BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w13 15/12 f. 17-21
  • ‘Ky do të jetë një kremtim për ju’

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • ‘Ky do të jetë një kremtim për ju’
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2013
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PSE KREMTOHEJ PASHKA?
  • KUR I BIE DARKA E ZOTËRISË?
  • NJË PËRKUJTIM DOMETHËNËS PËR TY
  • PËR TË KUJTUAR
  • Çfarë është Pashka?
    Përgjigje për pyetje rreth Biblës
  • Pashka dhe Përkujtimi—Ngjashmëritë dhe ndryshimet
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2018
  • Afrohet Festa e Kalimit—E fundit për Jezuin
    Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta
  • Pashka e fundit e Jezuit është afër
    Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2013
w13 15/12 f. 17-21

‘Ky do të jetë një kujtim për ju’

«Këtë ditë do ta kujtoni dhe do ta kremtoni si një festë për Jehovain.»​—DAL. 12:14.

A MUND TË SHPJEGONI?

  • Çfarë duhej të bënin izraelitët në Egjipt që të përgatiteshin dhe të kremtonin Pashkën e parë?

  • Kur e hëngrën vaktin e Pashkës së fundit Jezui e apostujt, dhe çfarë ndodhi më vonë po atë ditë?

  • Ç’mësim të rëndësishëm mund të nxjerrim nga tregimet për Pashkën e parë dhe Daljen?

1, 2. Cili përvjetor duhet të jetë veçanërisht me interes për gjithë të krishterët dhe pse?

KUR mendoni për përvjetorët, cili ju vjen ndër mend menjëherë? Një i martuar mund të thotë: «Përvjetori i martesës.» Për të tjerë mund të jetë dita kur festohet një ngjarje e shënuar, si shpallja e pavarësisë. Por, a keni dëgjuar për një përvjetor kombëtar që është përkujtuar për më se 3.500 vjet?

2 Një ngjarje e tillë është Pashka.a Ajo shënonte çlirimin e Izraelit të lashtë nga skllavëria në Egjipt. Kjo ngjarje ka rëndësi për ty. Përse? Ngaqë lidhet me disa aspekte domethënëse të jetës sate. Mirëpo, mund të mendosh: «Edhe pse judenjtë e kremtojnë Pashkën, unë nuk e praktikoj fenë judaike. Pse duhet të më interesojë ky përvjetor?» Përgjigjja gjendet në këtë pohim të thellë: «Krishti, pashka jonë, është flijuar.» (1 Kor. 5:7) Për të dalluar rëndësinë e kësaj të vërtete, duhet të dimë më shumë për Pashkën judaike dhe ta shqyrtojmë nën dritën e një urdhri që iu dha gjithë të krishterëve.

PSE KREMTOHEJ PASHKA?

3, 4. Cilat ngjarje shënojnë Pashkën e parë?

3 Qindra milionë veta përreth botës që nuk janë judenj kanë njëfarë njohurie për ngjarjen që mund të quhet Pashka e parë. Mbase kanë lexuar për të në librin biblik të Daljes, kanë dëgjuar tregime ose kanë parë ndonjë film të bazuar në këtë ngjarje.

4 Kur izraelitët po bënin shumë vite si skllevër në Egjipt, Jehovai dërgoi Moisiun dhe vëllanë e tij, Aaronin, te faraoni që t’i kërkonin çlirimin e popullit të Tij. Ai sundimtar egjiptian fodull nuk i linte të iknin izraelitët, prandaj Jehovai e goditi vendin me një sërë plagësh shkretuese. Së fundi, Perëndia dërgoi plagën e dhjetë, vdekjen e të parëlindurve të Egjiptit, dhe kjo e shtyu faraonin t’i linte të lirë.​—Dal. 1:11; 3:9, 10; 5:1, 2; 11:1, 5.

5. Çfarë duhej të bënin izraelitët që të përgatiteshin për çlirimin? (Shih figurën pranë titullit.)

5 Por, çfarë duhej të bënin izraelitët para se të çliroheshin? Ishte viti 1513 p.e.s. dhe po afrohej ekuinoksi i pranverës (fillimi i pranverës në hemisferën veriore), muaji hebraik i abibit, që më vonë u quajt nisan.b Perëndia u tha se ditën e dhjetë të atij muaji duhej të fillonin të përgatiteshin në mënyrë që më 14 nisan të ndiqnin disa hapa specifikë. Ajo ditë nisi me perëndimin e diellit, sepse ditët hebraike fillonin me perëndimin e diellit dhe mbaronin me perëndimin tjetër. Më 14 nisan, çdo familje duhej të therte një qengj mashkull (ose kec) dhe, me ca nga gjaku i tij, të spërkaste shtalkat dhe arkitraun e shtëpisë. (Dal. 12:3-7, 22, 23) Familjet duhej të hanin një vakt me qengj të pjekur, bukë të ndorme dhe disa barishte. Engjëlli i Perëndisë do të kalonte nëpër vend dhe do të vriste të parëlindurit e Egjiptit, kurse izraelitët e bindur do të ishin të mbrojtur. Pastaj mund të iknin të lirë.​—Dal. 12:8-13, 29-32.

6. Pse populli i Perëndisë duhej ta kremtonte Pashkën në vitet në vijim?

6 Kështu ndodhi, dhe izraelitët duhej ta kujtonin çlirimin gjatë viteve në vijim. Perëndia u tha atyre: «Këtë ditë do ta kujtoni dhe do ta kremtoni si një festë për Jehovain nga brezi në brez. Duhet ta kremtoni, dhe do të jetë për ju një ligj brez pas brezi.» Pas kremtimit të ditës së 14-të do të bënin një festë prej shtatë ditësh. 14 nisani ishte data fikse e Pashkës, por emri Pashkë mund t’i referohej të tetë ditëve të festës. (Dal. 12:14-17; Luka 22:1; Gjoni 18:28; 19:14) Pashka («përvjetorët», The Bible in Living English) ishte ndër festat e caktuara që hebrenjtë duhej ta kremtonin çdo vit.​—2 Kron. 8:13.

7. Çfarë themeloi Jezui në Pashkën e fundit që kremtoi me apostujt?

7 Si judenj nën Ligjin e Moisiut, Jezui dhe apostujt kremtonin Pashkën e përvitshme. (Mat. 26:17-19) Herën e fundit që e bënë këtë, Jezui themeloi një ngjarje të re, të cilën dishepujt e tij duhej ta kremtonin vit pas viti​—Darkën e Zotërisë. Por, në cilën ditë duhej kremtuar?

KUR I BIE DARKA E ZOTËRISË?

8. Cila pyetje lind kur bëhet fjalë për Pashkën dhe për Darkën e Zotërisë?

8 Duke marrë parasysh se Jezui e themeloi Darkën e Zotërisë fill pas Pashkës së fundit, kjo ngjarje e re përkoi me ditën e Pashkës. Megjithatë, mbase ke vërejtur se data e Pashkës judaike që shënohet në disa kalendarë të sotëm mund të ndryshojë me një apo më shumë ditë nga data kur kremtojmë ditën e vdekjes së Krishtit. Pse kështu? Pjesërisht, përgjigjja lidhet me urdhrin që Perëndia u dha izraelitëve. Pasi tha se «gjithë kongregacioni i Izraelit ta therë» qengjin, Moisiu specifikoi kur gjatë 14 nisanit duhej bërë kjo.​—Lexo Daljen 12:5, 6.

9. Sipas Daljes 12:6, kur duhej therur qengji i Pashkës? (Shih edhe kutinë «Në cilën pjesë të ditës?»)

9 Një botim judaik (The Pentateuch and Haftorahs) tregon se sipas Daljes 12:6 qengji duhej therur «mes dy mbrëmjeve». Disa versione të Biblës përdorin pikërisht këtë shprehje. Në disa Bibla në shqip kjo shprehje është përkthyer «në të ngrysur» (Diodati i Ri) dhe «në muzg» (Filipaj). Një tjetër e përkthen «ndaj mbrëma» (Kristoforidhi). Kështu, qengji duhej therur pas perëndimit të diellit, por pa u errësuar plotësisht, në fillim të 14 nisanit.

10. Kur u ther qengji sipas disave, por cila pyetje ngrihet?

10 Kohë më vonë, kur thereshin shumë qengja në tempull, disa judenj mendonin se do të duheshin orë me radhë për ta kryer këtë. Kështu u kuptua se Dalja 12:6 i referohej fundit të 14 nisanit, ndërmjet kohës kur dielli fillon të zbresë (pas mesditës) dhe fundit të ditës, në perëndim të diellit. Por, nëse kuptimi ishte ky, kur do ta hanin vaktin? Profesor Jonatan Klevënsi, një specialist për judaizmin e lashtë, vërejti: «Dita e re nis me perëndimin e diellit, ndaj flijimet bëhen ditën e 14-të, por fillimi i Pashkës dhe vakti faktikisht ndodhin ditën e 15-të, edhe pse kjo renditje e datave nuk specifikohet te Dalja.» Gjithashtu, shkroi: «Literatura rabinike . . . as që pretendon të tregojë si bëhej Sederi [vakti i Pashkës] para shkatërrimit të tempullit», në vitin 70 të e.s.​—Kursivi është yni.

11. (a) Çfarë i ndodhi Jezuit ditën e Pashkës, më 33 të e.s.? (b) Pse 15 nisani i vitit 33 të e.s. quhej sabati ‘i madh’? (Shih shënimin.)

11 Por, ç’mund të themi për Pashkën në vitin 33 të e.s.? E pra, më 13 nisan, ndërsa afrohej dita «kur therej flia e pashkës», Krishti u tha Pjetrit dhe Gjonit: «Shkoni dhe na bëni gati pashkën, që ta hamë.» (Luka 22:7, 8) «Më në fund, . . . erdhi ora» për vaktin e Pashkës, pas perëndimit të diellit, më 14 nisan, që i binte të enjten në mbrëmje. Jezui hëngri këtë vakt me apostujt, pastaj themeloi Darkën e Zotërisë. (Luka 22:14, 15) Atë natë e arrestuan dhe e gjykuan. E vunë në shtyllë afër mesditës, më 14 nisan, dhe vdiq pasdite. (Gjoni 19:14) Prandaj mund të themi se ‘Krishti, pashka jonë, u flijua’ po atë ditë që u ther qengji i Pashkës. (1 Kor. 5:7; 11:23; Mat. 26:2) Ndërsa mbyllej ajo ditë judaike, Jezuin e varrosën​—para se të fillonte 15 nisani.c​—Lev. 23:5-7; Luka 23:54.

NJË PËRKUJTIM DOMETHËNËS PËR TY

12, 13. Si u përfshinë në një mënyrë të veçantë fëmijët judenj në kremtimin e Pashkës?

12 Tani le të shqyrtojmë edhe një herë rastin në Egjipt. Moisiu tha se populli i Perëndisë duhej ta mbante Pashkën në të ardhmen; ishte një rregull «brez pas brezi». Si pjesë e kremtimit vjetor, fëmijët do të pyetnin prindërit për domethënien e ngjarjes. (Lexo Daljen 12:24-27; Ligj. 6:20-23) Prandaj, Pashka do të ishte ‘një kujtim’ edhe për fëmijët.​—Dal. 12:14.

13 Ndërsa brezat e rinj rriteshin, theksoheshin mësime të rëndësishme, duke kaluar nga etërit te bijtë. Një prej këtyre mësimeve ishte se Jehovai mund t’i mbronte adhuruesit e tij. Fëmijët mësonin se ai nuk është një hyjni abstrakt e i paperceptueshëm. Jehovai është real, një Perëndi i gjallë që interesohet për popullin e vet e që vepron në të mirë të tyre. Këtë e tregoi kur mbrojti të parëlindurit e izraelitëve «kur i goditi me plagë egjiptianët». Ai i ruajti gjallë të parëlindurit.

14. Çfarë mund t’u mësojnë prindërit e krishterë fëmijëve përmes tregimit të Pashkës?

14 Mbase prindërit e krishterë nuk ua përsëritin çdo vit fëmijëve domethënien e Pashkës judaike. Megjithatë, a po rrënjos te ta të njëjtin mësim, që Perëndia e mbron popullin e tij? A po u përcjell bindjen tënde absolute se Jehovai akoma është një Mbrojtës i vërtetë i popullit të tij? (Psal. 27:11; Isa. 12:2) Dhe, a e bën këtë përmes një bisede të këndshme e jo duke u bërë moral? Përpiqu ta përfshish këtë mësim që të nxitësh rritjen frymore të familjes.

Çfarë mësimesh mund të nxjerrin fëmijët gjatë diskutimit për Pashkën? (Shih paragrafin 14.)

15, 16. Çfarë mund të nxjerrin në pah për Jehovain tregimet për Pashkën dhe Daljen?

15 Nga Pashka nuk mësojmë vetëm se Jehovai është në gjendje të mbrojë popullin e tij. Ai edhe i çliroi, i «nxori nga Egjipti». Mendo çfarë do të thoshte kjo. I udhëhoqi përmes një shtylle reje dhe zjarri. Ata ecnin nëpër shtratin e detit, ndërsa ujërat e Detit të Kuq ngriheshin si mure gjigante në të majtë e në të djathtë. Pasi kaluan shëndoshë e mirë, panë po ato ujëra teksa plandosnin ushtrinë egjiptiane. Pastaj, izraelitët e shpëtuar mund të brohoritnin: «Më lini t’i këndoj Jehovait. . . . Kalin dhe kalorësin në det i ka flakëruar. Forca dhe fuqia ime është Jah, sepse ai është shpëtimi im.»​—Dal. 13:14, 21, 22; 15:1, 2; Psal. 136:11-15.

16 Nëse keni fëmijë, a po i ndihmoni të besojnë te Jehovai si Çlirues? A e dallojnë te ju këtë siguri në bisedat që bëni dhe në vendimet që merrni? Patjetër, në ndonjë Adhurim Familjar mund të diskutoni për atë që keni lexuar te Dalja kapitujt 12-15 dhe të theksoni si e çliroi Jehovai popullin e tij. Në ndonjë rast tjetër, mund ta shtjelloni këtë pikë, duke shqyrtuar Veprat 7:30-36 ose Danielin 3:16-18, 26-28. Po, qoftë të rinjtë, qoftë të rriturit duhet të jenë të sigurt se Jehovai nuk veproi si Çlirues vetëm në të kaluarën. Ashtu siç e çliroi popullin e tij në ditët e Moisiut, ai me siguri do të na çlirojë në të ardhmen.​—Lexo 1 Selanikasve 1:9, 10.

PËR TË KUJTUAR

17, 18. Çfarë duhet të kujtojmë kur mendojmë për përdorimin e gjakut në Pashkën e parë?

17 Të krishterët e vërtetë nuk e kremtojnë Pashkën judaike. Ky përvjetor ishte pjesë e Ligjit të Moisiut dhe sot nuk jemi nën atë Ligj. (Rom. 10:4; Kolos. 2:13-16) Ne çmojmë shumë një ngjarje tjetër, vdekjen e Birit të Perëndisë. Gjithsesi, disa aspekte të kremtimit të Pashkës që u themelua kohë më parë në Egjipt janë domethënëse për ne.

18 Gjaku i qengjit i spërkatur në arkitra dhe shtalka ishte një mjet për të ruajtur jetën. Ne sot nuk ofrojmë kafshë si flijime për Perëndinë​—as ditën e Pashkës e as në ndonjë rast tjetër. Por ekziston një sakrificë më e mirë që mund të ruajë jetën përgjithmonë. Apostulli Pavël shkroi për ‘kongregacionin e të parëlindurve që janë shkruar në qiej’. Jeta e atyre të krishterëve të mirosur ruhet përmes «gjakut të spërkatjes», gjakut të Jezuit. (Hebr. 12:23, 24) Të krishterët që shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokë varen nga po ai gjak për të mbetur gjallë. Ata duhet t’i kujtojnë vetes vazhdimisht këto fjalë që të japin zemër: «Falë tij ne kemi çlirimin nëpërmjet shpërblesës me anë të gjakut të vet, po, faljen e shkeljeve tona, sipas pasurisë së dashamirësisë së tij të pamerituar.»​—Efes. 1:7.

