BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w93 1/10 f. 17-22
  • Çlirim gjatë zbulimit të Jezu Krishtit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Çlirim gjatë zbulimit të Jezu Krishtit
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «Ardhja» e Jezu Krishtit
  • Radha e ngjarjeve
  • Babilonia e Madhe shkatërrohet
  • Martesa e Qengjit
  • Shkatërrohet bota e Satanait
  • Lëvdoni Jah për gjykimet e tij!
    Zbulesa—Plotësimi i saj madhështor është afër!
  • Libri biblik numër 66​—Zbulesa
    «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Zbulesa dhe ti
    Zbulesa—Plotësimi i saj madhështor është afër!
  • Të jemi lexues të lumtur të librit të Zbulesës
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
w93 1/10 f. 17-22

Çlirim gjatë zbulimit të Jezu Krishtit

«Vazhdoni të gëzoheni . . . që të gëzoheni e të brohorisni edhe gjatë zbulimit të lavdisë së tij.»​—1. PJETRIT 4:13, NW.

1. Çfarë dhuratash të pasura u ka bërë Jehovai shërbëtorëve të vet?

JEHOVAI u ka bërë shumë dhurata të pasura Dëshmitarëve të tij. Si Mësuesi ynë i Madh, na ka ndriçuar duke na dhënë njohuri të plotë në lidhje me vullnetin dhe qëllimin e tij. Me anë të frymës së tij të shenjtë, ka kultivuar tek ne aftësinë për të përhapur dritën pa u trembur. Në 1. Korintasve 1:6, 7, apostulli i frymëzuar Pavël tha: «Kështu, aq u përforcua në ju dëshmia e Krishtit, sa që nuk ju mungon asnjë dhuratë juve që pritni Zbulimin e Zotit tonë Jezu Krishtit.»

2. Çfarë perspektive të gëzueshme ofron «zbulimi i Zotërisë tonë Jezu Krishtit?

2 Çfarë do të thotë kjo shprehje: «Zbulimi i Zotit tonë Jezu Krishtit»? I referohet kohës në të cilën Jezui zbulohet si Mbret i lavdishëm, duke vepruar për të shpërblyer ithtarët e tij besnikë dhe për të kryer hakmarrjen mbi të pabesët. Siç tregon 1. Pjetrit 4:13, do të jetë një kohë, në të cilën të krishterët e mirosur me frymë që kanë ruajtur integritetin dhe shokët e tyre besnikë të shumicës së madhe, do të mund të «gëzohen dhe brohorasin», sepse kjo do të nënkuptojë fundin e sistemit të gjërave të Satanait.

3. Përse duhet të qëndrojmë të vendosur, si edhe vëllezërit tanë të Selanikut të vjetër?

3 Ndërsa ajo kohë afrohet, Satanai, i tërbuar, ushtron një ndikim më të madh mbi ne. Si një luan ulëritës kërkon të na përpijë. Duhet të qëndrojmë të vendosur! (1. Pjetrit 5:8-10) Vëllezërit në Selanikun e lashtë, kur patën shtrëngime të ngjashme me ato që pësojnë sot shumë prej Dëshmitarëve të Jehovait, ishin të rinj në të vërtetën. Prandaj, fjalët që u drejtoi atyre apostulli Pavël janë shumë domethënëse. Ai shkroi: «Është e drejtë nga ana e Perëndisë që t’u sjellë mjerim atyre që ju mjerojnë, por, juve që vuani mjerime, lehtësim me ne gjatë zbulimit të Zotërisë Jezu nga qielli me engjëjt e tij të fuqishëm në një zjarr flakërues, atëherë kur të bjerë hakmarrjen mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë mbi Zotërinë tonë Jezu.» (2. Selanikasve 1:6-8, NW) Po, lehtësimi do të vijë!

4. Përse e meriton kleri gjykimin që do të kryhet gjatë zbulimit të Jezuit?

4 Në kohën e Pavlit, mjerimi, në pjesën më të madhe, shkaktohej prej krerëve fetarë judenj. Në të njëjtën mënyrë, sot Dëshmitarët e Jehovait, që duan paqen, janë shpesh objekt i një kundërshtimi të nxitur nga njerëz që pohojnë se përfaqësojnë Perëndinë, veçanërisht nga kleri i krishterimit. Ata shtiren sikur e njohin Perëndinë, por hedhin tej «të vetmin Jehova» të Biblës, duke e zëvendësuar me një Trinitet misterioz. (Marku 12:29) Nuk i binden lajmit të mirë mbi Zotërinë tonë Jezu, sepse kërkojnë lehtësim në sundimin e njeriut dhe e shtyjnë lajmin e mirë të Mbretërisë së ardhme të drejtësisë, të ngritur nga Krishti. Të gjithë këta kundërshtarë fetarë do të humbin në kohën e «zbulimit të Zotërisë Jezu nga qielli».

