Çfarë është Babilonia e Madhe?
Përgjigjja e Biblës
Libri i Zbulesës përshkruan «një grua» me fjalët ‘prostitutë e madhe’ dhe tregon se ajo ka një emër që është «një mister: ‘Babilonia e Madhe’». (Zbulesa 17:1, 3, 5) Kjo grua përfaqëson tërësinë e feve të rreme në botë, ato fe që «e këmbyen të vërtetën e Perëndisë me gënjeshtrën».a (Romakëve 1:25) Ndonëse ndryshojnë në shumë drejtime, të gjitha këto fe, në një mënyrë a në një tjetër, i largojnë njerëzit nga adhurimi i Perëndisë së vërtetë, Jehovait.—Ligji i përtërirë 4:35.
Faktorë që zbulojnë identitetin e Babilonisë së Madhe
Babilonia e Madhe është simbolike. Libri i Zbulesës flet «me anë të shenjave», ndaj është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se Babilonia e Madhe është simbolike, jo një grua e mirëfilltë. (Zbulesa 1:1) Për më tepër, ajo «rri ulur mbi shumë ujëra», të cilat përfaqësojnë «popuj, turma, kombe dhe gjuhë». (Zbulesa 17:1, 15) Një grua e mirëfilltë nuk e bën dot këtë.
Babilonia e Madhe është një ent fetar i përmasave botërore. Ajo quhet ‘qyteti i madh, që mbretëron mbi mbretërit e tokës’. (Zbulesa 17:18) Prandaj ka shtrirje dhe ndikim ndërkombëtar.
Babilonia e Madhe nuk është ent politik a tregtar, por fetar. Babilonia e lashtë ishte një qytet jashtëzakonisht fetar, që shquhej për përdorimin e ‘yshtjeve’ dhe të ‘shtrigërive’ spiritiste. (Isaia 47:1, 12, 13; Jeremia 50:1, 2, 38) Në fakt, banorët e qytetit praktikonin fenë e rreme që ishte kundër Perëndisë së vërtetë, Jehovait. (Zanafilla 10:8, 9; 11:2-4, 8) Sundimtarët e Babilonisë me arrogancë e lartësonin veten mbi Jehovain dhe adhurimin e tij. (Isaia 14:4, 13, 14; Danieli 5:2-4, 23) Po kështu, Babilonia e Madhe shquhet për ‘zakonet e saj spiritiste’. Kjo tregon se ajo është organizatë fetare.—Zbulesa 18:23.
Babilonia e Madhe nuk mund të jetë ent politik, sepse «mbretërit e tokës» vajtojnë për shkatërrimin e saj. (Zbulesa 17:1, 2; 18:9) Nuk është as ent tregtar, pasi Bibla e dallon nga «tregtarët e tokës».—Zbulesa 18:11, 15.
Fotografi me mirësjellje nga Muzeu Britanik
Stelë e Nabonidit, mbretit babilonas, bashkë me simbole të triadës së perëndive Sin, Ishtar dhe Shamash
Babilonia e Madhe është simbol i përshtatshëm për fenë e rreme. Në vend që t’i mësojë njerëzit si t’u afrohen Perëndisë së vërtetë, Jehovait, feja e rreme faktikisht i shtyn të adhurojnë perëndi të tjera. Në kuptimin simbolik Bibla e quan këtë gjë ‘tradhti’. (Levitiku 20:6; Eksodi 34:15, 16) Shumë fe të rreme vazhdojnë t’u mësojnë njerëzve bindje që e kanë fillesën në Babiloninë e lashtë, ku përfshihen triniteti, pavdekësia e shpirtit dhe përdorimi i idhujve e shëmbëlltyrave në adhurim. Gjithashtu, këto fe e përziejnë adhurimin fetar me dashurinë për botën. Bibla e quan këtë lloj jobesnikërie kurorëshkelje, ose tradhti ndaj Zotit.—Jakovi 4:4.
Pasuria dhe kapardisja e fesë së rreme përkojnë me përshkrimin që i bën Bibla Babilonisë së Madhe, që është «e veshur me veshje të purpurta e me të kuqe të ndezur» dhe «e stolisur me ar, me gurë të çmuar e margaritarë». (Zbulesa 17:4) Babilonia e Madhe është burimi i «gjërave të neveritshme të tokës», ose i mësimeve dhe i veprimeve që në të vërtetë e çnderojnë Perëndinë. (Zbulesa 17:5) Kurse anëtarët e fesë së rreme janë ‘popujt, turmat, kombet dhe gjuhët’ që mbështetin Babiloninë e Madhe.—Zbulesa 17:15.
Babilonia e Madhe është përgjegjëse për vdekjen e ‘tërë atyre që janë vrarë pa mëshirë mbi tokë’. (Zbulesa 18:24) Gjatë gjithë historisë, feja e rreme jo vetëm ka ndezur luftëra e ka nxitur akte terrorizmi, por edhe u ka mohuar njerëzve të vërtetën për Jehovain, Perëndinë e dashurisë. (1 Gjonit 4:8) Fakti që ajo nuk i ka mësuar njerëzit për Zotin, ka kontribuar që të ketë shumë gjakderdhje.
Cila është pikëpamja e Perëndisë për Babiloninë e Madhe?
Në sytë e Perëndisë, «mëkatet e [Babilonisë së Madhe] janë grumbulluar e kanë arritur deri në qiell». (Zbulesa 18:4, 5) Perëndia është i zemëruar me fetë e rreme, sepse e kanë keqparaqitur Atë dhe i kanë keqtrajtuar besimtarët e tyre.
Çfarë do të ndodhë me Babiloninë e Madhe?
Bibla thotë se «Perëndia shpalli gjykimin» për Babiloninë e Madhe. (Zbulesa 18:20) Me një gjuhë të figurshme, Bibla parathotë se Zoti do t’u japë fund të gjitha feve të rreme. (Zbulesa 18:8) Ai do të nxitë një bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur—e cila përfaqëson një ent të fuqishëm politik—që të kthehet kundër fesë së rreme dhe ta shkatërrojë plotësisht. (Zbulesa 17:16, 17) «Ja, po kaq vrullshëm do të flaket tej Babilonia, qyteti i madh, dhe s’do të gjendet më kurrë.» (Zbulesa 18:21) Ja pse ata që duan t’i pëlqejnë Perëndisë, duhet ‘të dalin nga mesi i tyre’ duke u ndarë nga feja e rreme.—2 Korintasve 6:14-17.
a Shih artikullin «Si mund ta gjej fenë e vërtetë?»