-
Më shumë se 50 vjet ‘duke kaluar’Kulla e Rojës—1996 | 1 Nëntor
-
-
Më shumë se 50 vjet ‘duke kaluar’
TREGUAR NGA EMANUEL PATERAKIS
Nëntëmbëdhjetë shekuj më parë, apostulli Pavël mori një ftesë të pazakontë: «Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo.» Pavli e pranoi me gatishmëri këtë mundësi të re për «të shpallur lajmin e mirë». (Veprat 16:9, 10, BR) Ndonëse ftesa që mora unë nuk ishte kaq e largët në kohë, gjithsesi ndodhi 50 vjet më parë që unë pranova «të kaloj» në territoret e reja, duke pasur frymën e Isaisë 6:8: «Ja ku jam, dërgomë mua!» Udhëtimet e shumta në numër më bënë që të fitoja nofkën Turisti i përhershëm, por aktivitetet e mia kishin ngjashmëri të paktë me turizmin. Më shumë se një herë, kur mbërrija në dhomën time të hotelit, përkulesha në gjunjë dhe falënderoja Jehovain për mbrojtjen e tij.
LINDA në 16 janar 1916 në Hierápetra të Kretës, në një familje shumë fetare, ortodokse. Që nga koha kur isha foshnjë, të dielave mamaja më çonte në kishë bashkë me tri motrat e mia. Sa për babain, ai preferonte të rrinte në shtëpi dhe të lexonte Biblën. Isha shumë i dhënë pas babait tim, një burrë i ndershëm, i virtytshëm dhe i mëshirshëm, prandaj vdekja e tij, kur isha nëntë vjeç, më preku thellë.
Më kujtohet që kur isha pesë vjeç, lexova një tekst në shkollë, i cili thoshte: «Çdo gjë përreth nesh shpall ekzistencën e Perëndisë.» Ndërsa rritesha, isha absolutisht i bindur për këtë. Kështu, në moshën 11 vjeçare, zgjodha të shkruaja një ese që kishte si temë Psalmin 104:24: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Ti i ke bërë të gjitha me mençuri. Toka është plot me prodhimet e tua.» (BR) Isha i mahnitur nga mrekullitë e natyrës, madje dhe nga gjëra aq të vogla si farërat e pajisura me krahë të vogla, në mënyrë që të çoheshin nga era larg hijes së pemës mëmë. Në javën që pasoi, pasi kisha dorëzuar esenë time, mësuesi ia lexoi atë tërë klasës dhe më pas gjithë shkollës. Në atë kohë, mësuesit po luftonin kundër ideve komuniste dhe ndiheshin të kënaqur tek dëgjonin mbrojtjen time mbi ekzistencën e Perëndisë. Sa për mua, unë isha i gëzuar vetëm për faktin se shprehja besimin tim tek Krijuesi.
Përgjigje pyetjeve të mia
Takimi im i parë me Dëshmitarët e Jehovait në fillimet e viteve 1930, është ende i gjallë në kujtesën time. Emanuel Leanudakis kishte qenë duke predikuar në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Kretës. Pranova disa broshura prej tij, por më tërhoqi me të vërtetë vëmendjen njëra, që titullohej Ku ndodhen të vdekurit?. Kisha një frikë kaq jonormale nga vdekja, saqë as nuk hyja dot në dhomën ku kishte vdekur babai im. Pasi e lexova herë pas here broshurën dhe mësova se çfarë thoshte Bibla mbi gjendjen e të vdekurve, ndjeva se frika ime besëtytnore u zhduk.
Një herë në vit, gjatë verës, Dëshmitarët vizitonin qytetin tonë dhe më sillnin më shumë literaturë për të lexuar. Pak e nga pak, kuptueshmëria ime mbi Shkrimet u rrit, por vazhdoja të merrja pjesë në Kishën Ortodokse. Megjithatë, libri Çlirim shënoi një moment kthese. Ai tregoi qartësisht ndryshimin ndërmjet organizatës së Jehovait dhe asaj të Satanait. Që nga ajo kohë, fillova të studioja më rregullisht Biblën dhe çdo literaturë të Shoqatës Watch Tower që mund të më binte në dorë. Meqenëse Dëshmitarët e Jehovait në Greqi ishin nën ndalim, unë studioja natën në fshehtësi. Megjithatë, isha kaq i entuziazmuar nga ajo që po mësoja, saqë s’mund ta përmbaja veten për t’i folur kujtdo lidhur me të. Shpejt, policia filloi të më vëzhgonte, duke më bërë vizita të rregullta në çfarëdolloj ore, ditën ose natën, në kërkim të literaturës.
Në vitin 1936, për herë të parë mora pjesë në një mbledhje, 120 kilometra larg, në Iraklion. Isha kaq i lumtur që po takohesha me Dëshmitarët. Pjesa dërrmuese e tyre ishin njerëz të thjeshtë, pjesa më e madhe fermerë, por më bindën se kjo ishte e vërteta. Dedikimi im ndaj Jehovait u bë menjëherë.
Pagëzimi im është një ngjarje që nuk do ta harroj kurrë. Një natë të vitit 1938, në errësirë të plotë, vëllai Leanudakis më çoi mua dhe dy nga studentët e mi biblikë në plazh. Pasi bëri një lutje, na zhyti në ujë.
Nën arrest
Hera e parë që unë shkova në predikim ishte, pa e tepruar, plot me ngjarje. Takova një shok të vjetër shkolle, që ishte bërë prift dhe bëmë një diskutim të shkëlqyer së bashku. Por më pas më shpjegoi se në përputhje me rregullin priftëror, ai duhej të merrte masa për arrestimin tim. Ndërsa prisnim në zyrën e kryetarit të bashkisë që të mbërrinte policia nga fshati fqinj, jashtë u mblodh një turmë. Kështu, mora një Dhjatë të Re Greke që ndodhej në zyrë dhe fillova t’u bëja një fjalim të bazuar në kapitullin 24 të Mateut. Në fillim, njerëzit nuk donin të dëgjonin, por ndërhyri prifti, duke u thënë: «Lëreni të flasë. Është Bibla jonë.» Pata mundësi të flisja një orë e gjysmë. Prandaj, dita ime e parë në shërbim ishte, gjithashtu, rasti për fjalimin tim të parë publik. Meqenëse policia nuk kishte arritur akoma kur përfundova, kryetari i bashkisë dhe prifti vendosën që një grup burrash të më nxirrte me forcë nga qyteti. Sapo mora kthesën e parë në rrugë, fillova të vrapoja sa më shpejt që mundja për t’iu shmangur gurëve që më hidhnin ata.
Ditën tjetër, dy policë të shoqëruar nga peshkopi, më arrestuan në punë. Në rajonin e policisë pata mundësi t’u predikoja atyre nga Bibla, por meqenëse literatura ime biblike nuk kishte vulën e peshkopit, e cila kërkohej nga ligji, u akuzova për prozelitizëm dhe për shpërndarje literature të paautorizuar. U lirova në pritje të procesit gjyqësor.
Procesi im gjyqësor u bë një muaj më vonë. Në mbrojtjen time, vura në dukje se s’po bëja gjë tjetër, veçse po i bindesha urdhërit të Krishtit për të predikuar. (Mateu 28:19, 20) Gjykatësi ma ktheu në mënyrë sarkastike: «Fëmija im, Ai që dha atë urdhër u kryqëzua. Për fat të keq, nuk kam autoritet për të dhënë një dënim të ngjashëm për ju.» Megjithatë, një avokat i ri, të cilin nuk e njihja, doli në mbrojtjen time, duke thënë se të rrethuar nga kaq shumë komunizëm dhe ateizëm, gjyqi duhet të jetë krenar që kishte burra të rinj, të përgatitur për mbrojtjen e Fjalës së Perëndisë. Më pas, ai erdhi dhe më uroi për mbrojtjen time me shkrim, e cila ndodhej në regjistrimet që autoritetet mbajtën lidhur me mua. Duke qenë se i bëri përshtypje fakti që isha aq i ri, u ofrua për të më mbrojtur pa pagesë. Në vend që të dënohesha me minimumin prej tre muajsh burg, u dënova vetëm dhjetë ditë dhe me një gjobë prej 300 dhrahmish. Një kundërshtim i tillë s’bëri gjë tjetër, veçse forcoi vendosmërinë time për t’i shërbyer Jehovait dhe për të mbrojtur të vërtetën.
Në një rast tjetër kur u arrestova, gjykatësi vuri re lehtësinë me të cilën citoja Biblën. Ai i kërkoi peshkopit të dilte nga zyra, duke i thënë: «Ju e bëtë punën tuaj. Do të merrem unë me çështjen e tij.» Pastaj, mori Biblën e tij dhe folëm për Mbretërinë e Perëndisë gjithë pasditen. Ngjarje të tilla më inkurajuan për të vazhduar, pavarësisht nga vështirësitë.
Dënimi me vdekje
Në vitin 1940 u thirra për shërbimin ushtarak dhe shkrova një letër, duke u shpjeguar se nuk mund të pranoja të futesha në ushtri. Dy ditë më vonë më arrestuan dhe u rraha egërsisht nga policia. Pastaj më dërguan në front, në Shqipëri, ku m’u bë një gjyq ushtarak, sepse refuzoja të merrja pjesë në luftime. Autoritetet ushtarake më thanë se nuk ishin dhe aq të interesuar të dinin nëse kisha të drejtë apo jo, sesa për ndikimin që shembulli im mund të kishte tek ushtarët. U dënova me vdekje, por për shkak të një të mete në dokumentet ligjore, për lehtësimin tim të madh, ky dënim u zëvendësua me dhjetë vjet punë të rëndë. Disa muaj pasues të jetës sime, i kalova në një burg në Greqi në kushte shumë të vështira, për shkak të të cilave vuaj ende pasojat fizike.
Megjithatë, burgu nuk më ndaloi të predikoja. Aspak! Ishte e lehtë të nisje biseda, pasi shumë ishin kuriozë të dinin se përse një civil ndodhej në një burg ushtarak. Një nga këto diskutime me një burrë të ri të sinqertë, çoi në një studim biblik në oborrin e burgut. Tridhjetë e tetë vjet më vonë, këtë burrë e takova përsëri në një asamble. Ai e kishte pranuar të vërtetën dhe ishte duke shërbyer si një mbikëqyrës kongregacioni në ishullin e Lefkás.
Kur trupat e Hitlerit pushtuan Jugosllavinë në vitin 1941, ne u transferuam akoma më në jug, në një burg në Preveza. Gjatë udhëtimit, karvani ynë u sulmua nga bombarduesit gjermanë dhe ne të burgosurve nuk na u dha ushqim. Kur ajo pak bukë që kisha u mbarua, iu luta Perëndisë: «Nëse është vullneti yt që unë të vdes nga uria pasi më shpëtove nga dënimi me vdekje, le të bëhet vullneti yt.»
Të nesërmen, një oficer më thirri mënjanë gjatë leximit të listës së emrave dhe pasi mësoi se nga isha, cilët ishin prindërit e mi dhe përse ndodhesha në burg, më tha ta ndiqja. Më çoi në mensën e oficerëve në qytet, më drejtoi tek një tavolinë me bukë, djathë, qengj të pjekur dhe më tha të haja. Por unë i shpjegova se përderisa 60 të burgosur të tjerë s’kishin asgjë për të ngrënë, ndërgjegjja ime nuk do të më lejonte të haja. Oficeri ma ktheu: «Unë nuk mund t’i ushqej të gjithë! Babai yt ka qenë shumë bujar ndaj babait tim dhe unë kam një detyrim moral ndaj teje, por jo ndaj të tjerëve.» «Meqenëse është kështu, atëherë unë po kthehem në burg»,—iu përgjigja. Ai u mendua për një çast, pastaj më dha një thes të madh për të vendosur ushqim në të aq sa të mundesha.
Kur u ktheva në burg, ula thesin dhe thashë: «Zotërinj, kjo është për ju.» Rastisi që një mbrëmje më parë, isha akuzuar se isha përgjegjës për gjendjen e mjerueshme të të burgosurve të tjerë, pasi nuk kisha dashur të bashkohesha në lutjet e tyre ndaj Virgjëreshës Mari. Megjithatë, një komunist kishte dalë në mbrojtjen time. Tani, duke parë ushqimin, u tha të tjerëve: «Ku është e juaja ‘Virgjëresha Mari’? Ju thatë se do të vdesim për shak të këtij burri, por është pikërisht ai që na solli ushqim.» Pastaj u kthye nga mua dhe më tha: «Emanuel! Eja dhe bëj një lutje falënderimi.»
Pak kohë më pas, përparimi i ushtrisë gjermane bëri që rojet e burgut t’ia mbathnin, duke u hapur kështu dyert të burgosurve. Mora rrugën për në Patras në mënyrë që të gjeja Dëshmitarë të tjerë, përpara se të drejtohesha për në Athinë, në fund të majit të vitit 1941. Në Patras pata mundësi të merrja disa rroba dhe këpucë dhe të bëja banjën e parë pas më shumë se një viti. Deri në marrjen fund të pushtimit, gjermanët më ndalonin rregullisht ndërsa predikoja, por kurrë nuk më arrestuan. Njëri prej tyre tha: «Në Gjermani ne i qëllojmë Dëshmitarët e Jehovait, por këtu do të dëshironim që të gjithë armiqtë tanë të ishin Dëshmitarë!»
Aktivitetet e pasluftës
Si të mos kish pasur mjaft luftime, më tej Greqia u nda nga lufta civile, që filloi nga viti 1946 deri në vitin 1949 dhe shaktoi me mijëra vdekje. Vëllezërit kishin nevojë për shumë inkurajim që të qëndronin të fortë, në një kohë kur thjesht pjesëmarrja në mbledhje mund të çonte në arrestim. Disa vëllezër u dënuan me vdekje për shkak të qëndrimit të tyre asnjanës. Por pavarësisht nga kjo, shumë njerëz i përgjigjeshin mesazhit të Mbretërisë dhe çdo javë ne kishim një apo dy pagëzime. Në vitin 1947, fillova që ditën të punoja në zyrat e Shoqatës në Athinë, ndërsa natën të vizitoja kongregacionet si mbikëqyrës udhëtues.
Në vitin 1948, u gëzova që isha ftuar për të marrë pjesë në Shkollën Biblike të Galaadit të Shoqatës Watchtower, në Shtetet e Bashkuara. Por kishte një problem. Për shkak të dënimeve të mia gjyqësore të mëparshme, nuk kisha mundësi të merrja një pasaportë. Megjithatë, një prej studentëve të mi biblikë kishte marrëdhënie miqësore me një gjeneral. Në sajë të këtij studenti, vetëm në pak javë mora pasaportën, por u shqetësova kur vetëm pak kohë para se të nisesha u arrestova për shpërndarje të Kullës së Rojës. Një polic më çoi tek kryetari i Policisë së Sigurimit Shtetëror në Athinë. Për çudinë time të madhe, ai ishte një nga fqinjët e mi! Polici i shpjegoi se përse isha arrestuar dhe i dha pakon e revistave. Fqinji im nxorri nga tavolina e tij një grumbull me revista Kulla e Rojës dhe më tha: «Nuk e kam numrin e fundit. A mund të marr një kopje?» Sa i lehtësuar ndihesha kur shihja dorën e Jehovait në çështje të tilla!
Klasa e 16 e Galaadit, në vitin 1950, ishte një përvojë pasuruese. Në përfundim të saj u caktova në Qipro, ku shpejt zbulova se kundërshtimi i klerit ishte po aq i egër sa dhe në Greqi. Shpesh na është dashur të ndeshemi me turma fetarësh fanatikë të eksituar deri në tërbim nga priftërinjtë ortodoksë. Në vitin 1953 nuk m’u ripërtëri viza për në Qipro dhe u ricaktova në Stamboll të Turqisë. Edhe këtu qëndrimi im ishte i shkurtër. Tensionet politike ndërmjet Turqisë dhe Greqisë linin të kuptohej se, pavarësisht nga rezultatet e mira në veprën e predikimit, më duhej të largohesha për në një caktim tjetër, për në Egjipt.
Kur ndodhesha në burg në Greqi, më vinte ndër mend Psalmi 55:6, 7. Aty Davidi shprehte një dëshirë të zjarrtë për të ikur në shkretëtirë. Nuk e kisha menduar kurrë se një ditë do të ndodhesha pikërisht atje. Në vitin 1954, pas një udhëtimi të lodhshëm disaditor me tren dhe me varkë në lumin Nil, më në fund arrita në destinacionin tim, Khartoum në Sudan. Gjithçka që dëshiroja ishte të bëja një dush dhe të flija, por harrova se ishte mesditë. Uji i grumbulluar në një rezervuar në çati më përvëloi, duke më detyruar që të vë një helmetë me përbërje tape për disa muaj, derisa m’u shërua lëkura e kokës.
Shpesh ndihesha i izoluar, i vetëm në mes të Saharasë, njëmijë e gjashtëqind kilometra larg nga kongregacioni më i afërt, por Jehovai më dha zemër dhe forcë për të vazhduar. Disa herë, inkurajimi vinte nga burimet më të papritura. Një ditë, takova drejtorin e muzeut të Khartoumës. Ai ishte pa paragjykime dhe patëm një bisedë interesante. Kur mësoi se isha me origjinë greke, më pyeti nëse do t’i bëja një nder duke shkuar në muze për të përkthyer disa mbishkrime të disa objekteve kulturore, të gjetura në një kishë të shekullit të gjashtë. Pas pesë orësh në një bodrum që të zinte frymën, gjeta një pjatë filxhani që mbante emrin e Jehovait, tetragramin. Përfytyroni gëzimin tim! Në Evropë nuk është një gjë e rrallë të shohësh emrin hyjnor nëpër kisha, por është më se e jashtëzakonshme ta gjesh në mes të Saharasë!
Pas asamblesë ndërkombëtare në vitin 1958, u caktova si mbikëqyrës i zonës për të vizituar vëllezërit në 26 shtete dhe në territoret e Lindjes së Mesme dhe të Afërme si dhe përreth Mesdheut. Shpesh nuk kam ditur se si të dilja nga një situatë e vështirë, por Jehovai më ka dhënë gjithmonë një rrugëdalje.
Më ka bërë gjithmonë përshtypje kujdesi që tregon organizata e Jehovait për Dëshmitarët që ndodhen të izoluar në disa shtete. Në një rast, takova një vëlla indian që punonte në një fushë naftëmbajtëse. Me sa dukej, ai ishte i vetmi Dëshmitar në atë shtet. Në një sirtar të mbyllur me çelës, ai kishte botime në 18 gjuhë të ndryshme, të cilat ua jepte shokëve të tij të punës. Edhe në atë shtet, ku të gjitha fetë e huaja ishin rreptësisht të ndaluara, vëllai ynë nuk e kishte harruar përgjegjësinë e tij për të predikuar lajmin e mirë. Kolegëve të tij u kishte bërë shumë përshtypje tek shihnin që një përfaqësues i fesë së tij, ishte dërguar për ta vizituar.
Në vitin 1959 vizitova Spanjën dhe Portugalinë. Në atë kohë, të dy vendet ishin nën diktaturën ushtarake dhe vepra e Dëshmitarëve të Jehovait ishte rreptësisht e ndaluar. Brenda një muaji, pata mundësinë të drejtoj më shumë se njëqind mbledhje, duke i inkurajuar vëllezërit që të mos hiqnin dorë, pavarësisht nga vështirësitë.
Jo më i vetëm
Për më shumë se 20 vjet i kisha shërbyer Jehovait në shërbim të plotë kohor si i pamartuar, por papritur u ndjeva i lodhur nga udhëtimet e mia të vazhdueshme pa pasur një vendbanim të qëndrueshëm. Afërsisht në këtë kohë, takova Ani Bianuçin, një pioniere speciale në Tunizi. U martuam në vitin 1963. Dashuria e saj për Jehovain dhe për të vërtetën, devotshmëria ndaj shërbimit e ndërthurur me artin e saj të të mësuarit si dhe njohja e gjuhëve, dhanë prova se ishin një bekim i vërtetë në veprën tonë qarkore misionare, në Afrikën veriore e perëndimore dhe në Itali.
Në gusht të vitit 1965, gruaja ime dhe unë u caktuam në Dakar të Senegalit, ku pata privilegjin e organizimit të zyrës së degës lokale. Senegali ishte një shtet i njohur për tolerancën e tij fetare, e cila pa dyshim që ishte arritur në sajë të presidentit Leopold Senghor, një nga krerët e paktë afrikanë të shtetit që i shkroi presidentit të Malajvisë, Banda, në përkrahje të Dëshmitarëve të Jehovait, gjatë persekutimit të tmerrshëm që ndodhi në Malajvi në vitet 1970.
Bekimi i pasur i Jehovait
Në vitin 1951, kur u largova nga Galaadi për në Qipro, udhëtova me shtatë valixhe. Kur u largova nga Turqia, numri i tyre kishte zbritur në pesë. Por duke udhëtuar kaq shumë, u mësova të mbaja një bagazh 20 kilogramësh, aq sa lejohej nga avionët, i cili përfshinte dokumentet e mia dhe makinën time të shkrimit që ishte shumë e vogël. Një ditë i thashë vëllait Knorr, i cili në atë kohë ishte president i Shoqatës Watch Tower: «Caktimi nga Shoqata më ka mbrojtur nga materializmi. Më ka bërë të jetoj vetëm me 20 kilogram gjëra dhe unë jam shumë i kënaqur nga kjo.» Nuk jam ndjerë asnjëherë i privuar për shkak se s’kisha shumë gjëra.
Problemi im kryesor gjatë udhëtimeve ishte hyrja dhe dalja nga shtetet. Një ditë, në një vend ku vepra ishte e ndaluar, një nëpunës i doganës filloi të rrëmonte në dokumentet e mia. Kjo gjë përbënte një rrezik për Dëshmitarët në atë shtet, kështu që nxorra nga xhaketa një letër të gruas sime dhe i thashë nëpunësit të doganës: «E kuptoj që ju pëlqen të lexoni postën. A do t’ju pëlqente të lexonit edhe këtë letër nga gruja ime, e cila nuk ndodhet tek dokumentet?» I zënë ngushtë, kërkoi falje dhe më lejoi të kaloj.
Që prej vitit 1982, gruaja ime dhe unë kemi qenë duke shërbyer si misionarë në Nis, në jug të Francës. Për shkak të dobësimit të shëndetit, nuk mund të bëj aq shumë sa isha mësuar të bëja. Por kjo nuk do të thotë se gëzimi ynë është zvogëluar. Kemi parë se ‘mundi ynë nuk është i kotë’. (1. Korintasve 15:58) Kam gëzimin të shoh një numër të madh njerëzish me të cilët kam pasur privilegjin të studioj gjatë viteve, si dhe më shumë se 40 anëtarë të familjes sime që i shërbejnë me besim të plotë Jehovait.
Nuk më vjen aspak keq për sakrificat që ka trashëguar jeta ime ‘duke kaluar’. Në fund të fundit, asnjë nga sakrificat që bëjmë, nuk mund të krahasohet me atë që Jehovai dhe Biri i tij, Jezu Krishti, kanë bërë për ne. Kur mendoj mbi 60 vjetët që kanë kaluar që kur kam njohur të vërtetën, mund të them se Jehovai më ka bekuar me bollëk. Siç thuhet në Proverbat 10:22, «bekimi i Zotit [Jehovait, BR] pasuron».
Pa dyshim që «mirësia jote [e Jehovait] vlen më shumë se jeta». (Psalmi 63:3) Ndërsa vështirësitë e moshës së thyer shumëfishohen, fjalët e frymëzuara të psalmistit, përmenden shpesh në lutjet e mia: «Tek ty, o Jehova, jam strehuar. Oh, mos u turpërofsha kurrë. Sepse ti je shpresa ime, o Zotëria Sovran Jehova, besimi im që në rininë time. O Perëndi, ti më ke mësuar që prej rinisë sime e deri tani unë vazhdoj të shpall veprat e tua të mrekullueshme. Dhe deri në pleqëri e në flokët e thinjur, o Perëdi, mos më lër.»—Psalmi 71:1, 5, 17, 18, BR.
[Figura në faqen 25]
Me gruan time, Ani, sot
-
-
«Një dhuratë e mrekullueshme nga Jehovai»Kulla e Rojës—1996 | 1 Nëntor
-
-
«Një dhuratë e mrekullueshme nga Jehovai»
KULLA E ROJËS e 1 majit 1996, përmbante një trajtim në thellësi të asnjanësisë së krishterë dhe se si t’i ekuilibrojmë përgjegjësitë tona ndaj Jehovait dhe «Cezarit». (Mateu 22:21) Për informacionin e ri të siguruar, janë dëgjuar shumë shprehje çmueshmërie. Mes tyre ndodhet edhe letra e mëposhtme e shkruar nga një Dëshmitar në Greqi, drejtuar Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait:
«Dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë të gjithë juve, vëllezër të dashur, për një kujdes të tillë të madh që tregoni ndaj nesh, lidhur me anën frymore. Duke qenë se kam kaluar rreth nëntë vjet në burg për shkak të besimit tim të krishterë, çmoj me të vërtetë mendimet e mrekullueshme në numrin e 1 majit 1996 të Kullës së Rojës. (Isaia 2:4) Kjo ishte një dhuratë e mrekullueshme nga Jehovai.—Jakovit 1:17.
Ndërsa po u gëzohesha këtyre artikujve, m’u kujtua një koment në një Kullë të Rojës të mëparshme (1 nëntor 1994, faqe 14): ‘Është e qartë se arsyetueshmëria është një cilësi e çmuar, një cilësi që na nxit ta duam Jehovain akoma më shumë.’ Po, vëllezër, falënderoj Jehovain që jam pjesë e organizatës së tij dashamirëse e të dashur, e cila pasqyron në mënyrë të qartë mençurinë e tij.—Jakovit 3:17.
Drita në rritje në Kullën e Rojës të 1 majit, është pritur mirë këtu në Greqi, sidomos nga ata që kanë kaluar disa vjet në burg, apo që janë ende në burg për shkak të besimit të tyre. Faleminderit edhe një herë. Jehovai ju forcoftë me frymën e tij, për të vazhduar të na siguroni ushqim të vlefshëm frymor në këto kohë të vështira.»
-