BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • ijwyp artikulli 9
  • Si t’i përballoj ngacmimet seksuale?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si t’i përballoj ngacmimet seksuale?
  • Të rinjtë pyesin
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Çfarë janë ngacmimet seksuale?
  • Po sikur të më ndodhë mua?
  • Çfarë do të bëja?
  • Si të mbrohem nga ngacmimet seksuale?
    Përgjigje për pyetje rreth Biblës
  • Ç’duhet të di për sulmet seksuale?
    Të rinjtë pyesin: 10 pyetje marrin përgjigje
  • Si të mbrohem në shkollë?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • Ngacmimet seksuale: Si të mbroheni
    Zgjohuni!—1996
Shih më tepër
Të rinjtë pyesin
ijwyp artikulli 9

TË RINJTË PYESIN

Si t’i përballoj ngacmimet seksuale?

  • Çfarë janë ngacmimet seksuale?

  • Po sikur të më ndodhë mua?

  • Çfarë do të bëja?

Çfarë janë ngacmimet seksuale?

Ngacmimet seksuale përfshijnë çdo sjellje seksuale të padëshiruar, ku futen prekjet ose edhe komentet me natyrë seksuale. Mirëpo, ndonjëherë kufiri mes talljeve, flirtimit dhe ngacmimeve seksuale mund të jetë i mjegullt.

A e di ndryshimin mes tyre? Që ta zbulosh, bëj pyetësorin për ngacmimet seksuale.

Mjerisht, jo gjithmonë ngacmimet seksuale marrin fund kur mbaron shkolla. Sidoqoftë, nëse fiton vetësiguri dhe aftësitë që të duhen për të përballuar ngacmimet seksuale sot, do të jesh i përgatitur t’u bësh ballë kur të fillosh punë. Madje, mund t’ia presësh rrugën atij që të bie në qafë që të mos dëmtojë të tjerë.

Olivia

«Duhet t’i dalësh zot vetes se s’bën. Zakonisht këta lloj njerëzish s’të hiqen po nuk ua the troç. Thuaj jo me bindje. Nëse kjo s’bën punë, fol me dikë.»

Tanisha

«Mos qesh me barcaletat që kanë nënkuptime seksuale, as mos u fut në muhabete me përmbajtje seksuale. Po të veprosh kështu ose po të shoqërohesh me njerëz që tërheqin goxha vëmendjen e seksit tjetër, do të kujtojnë se edhe ti e do këtë vëmendje.»

Po sikur të më ndodhë mua?

Ka më shumë mundësi që ngacmimet seksuale të reshtin nëse di çfarë janë dhe si të reagosh. Shih tri situata dhe si mund ta përballosh secilën prej tyre.

SITUATË:

«Në punë, disa burra shumë më të mëdhenj se unë më thoshin orë e çast se isha e bukur dhe se do të donin të ishin 30 vjet më të rinj. Madje, njëri nga ata më erdhi nga pas dhe u mori erë flokëve të mi!»​—Tabita, 20 vjeçe.

Tabita mund të mendonte: «Po të mos ia var dhe të duroj, mbase do ta lërë me kaq.»

Pse kjo nuk ndreq gjë: Specialistët thonë se kur viktimat i shpërfillin ngacmimet seksuale, shpesh ato vazhdojnë e madje shtohen.

Provo metodën tjetër: Fol hapur dhe thuaji ngacmuesit me qetësi, por qartë se nuk do ta lejosh atë të folur ose atë sjellje. Tarina 22-vjeçare thotë: «Nëse dikush më prek në mënyrë të papërshtatshme, i kthehem dhe i them të mos më prekë kurrë më. Zakonisht kjo e zë në befasi.» Nëse ai që të ngacmon nuk heq dorë, ji e vendosur dhe mos u dorëzo. Kur është fjala për të mbajtur normat e larta morale, këshilla e Biblës është: «Qëndro i patundur, ji i matur dhe ki besim te vetja.»​—Kolosianëve 4:12, The New Testament in Contemporary Language.

Po nëse ngacmuesi të kërcënon se do të të bëjë ndonjë gjë? Atëherë, mos iu kundërvu. Ik nga ajo situatë sa më shpejt të jetë e mundur dhe kërko ndihmën e një të rrituri të besuar.

SITUATË:

«Kur isha në klasë të gjashtë, më kapën në korridor dy vajza. Njëra ishte lezbike dhe donte të dilte me mua. Edhe pse refuzova, vazhdonin të më ngacmonin çdo ditë në pushimet mes orëve. Një herë madje më ngjeshën pas murit.»​—Viktoria, 18 vjeçe.

Viktoria mund të mendonte: «Po t’i tregoj njeriu, do të më quajnë qullace dhe ndoshta s’do të më besojë askush.»

Pse këto mendime nuk ndreqin gjë: Nëse ngurron të flasësh me dikë, ngacmuesi mund të vazhdojë, madje mund t’u bjerë në qafë edhe të tjerëve.​—Eklisiastiu 8:11.

Provo metodën tjetër: Kërko ndihmë. Prindërit dhe mësuesit mund të të japin mbështetjen e nevojshme për t’i bërë ballë atij që të ngacmon. Po sikur të mos e marrin seriozisht ankesën tënde? Provo këtë sugjerim: sa herë që të ngacmon dikush, shkruaj hollësitë. Përfshi datën, orën dhe vendin e çdo incidenti, bashkë me fjalët që të tha. Pastaj, jepi një kopje prindit ose mësuesit. Shumë veta e marrin më seriozisht një ankesë me shkrim sesa një me gojë.

SITUATË:

«Më fuste vërtet frikën një djalë nga skuadra e futbollit. Ishte gati dy metra i gjatë dhe peshonte rreth 135 kile! I ishte fiksuar të ‘më bënte të tijën’. Më bezdiste thuajse përditë, për një vit të tërë. Një ditë, kur ishim vetëm ne në klasë, nisi të më afrohej. U hodha përpjetë dhe dola me vrap jashtë.»​—Xhulieta, 18 vjeçe.

Xhulieta mund të mendonte: «Hajt se kështu janë çunat.»

Pse kjo nuk ndreq gjë: Ai që të bie në qafë s’ka se si të ndryshojë, nëse të gjithë mendojnë se sjellja e tij është e pranueshme.

Provo metodën tjetër: Rezistoji tundimit që ta marrësh me të qeshur situatën ose të përgjigjesh me buzëqeshje. Përkundrazi, sigurohu që reagimi yt​—përfshirë edhe shprehjet e fytyrës—​t’ia bëjë të qartë atij që të ngacmon se çfarë do të tolerosh e çfarë jo.

Çfarë do të bëja?

HISTORI REALE 1:

«Nuk më pëlqen fare të jem e paedukatë. Prandaj, edhe kur u thosha disa çunave që më ngacmonin vazhdimisht të mos e bënin më, nuk isha shumë e prerë dhe shpesh buzëqeshja ndërsa u flitja. Ata kujtonin se po flirtoja.»​—Tabita.

  • Po të ishe në vend të Tabitës, si do të silleshe me ata djem? Përse?

  • Çfarë gjërash mund ta shtyjnë atë që të ngacmon të mendojë se po flirton me të?

HISTORI REALE 2:

«Gjithçka filloi me ca fjalë të pista nga disa çuna në orën e fizkulturës. Për disa javë bëra sikur s’i dëgjoja, por gjërat shkuan keq e më keq. Çunat nisën të më uleshin afër dhe më hidhnin krahun në qafë. I shtyja, por i njëjti avaz. Si përfundim, njëri më dha një copë letër me një mesazh ofendues. Ia dhashë mësuesit. Djalin e përjashtuan nga shkolla. E kuptova se duhej të kisha shkuar te mësuesi që në fillim.»​—Sabina.

  • Pse Sabina vendosi të mos shkonte te mësuesi më shpejt? A të duket se mori një vendim të mirë? Pse mendon kështu?

HISTORI REALE 3:

«Vëllait tim, Gregut, iu afrua në banjë një djalë tjetër. I shkoi shumë afër dhe i tha ‘më puth’. Gregu i tha jo, por ai s’i shqitej. Në fakt, Gregut iu desh ta shtynte tutje.»​—Suzana.

  • A ishte Gregu viktimë e ngacmimeve seksuale? Pse mendon kështu?

  • Si thua, pse disa djem ngurrojnë të tregojnë kur kanë ngacmime seksuale nga ndonjë djalë tjetër?

  • A je dakord me mënyrën si e përballoi situatën Gregu? Ç’do të kishe bërë ti?

Pyetësor për ngacmimet seksuale

«Në shkollë të mesme, çunat më tërhiqnin rripin e reçipetave dhe bënin komente poshtëruese, si për shembull sa mirë do të ndihesha pasi të bëja seks me ta.»​—Koreta.

Si thua, ata çuna po

  1. A Talleshin?

  2. B Flirtonin?

  3. C Ngacmonin seksualisht?

«Në autobus, një djalë më mbërtheu nga krahu dhe nisi të më thoshte gjëra të turpshme. I gjuajta në dorë dhe i thashë të më hiqej sysh. Më pa sikur të isha e shkalluar.»​—Kandisa.

Si mendon, sjellja e djalit është:

  1. A Tallje?

  2. B Flirtim?

  3. C Ngacmim seksual?

«Vitin e kaluar, një djalë më thoshte orë e minutë se më kishte qejf dhe se donte të dilte me mua, sado që i thosha vazhdimisht jo. Nganjëherë, më përkëdhelte krahun. I thosha të mos e bënte më, por nuk merrte vesh. Një herë kur po lidhja këpucën, më gjuajti nga pas.»​—Betania.

Sipas teje, ky djalë po

  1. A Flirtonte?

  2. B Tallej?

  3. C Ngacmonte seksualisht?

Përgjigjja e saktë për të tria pyetjet është C.

Ku ndryshon ngacmimi seksual nga flirtimi ose tallja? Një vajzë që quhet Eva thotë: «Ngacmimi seksual është i njëanshëm. Vazhdon edhe kur i thua tjetrit të ndalet.» Ngacmimet seksuale janë diçka serioze. Jo vetëm mund të ndikojnë te notat dhe te shëndeti, por mund të çojnë edhe në dhunë seksuale.

Mëso më shumë: Shih kapitullin 32 «Si të mbrohem nga grabitqarët seksualë?» në librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo