-
Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?Çfarë mëson vërtet Bibla?
-
-
KAPITULLI I TRETË
Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?
Cili është qëllimi i Perëndisë për njerëzimin?
Çfarë akuze iu bë Perëndisë?
Si do të jetë në të ardhmen jeta në tokë?
1. Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?
QËLLIMI që ka Perëndia për tokën është vërtet i mrekullueshëm. Jehovai dëshiron që toka të mbushet me njerëz të lumtur e me shëndet të mirë. Bibla thotë se ‘Perëndia mbolli një kopsht në Eden’ dhe «bëri të mbinte . . . çdo pemë që ishte e dëshirueshme për sytë e njeriut dhe e mirë për ushqim». Pasi krijoi burrin dhe gruan e parë, Adamin dhe Evën, Perëndia i vendosi në këtë shtëpi të mrekullueshme dhe u tha: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni.» (Zanafilla 1:28; 2:8, 9, 15) Pra, qëllimi i Perëndisë ishte që njerëzit të kishin fëmijë, të zgjeronin kufijtë e atij kopshti që ishte një parajsë, derisa e gjithë toka të bëhej e tillë, dhe të kujdeseshin për kafshët.
2. (a) Si e dimë se qëllimi i Perëndisë për tokën do të plotësohet? (b) Cilët njerëz do të jetojnë përgjithmonë, sipas asaj që thotë Bibla?
2 A mendon se do të vijë dita kur të përmbushet qëllimi i Perëndisë Jehova që njerëzit të jetojnë në një parajsë tokësore? Perëndia deklaron: «Unë e kam thënë . . . dhe unë do ta realizoj.» (Isaia 46:9-11; 55:11) Po, Perëndia do ta plotësojë se s’bën atë që ia vë vetes si qëllim! Ai thotë se «nuk e krijoi [tokën] më kot, por e formoi që të banohej». (Isaia 45:18) Ç’lloj njerëzish donte Perëndia që të jetonin në tokë? E për sa kohë donte që të jetonin aty? Bibla përgjigjet: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:29; Zbulesa 21:3, 4.
3. Çfarë kushtesh të mjerueshme ka sot në tokë? Çfarë pyetjesh lindin nga kjo?
3 Natyrisht, kjo ende s’ka ndodhur. Sot për sot, njerëzit sëmuren dhe vdesin. Jo vetëm kaq, por edhe luftojnë e vrasin njëri-tjetrin. Diçka nuk shkoi siç duhej. Por, një gjë është e sigurt: Perëndia nuk kishte si qëllim që toka të ishte siç është sot! Çfarë ndodhi? Pse nuk është përmbushur qëllimi i Perëndisë? Asnjë libër historie i shkruar nga njerëzit s’mund të na thotë çfarë ndodhi, sepse problemet filluan në qiell.
ORIGJINA E ARMIKUT
4, 5. (a) Kush i foli në të vërtetë Evës, me anë të një gjarpri? (b) Si mund të bëhet hajdut një njeri që dikur ka qenë i ndershëm dhe i drejtë?
4 Libri i parë i Biblës thotë se në kopshtin e Edenit u shfaq një kundërshtar i Perëndisë. Ky përshkruhet si «gjarpri», por në të vërtetë s’ishte një kafshë. Libri i fundit i Biblës e identifikon si ai «që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar». Quhet edhe «gjarpri i hershëm». (Zanafilla 3:1; Zbulesa 12:9) Ky engjëll, pra një krijesë e padukshme frymore mjaft e fuqishme, përdori një gjarpër për të folur me Evën, siç mund të bëjë sot me mjeshtëri dikush që e përdor zërin e tij për të krijuar idenë sikur po flet një kukull. Kjo krijesë frymore me siguri ishte e pranishme kur Perëndia e përgatiti tokën për t’u banuar nga njerëzit.—Jobi 38:4, 7.
5 Por, meqë gjithçka që ka krijuar Jehovai është e përsosur, atëherë, kush e bëri këtë «Djall», këtë «Satana»? Thjesht, një nga bijtë e fuqishëm frymorë të Perëndisë u kthye vetë në Djall. Si ka mundësi kjo? Po edhe sot, një njeri që dikur ka qenë i drejtë e i ndershëm mund të bëhet hajdut. Si ndodh një gjë e tillë? Ndoshta ky njeri lejon që në zemrën e tij të lindë e të rritet një dëshirë e gabuar. Në qoftë se gjithnjë e mban mendjen atje, kjo dëshirë e gabuar mund të bëhet shumë e fortë. Pastaj, sapo i paraqitet rasti, ai mund ta vërë në jetë dëshirën e gabuar që ka bluar në mendje.—Jakovi 1:13-15.
6. Si ndodhi që një bir i fuqishëm frymor i Perëndisë u bë Satana Djall?
6 Kjo ndodhi edhe në rastin e Satana Djallit. Me sa duket, ai e dëgjoi Perëndinë tek i thoshte Adamit dhe Evës që të kishin fëmijë e ta mbushnin tokën me pasardhës. (Zanafilla 1:27, 28) ‘Po gjithë këta njerëz mund të më adhurojnë mua, jo Perëndinë!’—duhet të ketë menduar me siguri Satanai. Kështu, në zemrën e tij lindi një dëshirë e gabuar. S’kaloi shumë dhe ai veproi, duke e mashtruar Evën me gënjeshtra për Perëndinë. (Zanafilla 3:1-5) Në këtë mënyrë u bë «shpifës», që është kuptimi i fjalës greke të përkthyer «Djall». Në të njëjtën kohë, u bë «kundërshtar», që është kuptimi i fjalës hebraike të përkthyer «Satana».
7. (a) Pse vdiqën Adami dhe Eva? (b) Përse të gjithë pasardhësit e Adamit plaken dhe vdesin?
7 Me anë të gënjeshtrave e mashtrimeve, Satana Djalli i shtyu Adamin dhe Evën që të shkelnin urdhrin e Perëndisë. (Zanafilla 2:17; 3:6) Si pasojë, së fundi këta vdiqën, siç u kishte thënë Perëndia se do të ndodhte, po të mos bindeshin. (Zanafilla 3:17-19) Kur mëkatoi, Adami u bë i papërsosur, prandaj gjithë pasardhësit e tij trashëguan mëkatin. (Romakëve 5:12) Kjo mund të ilustrohet me një tavë që e përdorim për të pjekur bukë. Në qoftë se tava ka një gungë, ç’do të ndodhë me bukët që piqen në të? Çdo bukë do të ketë shenjën e gungës ose shenjën e papërsosmërisë. Po kështu, çdo njeri ka trashëguar një «shenjë» papërsosmërie nga Adami. Ja pse gjithë njerëzit plaken dhe vdesin.—Romakëve 3:23.
8, 9. (a) Çfarë akuze ngriti, me sa duket, Satanai? (b) Pse Perëndia nuk i shfarosi menjëherë rebelët?
8 Kur i shtyu Adamin dhe Evën që të mëkatonin kundër Perëndisë, në të vërtetë, Satanai nisi një rebelim. Ai po sfidonte mënyrën se si qeveriste Jehovai. Me fjalë të tjera, Satanai po thoshte: ‘Perëndia nuk është sundimtar i mirë. Ai thotë gënjeshtra dhe nuk ua jep të gjitha gjërat e mira nënshtetasve të tij. Njerëzit s’kanë nevojë që t’i qeverisë Perëndia. Mund të vendosin vetë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Madje do të jenë më mirë po të jem unë sundimtar.’ Si do të vepronte Perëndia ndaj kësaj akuze shumë ofenduese? Disa mendojnë që Perëndia thjesht duhej t’i kishte shfarosur rebelët. Por, a do t’i kishte dhënë kjo përgjigje akuzës së Satanait? A do të kishte treguar se Perëndia qeveris në mënyrë të drejtë?
9 Për shkak të drejtësisë, që te Jehovai është e përsosur, ai nuk i shfarosi menjëherë rebelët. Vendosi të linte njëfarë kohe, e cila do të duhej për t’i dhënë përgjigje në mënyrë të plotë akuzës së Satanait dhe për të treguar se Djalli është gënjeshtar. Prandaj, Perëndia vendosi t’i lejonte njerëzit që të qeveriseshin vetë për ca kohë, nën ndikimin e Satanait. Arsyeja pse Jehovai veproi kështu dhe pse ka lejuar kaq shumë kohë para se të zgjidhte këto çështje, do të trajtohet në kapitullin e 11-të të këtij libri. Por, tani duhet të mendojmë për një gjë tjetër: A bënë mirë Adami dhe Eva që i besuan Satanait, i cili kurrë nuk kishte bërë ndonjë gjë të mirë për ta? A bënë mirë që besuan se Jehovai, i cili u kishte dhënë gjithçka që zotëronin, ishte një gënjeshtar keqdashës? Ti çfarë do të kishe bërë?
10. Si mund të marrësh anën e Jehovait dhe t’i japësh përgjigje akuzës së Satanait?
10 Është mirë të mendojmë për këto pyetje, sepse secili prej nesh ndeshet me të njëjtat çështje sot. Po, ke mundësinë të tregosh se je në anën e Jehovait, duke i dhënë përgjigje akuzës së Satanait. Mund ta pranosh Jehovain si Sundimtarin tënd dhe të ndihmosh për të treguar se Satanai është gënjeshtar. (Psalmi 73:28; Proverbat 27:11) Mjerisht, ndër miliarda njerëz që jetojnë në botë, vetëm pak veta kanë bërë këtë zgjedhje. Kjo bën të lindë një pyetje e rëndësishme: A mëson vërtet Bibla se këtë botë e sundon Satanai?
KUSH E SUNDON KËTË BOTË?
Si do të mund t’ia ofronte Satanai Jezuit gjithë mbretëritë e botës, po të mos ishin të tijat?
11, 12. (a) Si e zbulon një tundim që iu bë Jezuit, se sundimtari i kësaj bote është Satanai? (b) Cilat janë disa prova të tjera se këtë botë e sundon Satanai?
11 Jezui nuk e vuri asnjëherë në dyshim se sundimtari i kësaj bote është Satanai. Ndoshta me anë të një mrekullie, Satanai i tregoi një herë Jezuit «të gjitha mbretëritë e botës e lavdinë e tyre». Pastaj, Satanai i premtoi: «Të gjitha këto do të t’i jap, nëse bie përmbys dhe më bën një akt adhurimi.» (Mateu 4:8, 9; Luka 4:5, 6) Të ndalemi pak këtu. A do të kishte qenë një tundim për Jezuin kjo ofertë, sikur Satanai të mos ishte sundimtari i këtyre mbretërive? Jezui nuk e mohoi që këto mbretëri ishin të Satanait. Do ta kishte bërë me siguri këtë, po të mos sundonte vërtet Satanai mbi to.
12 Është e qartë se Jehovai është Perëndia i plotfuqishëm, Krijuesi i universit të mrekullueshëm. (Zbulesa 4:11) Por asgjëkundi në Bibël nuk thuhet që Perëndia Jehova të jetë sundimtari i kësaj bote, dhe kjo nuk thuhet as për Jezu Krishtin. Përkundrazi, Jezui e përshkroi në mënyrë specifike Satanain si «sundimtari i kësaj bote». (Gjoni 12:31; 14:30; 16:11) Bibla madje e përshkruan Satana Djallin si ‘perëndinë e kësaj bote’. (2 Korintasve 4:3, 4) Apostulli Gjon shkroi për këtë kundërshtar ose Satana: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.»—1 Gjonit 5:19.
SI DO TË ZHDUKET BOTA E SATANAIT?
13. Pse kemi nevojë për një botë të re?
13 Çdo vit që kalon, bota bëhet një vend gjithnjë e më i rrezikshëm. Është mbushur plot me ushtri që luftojnë me njëra-tjetrën, me politikanë të pandershëm, me udhëheqës fetarë hipokritë e me kriminelë të regjur. E marrë si një e tërë, bota s’rregullohet më. Bibla tregon se po afrohet koha kur Perëndia do ta zhdukë këtë botë të ligë, gjatë luftës së tij të Harmagedonit. Ajo do të zëvendësohet nga një bote e re dhe e drejtë.—Zbulesa 16:14-16.
14. Kë ka zgjedhur Perëndia si Sundimtarin e Mbretërisë së Tij? Si ishte parathënë kjo?
14 Perëndia Jehova zgjodhi Jezu Krishtin që të jetë Sundimtari i Mbretërisë ose i qeverisë së Tij qiellore. Shumë kohë më parë, në Bibël ishte parathënë: «Na ka lindur një fëmijë, na është dhënë një bir dhe mbi supet e tij do të jetë sundimi princëror. Ai do të thirret . . . Princ i paqes. Sundimi i tij i madh princëror dhe paqja nuk do të kenë fund.» (Isaia 9:6, 7) Për këtë qeveri, Jezui i mësoi ithtarët e tij të luten: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:10) Siç do ta shohim në kapitujt e ardhshëm të këtij libri, së shpejti Mbretëria e Perëndisë do të shkatërrojë të gjitha qeveritë e kësaj bote dhe do t’i zëvendësojë ato. (Danieli 2:44) Pastaj, Mbretëria e Perëndisë do të sjellë një parajsë tokësore.
NJË BOTË E RE ËSHTË AFËR!
15. Çfarë është ‘toka e re’?
15 Bibla na siguron: «Sipas premtimit të [Perëndisë], ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.» (2 Pjetrit 3:13; Isaia 65:17) Nganjëherë, kur flet për ‘tokën’, Bibla e ka fjalën për njerëzit që jetojnë në tokë. (Zanafilla 11:1) Pra, ‘toka e re’ e drejtë është një shoqëri njerëzore që ka miratimin e Perëndisë.
16. Çfarë dhurate të mrekullueshme u jep Perëndia atyre që miraton? Çfarë duhet të bëjmë për të marrë këtë dhuratë?
16 Jezui premtoi se në botën e re që po vjen, njerëzit që kanë miratimin e Perëndisë, do të marrin si dhuratë «jetën e përhershme». (Marku 10:30) Hape Biblën, të lutem, te Gjoni 3:16 dhe 17:3, që të lexosh çfarë duhet të bëjmë për të marrë jetën e përhershme, sipas fjalëve të Jezuit. Tani, le të shqyrtojmë nga Bibla çfarë bekimesh do të kenë në Parajsën e ardhshme tokësore, njerëzit që i plotësojnë kërkesat për të marrë këtë dhuratë të mrekullueshme nga Perëndia.
17, 18. Pse mund të jemi të sigurt që kudo në tokë do të ketë paqe e siguri?
17 Nuk do të ketë më ligësi, luftëra, krime e dhunë. «I ligu nuk do të jetë më. . . . Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën.» (Psalmi 37:10, 11) Do të ketë paqe, sepse ‘Perëndia do t’i pushojë luftërat deri në skaj të dheut’. (Psalmi 46:9; Isaia 2:4) Në atë kohë, «i drejti do të lulëzojë, dhe paqja do të jetë pa fund derisa të mos ketë më hënë», domethënë përgjithmonë.—Psalmi 72:7.
18 Adhuruesit e Jehovait do të jetojnë të sigurt. Kur izraelitët e kohëve biblike i bindeshin Perëndisë, jetonin të sigurt. (Levitiku 25:18, 19) Sa e mrekullueshme do të jetë koha kur të jetojmë edhe ne të sigurt në parajsë!—Isaia 32:18; Mikea 4:4.
19. Si e dimë që në botën e re të Perëndisë do të ketë ushqim me bollëk?
19 Nuk do të ketë më mungesa ushqimi. Psalmisti këndoi: «Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.» (Psalmi 72:16) Perëndia Jehova do t’i bekojë njerëzit e drejtë dhe «toka do të japë prodhimin e saj».—Psalmi 67:6.
20. Pse mund të jemi të sigurt se e gjithë toka do të bëhet parajsë?
20 E gjithë toka do të bëhet parajsë. Në tokën që më parë ishte rrënuar nga njerëzit mëkatarë, do të ndërtohen shtëpi të reja e të bukura dhe kopshte të lulëzuara. (Isaia 65:21-24; Zbulesa 11:18) Dalëngadalë, ato pjesë që janë rregulluar do të zgjerohen derisa e gjithë toka të jetë e bukur dhe e frytshme si kopshti i Edenit. Perëndia nuk do të pushojë kurrë ‘së hapuri dorën, që të plotësojë dëshirën e çdo krijese’.—Psalmi 145:16.
21. Si e dimë që do të ketë paqe mes njerëzve dhe kafshëve?
21 Do të ketë paqe mes njerëzve dhe kafshëve. Kafshët e egra dhe ato shtëpiake do të ushqehen bashkë. As fëmija i vogël nuk do të ketë frikë nga kafshët që tani janë të rrezikshme.—Isaia 11:6-9; 65:25.
22. Ç’do të ndodhë me sëmundjet?
22 Sëmundjet do të zhduken. Si Sundimtari i Mbretërisë qiellore të Perëndisë, Jezui do të bëjë shumë më tepër shërime sesa bëri kur ishte në tokë. (Mateu 9:35; Marku 1:40-42; Gjoni 5:5-9) Në atë kohë, «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»—Isaia 33:24; 35:5, 6.
23. Pse ringjallja do të na e gëzojë shumë zemrën?
23 Të vdekurit do të kthehen në jetë dhe do t’u jepet mundësia që të mos vdesin më kurrë. Të gjithë ata që tani janë në gjumin e vdekjes dhe që Perëndia i ka në kujtesë, do të vijnë prapë në jetë. Madje «do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët».—Veprat 24:15; Gjoni 5:28, 29.
24. Çfarë mendon për jetën në parajsën tokësore?
24 Sa e ardhme e bukur i pret ata që mësojnë për Krijuesin tonë të Madh, Perëndinë Jehova, dhe i shërbejnë atij! Jezui po fliste për këtë parajsë të ardhme, kur i premtoi keqbërësit që vdiq përkrah tij: «Do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:43) Është thelbësore të mësojmë më shumë për Jezu Krishtin, nëpërmjet të cilit do të arrihen këto bekime.
-
-
Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?Çfarë mëson vërtet Bibla?
-
-
KAPITULLI I TETË
Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?
Çfarë na thotë Bibla për Mbretërinë e Perëndisë?
Çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë?
Kur do ta përmbushë Mbretëria vullnetin e Perëndisë në tokë?
1. Cila lutje e famshme do të shqyrtohet tani?
MILIONA njerëz në mbarë tokën e njohin lutjen e Zotërisë ose lutjen ‘Ati ynë’, siç e quajnë shumica. Që të dyja këto shprehje kanë të bëjnë me lutjen e famshme që e dha si model vetë Jezu Krishti. Është një lutje shumë domethënëse. Duke shqyrtuar tri kërkesat e para që janë shprehur aty, do të kuptosh më shumë se çfarë mëson vërtet Bibla.
2. Cilat ishin tri nga kërkesat që përmendi Jezui në lutjen model që u mësoi dishepujve?
2 Në fjalët e para të lutjes model, Jezui i udhëzoi dëgjuesit: «Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.’» (Mateu 6:9-13) Ç’kuptim kanë këto tri kërkesa?
3. Çfarë duhet të dimë për Mbretërinë e Perëndisë?
3 Tashmë kemi mësuar shumë rreth emrit Jehova, që është emri i Perëndisë. Kemi folur pak edhe për vullnetin e Perëndisë, pra çfarë ka bërë e çfarë do të bëjë për njerëzimin. Por, për çfarë e kishte fjalën Jezui, kur na tha t’i lutemi Perëndisë: «Ardhtë mbretëria jote.» Çfarë është Mbretëria e Perëndisë? Si do ta shenjtërojë emrin e Perëndisë ardhja e kësaj Mbretërie? E si lidhet ardhja e saj me përmbushjen e vullnetit të Perëndisë?
ÇFARË ËSHTË MBRETËRIA E PERËNDISË?
4. Çfarë është Mbretëria e Perëndisë? Kush është Mbreti i saj?
4 Mbretëria e Perëndisë është një qeveri e themeluar nga vetë Perëndia Jehova, i cili ka caktuar edhe Mbretin e saj. Kush është Mbreti i kësaj Mbretërie? Është Jezu Krishti. Si Mbret, Jezui është shumë më i lartë se gjithë sundimtarët njerëzorë, dhe është quajtur «Mbreti i atyre që mbretërojnë dhe Zotëria i atyre që sundojnë si zotërinj». (1 Timoteut 6:15) Ai ka fuqi të bëjë shumë më tepër gjëra të mira se çdo sundimtar njerëzor, qoftë ky edhe më i miri.
5. Nga ç’vend do të sundojë Mbretëria e Perëndisë? Mbi çfarë do të sundojë?
5 Nga ç’vend do të sundojë Mbretëria e Perëndisë? Për t’u përgjigjur, duhet të kuptojmë së pari ku është Jezui tani. Me siguri të kujtohet kur mësove se, pasi vdiq në shtyllën e torturës, ai u ringjall. Pak kohë më pas, u ngjit në qiell. (Veprat 2:33) Pra, pikërisht aty është Mbretëria e Perëndisë, në qiell. Ja pse Bibla e quan ‘mbretëri qiellore’. (2 Timoteut 4:18) Ndonëse është në qiell, Mbretëria e Perëndisë do të sundojë mbi tokën.—Zbulesa 11:15.
6, 7. Çfarë e bën të jashtëzakonshëm Jezuin si Mbret?
6 Pse Jezui është i jashtëzakonshëm si Mbret? Pikësëpari, sepse nuk do të vdesë kurrë. Duke e krahasuar Jezuin me mbretërit njerëzorë, Bibla e quan «i vetmi që ka pavdekësinë, që banon në dritë të paafrueshme». (1 Timoteut 6:16) Kjo do të thotë se çdo gjë e mirë që do të bëjë Jezui, nuk do të prishet me kalimin e kohës. E ne jemi të sigurt se ai do të bëjë shumë gjëra të mira për njerëzit.
7 Shqyrto këtë profeci biblike për Jezuin: «Tek ai do të prehet fryma e Jehovait, fryma e mençurisë dhe e kuptueshmërisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës nga Jehovai. Frika nga Jehovai do të jetë kënaqësia e tij. Ai nuk do të gjykojë nga ajo që i shohin sytë dhe as do të qortojë vetëm sipas fjalëve që i kanë rënë në vesh. Do t’i gjykojë të përvuajturit me drejtësi dhe do të qortojë me ndershmëri, në mënyrë që zemërbutët e tokës të nxjerrin dobi.» (Isaia 11:2-4) Këto fjalë tregojnë se Jezui do të jetë vërtet një Mbret i drejtë dhe i dhembshur me njerëzit në tokë. A do të doje të kishe një qeveritar të tillë?
8. Cilët do të sundojnë bashkë me Jezuin?
8 Ka edhe një fakt tjetër për sa i përket Mbretërisë së Perëndisë: Jezui nuk do të sundojë i vetëm, por do të ketë edhe bashkësundimtarë. Për shembull, apostulli Pavël i tha Timoteut: «Nëse vazhdojmë të qëndrojmë, edhe do të mbretërojmë bashkë me të.» (2 Timoteut 2:12) Pra, Pavli, Timoteu dhe shërbëtorë të tjerë besnikë që Perëndia i ka zgjedhur, do të sundojnë me Jezuin në Mbretërinë qiellore. Sa veta do ta kenë këtë privilegj?
9. Sa veta do të sundojnë me Jezuin? Kur filloi t’i zgjidhte Perëndia?
9 Siç u tha në kapitullin e shtatë të këtij libri, apostullit Gjon iu dha një vegim, në të cilin pa «Qengjin [Jezu Krishtin] që qëndronte në malin e Sionit [në pozitën e tij mbretërore në qiell], dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë, që kishin të shkruar në ballë emrin e tij dhe emrin e Atit të tij». Cilët janë këta 144.000? Vetë Gjoni na thotë: «Ata vazhdojnë të ndjekin Qengjin, kudo që të shkojë. Janë blerë nga gjiri i njerëzimit si fryte të para për Perëndinë dhe për Qengjin.» (Zbulesa 14:1, 4) Po, janë dishepujt besnikë të Jezu Krishtit, që janë zgjedhur posaçërisht për të sunduar në qiell bashkë me të. Pasi të ringjallen në jetën qiellore, «ata do të mbretërojnë mbi tokën» bashkë me Jezuin. (Zbulesa 5:10) Për të plotësuar numrin 144.000, Perëndia ka filluar të zgjedhë të krishterë besnikë që në ditët e apostujve.
10. Pse është diçka shumë e dashur zgjedhja e Jezuit dhe e 144.000 të tjerëve që të sundojnë mbi njerëzimin?
10 Zgjedhja e Jezuit dhe e 144.000 të tjerëve që të sundojnë mbi njerëzimin, është diçka shumë e dashur nga ana e Perëndisë. Kjo sepse, në radhë të parë, Jezui e di se ç’do të thotë të jesh njeri e të vuash. Pavli tha se Jezui nuk është dikush ‘që nuk bashkohet dot me ndjenjat tona në dobësitë që kemi, por dikush që është sprovuar në çdo aspekt si ne, por pa mëkat’. (Hebrenjve 4:15; 5:8) Edhe ata që do të sundojnë bashkë me të, si njerëz kanë vuajtur e kanë duruar shumë të këqija. Veç kësaj, kanë luftuar me papërsosmërinë dhe kanë përballuar lloj-lloj sëmundjesh. Me siguri që do t’i kuptojnë problemet që hasin njerëzit!
ÇFARË DO TË BËJË MBRETËRIA E PERËNDISË?
11. Pse Jezui u tha dishepujve të luteshin që të bëhej vullneti i Perëndisë në qiell?
11 Kur i këshilloi dishepujt të luteshin për ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë, Jezui tha se duhej të luteshin edhe që të bëhej vullneti i Perëndisë «si në qiell, edhe mbi tokë». Perëndia është në qiell, ku engjëjt besnikë kanë bërë gjithnjë vullnetin e tij. Por, në kapitullin e tretë të këtij libri, mësuam se një engjëll i lig nuk vazhdoi të bënte vullnetin e Perëndisë, e madje shtyu edhe Adamin dhe Evën që të mëkatonin. Në kapitullin e dhjetë, do të shqyrtojmë më tej se çfarë mëson Bibla për këtë engjëll të lig, që quhet Satana Djall. Satanai dhe krijesat e liga engjëllore që vendosën të merrnin anën e tij, pra demonët, u lejuan të qëndronin në qiell për njëfarë kohe. Prandaj, në atë kohë, jo të gjithë ata që ishin në qiell, bënin vullnetin e Perëndisë. Kjo do të ndryshonte kur Mbretëria e Perëndisë të fillonte sundimin. Mbreti që do të vinte në fron, Jezu Krishti, do të luftonte kundër Satanait.—Zbulesa 12:7-9.
12. Cilat janë dy ngjarjet e rëndësishme që përshkruhen te Zbulesa 12:10?
12 Fjalët vijuese profetike tregojnë se çfarë do të ndodhte: «Dëgjova një zë të fortë në qiell që tha: ‘Tani erdhi shpëtimi, fuqia, mbretëria e Perëndisë tonë dhe autoriteti i Krishtit të tij, sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë, i cili i padit ata ditë e natë para Perëndisë tonë!’» (Zbulesa 12:10) A i dallove dy ngjarjet e rëndësishme që përshkruhen në këtë varg biblik? Së pari, Mbretëria e Perëndisë, me Mbret Jezu Krishtin, fillon të sundojë. Së dyti, Satanai flaket nga qielli poshtë në tokë.
13. Cilat kanë qenë pasojat e hedhjes së Satanait nga qielli?
13 Cilat kanë qenë pasojat e këtyre dy ngjarjeve? Për atë që ndodhi në qiell lexojmë: «Prandaj, gëzoni, o qiej, dhe ju që banoni në ta!» (Zbulesa 12:12) Po, engjëjt besnikë gëzojnë, sepse, me largimin e Satanait dhe të demonëve, në qiell tani ka vetëm shërbëtorë besnikë të Perëndisë Jehova. Aty ka paqe dhe harmoni të plotë e të pafundme. Tani në qiell po bëhet vullneti i Perëndisë.
Hedhja e Satanait dhe e demonëve të tij nga qielli, i solli mjerime tokës. Këto trazira do të marrin fund së shpejti
14. Çfarë ka ndodhur ngaqë Satanai është hedhur në tokë?
14 Po për tokën? Bibla thotë: «Mjerë ti tokë e ti det, sepse Djalli zbriti ndër ju me zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër!» (Zbulesa 12:12) Satanai është i zemëruar, sepse e kanë hedhur nga qielli dhe i ka mbetur vetëm një periudhë kohe e shkurtër. Nga zemërimi, ai shkakton probleme ose ‘mjerime’ në tokë. Në kapitullin vijues do të mësojmë më shumë për këto ‘mjerime’. Por, tani që kemi mësuar këto gjëra, mund të pyesim: Si do ta përmbushë Mbretëria vullnetin e Perëndisë në tokë?
15. Cili është vullneti i Perëndisë për tokën?
15 Në radhë të parë, le të kujtojmë cili është vullneti i Perëndisë për tokën. Kemi mësuar për këtë në kapitullin e tretë. Në Eden, Perëndia tregoi se vullneti i tij është që toka të bëhet një parajsë e mbushur me njerëz të drejtë që nuk vdesin. Duke qenë se Satanai e shtyu Adamin dhe Evën të mëkatonin, kjo ndikoi në përmbushjen e vullnetit të Perëndisë për tokën, por ama vullneti i tij nuk ndryshoi. Qëllimi i Jehovait është ende që ‘të drejtët të trashëgojnë tokën dhe të banojnë përgjithmonë në të’. (Psalmi 37:29) E Mbretëria e Perëndisë do ta arrijë këtë. Në ç’mënyrë?
16, 17. Çfarë na tregon Danieli 2:44 për Mbretërinë e Perëndisë?
16 Shqyrto profecinë që gjendet te Danieli 2:44. Aty lexojmë: «Në ditët e atyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.» Çfarë na tregon kjo për Mbretërinë e Perëndisë?
17 Së pari, na tregon se Mbretëria e Perëndisë do të vendosej «në ditët e atyre mbretërve» ose ndërkohë që mbretëritë e tjera ekzistojnë ende. Së dyti, na tregon se kjo Mbretëri do të zgjatë përgjithmonë. Nuk do të mposhtet e nuk do të zëvendësohet me ndonjë qeveri tjetër. Së treti, kuptojmë se do të ketë luftë midis Mbretërisë së Perëndisë dhe mbretërive të kësaj bote, por Mbretëria e Perëndisë do të dalë fitimtare. Në fund, ajo do të jetë e vetmja qeveri që do të sundojë mbi njerëzimin. Atëherë, njerëzit do të kenë sundimin më të mirë që kanë provuar ndonjëherë.
18. Si quhet lufta përfundimtare ndërmjet Mbretërisë së Perëndisë dhe qeverive të kësaj bote?
18 Bibla përmban shumë të dhëna për atë luftë vendimtare ndërmjet Mbretërisë së Perëndisë dhe qeverive të kësaj bote. Për shembull, ajo mëson se, ndërsa afrohet fundi, krijesat e liga frymore do të përhapin gënjeshtra për të mashtruar «mbretërit e mbarë tokës së banuar». Me cilin qëllim? «Që t’i mbledhin [mbretërit] për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm.» Këta mbretër të tokës do të mblidhen në «vendin që në hebraisht quhet Harmagedon». (Zbulesa 16:14, 16) Sipas këtyre dy vargjeve, konflikti përfundimtar ndërmjet qeverive njerëzore dhe Mbretërisë së Perëndisë quhet lufta e Harmagedonit.
19, 20. Pse vullneti i Perëndisë nuk po bëhet në tokë që tani?
19 Çfarë synimesh do të arrijë Mbretëria e Perëndisë me anë të Harmagedonit? Mendo prapë për vullnetin e Perëndisë në lidhje me tokën. Perëndia Jehova vuri si qëllim që toka të mbushet me njerëz të drejtë e të përsosur, që i shërbejnë atij në parajsë. Pse nuk po ndodh që tani kjo, çfarë e pengon? Së pari, ne jemi mëkatarë, sëmuremi dhe vdesim. Por, në kapitullin e pestë mësuam se Jezui vdiq për ne, me qëllim që të jetojmë përgjithmonë. Me siguri të kujtohen fjalët që gjenden në Ungjillin sipas Gjonit: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»—Gjoni 3:16.
20 Një problem tjetër është se ka shumë njerëz që bëjnë gjëra të këqija. Gënjejnë, mashtrojnë dhe kryejnë imoralitet. Ata nuk duan të bëjnë vullnetin e Perëndisë. Njerëzit që bëjnë gjëra të liga do të shkatërrohen gjatë luftës së Perëndisë në Harmagedon. (Psalmi 37:10) Një arsye e mëtejshme pse nuk po bëhet vullneti i Perëndisë në tokë, është se qeveritë nuk i nxitin njerëzit që të veprojnë kështu. Shumë qeveri janë treguar të pafuqishme, mizore ose të korruptuara. Bibla e thotë haptazi: «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.»—Eklisiastiu 8:9.
21. Si do të bëjë të mundur Mbretëria që vullneti i Perëndisë të bëhet në tokë?
21 Pas Harmagedonit, njerëzimi do të ketë vetëm një qeveri, Mbretërinë e Perëndisë. Kjo Mbretëri do të bëjë vullnetin e Perëndisë dhe do të sjellë bekime të mrekullueshme. Për shembull, do të heqë Satanain dhe demonët e tij. (Zbulesa 20:1-3) Do të zbatohet vlera e flijimit të Jezuit, me qëllim që njerëzit besnikë të mos sëmuren më e të mos vdesin. Madje, nën sundimin e Mbretërisë, do të kenë mundësi të jetojnë përgjithmonë. (Zbulesa 22:1-3) Toka do të kthehet në parajsë. Kështu, Mbretëria do të bëjë të mundur që vullneti i Perëndisë të bëhet në tokë dhe do të shenjtërojë emrin e Tij. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se, me kalimin e kohës, nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, të gjithë ata që jetojnë do të nderojnë emrin e Jehovait.
KUR DO TË VEPROJË MBRETËRIA E PERËNDISË?
22. Nga e dimë se Mbretëria e Perëndisë nuk erdhi kur Jezui ishte në tokë ose menjëherë pasi u ringjall?
22 Në kohën kur Jezui u tha ithtarëve të luteshin ‘ardhtë mbretëria jote’, ishte e qartë që kjo Mbretëri s’kishte ardhur ende. A erdhi kjo Mbretëri kur u ngjit Jezui në qiell? Jo, sepse edhe Pjetri, edhe Pavli, thanë se, pasi Jezui u ringjall, tek ai u përmbush profecia që gjendet në Psalmin 110:1, ku thuhet: «Jehovai i thotë Zotërisë tim: ‘Ulu në të djathtën time, derisa t’i vë armiqtë e tu si stol për këmbët e tua.’» (Veprat 2:32-35; Hebrenjve 10:12, 13) Do të kishte një periudhë pritjeje.
Nën sundimin e Mbretërisë, vullneti i Perëndisë do të bëhet në tokë, siç po bëhet në qiell
23. (a) Kur filloi të sundojë Mbretëria e Perëndisë? (b) Çfarë do të shqyrtohet në kapitullin vijues?
23 Sa do të zgjaste kjo pritje? Gjatë shekullit të 19-të dhe të 20-të, studentët e sinqertë të Biblës kuptuan gradualisht se periudha e pritjes do të mbaronte në vitin 1914. (Në lidhje me këtë datë, shih Shtojcën «Viti 1914—Një vit domethënës në profecitë biblike».) Ngjarjet botërore që filluan në vitin 1914 vërtetojnë se kuptueshmëria e këtyre studentëve të sinqertë të Biblës ishte e saktë. Përmbushja e profecive të Biblës tregon se në vitin 1914, Krishti u bë Mbret dhe Mbretëria qiellore e Perëndisë filloi të sundojë. Prandaj, ne po jetojmë në ‘periudhën e shkurtër’ që i ka mbetur Satanait. (Zbulesa 12:12; Psalmi 110:2) Po ashtu, mund ta themi me plot gojën se së shpejti, Mbretëria e Perëndisë do të veprojë në mënyrë që vullneti i Perëndisë të bëhet në tokë. A nuk të duket i mrekullueshëm ky lajm? A beson se është i vërtetë? Kapitulli tjetër do të të ndihmojë të shohësh se Bibla i mëson vërtet këto gjëra.
-