Të jemi lexues të lumtur të librit të Zbulesës
«I lumtur është ai që lexon me zë dhe ata që dëgjojnë fjalët e kësaj profecie e që zbatojnë gjërat e shkruara në të.» —ZBULESA 1:3, BR.
1. Në cilat rrethana gjendej apostulli Gjon kur shkroi Zbulesën dhe cili ishte qëllimi për të cilin këto vizione u hodhën me shkrim?
«UNË, Gjoni . . . u gjenda në ishullin që quhet Patmos, sepse flitja për Perëndinë dhe jepja dëshmi për Jezuin.» (Zbulesa 1:9, BR) Këto ishin rrethanat në të cilat apostulli Gjon shkroi librin e Apokalipsit ose të Zbulesës. Mendohet se atë e internuan në Patmos gjatë sundimit të perandorit romak Domicianit (81-96 të e.s.), i cili e bëri të detyrueshëm adhurimin e perandorit dhe u bë persekutues i të krishterëve. Ndërsa ishte në Patmos, Gjoni mori një seri vizionesh, të cilat i hodhi me shkrim. Këto vizione ai i tregoi, jo për të frikësuar të krishterët e hershëm, por për t’i forcuar, për t’i ngushëlluar dhe për t’i inkurajuar ata, duke pasur parasysh sprovat që po kalonin dhe ato që gjendeshin përpara.—Veprat 28:22; Zbulesa 1:4; 2:3, 9, 10, 13.
2. Përse situata në të cilën gjendeshin Gjoni dhe të bashkëkrishterët e tij u intereson të krishterëve që jetojnë sot?
2 Rrethanat në të cilat u shkrua ky libër biblik janë shumë domethënëse për të krishterët që jetojnë sot. Gjoni po hiqte persekutime sepse ishte një dëshmitar i Jehovait dhe i Birit të Tij, Krishtit Jezu. Ai dhe të bashkëkrishterët po jetonin në një atmosferë armiqësore sepse, ndonëse përpiqeshin të ishin qytetarë të mirë, nuk mund të praktikonin adhurimin e perandorit. (Luka 4:8) Në disa vende, të krishterët e vërtetë sot gjenden në një situatë të ngjashme, ku shteti merr të drejtën për të përcaktuar se çfarë është «korrekte nga ana fetare». Prandaj, sa ngushëlluese janë fjalët që gjejmë në hyrje të librit të Zbulesës: «I lumtur është ai që lexon me zë dhe ata që dëgjojnë fjalët e kësaj profecie e që zbatojnë gjërat e shkruara në të, sepse koha e caktuar është afër.» (Zbulesa 1:3, BR) Po, lexuesit e vëmendshëm e të bindur të Zbulesës mund të gjejnë lumturi të vërtetë dhe shumë bekime.
3. Kush është Burimi i Zbulesës që iu dha Gjonit?
3 Cili është Burimi suprem i Zbulesës dhe cili kanal u përdor për ta përcjellë atë? Vargu hyrës na thotë: «Zbulesa e Jezu Krishtit, që Perëndia ia dha për t’u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti dhe e bëri të ditur, duke ia dërguar [me shenja, BR] nëpërmjet engjëllit të tij, shërbëtorit të vet Gjon.» (Zbulesa 1:1) E thënë thjesht, Burimi i vërtetë i Zbulesës është Perëndia Jehova, i cili ia dha Jezuit dhe me anë të një engjëlli Jezui ia komunikoi Gjonit. Po të shkojmë pak më thellë zbulojmë se Jezui përdori edhe frymën e shenjtë për t’u dërguar mesazhet kongregacioneve dhe për t’i dhënë Gjonit vizionet.—Zbulesa 2:7, 11, 17, 29; 3:6, 13, 22; 4:2; 17:3; 21:10; krahaso Veprat 2:33.
4. Çfarë mjetesh përdor akoma sot Jehovai për ta udhëhequr popullin e tij në tokë?
4 Jehovai e përdor ende Birin e tij, ‘kreun e kongregacionit’, për të mësuar shërbëtorët e tij në tokë. (Efesianëve 5:23, BR; Isaia 54:13; Gjoni 6:45) Gjithashtu, Jehovai përdor frymën e tij për të mësuar popullin e vet. (Gjoni 15:26; 1. Korintasve 2:10) Dhe, pikërisht siç përdori ‘shërbëtorin e vet, Gjonin’ për t’u komunikuar kongregacioneve të shekullit të parë ushqim forcues frymor, po kështu Jezui përdor sot ‘skllavin e besueshëm e të matur’, të përbërë nga «vëllezërit» e tij të mirosur në tokë, për t’u dhënë shtëpiarëve të tij dhe shokëve të tyre «ushqim [frymor] në kohën e duhur». (Mateu 24:45-47; 25:40, BR) Të lumtur janë ata që e pranojnë Burimin e ‘dhuratave të mira’, të cilat i marrim në formën e ushqimit frymor dhe pranojnë kanalin që po përdor Ai.—Jakovit 1:17, BR.
Kongregacione të drejtuara nga Krishti
5. (a) Me çfarë janë krahasuar kongregacionet e krishtere dhe mbikëqyrësit e tyre? (b) Pavarësisht nga papërsosmëria njerëzore, çfarë do t’i kontribuojë lumturisë sonë?
5 Në kapitujt e parë të Zbulesës, kongregacionet e krishtere krahasohen me shandanë. Mbikëqyrësit e tyre krahasohen me engjëj (lajmëtarë) dhe me yje. (Zbulesa 1:20)a Duke folur për veten, Krishti i tha Gjonit të shkruante: «Këto janë gjërat që thotë ai që i mban të shtatë yjet në dorën e tij të djathtë, ai që ecën në mes të shtatë shandanëve prej ari.» (Zbulesa 2:1, BR) Shtatë mesazhet që u dërgohen shtatë kongregacioneve aziatike tregojnë se në shekullin e parë të e.s. kongregacionet dhe pleqtë e tyre kishin edhe pika të forta, edhe dobësi. Po kështu është edhe sot. Prandaj, do të jemi shumë më të lumtur po të mos e heqim kurrë nga mendja faktin që Krishti, Kreu ynë, është në mes të kongregacioneve. Ai e di me saktësi se çfarë po ndodh. Në mënyrë simbolike, mbikëqyrësit janë «në dorën e tij të djathtë», domethënë, nën kontrollin dhe drejtimin e tij, si edhe i përgjigjen atij për mënyrën se si i drejtojnë kongregacionet.—Veprat 20:28; Hebrenjve 13:17.
6. Çfarë tregon se mbikëqyrësit nuk janë të vetmit që do t’i përgjigjen Krishtit?
6 Gjithsesi, po të mendojmë se vetëm mbikëqyrësit i përgjigjen Krishtit për veprat e tyre, do të mashtrojmë veten. Në një nga mesazhet e tij, Krishti tha: «Të gjitha kishat [kongregacionet, BR] do të njohin se unë jam ai që heton mendjet dhe zemrat dhe do t’i jap gjithsecilit nga ju sipas veprave të veta.» (Zbulesa 2:23) Ky është njëherësh edhe paralajmërim, edhe inkurajim: një paralajmërim që Krishti i njeh motivet tona më të thella, një inkurajim sepse na siguron që Krishti është në dijeni të përpjekjeve tona dhe do të na bekojë nëse bëjmë atë që mundemi.—Marku 14:6-9; Luka 21:3, 4.
7. Si ‘e kishin ruajtur fjalën rreth qëndrueshmërisë së Jezuit’ të krishterët në Filadelfia?
7 Mesazhi i Krishtit drejtuar kongregacionit në qytetin lidian të Filadelfias nuk përmban ndonjë qortim, por ka një premtim që duhet të na interesojë shumë. «Sepse e ruajte fjalën e durimit tim [rreth qëndrueshmërisë sime, BR], edhe unë do të të ruaj ty nga ora e sprovës që do të vijë mbi gjithë botën, për të provuar ata që banojnë mbi dhe.» (Zbulesa 3:10) Në greqisht, shprehja «e ruajte fjalën rreth qëndrueshmërisë sime» mund të ketë edhe kuptimin «e ruajte atë që thashë unë për qëndrueshmërinë». Zb 3 Vargu 8 tregon se të krishterët në Filadelfia jo vetëm që u ishin bindur urdhrave të Krishtit, por e kishin ndjekur këshillën e tij për të qëndruar me besnikëri.—Mateu 10:22; Luka 21:19.
8. (a) Çfarë premtimi u bëri Jezui të krishterëve të Filadelfias? (b) Cilët ndikohen sot nga «ora e sprovës»?
8 Jezui shtoi se do t’i ruante ata nga «ora e sprovës». Se çfarë nënkuptoi kjo për të krishterët e atjeshëm, nuk e dimë. Edhe pse pas vdekjes së Domicianit në vitin 96 të e.s. pati një ndërprerje të shkurtër të persekutimit, një valë e re persekutimi filloi nën Trajanin (98-117 të e.s.), duke sjellë pa dyshim sprova të mëtejshme. Por «ora e sprovës» më të madhe ndodh në «ditën e Zotërisë» gjatë ‘kohës së mbarimit’, në të cilën jemi ne tani. (Zbulesa 1:10, BR; Danieli 12:4) Gjatë Luftës I Botërore dhe menjëherë pas saj të krishterët e mirosur me frymë kaluan një kohë të veçantë sprovash. Megjithatë, «ora e sprovës» vazhdon ende. Ajo ka të bëjë me «gjithë botën», duke përfshirë edhe ata miliona persona që përbëjnë shumicën e madhe, të cilët shpresojnë të mbijetojnë mjerimin e madh. (Zbulesa 3:10; 7:9, 14, BR) Të lumtur do të jemi nëse ‘ruajmë atë që tha Jezui për qëndrueshmërinë’, domethënë: «Ai që ka qëndruar deri në fund, është ai që do të shpëtohet.»—Mateu 24:13, BR.
Nënshtrim me lumturi ndaj sovranitetit të Jehovait
9, 10. (a) Në ç’mënyrë duhet të ndikojë te ne vizioni i fronit të Jehovait? (b) Si mund t’i kontribuojë lumturisë sonë leximi i Zbulesës?
9 Vizioni i fronit të Jehovait dhe i oborrit të tij qiellor, në kapitujt 4 dhe 5 të Zbulesës, duhet të na mbushë me frikë përnderuese. Duhet të na lënë mbresa shprehjet e sinqerta të lavdërimit që shqiptojnë krijesat e fuqishme qiellore, ndërsa i nënshtrohen me gëzim sovranitetit të drejtë të Jehovait. (Zbulesa 4:8-11) Edhe zërat tanë duhet të dëgjohen mes atyre që thonë: «Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca në shekuj të shekujve.»—Zbulesa 5:13.
10 Praktikisht kjo do të thotë t’i nënshtrohemi me gëzim vullnetit të Jehovait në çdo gjë. Apostulli Pavël shkroi: «Çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezu, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij.» (Kolosianëve 3:17) Leximi i Zbulesës do të na bëjë vërtet të lumtur, nëse edhe në skutat më të thella të mendjes dhe të zemrës sonë, ne e pranojmë sovranitetin e Jehovait dhe marrim parasysh vullnetin e tij në çdo aspekt të jetës sonë.
11, 12. (a) Si do të lëkundet e do të shkatërrohet sistemi tokësor i Satanait? (b) Sipas kapitullit 7 të Zbulesës, kush do të jetë «në gjendje të qëndrojë» në atë kohë?
11 Nënshtrimi me gëzim ndaj sovranitetit të Jehovait është baza e lumturisë në nivel personal dhe universal. Së shpejti, një tërmet i madh simbolik do ta lëkundë sistemin botëror të Satanait që nga themelet dhe do ta shkatërrojë. Nuk do të ketë asnjë vend strehimi për njerëzit që refuzojnë t’i nënshtrohen qeverisë së Mbretërisë qiellore të Krishtit, e cila përfaqëson sovranitetin legjitim të Perëndisë. Profecia thotë: «Mbretërit e dheut dhe të mëdhenjtë dhe të pasurit dhe komandantët dhe të fuqishmit dhe çdo skllav e çdo i lirë, u fshehën nëpër shpella dhe nëpër krepat e maleve dhe u thoshin maleve dhe shkëmbinjve: ‘Bini mbi ne dhe na fshihni nga fytyra e Atij që rri mbi fron dhe nga zemërimi i Qengjit, sepse erdhi dita e zemërimit të tij [të tyre, BR] dhe kush mund të qëndrojë?’»—Zbulesa 6:12, 15-17.
12 Në lidhje me këtë pyetje, në kapitullin vijues apostulli Gjon i përshkruan ata që përbëjnë shumicën e madhe, të cilët dalin nga mjerimi i madh duke thënë se ‘qëndrojnë para fronit dhe para Qengjit’. (Zbulesa 7:9, 14, 15, BR) Qëndrimi para fronit të Perëndisë tregon se ata e pranojnë këtë fron dhe i nënshtrohen plotësisht sovranitetit të Jehovait. Prandaj, ata kanë një qëndrim të miratuar.
13. (a) Çfarë adhuron pjesa më e madhe e banorëve të tokës dhe çfarë simbolizon shenja që kanë ata në ballë ose në dorë? (b) Përse do të jetë, pra, e nevojshme qëndrueshmëria?
13 Nga ana tjetër, Zb kapitulli 13 përshkruan pjesën tjetër të banorëve të tokës duke adhuruar sistemin politik të Satanait, të simbolizuar nga një bishë e egër. Ata marrin një shenjë në ‘ballë’ ose në ‘dorë’, gjë që tregon se ata e mbështetin atë sistem nga ana mendore dhe fizike. (Zbulesa 13:1-8, 16, 17) Pastaj, kapitulli 14 shton: «Nëse ndokush adhuron bishën dhe figurën e saj dhe merr damkën mbi ballin e vet ose mbi dorën e vet, do të pijë edhe ai nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është derdhur e papërzier në kupën e zemërimit të tij . . . Këtu është qëndrueshmëria e shenjtorëve, këtu janë ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe besimin e Jezuit.» (Zbulesa 14:9, 10, 12) Me kalimin e kohës, do të shtrohet gjithnjë e më shumë kjo pyetje: Kë mbështet ti? Jehovain dhe sovranitetin e tij apo sistemin e paperëndishëm politik të simbolizuar nga bisha e egër? Të lumtur do të jenë ata që shmangin marrjen e shenjës së bishës dhe që qëndrojnë me besnikëri, duke qenë të nënshtruar ndaj sovranitetit të Jehovait.
14, 15. Cili mesazh ndërpret përshkrimin e Harmagedonit në Zbulesë dhe çfarë domethënieje ka për ne?
14 Sundimtarët e ‘gjithë botës’ po shkojnë drejt një ndeshjeje, që i çon në ballafaqimin me Jehovain lidhur me çështjen e sovranitetit. Larja përfundimtare e hesapeve do të jetë Harmagedoni, ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’. (Zbulesa 16: 14, 16) Pikërisht në mes të përshkrimit të grumbullimit të sundimtarëve të tokës për luftën me Jehovain, shfaqet një parantezë interesante. Vetë Jezui ndërhyn në vizion duke thënë: «Ja! Unë po vij si vjedhës. I lumtur është ai që rri zgjuar dhe ruan veshjen e tij të jashtme, që të mos ecë lakuriq dhe njerëzit të shohin turpin e tij.» (Zbulesa 16:15, BR) Kjo mund t’u referohet rojeve levite të tempullit, të cilëve, po t’i gjenin në gjumë gjatë detyrës së rojës ua hiqnin rrobat dhe turpëroheshin publikisht.
15 Mesazhi është i qartë: Nëse duam të mbijetojmë Harmagedonin, duhet të qëndrojmë zgjuar frymësisht dhe të ruajmë veshjet simbolike që na identifikojnë si Dëshmitarë besnikë të Perëndisë Jehova. Do të jemi të lumtur nëse shmangim letargjinë frymore dhe nëse vazhdojmë pa pushim të marrim pjesë me zell në përhapjen e «lajmit të mirë të përhershëm» të Mbretërisë së vendosur të Perëndisë.—Zbulesa 14:6, BR.
‘I lumtur është kushdo që zbaton këto fjalë’
16. Përse kapitujt e fundit të Zbulesës janë një shkak i veçantë për lumturi?
16 Lexuesit e lumtur të librit të Zbulesës s’mund të bëjnë gjë tjetër veçse të drithërohen nga gëzimi, kur lexojnë kapitujt e fundit që përshkruajnë shpresën tonë të lavdishme: një qiell të ri dhe një tokë të re, domethënë, një qeveri të drejtë të Mbretërisë qiellore që do të sundojë mbi një shoqëri të re të pastruar njerëzore dhe gjithçka do të jetë për lavdinë e ‘Perëndisë Jehova, të Plotfuqishmit’. (Zbulesa 21:22, BR) Me mbarimin e serisë së mrekullueshme të vizioneve, lajmëtari engjëllor i tha Gjonit: «Këto fjalë janë besnike dhe të vërteta; dhe Zoti, Perëndi i profetëve të shenjtë, dërgoi engjëllin e tij, për t’u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti. Ja unë vij shpejt. Lum ai që i ruan [zbaton, BR] fjalët e profecisë së këtij libri.»—Zbulesa 22:6, 7.
17. (a) Çfarë sigurie na jepet në Zbulesën 22:6? (b) Cilat gjëra duhet të shmangim, duke qenë syçelë?
17 Lexuesit e lumtur të Zbulesës e mbajnë mend se fjalë të ngjashme me këto i gjejmë në fillim të ‘librit’. (Zbulesa 1:1, 3) Këto fjalë na sigurojnë se të gjitha «gjërat» e profetizuara në këtë libër të fundit të Biblës do të «ndodhin për së shpejti». Po jetojmë kaq thellë në kohën e mbarimit, saqë ngjarjet e rëndësishme të parathëna në Zbulesë me siguri duhet të ndodhin së shpejti, duke pasuar nxitimthi njëra-tjetrën. Prandaj, nuk duhet të nanuritemi nga asnjë stabilitet në dukje i sistemit të Satanait. Lexuesit syçelë do t’i mbajnë mend paralajmërimet e dhëna në mesazhet që iu dërguan shtatë kongregacioneve aziatike dhe do të shmangin kurthet e materializmit, të idhujtarisë, të imoralitetit, të gjendjes së vakët dhe të sektarizmit apostat.
18, 19. (a) Përse duhet të vijë Jezui dhe cilën shpresë kemi edhe ne, ashtu si apostulli Gjon? (b) Për cilin qëllim duhet të ‘vijë’ Jehovai?
18 Në librin e Zbulesës, Jezui njofton disa herë me radhë: «Unë vij shpejt.» (Zbulesa 2:16; 3:11; 22:7, 20a) Ai duhet të vijë për të ekzekutuar gjykimin mbi Babiloninë e Madhe, mbi sistemin politik të Satanait dhe mbi të gjithë njerëzit që refuzojnë t’i nënshtrohen sovranitetit të Jehovait, i cili tani shprehet me anë të Mbretërisë Mesianike. Zërat tanë bashkohen me atë të apostullit Gjon, i cili thirri: «Amen! Po, eja Zoti Jezu.»—Zbulesa 22:20b.
19 Vetë Jehovai thotë: «Ja! Unë vij shpejt dhe shpërblimi im është me mua, për t’i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë.» (Zbulesa 22:12) Ndërsa presim shpërblimin e lavdishëm të jetës së pafundme, qoftë si pjesë e ‘qiellit të ri’, qoftë si pjesë e ‘tokës së re’ të premtuar, le të bashkohemi edhe ne me zell për t’u dhënë të gjithë njerëzve me zemër të sinqertë ftesën: «‘Eja!’ Dhe ai që ka etje le të vijë, dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës.» (Zbulesa 22:17) U bëfshin edhe ata lexues të lumtur të librit të frymëzuar e frymëzues të Zbulesës!
[Shënimi]
a Shiko Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër!, faqet 28-29, 136 (shënimi), anglisht.
Pika për rishikim
◻ Cilin kanal përdori Jehovai për të përcjellë Zbulesën dhe çfarë mund të mësojmë prej kësaj?
◻ Përse duhet të jemi të lumtur kur lexojmë mesazhet që iu dërguan shtatë kongregacioneve në Azi?
◻ Si mund të ruhemi gjatë ‘orës së sprovës’?
◻ Çfarë lumturie do të kemi nëse zbatojmë fjalët e librit që përmban Zbulesën?
[Figura në faqen 15]
Të lumtur janë ata që pranojnë Burimin e sihariqit
[Figura në faqen 18]
I lumtur është ai që qëndron zgjuar