«Ardhja» e Jezu Krishtit

5. Çfarë përshkrimi të gjallë të zbulimit të Jezuit gjejmë në Mateun 24:29, 30?

5 Ky zbulim është përshkruar në mënyrë të gjallë nga Jezui në Mateun 24:29, 30. Duke ilustruar aspektet e ndryshme të shenjës së pranisë së tij dhe të përfundimit të sistemit të gjërave, ai thotë: «Dielli do të errësohet dhe hëna nuk do të japë dritën e saj dhe yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë qiellore do të lëkunden.» (NW) Në atë kohë «shenja e Birit të njeriut do të shfaqet në qiell». Kombet e tokës «do të rrahin veten me ankime dhe do të shohin Birin e njeriut [Mbretin mesianik të Perëndisë] të vijë mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe.» Kjo «ardhje», erchòmenon në greqisht, i referohet paraqitjes së Jezuit si Hakmarrësi kryesor i Jehovait.

6, 7. Në ç’kuptim «do ta shohë çdo sy» dhe kë përfshin kjo?

6 Kjo «ardhje» është përshkruar edhe nga apostulli Gjon në Zbulesën (Apokalipsin) 1:7, ku lexojmë: «Ja, ai vjen me retë.» (NW) Ata armiq nuk do ta shohin me të vërtetë Jezuin me sy, sepse «retë» tregojnë se ardhja e tij për të kryer gjykimin është e padukshme. Nëse krijesat e thjeshta njerëzore do të shihnin lavdinë e tij qiellore me sy, do të mbesnin të verbuara, pikërisht si edhe Sauli, i cili, rrugës për në Damask u godit nga verbëria, kur Jezui i lavdëruar iu shfaq në një dritë të madhe flakëruese.​—Veprat 9:3-8; 22:6-11.

7 Vargu 7 i Zbulesës vazhdon duke thënë se «çdo sy do ta shohë dhe ata që e shpuan; dhe të gjitha fiset e tokës do të godasin veten me dhimbje për shkak të tij». Kjo do të thotë se, kur Jezui do të hedhë mbi ta shkatërrimin, kundërshtarët tokësorë do ta kuptojnë se ai ka ardhur me fuqi dhe me lavdi të madhe, për të kryer gjykimin e Jehovait. Përse këta armiq janë përshkruar si «ata që e shpuan»? Sepse qëndrimi i tyre armiqësor ndaj shërbëtorëve të sotëm të Jehovait është i ngjashëm me atë të persekutuesve të Jezuit. Me të vërtetë «do të godasin veten me hidhërim në dhimbje për shkak të tij.»

8. Çfarë paralajmërimi dhanë si Jezui, ashtu edhe Pavli në lidhje me një shkatërrim të papritur?

8 Si do të vijë dita e hakmarrjes së Jehovait? Në profecinë e Lukës, kapitulli 21, Jezui përshkruan ngjarjet katastrofike që shërbejnë si shenjë e pranisë së tij prej 1914-s. Pastaj, në vargjet 34 dhe 35, lajmëron: «Kini kujdes për veten tuaj, që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të ngrënat e të pirat e tepërta dhe nga ankthet e jetës dhe ajo ditë të mos pllakosë mbi ju si një lak. Sepse do të vijë mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e botës mbarë.» (NW) Po, ajo ditë e hakmarrjes së Jehovait pllakos papritur! Apostulli Pavël e pohon këtë në 1. Selanikasve 5:2, 3, kur thotë: «Dita e Jehovait vjen pikërisht si një hajdut natën. Kur të thonë: ‘Paqe dhe siguri!’ atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë menjëherë mbi ta.» (NW) Edhe tani kombet flasin për paqe dhe siguri dhe propozojnë forcimin e Kombeve të Bashkuara, që të ndërhyjnë ushtarakisht në pikat e nxehta me veprime të policisë ndërkombëtare.

9. Për kë «ka shkëlqyer drita» dhe përse?

9 Në 1. Selanikasve 5 vargjet 4 dhe 5 apostulli vazhdon: «Por ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që kjo ditë të vijë mbi ju si mbi hajdutë, sepse jeni të gjithë bij të dritës dhe bij të ditës. Ne nuk i përkasim as natës, as errësirës.» (NW) Gëzohemi që jemi bij të dritës, mbajtës të dritës në dobi të të tjerëve që dëshirojnë me zjarr paqe dhe siguri të vërtetë në botën e re të Perëndisë. Në Psalmin 97:10, 11, lexojmë: «O ju, që doni Jehovain, urrejeni atë që është e keqe. Ai i ruan shpirtërat e besnikëve të tij; i liron nga dora e të ligjve. Vetë drita ka shkëlqyer për të drejtin dhe gëzimi edhe për të drejtët në zemër.»

Radha e ngjarjeve

10. Cilit paralajmërim duhet t’i kushtojmë vëmendje në lidhje me ditën e larjes së hesapeve nga ana e Perëndisë? (Zbulesa 16:15)

10 Cila do të jetë radha e ngjarjeve kur të shpërthejë mjerimi i madh? Le të hapim Biblën në kapitullin 16 të Zbulesës. Në vargjet nga 13 deri në 16, përshkruhen frymërat demonike që mbledhin kombet e të gjithë tokës në Har-Magedon, lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm. Përsëri nxirret në pah se dita e larjes së hesapeve afrohet si një hajdut dhe lajmërohemi që të rrimë zgjuar dhe të vazhdojmë të veshim rrobat frymore që na identifikojnë për shpëtim. Ka ardhur çasti për të gjykuar popujt e tokës, kombet dhe . . . dikë tjetër. Kë?

11. Si është identifikuar gruaja e Zbulesës 17:5?

11 Është një grua figurative, që është përpjekur me të vërtetë për të qenë «dikush». Në Zbulesën 17:5 është përshkruar si «një mister: ‘Babilonia e Madhe, nëna e të gjitha lavireve dhe e gjërave të neveritshme të tokës.’ » Por ajo nuk është më një mister për Dëshmitarët e Jehovait. E ka identifikuar qartësisht veten si perandoria botërore e fesë së rreme dhe sektet e krishterimit përbëjnë pjesën kryesore të saj. Fakti që përzihet në punët politike, që është «e dehur nga gjaku i të shenjtëve», duke persekutuar të krishterët e vërtetë dhe që për fajin e saj është derdhur gjaku «i të gjithë atyre që janë shqyer mbi tokë», përfshi edhe mbi njëqind milion njerëzit e vrarë vetëm në luftërat e shekullit XX, është diçka e neveritshme në sytë e Jehovait.​—Zbulesa 17:2, 6; 18:24, NW.

12. Përse janë dënuar sektet e krishterimit?

12 Më e keqja është se sektet e krishterimit kanë sjellë të shara mbi emrin e Perëndisë që me hipokrizi pohojnë se përfaqësojnë. Në vend të Fjalës së pastër dhe të thjeshtë të Perëndisë, kanë mësuar filozofi babilonase dhe greke dhe kanë kontribuar në degradimin moral të kombeve të tëra, duke miratuar mënyra jetese lejuese që janë në kundërshtim me parimet biblike. Midis tyre ka ngatërrestarë lakmitarë, të dënuar prej fjalëve të Jakovit 5:1, 5: «Ejani, tani, o pasanikë, qani duke ulëritur për vuajtjet që do të vijnë mbi ju. Keni jetuar mbi tokë në luks dhe jeni lëshuar pas kënaqësive ndjesore. I keni trashur zemrat tuaja ditën e masakrës.» (NW)

Babilonia e Madhe shkatërrohet

13. Me çfarë fillon mjerimi i madh dhe cilin veprim urgjent nxjerr në pah Zbulesa 18:4, 5?

13 Mjerimi i madh fillon me ekzekutimin e gjykimit të Jehovait mbi Babiloninë e Madhe. Zbulesa 17:15-18, përshkruan në mënyrë të gjallë «mendimin» e Perëndisë,​—për të kthyer «dhjetë brirët»—​forca të fuqishme brenda «bishës së egër» shumëkombëshe, OKB-së​—që ta heqin qafe. «Dhe të dhjetë brirët që pe dhe bisha e egër, këto do ta urrejnë laviren dhe do ta shkretojnë dhe do ta zhveshin lakuriq dhe do t’i hanë mishrat e saj dhe do ta djegin plotësisht në zjarr. Sepse Perëndia ka vënë në zemrat e tyre që të zbatojnë mendimin e tij.» (NW) Nuk habitemi, pra, që një zë qiellor ushton lajmërimin urgjent që gjendet në Zbulesën 18:4, 5: «Dilni nga ajo, o populli im, nëse nuk doni të merrni pjesë me të në mëkatet e saj dhe nëse nuk doni të merrni pjesë nga plagët e saj. Sepse mëkatet e saj janë rritur deri në qiell dhe Perëndia i kujtoi veprat e saj të paligjshmërisë.» (NW) Vazhdon të ushtojë ftesa: Shkëputni çdo lidhje me fenë e rreme, para se të jetë tepër vonë!

14. Kush do të mbajë zi për shkretimin e Babilonisë së Madhe dhe përse?

14 Ç’do të mendojë bota për shkretimin e Babilonisë së Madhe? Prej së largu, politikanët e korruptuar​—«mbretërit e tokës»—​hidhërohen për të, sepse për shekuj kishin nxjerrë kënaqësi reciproke nga kurvëria frymore me të. Qajnë dhe mbajnë zi për të edhe tregtarët lakmitarë, «tregtarët udhëtues . . . që u pasuruan me anë të saj.» (NW) Edhe ata, duke qëndruar larg saj, thonë: «Mjerë, mjerë, qyteti i-math, që ishte veshurë me vishnje e me porfirë e me të-kuqe, edhe përaruar me ar e me gurë të-çëmuarë e me margaritarë; sepse për një orë u shkretua gjithë këjo pasje.» I gjithë shkëlqimi i stolive fetare dhe madhështia e katedraleve të mëdha të botës do të zhduken përgjithmonë! (Zbulesa 18:9-17, BK) Por, të gjithë do të mbajnë zi për Babiloninë e Madhe?

15, 16. Çfarë arsyeje do të kenë shërbëtorët e Perëndisë për t’u gëzuar?

15 Zbulesa 18:20, 21 përgjigjet: «Gëzohuni mbi të, o qiell, dhe ju të shenjtë dhe apostuj dhe profetë, sepse për ju Perëndia ka dekretuar ndëshkimin gjyqësor të saj!» Si një gur i madh mulliri, i lëshuar në det «me rënie të shpejtë, Babilonia, qyteti i madh, [u] hodh poshtë dhe nuk do të gjendet më.» (NW)

16 Kjo është me të vërtetë një arsye për gëzim! Zbulesa 19:1-8 e pohon këtë. Katër herë ushton ftesa në qiell: «Lavdëroni Jah!» Tre të parat e këtyre Haleluja-ve lavdërojnë Jehovain, sepse ka kryer gjykimin e drejtë mbi laviren famëkeqe, Babiloninë e Madhe. Perandoria botërore e fesë së rreme nuk ekziston më! Prej fronit të Perëndisë del një zë që thotë: «Lavdëroni Perëndinë tonë, të gjithë ju skllevërit e tij që i frikësoheni, të vegjël e të mëdhenj.» (NW) Çfarë privilegji do të jetë pjesëmarrja në këtë këngë!

Martesa e Qengjit

17. Në cilat dy kuptime Jehovai ka filluar të mbretërojë, duke shqyrtuar Zbulesën 11:17 dhe 19:6 në dritën e secilit kontekst?

17 Haleluja e katërt ndërfut një temë tjetër: «Lavdëroni Jah, sepse Perëndia ynë Jehova, i Plotëfuqishmi, ka filluar të mbretërojë.» (NW) Por, a nuk gjejmë diçka të ngjashme qysh tek Zbulesa 11:17? Po. Atje lexojmë: «Të falënderojmë, Perëndi Jehova, i Plotëfuqishëm, . . . sepse e ke marrë pushtetin tënd të madh dhe ke filluar të mbretërosh.» (NW) Megjithatë, konteksti i Zbulesës 11:17 i referohet vendosjes së Mbretërisë mesianike nga ana e Jehovait në 1914-n, për të «kullotur të gjitha kombet me një shkop të hekurt». (Zbulesa 12:5, NW) Përkundrazi, konteksti i Zbulesës 19:6 lidhet me shkatërrimin e Babilonisë së Madhe. Me eliminimin e fesë, që krahasohet me një lavire, Hyjnia e Jehovait është hakmarrë. Prej atij çasti, adhurimi i Tij si Sovran dhe Mbret suprem, do të mbetet i pakundërshtuar për të gjithë përjetësinë!

18. Cili lajmërim triumfues mund të bëhet pasi të jetë eliminuar Babilonia e Madhe?

18 Pra, mund të bëhet ky lajmërim triumfues: «Le të gëzohemi dhe të brohorasim dhe t’i japim lavdi [Jah-ut], sepse erdhi martesa e Qengjit dhe gruaja e tij është përgatitur. Po, asaj i është lejuar të zbukurohet me li të hollë, të shkëlqyeshëm dhe të pastër, sepse liri i pastër përfaqëson veprat e drejta të të shenjtëve.» (Zbulesa 19:7, 8, NW) Nuk jepet me saktësi se kur do të marrin ringjalljen qiellore të mirosurit që janë ende në tokë. Por konteksti na siguron se pjesëmarrja e tyre në dasmën e Qengjit, Jezu Krishtit, do të jetë një rast i lumtur, aq më tepër që do të kenë parë me sytë e tyre poshtërimin e lavires famëkeqe, Babilonisë së Madhe.

Shkatërrohet bota e Satanait

19. Çfarë zhvillimi tjetër përshkruan Zbulesa 19:11-21?

19 Tani rishfaqet kali i bardhë, i përmendur për herë të parë në Zbulesën 6:2. Në Zbulesën (Apokalipsi) 19:11 lexojmë: «Ai që ulej mbi të quhet Besnik dhe i Vërtetë dhe gjykon e lufton me drejtësi.» (NW) Prandaj «Mbreti i mbretërve dhe Zotëria i zotërinjve» kalëron për të goditur kombet dhe për të shtypur «tirën e zemërimit të Perëndisë së Plotëfuqishëm». Më kot «mbretërit e tokës dhe ushtritë e tyre» mblidhen për të luftuar në betejën e Har-Magedonit. Kalorësi i kalit të bardhë plotëson fitoren e tij. Asgjë nuk mbetet prej organizatës tokësore të Satanait.​—Zbulesa 19:12-21, NW.

20. Çfarë do të ndodhë me Djallin?

20 Por ç’mund të themi për vetë Djallin? Në Zbulesën 20:1-6 Krishti Jezu është përshkruar si «një engjëll që zbret nga qielli me çelësin e humnerës dhe me një zinxhir të madh në dorë». (NW) Ai e mbërthen dragoin, Gjarpërin e lashtë, që është Djalli dhe Satanai, e lidh, e flak në humnerë dhe e mbyll dhe e vulos mbi të. Pasi Satanai të jetë zhdukur dhe të mos ketë më mundësi për të mashtruar kombet, fillon Mbretëria e lavdishme mijëvjeçare e Qengjit dhe e nuses së tij. Lotët e vuajtjeve do të zhduken! Vdekja e trashëguar prej Adamit nuk do të jetë më! S’do të ketë më vaj, as ofshamë, as dhimbje! «Gjërat e mëparshme kanë kaluar.»​—Zbulesa 21:4, NW.

21. Cila duhet të jetë vendosmëria jonë, ndërsa presim me padurim zbulesën e Jezu Krishtit?

21 Ndërsa presim me padurim zbulesën e Zotërisë tonë Jezu Krishtit, le t’u flasim të tjerëve me zell për premtimet e dashura që ka bërë Perëndia mbi Mbretërinë. Çlirimi është afër! Le të vazhdojmë të ecim përpara, gjithnjë përpara, si bij të ndriçuar të Zotërisë Sovran Jehova!

Pyetjet për përsëritje

◻ Ç’gjë tregon se zbulimi i Jezu Krishtit është afër?

◻ Si do të vijë dita e hakmarrjes së Jehovait?

◻ Në ç’mënyrë e konsiderojnë gjendjen e sotme botërore «ata që e duan Jehovain»?

◻ Cila do të jetë radha e ngjarjeve kur të shpërthejë mjerimi i madh?

[Figura në faqen 19]

Jezui «vjen me retë», në mënyrë të padukshme, për të kryer gjykimin

[Figura në faqen 21]

Së shpejti, feja e rreme, sistemi i lig i Satanait dhe vetë Satanai do të zhduken

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo