur nga njeriu dhe për t’i shërbyer atij».

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo