-
Përse duhet ‘ta nderoj nënën dhe babanë tim’?Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike
-
-
Kapitulli 1
Përse duhet ‘ta nderoj nënën dhe babanë tim’?
«NDERO nënën dhe babanë tënd!» Për shumë të rinj këto fjalë tingëllojnë si një mentalitet i epokave të errëta.
Vera e tregoi sheshit mosbindjen ndaj të atit, duke u shoqëruar me një djalë që pinte dhe drogohej. Vetëm për kapadaillëk shkonte të kërcente me të deri në orët e vona pas mesnatës. «Mendoja se ai ishte shumë i rreptë,—thotë Vera.—Isha 18-vjeçare dhe pandehja se dija gjithçka. Sipas meje, babai ishte i rreptë dhe nuk donte që unë të dëfrehesha, prandaj dilja dhe bëja ç’më donte qejfi.»
Shumica e të rinjve ndoshta nuk e miratojnë veprimin e Verës. Megjithatë, kur prindërit i urdhërojnë të pastrojnë dhomën, të bëjnë detyrat apo të jenë në shtëpi në një orë të caktuar, shumë prej tyre ndoshta vlojnë nga zemërimi ose më keq akoma, i kundërshtojnë hapur! Në fund të fundit, mënyra se si një i ri i shikon prindërit e tij, jo vetëm që ndryshon atmosferën familjare, të acaruar apo paqësore, por edhe vetë jetën. Urdhri për ‘të nderuar prindërit’ vjen nga Perëndia, urdhër të cilit ai i ka bashkëngjitur nxitjen vijuese për ta ndjekur atë: «Që ti të jesh mirë dhe të jetosh gjatë mbi dhe.» (Efesianëve 6:2, 3) Shuma e vënë në lojë është goxha e madhe. Prandaj, le të konsiderojmë në një pikëpamje të re se çfarë do të thotë në të vërtetë nderimi i nënës dhe babait.
Çfarë do të thotë ‘t’i nderosh’
«Të nderosh» do të thotë të pranosh ashtu siç duhet autoritetin e vendosur. Të krishterët, për shembull, janë urdhëruar ‘të nderojnë mbretin’. (1. Pjetrit 2:17) Edhe nëse nuk mund të jesh gjithnjë i një mendimi me një drejtues qeveritar, pozita apo detyra e tij duhet respektuar. Në të njëjtën mënyrë, Perëndia i ka veshur prindërit me njëfarë autoriteti në familje. Kjo do të thotë se duhet të njohësh të drejtën që u është dhënë atyre nga Perëndia për të vënë rregulla për ty. Vërtet, disa prindër të tjerë mund të jenë më të butë sesa prindërit e tu, megjithatë ata kanë përgjegjësinë për të vendosur se çfarë është më mirë për ty; në fakt, familje të ndryshme kanë norma të ndryshme.
Është e vërtetë gjithashtu se edhe prindërit më të mirë në botë mund të ndodhë që të jenë ndonjëherë tekanjozë dhe madje të padrejtë. Por në Proverbat 7:1, 2 një prind i mençur thotë: «Biri im [bija ime], . . . ruaji urdhërimet e mia dhe ke për të jetuar.» Në të njëjtën mënyrë, rregullat apo «urdhërimet» e prindërve, zakonisht pretendohet të jenë për të mirën tënde dhe një shprehje e dashurisë dhe kujdesit të tyre të sinqertë.
Ilirit, për shembull, nëna i thoshte që të kalonte gjithmonë nga ura e ngushtë për kalimtarët, që kalonte mbi autostradën që gjendej pranë shtëpisë së tij. Një ditë, dy vajza të shkollës së tij e vunë në sedër që të kalonte për shkurt nga një rrugë e vogël përmes autostradës. Ai nuk ua vuri veshin atyre që me tallje e shanin «pulë e lagur», por kaloi nga ura e ngushtë. Në gjysmë të rrugës Iliri dëgjoi zhurmën e çjerrë të gomave që frenuan. I drejtoi sytë në atë drejtim dhe pa i tmerruar se dy vajzat ishin përplasur me një makinë që i kishte flakur matanë! Sigurisht, bindja ndaj prindërve rrallëherë, si në këtë rast, do të thotë jetë ose vdekje. Megjithatë, zakonisht bindja është në të mirën tënde.
‘Të nderosh prindërit’ do të thotë, gjithashtu, të pranosh korrigjimin dhe jo të varësh buzët dhe të përplasësh këmbët me zemërim kur është rasti për ta marrë. Vetëm një i marrë «e përçmon korrigjimin e atit të tij»,—thotë Proverbat 15:5.
Përfundimisht, të tregosh nderim nuk do të thotë vetëm të tregosh respekt formal apo bindje kundër dëshirës. Folja origjinale greke e përkthyer këtu «nderoj», në Bibël do të thotë t’i atribuosh një vlerë të madhe dikujt. Prandaj, prindërit duhet t’i konsiderosh si diçka të çmuar, me një vlerë të madhe dhe të shtrenjtë për ty. Kjo do të thotë të kesh ndjenja të ngrohta dhe të çmueshme për ta. Megjithatë, disa të rinj ndiejnë gjithçka kundrejt prindërve të tyre, me përjashtim të ndjenjave të ngrohta për ta.
Prindër problematikë: A janë të denjë për nderim?
Një adoleshente e quajtur Rina shkroi: «Im atë pinte shumë. Nuk mund të flija, sepse prindërit haheshin e griheshin dhe bërtisnin me të madhe. Shtrihesha në krevat dhe vetëm qaja. Nuk mund t’u tregoja se çfarë ndieja, sepse ndoshta nëna më merrte me shpulla. Bibla thotë ‘nderoje atin tënd’, por nuk mundem.»
A janë vërtet të denjë për nderim prindërit gjaknxehtë, imoralë, pijanecë apo që vetëm grinden me njëri-tjetrin? Po, sepse Bibla e dënon atë që «tallet» me prindërit. (Proverbat 30:17) Proverbat 23:22 kujton më tej se prindërit «të kanë lindur». (BR) Vetëm kjo është një arsye për t’i nderuar ata. Genti, që njëherë e një kohë nuk kishte aspak respekt, tani thotë: «Falënderoj Perëndinë Jehova që [nëna ime] nuk më abortoi apo nuk më hodhi në ndonjë kosh plehrash. Ishim gjashtë fëmijë dhe na rriti vetëm. Unë e di se sa e vështirë ka qenë për të.»
Megjithëse nuk janë aspak të përsosur, prindërit kanë sakrifikuar shumë për ty. «Një ditë, gjithçka që na kishte mbetur për të ngrënë ishte vetëm një kuti me kallinj misri dhe pak bollgur misri,—vazhdon të tregojë Genti.—Nëna përgatiti për ne fëmijët, ndërsa vetë nuk futi gjë në gojë. Shkova në krevat me barkun plot dhe duke pyetur veten përse nëna s’hëngri. Tani që jam vetë baba e kuptoj se ajo sakrifikonte për ne.» (Një studim ka zbuluar se për rritjen e një fëmije që nga lindja deri në moshën 18 vjeç prindërit harxhojnë rreth 6-6,5 milionë lekë.)
Përveç kësaj, duhet të kuptosh se edhe nëse shembulli që prindërit japin nuk është më i miri, kjo nuk do të thotë se gjithçka që ata thonë është e gabuar. Udhëheqësit fetarë në ditët e Jezuit ishin të korruptuar. Megjithatë, Jezui u tha njerëzve: «Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t’ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata.» (Mateu 23:1-3, 25, 26) A nuk mund të zbatohet ky parim edhe tek disa prindër?
Si të mos mbajmë mëri?
Po sikur të jesh i mendimit se një prind e keqpërdor në mënyrë serioze autoritetin e tij apo e saj?a Ruaj qetësinë! Duke kundërshtuar nuk ia del dot dhe as duke mbajtur mëri dhe duke qenë inatçi. (Eklisiastiu 8:3, 4; krahaso Eklisiastiun 10:4.) Një vajzë 17-vjeçare ishte zemëruar me prindërit, pasi ata shqetësoheshin vetëm për zënkat e tyre dhe tregoheshin indiferentë ndaj saj. Atëherë zemërimi i saj u kthye kundër parimeve biblike që prindërit ishin përpjekur të ngulitnin tek ajo. Për inat të tyre, ajo u zhyt në imoralitet seksual dhe drogohej. «Mendoja se e kishin hak»,—shpjegoi ajo më pas me hidhërim. Duke qenë inatçie ajo i bëri keq vetëm vetes.
Bibla paralajmëron: «Kujdesu që zemërimi mos të të tërheqë [për të bërë diçka] nga inati . . . Ji i kujdesshëm që të mos kthehesh nga ajo që është e dëmshme!» (Jobi 36:18-21, BR) Duhet të kuptosh se prindërit janë përgjegjës para Jehovait për sjelljen e tyre dhe do të përgjigjen para tij për çdo padrejtësi serioze.—Kolosianëve 3:25.
Proverbat 19:11 thotë: «Mençuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t’i kapërcejë fyerjet.» Shpeshherë është më mirë të përpiqemi të falim dhe të harrojmë një veprim lëndues të një prindi. Në vend se të bluash në mendje të metat e tij, përqendrohu në cilësitë e tij të mira. Denada, për shembull, kishte një nënë të pandjeshme dhe një njerk që pinte shumë alkool. Shiko se si duke i parë me mençuri mangësitë e tyre, ajo mposhti zemërimin. Ajo thotë: «Ndoshta nëna nuk na ka treguar kurrë dashuri, sepse duke qenë e keqtrajtuar që fëmijë, kurrë nuk ka mësuar të dojë. Njerkut i binte ndër mend për ne vetëm kur ishte esëll dhe kjo rrallëherë ndodhte. Megjithatë, unë dhe ime motër kemi pasur gjithmonë një strehë për të futur kokën dhe ushqim në frigorifer.»
Lumturisht, prindërit tekanjozë apo moskokëçarës janë të paktë. Ka më shumë mundësi që prindërit e tu kujdesen dhe përpiqen për të lënë një shembull të mirë për ty. Megjithatë, edhe kështu mund të kesh ndonjëherë mëri ndaj tyre. «Nganjëherë, kur flisja me nënën për ndonjë problem dhe ajo nuk më kuptonte, bëhesha si i tërbuar dhe nga inati i plagosja zemrën me ndonjë fjalë. Ishte mënyra ime për t’ia kthyer pesë për pesë. Por, kur largohesha vuaja shumë dhe e dija se edhe ajo vuante»,—thotë Eltoni.
Fjalët e pamenduara mund të jenë si ‘thikë në zemër’, ‘shkaktojnë dhimbje’ dhe problemin nuk ta zgjidhin. «Gjuha e të urtëve sjell shërim.» (Proverbat 12:18; 15:1) «Megjithëse nuk ishte e lehtë për mua, kthehesha përsëri dhe i kërkoja të falur,—shpjegon Eltoni.—Kështu, mund të flisja më me qetësi për problemin dhe gjenim një zgjidhje.»
‘Babai kishte të drejtë’
Është interesante se disa të rinj lodhin veten dhe prindërit, duke i kundërshtuar ata vetëm për të kuptuar më vonë se që në fillim prindërit kishin të drejtë. Mendo, për shembull, për Verën që përmendëm pak më lart. Një ditë ajo doli me makinë bashkë me shokun e saj. Ai ishte dendur me marihuanë dhe me birrë. Duke ecur me 100 km/orë makina i doli jashtë kontrollit dhe u përplasën pas një shtylle dritash. Vera ia hodhi edhe kësaj here, por kur doli nga makina kishte një të çarë të thellë në ballë. Shoku i saj ia mbathi dhe nuk u duk më asnjëherë në spital, të paktën për ta parë.
«Kur prindërit erdhën në spital,—tregon Vera,—u thashë se babai kishte pasur të drejtë në çdo gjë dhe se duhej ta kisha dëgjuar që në fillim. . . . Kisha bërë një gabim të madh që gati më kushtoi jetën.» Pas kësaj, Vera bëri ndryshime të mëdha në qëndrimin e saj ndaj prindërve.
Ndoshta disa ndryshime do të ishin me vend edhe në rastin tënd. ‘Të nderosh prindërit’ në të vërtetë mund të duket si diçka e dalë jashtë mode. Megjithatë, nuk është vetëm një gjë e mençur, por është edhe një gjë e drejtë në sytë e Perëndisë. Atëherë, ç’mund të themi kur dëshiron të tregosh respekt ndaj prindërve, por mendon se të keqkuptojnë apo të pengojnë kufizimet? Le të shohim se si mund ta përmirësosh situatën në të tilla raste.
[Shënimi]
a Këtu nuk bëhet fjalë për rastet e abuzimit fizik apo seksual, në të cilat një i ri mund të ketë nevojë për të kërkuar ndihmë nga ekspertë jashtë familjes.
Pyetje për t’u trajtuar
◻ Çfarë do të thotë të nderosh prindërit?
◻ Përse prindërit të vënë kaq shumë rregulla? A mund të të sjellin dobi?
◻ A duhet t’i nderosh prindërit nëse sjellja e tyre është e qortueshme? Përse?
◻ Cilat janë disa mënyra të efektshme për të mos mbajtur mëri në ndonjë rast ndaj prindërve? Cilat janë disa reagime prej budallai?
[Diçitura në faqen 16]
«Sipas meje, babai ishte i rreptë dhe nuk donte që unë të dëfrehesha, prandaj dilja dhe bëja ç’më donte qejfi»
[Figura në faqen 12]
Si duhet t’i konsiderosh rregullat e vendosura nga prindërit?
[Figura në faqen 14]
A duhet t’i nderosh prindërit nëse sjellja e tyre është e qortueshme?
-
-
Përse prindërit nuk më kuptojnë?Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike
-
-
Kapitulli 2
Përse prindërit nuk më kuptojnë?
ËSHTË normale dëshira që të tjerët të të kuptojnë. Prandaj, nëse prindërit kritikojnë gjërat që të pëlqejnë ose nuk u interesojnë ato që për ty janë të rëndësishme, mund të ndihesh shumë i shkurajuar.
Alberti 16-vjeçar është i mendimit se i ati nuk i kupton shijet e tij në fushën e muzikës. Alberti thotë: «S’bën gjë tjetër veç ulërin: ‘Fike të shkretën!’ Kështu, s’dëgjoj më as muzikën e as atë.» Ngjashëm, shumë të rinj mbyllen emocionalisht në guaskën e tyre, kur duket se prindërit nuk i kuptojnë. Në një studim të gjerë mbi të rinjtë, 26 për qind e adoleshentëve të intervistuar pohuan: «Pjesën më të madhe të kohës përpiqem ta kaloj jashtë shtëpisë.»
Ja, përse në shumë familje ekziston një e çarë e madhe apo një hendek ndërmjet të rinjve dhe prindërve. Cili është shkaku?
«Fuqia» përballë «flokëve të thinjur»
Proverbat 20:29 thotë: «Bukuria e të rinjve [ose të rejave] është fuqia e tyre.» (BR) Por kjo forcë apo ‘fuqi’ mund të sjellë çdo lloj konflikti mes teje dhe prindërve të tu. Proverbi vazhdon: «Madhështia e pleqve janë flokët e tyre të thinjur.» (BR) Ndoshta prindërit e tu nuk janë të thinjur, por prapëseprapë janë më të mëdhenj dhe e shohin jetën me një sy tjetër. Ata e dinë se jo gjithçka në jetë përfundon mirë. Përvoja e hidhur personale mund ta ketë zbutur idealizmin e rinisë së tyre. Falë kësaj mençurie të fituar nga përvoja, «flokët e thinjur» me një fjalë, nuk marrin pjesë në entuziazmin tënd mbi disa gjëra.
Eltoni thotë: «Prindërit e mi (të rritur në epokën e depresionit të madh) mendojnë se paraja duhet kursyer për të blerë gjëra të rëndësishme. Por unë jetoj tani. . . . Dua të bëj shumë udhëtime.» Po, ndërmjet ‘fuqisë’ së të rinjve dhe ‘flokëve të thinjur’ të prindërve, mund të shtrihet një hendek i thellë. Në këtë mënyrë, shumë familje përçahen hidhur, kur flitet për çështje si veshja, krehja, qëndrimi me seksin e kundërt, përdorimi i drogës dhe i alkoolit, orari i kthimit në shtëpi, zgjedhja e miqve dhe punët e shtëpisë. Hendeku ndërmjet brezave mund të kapërcehet. Por, para se të kërkosh nga prindërit që të të kuptojnë, duhet të përpiqesh që edhe ti t’i kuptosh ata.
Edhe prindërit janë njerëz
«Kur isha i vogël,—thotë Iliri,—natyrisht që mendoja se mami ishte ‘e përsosur’ dhe nuk kishte asnjë nga ndjenjat dhe dobësitë që kisha unë.» Më pas, prindërit e tij u divorcuan. E ëma duhej të kujdesej e vetme për të shtatë fëmijët. Motra e Ilirit, Alketa, sjell ndër mend: «Më kujtohet që e shihja të qante, sepse nuk ia dilte dot t’i bënte të gjitha. Atëherë kuptova se nuk ishte e drejtë ajo që mendonim. Ajo nuk arrinte të bënte çdo gjë gjithmonë në kohën dhe në mënyrën e duhur. Kuptuam se edhe ajo ishte njeri dhe kishte ndjenja.»
Të pranosh se prindërit e tu janë njerëz të zakonshëm me ndjenja si të tuat, është një hap i madh përpara për t’i kuptuar. Për shembull, ata mund të ndihen të pasigurt mbi aftësinë e tyre për të të rritur në mënyrë të përshtatshme. Ose ndjenja e pushtimit nga rreziqet morale dhe tundimet që ti përballon, mund t’i bëjë ata të reagojnë ndonjëherë në mënyrë të tepruar. Ndoshta luftojnë me vështirësi fizike, financiare apo emocionale. Një baba, për shembull, mund ta urrejë punën e tij, por kurrë nuk ankohet. Prandaj, kur fëmija i thotë: «S’dua ta shoh më me sy shkollën», nuk është për t’u habitur se në vend që t’i mbajë anën, t’ia kthejë: «Për çfarë ankohesh? Nuk të ka rënë jeta në kurriz, pa ta shohësh!»
Trego «interes personal»
Si mund ta kuptosh, atëherë, se si ndihen prindërit e tu? Duke ‘mos menduar secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve’. (Filipianëve 2:4) Përpiqu ta pyesësh mamin se si ishte ajo kur qe adoleshente? Cilat ishin ndjenjat, qëllimet e saj? «Ka shumë mundësi,—thotë revista ’Teen,—se nëse ajo ndien se interesohesh për disa nga ndjenjat e saj dhe i kupton arsyet, ajo do të mundohet të kuptojë më mirë të tuat.» Pa dyshim, e njëjta gjë vlen edhe për babin.
Nëse lind ndonjë konflikt, mos shpejto t’i akuzosh si të pandjeshëm. Pyet veten: «Ndoshta nuk ndiheshin mirë ose kanë qenë ndopak të shqetësuar? Ndoshta ndonjë veprim apo fjalë e imja i ka vrarë? Ndoshta vetëm e kanë keqkuptuar atë që thashë?» (Proverbat 12:18) Shfaqja e kësaj empatie është një fillim i mirë për të mbyllur hendekun midis brezave. Tani mund të bësh diçka që prindërit të të kuptojnë. Por shumë të rinj e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë këtë gjë. Në ç’mënyrë?
Duke bërë një jetë të dyfishtë
Pikërisht kështu vepronte Migena shtatëmbëdhjetë-vjeçare, duke u shoqëruar fshehurazi me një djalë, kundër dëshirës së prindërve. Ajo ishte e sigurt se prindërit nuk do t’i kuptonin ndjenjat e saj për shokun. Natyrisht, hendeku ndërmjet saj dhe prindërve u thellua më shumë. «Po e bënim njëri-tjetrin të vuanim,—thotë Migena.—Më kishte ardhur shtëpia në majë të hundës.» Ishte e vendosur të martohej, vetëm e vetëm që t’ia mbathte nga shtëpia!
Ngjashëm, shumë të rinj bëjnë një jetë të dyfishtë, duke bërë gjëra pa dijeninë e prindërve dhe që ata ua ndalojnë, e pastaj qahen se prindërit ‘nuk i kuptojnë’! Lumturisht, Migena ia hodhi, sepse një e krishterë e moshuar e ndihmoi, duke i thënë: «Migena, mendo pak për prindërit . . . Ata të kanë rritur. Kur ti nuk merresh vesh me prindërit e tu, si mund të merresh vesh me një bashkëmoshatarin tënd që nuk të ka kushtuar 17 vjet dashuri?»
Migena e shqyrtoi veten me ndershmëri. Shpejt kuptoi se prindërit kishin të drejtë dhe zemra e saj kishte gabuar. I dha fund shoqërimit me shokun dhe filloi të mbyllte atë të çarë që ishte krijuar mes saj dhe prindërve. Ngjashëm, edhe ti po t’u kesh fshehur prindërve një pjesë të jetës sate, a nuk ka ardhur koha të tregohesh i ndershëm me ta?—Shiko shtojcën «Si mund t’ua them prindërve?»
Gjej kohë për të folur
«Ishin çastet më të bukura që kam kaluar me babin!—thotë Arjani, duke folur për një udhëtim që kishin bërë së bashku.—Kurrë në jetën time nuk kisha qenë për gjashtë orë rresht vetëm për vetëm me të. Gjashtë orë vajtje e gjashtë orë kthim. Pa radio. Vërtet biseduam. Ishte sikur të zbulonim njëri-tjetrin. Të bën për vete po ta njohësh më thellë. U bëmë miq.» Përse të mos përpiqesh të bisedosh edhe ti rregullisht me mamin ose babin?
Kjo gjë ndihmon edhe në forcimin e miqësisë me persona të tjerë të rritur. Migena kujton: «Në mënyrë absolute nuk kisha asnjë marrëdhënie me më të mëdhenjtë. Kështu, vendosa t’u ngjitem pas prindërve kur ishin në shoqëri me të tjerët. Me kalimin e kohës lidha miqësi me persona të moshës së prindërve të mi dhe kjo më dha mundësi të zgjeroja këndvështrimin tim. Pas kësaj, e kisha më të lehtë të bisedoja me prindërit. Atmosfera në shtëpi u përmirësua dukshëm.»
Shoqërimi me ata, të cilëve vitet u kanë dhënë mençuri, të mbron gjithashtu edhe nga adoptimi i një pikëpamjeje të ngushtë e të kufizuar mbi jetën, gjë që mund të ndodhë nëse shoqërohesh vetëm me të rinj si ti.—Proverbat 13:20.
Shprehi ndjenjat
«Fjalët e mia janë drejtësia e zemrës sime dhe njohuria është ajo që buzët e mia shqiptojnë me sinqeritet»,—tha Elihu i ri. (Jobi 33:3) A flet edhe ti kështu me prindërit, kur ke fërkime për sa i përket veshjes, krehjes dhe muzikës?
Ergysi mendonte se e ëma nuk ishte aspak e arsyeshme. Për të shmangur konfliktet e zjarrta ndërmjet tyre, ai rrinte jashtë shtëpisë sa të ishte e mundur. Por, pastaj ai veproi sipas këshillës së disa pleqve të krishterë. Ai thotë: «Fillova t’i tregoja mamit se çfarë ndieja. I thosha se përse më pëlqente të bëja disa gjëra dhe nuk supozoja se ajo e dinte tashmë. Shpesh, i hapja zemrën dhe i shpjegoja se nuk doja të bëja asgjë të keqe dhe se vuaja shumë kur më trajtonte si kalama. Pastaj, filloi të më kuptonte dhe pak nga pak gjërat u përmirësuan.»
Ngjashëm, edhe ti mund të kuptosh se duke shfaqur ‘drejtësinë e zemrës’, mund të sqarosh shumë keqkuptime.
Në rast mosmarrëveshjesh
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se prindërit do t’i shohin menjëherë gjërat me syrin që i sheh ti. Pikërisht atëherë duhet të frenosh ndjenjat. «Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por i urti e frenon dhe e ul.» (Proverbat 29:11) Diskuto me qetësi meritat e pikëpamjes sate! Qëndro në faktet dhe mos thuaj «të gjithë e bëjnë»!
Do të ndodhë që prindërit të të thonë jo. Kjo nuk do të thotë se nuk të kuptojnë. Thjesht, duan t’i dalin përpara ndonjë telashi. «Mami është shumë e rreptë me mua,—thotë Ledia 16-vjeçare.—Më mërzit kur më thotë të mos bëj ndonjë gjë ose që [duhet] të kthehem në shtëpi në një orar të caktuar. Por thellë në brendësi ajo shqetësohet me të vërtetë për mua. . . . kujdeset për mua.»
S’gjenden fjalë për të përshkruar sigurinë dhe ngrohtësinë që sjell mirëkuptimi reciprok në familje. E bën shtëpinë një strehim në kohë ankthi. Por nevojitet mund i vërtetë nga ana e secilit.
Pyetje për t’u trajtuar
◻ Përse të rinjtë dhe prindërit gjenden shpesh në konflikte?
◻ Si mund të ndikojë një mirëkuptim më i mirë me prindërit në pikëpamjen tënde mbi ta?
◻ Si mund të arrish t’i kuptosh më mirë prindërit?
◻ Përse një jetë e dyfishtë e thellon hendekun ndërmjet teje dhe prindërve të tu?
◻ Përse është më mirë t’u hapesh prindërve, kur ke ndonjë problem serioz? Si mund t’ua thuash?
◻ Si mund t’i ndihmosh prindërit që të të kuptojnë më mirë?
[Diçitura në faqen 22]
«Nëse [nëna] ndien se interesohesh për disa nga ndjenjat e saj dhe i kupton arsyet, ajo do të mundohet të kuptojë më mirë të tuat.»—Revista ’Teen
[Kutia dhe figura në faqet 20, 21]
Si mund t’ua them prindërve?
Ndjenja e detyrës për t’u treguar një gabim prindërve të tu nuk është dhe aq e këndshme. Një i ri i quajtur Viktor, thotë: «Gjithmonë e ndieja se prindërit kishin shumë besim tek unë, gjë që ma bënte të vështirë t’u afrohesha, sepse nuk doja t’u shkaktoja dhembje.»
Të rinjtë që përpiqen t’i fshehin gabimet, shpesh i bren një ndërgjegje e trazuar. (Romakëve 2:15) Gabimet e tyre mund të bëhen «një barrë e madhe», shumë e rëndë për t’u mbajtur. (Psalmi 38:4) Gati në mënyrë të pashmangshme, ata janë të detyruar t’i mashtrojnë prindërit, duke gënjyer dhe duke bërë kështu gabime të tjera. Marrëdhënia e tyre me Perëndinë në këtë mënyrë dëmtohet.
Bibla thotë: «Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën.» (Proverbat 28:13) 19-vjeçarja e quajtur Blerina u shpreh kështu: «Sido që të jetë, Jehovait nuk i shpëton dot asgjë.»
Po të bëhet fjalë për një gabim serioz, kërko faljen e Jehovait, duke ia treguar gabimin në lutje. (Psalmi 62:8) Pastaj, tregojua prindërve. (Proverbat 23:26) Ata kanë përvojë në jetë dhe shpesh mund të të ndihmojnë të braktisësh gabimet dhe të mos i përsëritësh më ato. «Të flasësh me ta për gabimin mund të të ndihmojë shumë,—thotë Edvini 18-vjeçar.—Në fund të fundit, është një lehtësim për ta hequr nga mendja dhe për të liruar shpirtin.» Por, ja, gjithë vështirësia është: Si t’ua thuash prindërve?
Bibla flet për vlerën e ‘një fjale të thënë në kohën e duhur’. (Proverbat 25:11; krahaso Eklisiastiun 3:1, 7.) Kur mund të jetë momenti i duhur? Edvini thotë: «Pres derisa të vijë darka dhe i them babait se kam nevojë t’i them diçka.» Një djalë që jetonte vetëm me nënën gjente një moment tjetër: «Zakonisht flisja me mamin para se të shkoja në shtrat, pasi atëherë ishte më e çlodhur. Kur kthehej nga puna ishte gjithë nerva.»
Ndoshta mund të thuash diçka të ngjashme, si: «Mami! Babi! Diçka më shqetëson.» Po sikur ata të duken tepër të zënë për të të kushtuar vëmendje? Atëherë mund të thuash: «E di që jeni të zënë, por ka diçka që me të vërtetë më shqetëson. A mund të flasim pak?» Pastaj mund t’i pyesësh: «A keni bërë ndonjëherë diçka, për të cilën do të kishit turp të flisnit?»
Tani vjen pjesa më e vështirë: T’u tregosh prindërve gabimin që ke bërë. Ji i përulur dhe ‘thuaj të vërtetën’, jo duke e minimizuar seriozitetin e gabimit apo duke u përpjekur të mbash fshehur ndonjë hollësi jo shumë të këndshme për t’u thënë! (Efesianëve 4:25; krahaso Lukën 15:21.) Përdor fjalë që prindërit e tu mund t’i kuptojnë dhe jo zhargone me kuptim të veçantë e të kuptueshme vetëm për të rinjtë.
Natyrisht që prindërit në fillim mund të ndihen të vrarë dhe të zhgënjyer. Prandaj, mos të të vijë çudi apo të ofendohesh nëse e sheh veten të mbytur nga një breshëri fjalësh të ashpra! Po t’i kishe dëgjuar paralajmërimet e tyre, ndoshta nuk do të gjendeshe në këtë situatë. Ruaj qetësinë! (Proverbat 17:27) Dëgjoji ata dhe përgjigjju pyetjeve të tyre, pavarësisht se me çfarë toni i bëjnë!
Pa dyshim që gatishmëria për të rregulluar çështjen do t’u bëjë përshtypje atyre. (Krahaso 2. Korintasve 7:11.) Megjithatë, ji i përgatitur për të pranuar ndonjë lloj disipline që ndoshta e ke merituar. «Dhe njëmend, çdo qortim një herë për një herë, nuk duket se sjell gëzim, por trishtim, porse më vonë të ushtruarve në të u sjell fryt paqe dhe drejtësie.» (Hebrenjve 12:11, DSF) Gjithashtu, mos harro se kjo nuk do të jetë hera e fundit që do të kesh nevojë për ndihmën dhe këshillat e pjekura të prindërve! Mësohu të kesh besim tek ata për problemet e vogla, në mënyrë që kur të kesh probleme më të mëdha, të mos kesh frikë t’u thuash se çfarë të shqetëson!
[Figura]
Gjej një moment kur prindërit mund të jenë në humor për të të dëgjuar
-
-
Si mund të fitoj më shumë liri nga prindërit?Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike
-
-
Kapitulli 3
Si mund të fitoj më shumë liri nga prindërit?
TI thua se je mjaft i madh për të qëndruar jashtë deri natën vonë gjatë fundjavëve. Ata thonë se duhet të kthehesh shpejt. Ti thua se dëshiron të shikosh atë film të ri për të cilin flasin të gjithë. Ata thonë s’ke për ta parë. Ti thua se ke njohur disa miq të mirë, me të cilët të pëlqen të shoqërohesh. Ata thonë se më parë do t’u pëlqente të njiheshin me ta.
Kur je adoleshent, nganjëherë mund të të duket se prindërit ushtrojnë në jetën tënde një ndikim që të zë frymën. Duket se çdo fjalë «dua», ndiqet në mënyrë të pashmangshme nga një «jo, nuk është e mundur». «Syve zhbirues» të prindërve nuk u shpëton asnjë aspekt i jetës sate. Denisa 15-vjeçare thotë: «Babi do të dijë gjithmonë se ku jam dhe kur do të kthehem. Shumë prindër bëjnë kështu. A duhet patjetër të dinë gjithçka? Duhet të më japin më shumë liri.»
Përveç kësaj, të rinjtë ankohen se prindërit nuk i respektojnë. Në vend që të tregojnë se kanë besim në ta, i gjykojnë fajtorë pa asnjë provë kur diçka nuk shkon mirë. Në vend që t’i lejojnë të vendosin për veten, i kufizojnë me shumë rregulla.
«Ankth»
A të trajtojnë ndonjëherë prindërit si kalama? Nëse po, mos harro se jo shumë kohë më parë ishe vërtet kalama. Imazhi që kanë prindërit për ty si një fëmijë i pambrojtur, është akoma i freskët në mendjen e tyre dhe nuk mund të hiqet lehtë. Akoma u vijnë ndër mend gabimet e tua fëminore e prandaj duan të të mbrojnë, do apo s’do ti.
Hovi për të të mbrojtur është shumë i fuqishëm. Kur mami dhe babi nuk punojnë për të të siguruar një strehë ku të futësh kokën, veshje apo ushqim, ata shpesh rropaten për faktin se duan të të sigurojnë mësim, stërvitje dhe madje mbrojtje. Interesi i tyre për ty nuk është i rastit. Ata janë përgjegjës përpara Perëndisë për mënyrën se si të edukojnë. (Efesianëve 6:4) Ata shqetësohen, kur duket se diçka e kërcënon mirëqenien tënde.
Le të shohim prindërit e Jezu Krishtit. Pas një vizite në Jerusalem, ata morën rrugën e kthimit pa u rënë ndër mend se ai nuk ishte me ta. Kur e vunë re mungesën e tij, e kërkuan me ngulm e madje të merakosur. Kur më në fund «e gjetën në tempull», nëna e Jezuit thërriti: «Bir, pse na e bëre këtë? Ja, yt atë dhe unë, në ankth, po të kërkonim!» (Luka 2:41-48) Kur Jezui, një fëmijë i përsosur u shkaktonte shqetësim prindërve, mendo sa shumë telashe mund t’u shkaktosh ti prindërve të tu!
Le të marrim, për shembull, konfliktin që s’ka të sosur, lidhur me orën kur duhet të kthehesh në shtëpi. Ndoshta nuk sheh asnjë arsye për të qenë i kufizuar në këtë mënyrë. Por, a i ke parë ndonjëherë gjërat nga pikëpamja e prindërve të tu? Disa fëmijë shkolle, autorë të librit Libri i fëmijëve për prindërit (The Kids’ Book About Parents), u përpoqën ta bënin këtë. Ata bënë një listë me ato që i quanin «fantazitë që mund t’u shkonin nëpër mend prindërve mbi faktin se çfarë mund të bënin fëmijët kur nuk ishin në shtëpi në kohën e caktuar». Në listë ishin përfshirë gjëra të tilla si: të drogohesh, të bësh ndonjë aksident automobilistik, të sorollatesh nëpër parqe, të të arrestojnë, të shkosh për të parë filma porno, të shesësh narkotikë, të të dhunojnë apo të të sulmojnë, të përfundosh në burg dhe të turpërosh emrin e familjes.
Jo të gjithë prindërit arrijnë në përfundime të tilla në dukje të tendosura. Por, a nuk është e vërtetë se shumë të rinj janë ngatërruar me gjëra të tilla? Prandaj, a duhet të hidhesh përpjetë nga ideja se mund të jetë e rrezikshme të qëndrosh jashtë deri natën vonë dhe me shoqëri të këqija? Ja, përse edhe prindërit e Jezuit donin të dinin se ku ndodhej!
Përse tregojnë kujdes të tepërt?
Disa të rinj thonë se frika e prindërve se mos u ndodh diçka e keqe fëmijëve gati të bezdis. Por, mos harro sa kohë dhe dashuri të kanë dedikuar. Mendimi se po rritesh dhe përfundimisht do t’i lësh, mund t’i shqetësojë prindërit e tu. Një prind shkroi: «Djali, fëmija i vetëm, tani është nëntëmbëdhjetë vjeç dhe s’mund ta duroj mendimin se një ditë do të ikë nga shtëpia.»
Disa prindër priren në këtë mënyrë t’u qëndrojnë mbi kokë ose të kujdesen tepër për fëmijët e tyre. Megjithatë, do të ishte vërtet gabim që ti nga ana jote të reagoje keq. Një grua e re kujton: «Deri rreth moshës 18 vjeç, unë dhe nëna ishim shumë të lidhura. . . . [Por] ndërsa rritesha, filluam të kishim probleme. Unë doja të kisha njëfarë pavarësie, të cilën ajo duhej ta kishte parë si një kërcënim për marrëdhënien tonë. Ajo nga ana e vet filloi të përpiqej të më mbante më afër, kurse unë reagoja duke u larguar gjithnjë e më shumë.»
Është mirë të kesh njëfarë pavarësie, por jo në dëm të lidhjeve të tua familjare. Si mund të krijosh marrëdhënie prej të rriturish me prindërit, të bazuara në kuptueshmërinë reciproke, tolerancën dhe respektin? Para së gjithash, respekti ngjall respekt. Njëherë, apostulli Pavël kujtoi: «Etërit tanë sipas mishit i patëm për të na ndrequr dhe i nderonim ata.» (Hebrenjve 12:9) Prindërit e këtyre të krishterëve të hershëm nuk ishin të pagabueshëm. «Ata na ndreqën . . . ashtu siç u dukej më mirë»,—vazhdoi Pavli në vargun 10.
Ndonjëherë, këta njerëz gabuan në gjykimet e tyre. Megjithatë, e meritonin respektin e fëmijve të tyre, ashtu siç e meritojnë prindërit e tu. Fakti se mund të jenë nga ata lloj personash që të rrinë si çekiç mbi kokë, nuk është një arsye për të qenë të pabindur. Respektoji ashtu siç dëshiron të të respektojnë.
Keqkuptime
Mos vallë të ka ndodhur ndonjëherë të kthehesh vonë në shtëpi për rrethana të paparashikuara? A e kanë dramatizuar prindërit çështjen? Këto keqkuptime të sigurojnë një tjetër mundësi për të fituar respekt. Sill ndër mend se çfarë qëndrimi mbajti i riu Jezu, kur prindërit e tij të tronditur e gjetën më në fund në tempull, duke folur me çiltërsi për Fjalën e Perëndisë me disa mësues. A u lëshua Jezui në ndjenja të pafrenueshme, apo ia plasi të qarit dhe u ankua se sa të padrejtë ishin treguar duke vënë në dyshim motivet e tij? Vëre përgjigjen e tij të qetë: «Përse më kërkonit? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?» (Luka 2:49) Pa dyshim që prindërit e Jezuit u mahnitën nga pjekuria që tregoi ai. Prandaj, «përgjigjja e ëmbël» jo vetëm «fashit zemërimin», por edhe të ndihmon të fitosh respektin e prindërve.—Proverbat 15:1.
Norma dhe rregulla
Edhe mënyra se si u përgjigjesh kërkesave të prindërve ka të bëjë shumë me mënyrën se si do të trajtohesh. Disa të rinj rrinë tërë hundë e buzë, gënjejnë ose haptazi tregohen të pabindur. Përpiqu të sillesh më shumë si i rritur! Nëse kërkon leje të qëndrosh jashtë deri natën vonë, mos e kërko si kalama dhe mos u anko se «të gjithë fëmijët e tjerë mund të qëndrojnë jashtë deri vonë». Shkrimtarja Andrea Eagan këshillon: «[Thuaju] sa më shumë që të mundesh se çfarë dëshiron të bësh, në mënyrë që të kuptojnë vërtet situatën. . . . Kur u thua gjithçka se ku e me kë do të shkosh dhe përse është e rëndësishme që të qëndrosh më vonë, . . . ndoshta të thonë se mund të shkosh.»
Ose nëse prindërit dëshirojnë të njihen me shokët e tu, ashtu siç e kanë për detyrë të bëjnë, mos u bëj si fëmijë qaraman. Revista Seventeen sugjeronte: «Herë pas here silli shokët në shtëpi, në mënyrë që kur të thuash se po shkon në kinema me Bledin, babi të mos ketë arsye për të ulëritur nga dhoma tjetër: ‘Me Bledin? Bledi kush?’»
«Do t’i jepet edhe më»
Eltoni buzëqesh kur flet për vëllain e tij më të vogël, Rolandin. «Kemi vetëm 11 muaj diferencë,—thotë ai,—megjithatë prindërit na trajtonin shumë ndryshe. Mua më jepnin shumë liri. Më linin të përdorja makinën. Një vit madje më lejuan të merrja me vete një vëlla më të ri se unë për një udhëtim në Nju Jork.
Kurse me Rolandin ndryshonte puna,—vazhdon Eltoni.—Nuk i jepej asnjëherë shumë liri. Madje kur i erdhi mosha, babi as nuk e mori mundimin ta mësonte të ngiste makinën. Dhe kur mendonte se ishte mjaft i rritur për të filluar të shoqërohej me vajza, prindërit nuk e lejonin.»
Mbajtje me hatër? Jo. Eltoni shpjegon: «Rolandi kishte prirje të ishte i papërgjegjshëm. I mungonte iniciativa. Shpesh, i linte pa kryer detyrat që i caktoheshin. Unë kurrë nuk ua ktheja prindërve, kurse Rolandi pa iu bërë vonë thoshte se nuk ishte dakort. Kjo gjë po atij i binte përsëri në kurriz.» Në Mateun 25:29 Jezui tha: «Atij që ka do t’i jepet edhe më e do të ketë me bollëk të madh, por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.»
A dëshiron të kesh më shumë liri dhe përgjegjësi? Atëherë tregohu i denjë për besim! Merre seriozisht çdo detyrë që të caktojnë prindërit! Mos i përngjaj të riut në një nga shëmbëlltyrat e Jezuit! I ati i tha djalit: «Bir, shko sot të punosh në vreshtin tim.» Djali tha: «‘Po, imzot, do ta bëj’, por nuk shkoi.» (Mateu 21:28, 29) Bindi prindërit se nëse të kërkojnë të bësh diçka, sado e vogël që të jetë, është njëlloj sikur u tha, u bë.
«U tregova prindërve se isha i aftë të plotësoja përgjegjësitë,—kujton Eltoni.—Ata më dërgonin në bankë, më linin të paguaja faturat e shërbimit komunal, të shkoja në supermerkatë e të bëja pazarin. Kur mamasë i duhej të punonte, unë përgatisja madje edhe për të ngrënë.»
Merr iniciativën
Po sikur prindërit mos të të besojnë detyra të tilla? Merr iniciativa të ndryshme! Revista Seventeen sugjeronte: «Tregohu i gatshëm të gatuash një drekë për familjen dhe thuaju prindërve se dëshiron të bësh vetë gjithçka: menunë, llogaritjen e shpenzimeve, listën e gjërave që duhen blerë, pazarin, gatimin dhe pastrimin.» Po qe se gatimi nuk është pika jote e fortë, hidh sytë përqark e shiko ç’gjë tjetër mund të bësh! Nuk ke pse pret urdhër nga prindërit që të luash vendit kur janë pjatat për t’u larë, dyshemeja për t’u pastruar dhe dhomat për t’u rregulluar.
Shumë të rinj bëjnë punë gjysmëditore gjatë verës apo fundjavëve. Nëse është kështu edhe në rastin tënd, a ke treguar se je i aftë të kursesh dhe të administrosh të ardhurat e tua? A je treguar i gatshëm të kontribuosh për qiranë dhe për ushqimin? (Mund të mbetesh gojëhapur po të pyesësh se sa kushton një dhomë me qira në zonën tënde.) Duke bërë kështu mund të kesh më pak para në xhep, por prindërit do të jenë të prirur të të japin më shumë liri tek shohin se tregohesh i matur në përdorimin e parasë.
Më shumë fushë të lirë veprimi
Prindërit duhet të jenë miqtë tanë të besuar, një burim i pashtershëm këshillash. (Krahaso Jereminë 3:4.) Megjithatë, kjo nuk do të thotë se duhet të nxitosh tek ata për çdo vendim të parëndësishëm. Vetëm duke përdorur «aftësitë e tua shquese», fiton besim në aftësinë tënde për të marrë vendime.—Hebrenjve 5:14, BR.
Prandaj, në vend që të nxitosh tek prindërit që në shenjën e parë të shqetësimit më të vogël, përpiqu më parë t’i japësh zgjidhje problemit në mendjen tënde. Në vend që të tregohesh «tepër i nxituar» ose impulsiv lidhur me çështjet, ndiq këshillën e Biblës për «të shqyrtuar njohurinë» më parë. (Isaia 32:4, BR) Bëj disa kërkime, veçanërisht nëse hyjnë në lojë parimet biblike. Pasi t’i kesh vlerësuar çështjet me qetësi, atëherë shko tek prindërit. Shpjego situatën dhe mos thuaj gjithmonë: «Babi, ç’duhet të bëj?» «Mami çfarë do të kishe bërë ti?» Tregoju se si ke arsyetuar mbi situatën dhe më pas kërko mendimin e tyre.
Prindërit tani shohin se ti nuk flet më si një kalama, por si i rritur. Ke bërë një hap të madh përpara, duke treguar se po bëhesh një i rritur që meriton deri diku liri. Prindërit patjetër mund të fillojnë të të trajtojnë si një të rritur.
Pyetje për t’u trajtuar
◻ Përse prindërit shpesh shqetësohen shumë për të mbrojtur fëmijët e tyre dhe për të ditur se ku ndodhen?
◻ Përse është e rëndësishme t’i trajtosh prindërit me respekt?
◻ Cila është mënyra më e mirë për të zgjidhur keqkuptimet me prindërit?
◻ Si mund t’i zbatosh normat dhe rregullat e prindërve e megjithatë të kesh njëfarë lirie?
◻ Në cilat mënyra mund t’u tregosh prindërve se je i përgjegjshëm?
[Diçitura në faqen 29]
«Babi do të dijë gjithmonë se ku jam dhe kur do të kthehem. . . . A duhet patjetër të dinë gjithçka?»
[Figura në faqen 27]
A të duket sikur prindërit të kanë mbyllur në një kafaz?
[Figura në faqen 30]
Mbaj qetësinë kur të ndodhin keqkuptime dhe do të fitosh respekt
-
-
Përse mami dhe babi u ndanë?Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike
-
-
Kapitulli 4
Përse mami dhe babi u ndanë?
«Më kujtohet kur babi na la. Në fakt, nuk e kuptonim se ç’po ndodhte. Mami ishte e detyruar të punonte dhe na linte gjithmonë vetëm. Nganjëherë, ne uleshim përballë dritares të tmerruar nga mendimi se edhe ajo do të na linte. . . . »—Një vajzë me prindër të divorcuar.
DIVORCI i prindërve mund të duket si fundi i botës, një katastrofë që shkakton mjaft vuajtje të pashlyeshme. Shpesh, ngjall një varg ndjenjash turpi, zemërimi, ankthi, frike se mos të braktisin, faji, dëshpërimi dhe një ndjenjë të thellë boshllëku dhe madje një dëshirë për t’u hakmarrë.
Nëse prindërit e tu janë divorcuar nga pak kohë, ndoshta edhe ti përjeton ndjenja të tilla. Në fund të fundit, Krijuesi ynë kishte si qëllim që të rriteshe nga të dy prindërit, nga babi dhe mami. (Efesianëve 6:1-3) Megjithatë, tani të mungon prania e përditshme e njërit nga prindërit që do. «E respektoja me të vërtetë babin dhe doja të isha me të,—ankohet Gerti, prindërit e të cilit u divorcuan kur ai ishte shtatë vjeç.—Por ne na mori në kujdes mami.»
Përse u ndanë?
Shpeshherë, prindërit i fshehin mirë problemet e tyre. «Nuk më kujtohet t’i kem parë të grinden,—thotë Lira, prindërit e së cilës u divorcuan kur ajo ishte akoma fëmijë.—Mendoja se shkonin mirë.» Edhe kur prindërit hahen e grihen, faktikisht prapë tronditesh kur ndahen.
Në të shumtën e rasteve, ndarja ndodh, sepse njëri nga prindërit është fajtor për imoralitet seksual. Perëndia i lejon bashkëshortit të pafajshëm të divorcohet. (Mateu 19:9) Në raste të tjera, ‘zemërimi, e bërtitura dhe e folura sharëse’ kanë shpërthyer në dhunë, duke i ngjallur frikë njërit prind për mirëqenien e tij apo të saj fizike dhe atë të fëmijëve.—Efesianëve 4:31, BR.
Duhet pranuar se disa divorce bëhen për arsye të kota. Në vend se t’i zgjidhin problemet e tyre, disa me egoizëm divorcohen, duke pohuar se «nuk janë të lumtur» ose «nuk janë më të dashuruar». Kjo gjë nuk i pëlqen Perëndisë, i cili «e urren divorcin». (Malakia 2:16) Jezui, gjithashtu, tregoi se disa do t’i thyenin lidhjet e tyre martesore, për faktin se bashkëshortët e tyre do të bëheshin të krishterë.—Mateu 10:34-36.
Sidoqoftë, fakti që prindërit mund të kenë vendosur të heshtin ose t’u japin përgjigje të turbullta pyetjeve të tua në lidhje me divorcin, nuk do të thotë se nuk të duan.a Të zhytur në dhimbjen e tyre, prindërit thjesht mund ta kenë të vështirë të flasin për divorcin. (Proverbat 24:10) Mund ta kenë të vështirë dhe madje vihen në siklet të pranojnë gabimet e njëri-tjetrit.
Çfarë mund të bësh?
Mundohu të kuptosh se kur është momenti i përshtatshëm për të folur me qetësi me prindërit për gjërat që të shqetësojnë. (Proverbat 25:11) Lëru të kuptojnë se sa të ka hidhëruar dhe hutuar divorci i tyre. Ndoshta do të të japin një shpjegim të kënaqshëm. Nëse jo, mos u dëshpëro! A nuk u fshehu Jezui disa gjëra dishepujve të tij, sepse mendonte se nuk ishin gati për t’i kuptuar? (Gjoni 16:12) Gjithashtu, a nuk kanë të drejtë prindërit të kenë jetën e tyre private?
Në fund të fundit, mundohu të kuptosh se divorci, cilado qoftë arsyeja, është një grindje mes tyre me njëri-tjetrin dhe jo me ty. Në studimin e tyre të 60 familjeve të divorcuara, Uallerstain dhe Kelli zbuluan se çiftet ia hidhnin fajin për divorcin njëri-tjetrit, punëdhënësve, anëtarëve të familjes dhe miqve. Megjithatë, studiueset thanë: «Është mjaft interesant fakti se asnjëri nuk fajësonte fëmijët.» Ndjenjat e prindërve ndaj teje nuk kanë ndryshuar.
Koha shëron plagët
Ka «një kohë për të shëruar». (Eklisiastiu 3:3) Ashtu si një plagë fizike, një kockë e thyer, për shembull, do javë dhe muaj për t’u shëruar plotësisht, edhe plagët emocionale duan kohë për t’u shëruar.
Studiueset e divorceve Uallerstain dhe Kelli zbuluan se brenda pak vitesh pas divorcit, «frika e çdo lloji, hidhërimi, ndjenja e mosbesimit . . . venitet ose shuhet fare». Disa ekspertë janë të mendimit se periudha më e vështirë e një divorci, përballohet brenda tre vjetësh. Mund të duket një kohë e gjatë, por duhet të ndodhin shumë gjëra para se jeta jote të stabilizohet.
Para së gjithash, duhet riorganizuar rutina familjare e çrregulluar nga divorci. Gjithashtu, do të duhet kohë para se prindërit të marrin veten përsëri emocionalisht. Vetëm atëherë ata më në fund do të mund të të japin mbështetjen që të nevojitet. Pak nga pak që jeta fiton njëfarë rregullsie, do të fillosh të ndihesh përsëri normal.
Megjithatë, Solomoni bëri këtë paralajmërim: «Mos thuaj: ‘Si është e mundur që ditët e kaluara ishin më të mira nga këto?’, sepse nuk është urtësi të bësh një pyetje të tillë.» (Eklisiastiu 7:10) Përqendrimi i vëmendjes në të kaluarën mund ta errësojë të tashmen. Si dukej situata jote familjare para divorcit? «Kishte gjithmonë grindje pa fund, të bërtitura dhe sharje»,—pranon Arjana. Mos ndoshta tani ti gëzon paqe familjare?
«Mund t’i bashkoj përsëri»
Disa të rinj ëndërrojnë t’i bashkojnë prapë prindërit e tyre, ndoshta duke u kapur pas iluzioneve të tilla edhe pasi prindërit janë martuar secili për hesap të vet.
Por, të mohosh divorcin është e kotë. Të gjithë lotët, përgjërimet dhe planet e botës, ka mundësi të mos i kthejnë përsëri bashkë prindërit e tu. Prandaj, përse të torturohesh duke parë ëndrra me sy hapur për diçka të pamundur? (Proverbat 13:12) Solomoni ka thënë se ka «një kohë për ta quajtur si të humbur». (Eklisiastiu 3:6, BR) Prandaj, prano realitetin dhe natyrën përfundimtare të divorcit. Ky është një hap i madh drejt shërimit.
Pajtohu me prindërit e tu!
Pasi të kanë çrregulluar jetën, me të drejtë mund të jesh i zemëruar me prindërit e tu. Një djalë tha i hidhëruar: «Prindërit e mi ishin egoistë. Nuk menduan aspak për ne dhe se si do të ndikonte mbi ne ajo që bënë. Bënë siç u pëlqeu, pa e vrarë shumë mendjen.» Ndoshta është kështu. Por, a mund të vazhdosh përpara me një barrë zemërimi dhe hidhërimi, pa dëmtuar veten?
Bibla këshillon: «Çdo hidhërim i lig dhe inat dhe zemërim . . . le të hiqet prej jush . . . Por bëhuni të sjellshëm me njëri-tjetrin, butësisht të dhembshur dhe falni njëri-tjetrin lirisht.» (Efesianëve 4:31, 32, BR) Si mund ta falësh dikë që të ka plagosur thellë? Përpiqu t’i shohësh prindërit me objektivitet, si njerëz të papërsosur dhe të gabueshëm. Po, edhe prindërit ‘mëkatojnë dhe privohen nga lavdia e Perëndisë’. (Romakëve 3:23) Po të kuptosh këtë, do ta kesh më të lehtë të pajtohesh me prindërit e tu.
Shpreh atë që ndien
«Në fakt, kurrë nuk e kam zënë me gojë se si ndihesha në lidhje me divorcin e prindërve»,—tha një burrë i ri gjatë intervistës. Megjithëse në fillim dukej i pandjeshëm, emocionet u rritën dhe madje shpërtheu në lotë, kur fliste për divorcin e prindërve. Ndjenjat e fshehura nga shumë kohë, ishin zbuluar. I habitur nga kjo, ai pranoi: «Më bëri mirë që fola.»
Ngjashëm, edhe ti mund të jesh i mendimit se është më mirë t’i besosh dikujt, sesa të izolohesh. Tregoju prindërve për çfarë ke frikë dhe çfarë të shqetëson. (Krahaso Proverbat 23:26.) Gjithashtu, mund të të ndihmojnë edhe të krishterët e pjekur. Koli, për shembull, mori pak ose më mirë aspak mbështetje nga familja e vet e copëtuar nga divorci. Megjithatë, ai gjeti mbështetje diku tjetër. «Kongregacioni i krishterë u bë familja ime»,—thotë Koli.
Para së gjithash, mund të gjesh një vesh që të dëgjon pranë Atit tënd qiellor, «Dëgjues i lutjes». (Psalmi 65:2, BR) Një i ri me emrin Gerti kujton se çfarë e ndihmoi të përballonte divorcin e prindërve. «Lutesha gjithë kohën dhe e mendoja gjithmonë Jehovain si person të vërtetë.»
Vazhdo përpara!
Pas një divorci, gjërat ndoshta kurrë nuk do të kthehen si më parë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk mund të kesh një jetë të frytshme dhe të lumtur. Bibla këshillon: «Mos jini të përtuar në punët tuaja.» (Romakëve 12:11, BR) Mos e lësho veten në hidhërim, grindje dhe zemërim, e kështu të qëndrosh në vend, por vazhdo përpara! Kushtoju detyrave shkollore! Gjej diçka për t’u zbavitur! Gjej «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë»!—1. Korintasve 15:58, BR.
Kjo gjë kërkon punë, vendosmëri dhe kohë. Por në fund, thyerja e martesës së prindërve të tu, nuk do të jetë më gjëja mbizotëruese në jetën tënde.
[Shënimi]
a Studiueset Xhudith Uallerstain dhe Xhoan Kelli kanë zbuluar se «katër të pestat e fëmijëve më të vegjël [me prindër të divorcuar] që u studiuan, nuk kishin marrë asnjë shpjegim të përshtatshëm dhe as sigurinë se dikush do të vazhdonte të kujdesej për ta. Në fakt, në një mëngjes të bukur kur janë zgjuar, njëri nga prindërit kishte ikur».
Pyetje për t’u trajtuar
◻ Cilat janë disa nga arsyet për të cilat prindërit ndahen?
◻ Përse mund të jetë e vështirë për prindërit të flasin mbi këtë? Çfarë mund të bësh nëse shfaqin mungesë dëshire për të folur?
◻ Përse është e kotë ta përqendrosh vëmendjen tek e kaluara dhe të fantazosh për t’i bashkuar përsëri prindërit?
◻ Ç’gjëra pozitive mund të bësh që të mund të përballosh divorcin e prindërve?
◻ Çfarë mund të bësh nëse je i zemëruar me prindërit?
[Kutia në faqet 36, 37]
«A do ta shkatërrojë divorci i tyre jetën time?»
Në vragën e divorcit të prindërve të tyre, disa të rinj shkatërrojnë praktikisht jetën e tyre. Disa vendosin pa u menduar gjatë, për shembull, të lënë shkollën. Të tjerët e shfrejnë dufin e zhgënjimit dhe zemërimit duke u sjellë keq, sikur t’i ndëshkonin kështu prindërit e tyre për divorcin. Denisi kujton: «Pas divorcit të prindërve isha i dëshpëruar dhe aspak i lumtur. Fillova të kisha probleme në shkollë dhe një vit mbeta në klasë. Pas kësaj . . . u bëra palaçoja i klasës dhe gjithmonë kacafytesha me të tjerët.»
Sjellja e turpshme mund ta tërheqë shumë lehtë vëmendjen e prindërve. Por, çfarë fiton, përveçse i shton stres një situate tashmë të tensionuar? Në fakt, i vetmi që ndëshkohet për gabimin, është ai që gabon. (Galatasve 6:7) Mundohu të kuptosh se edhe prindërit po vuajnë dhe megjithëse duket se të lënë pas dore, nuk do të thotë që e bëjnë kastile. Nëna e Denisit pranoi: «Me siguri i kam lënë pas dore fëmijët. Me të vërtetë nuk mund t’i ndihmoja, pasi pas divorcit isha lëmsh për vete.»
Në Hebrenjve 12:13, Bibla këshillon: «Bëni shtigje të drejta për këmbët tuaja, që ajo e cila çalon të mos ndrydhet.» Edhe kur mungon disiplina prindërore, sjellja e keqe nuk justifikohet. (Jakovit 4:17) Merr përgjegjësinë për veprimet e tua dhe ushtro vetëdisiplinë.—1. Korintasve 9:27.
Shmang, gjithashtu, marrjen e vendimeve të pamenduara, për shembull për të ikur nga shtëpia. «Njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.» (Proverbat 14:15) Nëse prindërit për momentin duken tepër të shpërqendruar për të ta vënë veshin, përse të mos flasësh me një shok më të madh se veten për vendimet që ke marrë?
Ndërkohë, ndoshta je i shqetësuar për të ardhmen tënde. Duke qenë se prindërit kanë dështuar në martesë, është e kuptueshme se mund të shqetësohesh për perspektivën tënde për një martesë të lumtur e të suksesshme. Shyqyr që palumturia martesore nuk është diçka që trashëgohet nga prindërit, si për shembull qukat. Ti je një person më vete dhe mënyra se si do të ecë martesa jote e ardhshme nuk varet nga gabimet e prindërve, por nga masa në të cilën ti dhe bashkëshorti yt do ta zbatoni Fjalën e Perëndisë.
Ndoshta shqetësohesh edhe për gjëra që më parë për ty ishin normale, si ushqimi, veshja, strehimi dhe paratë. Megjithatë, pas divorcit prindërit zakonisht gjejnë disa mënyra për t’i mbajtur fëmijët e tyre, edhe nëse kjo do ta detyrojë nënën të punojë. Sidoqoftë, libri Të mbijetosh ndarjen (Surviving the Breakup) jep këtë paralajmërim realist: «Ajo që më parë mbante një familje të bashkuar, duhet të shërbejë tani për të mbajtur dy familje, gjë që detyrimisht sjell një rënie në standartin e jetesës për çdo anëtar të familjes.»
Prandaj, mund të ndodhë që të të duhet të bësh edhe pa disa gjëra që më parë i kishe, si për shembull rrobat e reja. Megjithatë, Bibla na kujton: «Ne nuk kemi sjellë asgjë me vete në këtë botë dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim asgjë me vete; por kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq.» (1. Timoteut 6:7, 8) Ndoshta mund të ndihmosh edhe në formimin e një buxheti të ri familjar. Mos harro, gjithashtu, se Jehovai është «një atë për fëmijët pa baba». (Psalmi 68:5, BR) Mund të jesh i sigurt se ai kujdeset shumë për nevojat e tua.
Jeremia vërejti: «Gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën në rininë e tij.» (Vajtimet 3:27) Vërtet, nuk është ndonjë «gjë e mirë» t’i shohësh prindërit të ndarë. Megjithatë, mund të nxjerrësh dobi edhe nga kjo përvojë negative.
Studiuesja Xhudith Uallerstain vërejti: «Është e habitshme dhe shpeshherë prekëse rritja emocionale dhe intelektuale [tek fëmijët me prindër të divorcuar], gjë që është përshpejtuar nga kriza familjare. Të rinjtë . . . i shqyrtojnë me seriozitet përvojat e prindërve të tyre dhe nxjerrin përfundime të menduara mirë për vetë të ardhmen e tyre. Shqetësohen të gjejnë mënyra për të shmangur gabimet e bëra nga prindërit.»
Pa dyshim që divorci i prindërve të tu do të lërë gjurmën e vet në jetën tënde. Por, nëse ajo gjurmë do të mbetet një njollë që hiqet apo një plagë e hapur, varet në një masë të madhe nga ti.
[Figura në faqen 35]
Të përjetosh thyerjen e martesës së prindërve të tu, mund të jetë një nga gjërat më të dhimbshme që mund të imagjinohen
[Figura në faqen 38]
Të mendosh vazhdimisht të kaluarën, s’bën gjë tjetër veç dëshpërohesh
-
-
Ç’të bëj kur njëri nga prindërit martohet përsëri?Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike
-
-
Kapitulli 5
Ç’të bëj kur njëri nga prindërit martohet përsëri?
«Dita kur babi u martua me Ritën, ishte dita më e zymtë e jetës sime,—kujton Shein.—Isha i inatosur. I inatosur me babin që kishte tradhtuar mamin. I inatosur me mamin që kishte vendosur të ndiqte studimet për drejtësi dhe na kishte lënë vetëm. I inatosur me dy mistrecat, fëmijët e Ritës, të cilët do të jetonin në shtëpi me ne . . . Por më shumë ia kisha inatin Ritës . . . E urreja. Dhe meqë besoja se të urresh nuk është e drejtë, isha i inatosur edhe me veten.»—Stepfamilies—New Patterns in Harmony, nga Linda Kraven.
MARTESA e dytë e një prindi ia shkatërron shpresën fëmijës që një ditë ata të bashkohen përsëri. Ndoshta të bën të ndihesh i pasigurt, i tradhtuar dhe xheloz.
Martesa e dytë mund të jetë veçanërisht e dhimbshme, nëse bëhet pak pas vdekjes së njërit nga prindërit e dashur. «Vdekja e mamit më hidhëroi shumë,—thotë Mira 16 vjeçare.—Më dukej sikur e fejuara e babit po zinte vendin e mamit, prandaj sillesha shumë keq me të.» Për besnikëri ndaj prindërve të vërtetë, mund të ndihesh edhe fajtor, nëse fillon të kesh dashuri për njerkun ose njerkën.
Prandaj, nuk është për t’u habitur që shumë të rinj e shfrejnë dhimbjen e tyre emocionale në mënyra të dëmshme. Disa madje bëjnë plane ta prishin martesën e re të prindit. Por mos harro se prindi yt i vërtetë dhe njerku apo njerka janë betuar para Perëndisë. «Prandaj, atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë.» (Mateu 19:6) Edhe sikur të arrije t’i ndaje ata, kjo nuk do t’i bashkonte përsëri prindërit e tu.
Gjithashtu, nuk ka kuptim të shkosh gjithmonë si macja me miun me njerkun apo me njerkën. Proverbat 11:29 paralajmëron «ai që bën rrëmujë në shtëpinë e vet do të trashëgojë erën», d.m.th., del fare pa gjë. Inati i Gertës 15-vjeçare për njerkën e saj, më në fund përfundoi në një kacafytje të hidhur me fjalë. E çfarë fitoi? Njerka e detyroi të atin e saj të zgjidhte mes saj dhe së bijës. Përfundimisht, Gertës iu desh të kthehej të jetonte me nënën e vërtetë, e cila ishte martuar me një tjetër.
Dashuria të ndihmon të përballosh situatën
Ku qëndron sekreti për të përballuar me sukses martesën e dytë të një prindi? Te shfaqja e dashurisë së bazuar në parime, siç përshkruhet në përkthimin Bota e Re në 1. Korintasve 13:4-8:
Dashuria «nuk kërkon interesin e vet». Kjo do të thotë ‘të mos kërkojmë interesin tonë, por atë të tjetrit’. (1. Korintasve 10:24) Nëse një prind ka vendosur se ai apo ajo ka përsëri nevojë për shoqërinë e një bashkëshorti, a duhet të zemërohesh për këtë?
«Dashuria nuk është xheloze.» Shpesh, të rinjtë nuk duan ta ndajnë dashurinë e prindërve të tyre të vërtetë me dikë tjetër. Sidoqoftë, nuk ke pse frikësohesh se dashuria e prindit për ty shteron, sepse dashuria mund të zgjerohet. (Krahaso 2. Korintasve 6:11-13.) Prindi yt i vërtetë mund ta zgjerojë dashurinë e tij apo të saj, duke përfshirë edhe një bashkëshort, pa e humbur dashurinë e përzemërt që ka për ty. Po ti, a do t’i bësh vend në zemrën tënde një njerku apo njerke? Nuk është e thënë se të bësh kështu, nuk je treguar besnik ndaj prindit të humbur.
Dashuria «nuk sillet në mënyrë të pahijshme». Duke jetuar me vëllezër e motra të rinj e të seksit të kundërt, mund të krijohen presione morale. Nga raportet del që në 25 për qind të familjeve me fëmijë të gjetur, ndodhin marrëdhënie seksuale të paligjshme mes anëtarëve të familjes.
Danieli, nëna e të cilit u martua përsëri dhe solli në shtëpi katër vajza adoleshente të burrit, thotë: «M’u desh ta stakoja mendjen nga ndjenjat seksuale.» Edhe ti me siguri që dëshiron të tregohesh i kujdesshëm për të shmangur familjaritetin e tepërt, duke u siguruar se as veshja dhe as sjellja nuk provokojnë dëshira seksuale.—Kolosianëve 3:5.
Dashuria «mbulon gjithçka . . . duron gjithçka». Nganjëherë, duket se asgjë nuk mund t’i largojë ndjenjat e tua të dhimbshme. Mirela thotë: «Më dukej sikur nuk kishte më vend për mua në shtëpi. Bile i thashë edhe mamit se do të doja më mirë të mos kisha lindur.» Mirela nuk u bind dhe madje ia mbathi nga shtëpia. Megjithatë, tani ajo thotë: «Gjëja më e mirë është të durosh.» Nëse duron edhe ti, me kalimin e kohës do të shuhet edhe hidhërimi, hutimi dhe dhimbja që të mundonin në fillim.
«Ti nuk je mami (babi) im i vërtetë!»
Të disiplinohesh nga një prind i ri nuk është e lehtë dhe kur njerku apo njerka të kërkon të bësh diçka, mund të tundohesh të thuash rrëmbimthi: «Ti nuk je mami (babi) im i vërtetë!» Por, sill pak në mend parimin e përshkruar në 1. Korintasve 14:20: «Rrituni në mënyrën tuaj të të arsyetuarit.»—BR.
Të pranosh autoritetin e njerkut apo njerkës për të të disiplinuar, është një mënyrë për të treguar se je ‘rritur në mënyrën tënde të të arsyetuarit’. Ai apo ajo plotëson detyrat e prindit të vërtetë dhe meriton respekt nga ana jote. (Proverbat 1:8; Efesianëve 6:1-4) Në kohët biblike, pas vdekjes së prindërve, Estera u rrit nga një baba i adoptuar, ose «kujdestar». Mardokeo, edhe pse nuk ishte ati i saj i vërtetë,‘i jepte urdhra’, të cilëve ajo u bindej sikur të ishte e rritur! (Estera 2:7, 15, 17, 20, BR) Vërtet, zakonisht disiplina e njerkut apo e njerkës është një shprehje e dashurisë dhe e kujdesit të tij apo të saj për ty.—Proverbat 13:24.
Megjithatë, do të ndodhë që me të drejtë të mbetesh ndonjëherë i pakënaqur. Nëse ndodh kështu, tregohu si ‘i rritur’, duke vepruar sipas nxitjes së Kolosianëve 3:13: «Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni njëri-tjetrin lirisht, nëse njëri ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri.»—BR.
Mëso të ndash, mëso të bësh lëshime
Kur Xheni 15-vjeçare jetonte vetëm me të ëmën, ajo kishte dhomën e vet dhe veshje shumë të shtrenjta. Më pas, e ëma u martua përsëri. Xheni u gjend në një familje me katër fëmijë dhe gjërat ndryshuan. «Tani nuk kam më as dhomën time,—psherëtin ajo.—Më duhet që çdo gjë ta ndaj.»
Gjithashtu, mund të të duhet të heqësh dorë nga pozita jote si më i madhi apo fëmija i vetëm. Nëse je djalë, mund të kesh shërbyer për një kohë të gjatë si burri i shtëpisë, një pozitë që tani zihet nga njerku. Nëse je vajzë, ndoshta ti dhe mami keni qenë si motra dhe flinit në një dhomë, por tani vendin ta ka zënë njerku.
«Arsyetueshmëria juaj le të njihet nga të gjithë»,—këshillon Bibla. (Filipianëve 4:5, BR) Fjala origjinale e përdorur këtu do të thotë «i epshëm» dhe përçon frymën e dikujt që nuk ngul këmbë si mushka për të gjitha të drejtat ligjore të tij. Prandaj, përpiqu të hapësh rrugë, të bësh lëshime. Nxirr më të mirën nga situata jote e re dhe mos bluaj në mendje të kaluarën. (Eklisiastiu 7:10) Tregohu i gatshëm të ndash gjithçka me fëmijët e njerkut apo njerkës dhe mos i trajto si të huaj. (1. Timoteut 6:18) Sa më shpejt që të filloni ta trajtoni njëri-tjetrin si motra e vëllezër të vërtetë, aq më shpejt do të rriten ndjenjat për njëri-tjetrin. Dhe për sa i përket burrit të ri të shtëpisë, mos e merr inat. Të jesh i kënaqur që ai mund të ndihmojë në mbajtjen e barrës së përgjegjësive familjare.
Si të përballosh dallimet
Një vajzë, pasi pranoi se njerku tregonte dashuri, tha: «Por ka një ndryshim. Ai kërkon më shumë nga ne, na disiplinon më shumë dhe na kupton më pak . . . sesa fëmijët e vet në të njëjtën moshë. Pikërisht këtu vret samari.»
Mundohu të kuptosh se njerku apo njerka zakonisht nuk mund të ketë të njëjtat ndjenja kundrejt fëmijëve të bashkëshortit, ashtu si për fëmijët e vet. Nuk është shumë për shkak të lidhjeve të gjakut, sesa për përvojën e jetës që kanë kaluar bashkë. Në fund të fundit, edhe me fëmijët e vet, një prind mund të dojë njërin më shumë se tjetrin. (Zanafilla 37:3) Megjithatë, ka një ndryshim të rëndësishëm ndërmjet barazisë dhe së drejtës. Njerëzit kanë personalitete të veçanta dhe nevoja të ndryshme. Prandaj, mos u përqendro tepër mbi faktin se të trajtojnë në mënyrë të barabartë apo jo, por mundohu të shohësh nëse njerku apo njerka përpiqet për t’i plotësuar nevojat e tua. Nëse je i mendimit se ato nuk të janë plotësuar, atëherë ke shkak të bisedosh mbi çështjen me njerkun apo njerkën.
Mund të ndodhë, gjithashtu, që të grindesh me fëmijët e njerkut apo njerkës. Asnjëherë mos harro se edhe ata mund të jenë në një periudhë të vështirë, duke iu përshtatur situatës së re të familjes. Ndoshta edhe ata të kanë inat se ke hyrë në familjen e tyre. Prandaj, përpiqu sa të jetë e mundur të jesh i sjellshëm me ta. Nëse të rrinë hundëpërpjetë, përpiqu ‘ta mundësh të keqen me të mirën’! (Romakëve 12:21) Përveç kësaj, nuk është e pazakontë që edhe vëllezërit dhe motrat në gjak të përplasen herë pas here.—Shiko kapitullin 6.
Durimi shpërblehet!
«Më mirë fundi i një gjëje se fillimi i saj dhe më mirë ai që ka frymë të durueshme se ai që ka frymë krenare.» (Eklisiastiu 7:8) Normalisht, në familjet ku një prind është martuar përsëri, duhen vite që të zhvillohet një besim i tillë që anëtarët e familjes të ndihen si në shtëpinë e tyre edhe në lidhje me njëri-tjetrin. Vetëm atëherë zakonet dhe vlerat e ndryshme mund të rrjedhin në një rutinë të harmonishme. Prandaj, ki durim! Mos pretendo të të tregohet dashuri që të nesërmen apo që brenda një çasti të shfaqet një familje.
Kur nëna e Tonit u martua përsëri, për të mos thënë më shumë, ai e humbi fare. E ëma kishte katër fëmijë, kurse burri me të cilin ajo u martua kishte tre. «Kacafyteshim, grindeshim, zemëroheshim dhe kishim sforcime të tmerrshme emocionale»,—shkroi Toni. Ç’gjë solli sukses? «Duke zbatuar parimet biblike, gjërat u vunë në vend; jo gjithmonë në çast, por me kalimin e kohës dhe me zbatimin e fryteve të frymës së Perëndisë, situata më në fund qetësohej.»—Galatasve 5:22, 23.
Zbatimi i parimeve biblike në një familje me njerk apo njerkë, me të vërtetë ka sjellë sukses. Këtë e tregojnë edhe përvojat e të rinjve që janë intervistuar më poshtë:
Të rinj të kënaqur në familje me një njerk apo njerkë
Intervistuesi: Si arrije të mos zemëroheshe kur njerku apo njerka të disiplinonte?
Leonardi: Nëna dhe njerku gjithmonë ishin të një mendimi lidhur me disiplinën që duhet të më jepnin. Kur ndodhte diçka, ata të dy vendosnin bashkë, prandaj kur haja ndonjë shpullë, e dija se e kisha prej të dyve.
Linda: Në fillim ishte shumë e vështirë, sepse thosha: «Me ç’të drejtë më flet kështu?» Por më pas më binte në mendje se Bibla thoshte: ‘Nderoje nënën dhe babanë.’ Edhe pse nuk ishte babai im i vërtetë, në sytë e Perëndisë ishte i tillë.
Renato: E dija se do ta lëndoja thellë nënën, po të zemëroja njeriun që ajo donte.
Intervistuesi: Ç’gjë të ka ndihmuar për të pasur një komunikim të mirë?
Leonardi: Duhet të tregosh interes për atë që bën njerku apo njerka. Unë e ndihmoja në punë. Gjatë punës s’bënim gjë tjetër veç flisnim. Kjo gjë më ndihmoi të kuptoja çfarë mendonte. Herë të tjera, uleshim bashkë dhe flisnim për çfarë të na vinte në mendje.
Valentina: Unë dhe njerka kalonim shumë kohë së bashku. Në këtë mënyrë, fillova ta kuptoja me të vërtetë. U bëmë shoqet më të ngushta.
Renato: Babi më vdiq një vit para se mami të martohej përsëri. Nuk më pëlqente të isha i afërt me njerkun, sepse nuk doja që ai të zinte vendin e babit. Lutesha që Perëndia të më ndihmonte të përballoja vdekjen e babit dhe të afrohesha më shumë me njerkun. Lutesha e lutesha dhe Jehovai i dëgjoi me të vërtetë ato lutje.
Intervistuesi: Çfarë ke bërë për të qenë më i afërt?
Valentina: Shpeshherë, i kërkoja njerkës të shkonim në kinema ne të dyja, vetëm për vetëm. Ose kur isha jashtë, i bleja disa lule ose një vazo, diçka për t’i treguar se mendoja për të. Ajo e çmonte shumë këtë.
Eriku: Duhet kërkuar diçka e përbashkët mes të dyja palëve. E vetmja gjë e përbashkët që kisha me njerkun ishte fakti se ishte martuar me mamin dhe jetonim në një shtëpi. Ndihma më e madhe më erdhi kur fillova të kisha të njëjtin interes për Biblën si ai. Sa më shumë që i afrohesha Perëndisë, aq më shumë afrohesha me njerkun. Tani, me të vërtetë kemi diçka të përbashkët.
Intervistuesi: Si ke përfituar personalisht?
Renato: Kur jetoja vetëm me mamin, isha i pabindur dhe i llastuar. O të bëhej siç më pëlqente mua, o s’ka. Tani kam mësuar të kem parasysh të tjerët dhe të mos jem aq egoist.
Leonardi: Njerku më ndihmoi të arsyetoja si burrë. Më stërviti në disa zanate dhe më mësoi të vija duart në punë. Në momente të vështira kur kisha nevojë për dikë, ai më qëndronte pranë. Po, ai është babai më i mirë që dikush mund të ketë pasur ndonjëherë.
Pyetje për t’u trajtuar
◻ Si ndihen shumë të rinj, kur njëri nga prindërit martohet përsëri? Përse?
◻ Në ç’mënyrë shfaqja e dashurisë së krishterë e ndihmon një të ri të përballojë këtë fakt?
◻ A duhet t’i nënshtrohesh disiplinës së njerkut apo njerkës?
◻ Përse është e rëndësishme të bësh lëshime dhe të dish të ndash?
◻ A duhet të pretendosh trajtim të njëjtë me fëmijët e njerkut apo njerkës? Ç’mund të themi nëse mendon se trajtohesh padrejtësisht?
◻ Çfarë mund të bësh që të shkosh më mirë me njerkun apo me njerkën?
[Diçitura në faqen 45]
«Më dukej sikur e fejuara e babit po zinte vendin e mamit, prandaj sillesha shumë keq me të.»
[Figura në faqen 43]
Kur një prind martohet përsëri, shpesh ngjallen ndjenja zemërimi, pasigurie dhe xhelozie
[Figura në faqen 46]
Shpesh të mbetet qejfi kur njerku apo njerka të disiplinon
-