19. Si mund të rritë sigurinë tonë te profecitë mënyra si u trajtua flijimi i Pashkës?

19 Kur u ther qengji për vaktin e Pashkës, izraelitët u urdhëruan të mos i thyenin asnjë kockë. (Dal. 12:46; Num. 9:11, 12) Po ç’mund të themi për ‘Qengjin e Perëndisë’ që erdhi për të siguruar shpërblesën? (Gjoni 1:29) Atë e vunë në shtyllë mes dy kriminelëve. Judenjtë i kërkuan Pilatit të thyheshin kockat e burrave të vënë në shtyllë. Kjo do të shpejtonte vdekjen që të mos mbeteshin të varur në shtyllë deri më 15 nisan, në sabatin e dyfishtë. Ushtarët ua thyen këmbët të dy kriminelëve, «por kur vajtën te Jezui, panë që tashmë kishte vdekur, prandaj nuk ia thyen këmbët». (Gjoni 19:31-34) Kjo përkonte me atë që bënin me qengjin e Pashkës. Kështu, në këtë kuptim qengji ishte «një hije» e asaj që do të ndodhte më 14 nisan të vitit 33 të e.s. (Hebr. 10:1) Për më tepër, mënyra si rrodhën gjërat plotësuan fjalët e Psalmit 34:20, dhe kjo duhet të rritë sigurinë tonë te profecitë.

20. Çfarë ndryshimi domethënës ka mes Pashkës dhe Darkës së Zotërisë?

20 Megjithatë, ka ndryshime mes mënyrës si e kremtonin Pashkën judenjtë dhe mënyrës si i urdhëroi Krishti dishepujt të kremtonin Darkën e Zotërisë. Asokohe në Egjipt, izraelitët hëngrën mishin e qengjit, por jo gjakun. Kjo ishte ndryshe nga ajo që Jezui i urdhëroi dishepujt të bënin. Ai tha se ata që do të sundonin «në mbretërinë e Perëndisë» duhej të merrnin si bukën, edhe verën si simbole të mishit dhe të gjakut të tij. Për këtë do të flasim më tepër në artikullin vijues.​—Mar. 14:22-25.

21. Pse është e dobishme të mësojmë për Pashkën?

21 Gjithsesi, s’diskutohet që Pashka ishte një ngjarje e spikatshme në historinë e marrëdhënies së Perëndisë me Izraelin, dhe secili prej nesh mund të nxjerrë mësime të dobishme nga kjo. Prandaj, edhe pse Pashka kishte si qëllim të ishte ‘një kremtim’ vetëm për judenjtë, ne si të krishterë duhet të dimë për të dhe të marrim për zemër disa mësime të gjalla që siguron ajo, si pjesë e ‘gjithë Shkrimit të frymëzuar nga Perëndia’.​—2 Tim. 3:16.

a Fjala e përkthyer «pashkë» vjen nga një fjalë hebraike që do të thotë «kalim».

b Edhe pse nisan ishte emri i muajit hebraik që iu vu pas mërgimit, për thjeshtësi për muajin e parë të kalendarit judaik do të themi nisani.

c Me perëndimin e diellit, nisi 15 nisani. Kjo do të thotë se atë vit, sabati javor i zakonshëm (e shtuna) përkoi me fillimin e festës së Kuleçve të Ndormë. Dita e parë e kësaj feste konsiderohej gjithmonë sabat pavarësisht se në ç’ditë të javës binte. Ngaqë të dy sabatet ishin në të njëjtën ditë, u quajt sabat ‘i madh’.​—Lexo Gjonin 19:31, 42.

NË CILËN PJESË TË DITËS?

Komentuesi jude Markës Kalish (1828-1885) shkroi: «Të njëjtin mendim shprehu edhe më qartë Ebn Ezra [rabi spanjoll i shquar, 1092-1167]: ‘Kemi dy mbrëmje; e para, perëndimi i diellit . . . dhe e dyta, kur s’ka më dritë që reflektohet në re; dhe mes këtyre të dyjave ka një interval kohe rreth një orë e njëzet minuta.’ E ky shpjegim, që duket interpretimi më i logjikshëm, përputhet me shpjegimin e karaitëve e të samaritanëve dhe është përvetësuar nga shumë të tjerë.» Pikëpamja që qengji u ther në fillim të 14 nisanit përputhet me drejtimin që morën izraelitët te Ligji i përtërirë 16:6, që ‘flijimi i pashkës’ duhej bërë ‘në mbrëmje me të perënduar dielli, pikërisht në atë kohë që do të dilnin nga Egjipti’.​—Dal. 30:8; Num. 9:3-5, 11.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo