-
Jobesnikëria: Pasojat e saj tragjikeZgjohuni!—1999 | Maj
-
-
Jobesnikëria: Pasojat e saj tragjike
«Të kam lënë»,—tha zëri në telefon. Ndoshta fjalët më dërrmuese që i kishte thënë ndonjëherë Patita bashkëshorti i vet. «Thjesht nuk arrija ta besoja tradhtinë,—thotë ajo.—Gjëja që gjithmonë më trembte më tepër, domethënë që burri im të më linte për dikë tjetër, u bë një realitet i tmerrshëm.»
PATI, një 33-vjeçare, dëshironte vërtet ta bënte martesën të suksesshme; i shoqi e kishte siguruar se nuk do ta linte kurrë. «Ne premtuam të qëndronim përkrah njëri-tjetrit me çdo kusht,—kujton Pati.—Isha e bindur se ai e kishte me gjithë mend këtë. Pas kësaj . . . ai më la. Tani nuk kam askënd: as edhe një mace a një peshk akuariumi, askënd!»
Hiroshi nuk ka për ta harruar asnjëherë ditën kur doli në shesh marrëdhënia jashtëmartesore e mamasë së tij. «Isha vetëm 11 vjeç,—kujton ai.—Mami hyri në shtëpi si furtunë. Babi u fut menjëherë pas saj, duke thënë: ‘Po prit njëherë. Le të flasim.’ Arrita ta kuptoj se diçka kishte shkuar tmerrësisht keq. Babi ishte i dërrmuar. Ai nuk e mori kurrë më veten plotësisht. Veç kësaj, ai nuk kishte asnjeri që t’i hapej. Kështu që u drejtua nga unë. Imagjinoni pak: një burrë në të dyzetat që vjen te biri i vet 11-vjeçar për të gjetur ngushëllim dhe empati!»
Qofshin marrëdhëniet skandaloze që kanë tronditur anëtarë familjesh mbretërore, politikanë, yje kinemaje dhe udhëheqës fetarë, qofshin tradhtitë dhe lotët në vetë familjet tona, jobesnikëria bashkëshortore vazhdon të shkaktojë dëme të rënda. «Tradhtia bashkëshortore,—pohon The New Encyclopædia Britannica,—duket se është po aq e përhapur në gjithë botën, madje në disa raste po aq e zakonshme, sa edhe martesa.» Disa studiues llogaritin se 50 deri në 75 për qind e njerëzve kanë qenë në ndonjë rast jobesnikë. Studiuesja e martesave Zelda Uest–Mids thotë që edhe pse një pjesë e madhe e rasteve të jobesnikërisë kalon pa u zbuluar, «të gjitha dëshmitë tregojnë se këto marrëdhënie janë në rritje».
Një ortek ndjenjash
Ndonëse janë tronditëse, statistikat mbi jobesnikërinë dhe divorcin nuk zbulojnë goditjen e fuqishme që u japin ato njerëzve në jetën e përditshme. Përveç ndërlikimeve të jashtëzakonshme financiare, kini parasysh ndjenjat e panumërta që përfshihen në këto statistika: rrëketë e lotëve të derdhur, konfuzionin, pikëllimin, ankthin e pafund dhe dhimbjen therëse që përjetohet, si edhe morinë e netëve që kalojnë anëtarët e familjes në një angështi të pagjumë. Viktimat mund ta mbijetojnë situatën e rëndë, por ka të ngjarë që vragat të mbeten për një kohë të gjatë. Lëndimi dhe dëmi nuk zhbëhet lehtë.
«Një shkatërrim martese sjell zakonisht një shpërthim të pamasë ndjenjash,—shpjegon libri How to Survive Divorce,—një shpërthim që nganjëherë ka rrezik ta errësojë vështrimin tuaj. Ç’duhet të bëni? Si duhet të reagoni? Si do e përballoni sfidën? Ju mund të lëkundeni midis sigurisë dhe pasigurisë, midis zemërimit dhe ndjenjave të fajit ose midis besimit dhe dyshimit.»
Këtë gjë përjetoi Pedro pasi mori vesh jobesnikërinë e gruas së tij. «Në një rast jobesnikërie,—rrëfen ai,—të mbyt një lumë ndjenjash pështjelluese.» Viktimat e kanë mjaft të vështirë të kenë një pamje të qartë mbi ndjenjën e rrënimit dhe aq më pak e kuptojnë këtë gjë personat që nuk përfshihen personalisht, të cilët nuk janë në brendësi të situatës. «Askush,—pohon Pati,—nuk e kupton me të vërtetë se si ndihem. Kur e mendoj burrin tim me atë, ndiej një sëmbim të vërtetë fizik, një dhimbje që është e pamundur t’ia shpjegoj dikujt tjetër.» Ajo shton: «Ka raste kur më duket se do të çmendem. Një ditë ndiej se mund ta zotëroj fare mirë situatën, ditën tjetër jo. Një ditë më merr malli për të, ditën tjetër kujtoj gjithë intrigat, gënjeshtrat dhe poshtërimin.»
Zemërim dhe ankth
«Ndonjëherë,—pranon një viktimë e jobesnikërisë,—ndjenja që të gëlltit është një zemërim therës.» Nuk është thjesht indinjatë për fajin e bërë dhe për dëmin e shkaktuar. Më saktë, siç shpjegonte një gazetare, është «një ndjenjë inati, për arsye se është shkatërruar ajo që mund të kishte qenë një martesë e lumtur».
Të zakonshme janë edhe ndjenjat e respektit të pakët për veten dhe ndjenjat e pavlefshmërisë. Pedro rrëfen: «Ju provoni ndjenja të tilla si ‘Nuk jam dhe aq tërheqës? Kam mangësi në ndonjë drejtim tjetër?’ Filloni të analizoni me imtësi vetveten për të gjetur të metat.» Në librin e saj To Love, Honour and Betray (Ta duash, ta nderosh dhe ta tradhtosh), Zelda Uest-Mids, e Këshillit Kombëtar Britanik të Konsultimit Martesor, pohon: «Një nga gjërat më të vështira me të cilat duhet të ndesheni . . . është humbja e respektit për veten.»
Ndjenja faji dhe depresioni
Zakonisht këto ndjenja pasohen menjëherë nga një vërshim ndjenjash faji. Një grua e dëshpëruar thotë: «Mendoj se gratë vuajnë shumë prej ndjenjave të fajit. Ti fajëson veten dhe vret mendjen: ‘Çfarë bëra gabim?’ »
Një burrë i tradhtuar zbulon një aspekt tjetër të asaj që ai e quan kolovajzë ndjenjash. Ai shpjegon: «Depresioni bëhet një element i ri që zë vend ashtu si moti i keq.» Një grua kujton se pasi e la burri, nuk kalonte as edhe një ditë që ajo të mos derdhte lot. «Mund ta kujtoj qartë ditën e parë që nuk derdha lot, disa javë pasi ai më la,—tregon ajo.—Disa muaj më parë pata javën e parë pa lot. Këto ditë dhe javë pa lot u bënë momente kyçe që shënuan shërimin tim.»
Tradhti e dyfishtë
Diçka që shumë njerëz shpesh nuk e kuptojnë është fakti që kurorëshkelësi i ka dhënë bashkëshortes së vet një goditje të dhimbshme të dyfishtë. Në çfarë mënyre? Pati na ndihmon ta kuptojmë: «Ishte e rëndë për mua. Ai nuk ishte vetëm bashkëshorti im, por edhe miku im, miku im më i mirë, për shumë vite.» Po, kur dalin probleme, një grua drejtohet në shumicën e rasteve nga bashkëshorti i vet për të gjetur mbështetje. Tani, ai jo vetëm që është bërë shkaku i problemeve shumë tronditëse, por edhe nuk është më një burim jashtëzakonisht i nevojshëm ndihme. Me një goditje të vetme ai ka shkaktuar dhimbje therëse dhe i ka larguar gruas së vet mikun e ngushtë të besuar.
Si pasojë, ndjesia e thellë e tradhtisë dhe e besimit të rrënuar është njëra prej ndjenjave më mbytëse që përjetojnë bashkëshortët e pafajshëm. Një këshilluese martese sqaron se përse tradhtia bashkëshortore mund të jetë kaq ligështuese nga ana emocionale: «Në martesë ne investojmë kaq shumë nga vetvetja: shpresat, ëndrrat dhe perspektivat tona . . . , meqë kemi kërkuar dikë tek i cili mund të kemi vërtet besim, dikë tek i cili e ndiejmë se mund të mbështetemi gjithmonë. Nëse befas ai besim hiqet, mund të ndodhë si me një kështjellë prej rëre që shembet papritur.»
Fare qartë, siç vërehet në librin How to Survive Divorce, viktimat «kanë nevojë për ndihmë që të ndreqin rrëmujën emocionale . . .Ato mund të kenë nevojë për ndihmë që të përcaktojnë çfarë zgjedhjesh mund të bëjnë dhe si t’i bëjnë. Por, çfarë janë këto zgjedhje?
‘A është pajtimi zgjidhja për rastin tonë?—mund të pyesni veten.—Ose duhet të divorcohem?’ Veçanërisht nëse martesa ka qenë e tensionuar, mund të jetë shumë tunduese që të arrihet me ngut në përfundimin se zgjidhja për problemet tuaja është divorci. ‘Në fund të fundit,—mund të arsyetoni,—Bibla e lejon divorcin mbi bazën e jobesnikërisë martesore.’ (Mateu 19:9) Nga ana tjetër, ju mund të arsyetoni që Bibla nuk këmbëngul për divorcin. Prandaj mund të mendoni që do të ishte më mirë të pajtoheshit dhe të rindërtonit e të forconit martesën.
Të divorcohesh ose jo nga një bashkëshort jobesnik është një vendim personal. Megjithatë, si mund ta dini se çfarë duhet të bëni? Së pari, shqyrtoni ju lutemi disa prej faktorëve që mund t’ju ndihmojnë të përcaktoni nëse është i mundur pajtimi.
[Shënimi]
a Disa emra janë ndryshuar.
-
-
A është i mundur pajtimi?Zgjohuni!—1999 | Maj
-
-
A është i mundur pajtimi?
«Është e lehtë të fillosh me rrëmbim procedurat e divorcit,—vëren libri ‘Couples in Crisis’,—e megjithatë duhet të jenë të shumta martesat që në thelb janë me vlerë dhe që mund të kishin qenë të suksesshme nëse do të ishin zgjidhur problemet.»
KJO vërejtje është në harmoni me një mësim të lashtë të Jezu Krishtit mbi divorcin. Ndonëse pohoi se ishte e lejueshme që një bashkëshort i pafajshëm të divorcohej mbi bazën e jobesnikërisë bashkëshortore, ai nuk tha se ishte e detyrueshme të veproje kështu. (Mateu 19:3-9) Një bashkëshorte besnike mund të ketë arsye që të përpiqet për ta shpëtuar martesën. Shkelësi mund ta dojë ende gruan e vet.a Ai mund të jetë një bashkëshort i kujdesshëm dhe një baba i devotshëm, që siguron me përpikmëri për nevojat e familjes së tij. Duke marrë parasysh nevojat e veta dhe ato të fëmijëve, bashkëshortja besnike mund të vendosë të pajtohet, në vend se të divorcohet. Cilët faktorë duhen shqyrtuar në këtë rast dhe si mund të përballohen me sukses sfidat e rindërtimit të martesës?
Në fillim duhet thënë se as divorci, as pajtimi nuk është diçka e lehtë. Veç kësaj, thjesht falja e bashkëshortit kurorëshkelës mund të mos i zgjidhë problemet thelbësore të martesës. Zakonisht kërkohet vetëshqyrtim i dhimbshëm, komunikim i çiltër dhe punë e palodhur për të shpëtuar një martesë. Çiftet shpesh e nënvlerësojnë faktin që për të rindërtuar një martesë të dëmtuar kërkohet mjaft kohë dhe përpjekje. Sidoqoftë, shumë çifte kanë ngulmuar dhe si rezultat kanë një martesë të qëndrueshme.
Pyetje që duan përgjigje
Për të marrë një vendim të peshuar, një bashkëshorte besnike ka nevojë të qartësojë ndjenjat e veta dhe alternativat që ka përpara. Ajo mund të shqyrtojë aspektet e mëposhtme: A dëshiron ai të kthehet? A i ka dhënë fund njëherë e mirë marrëdhënies kurorëshkelëse apo ngurron ta bëjë këtë gjë menjëherë? A ka kërkuar të falur? Nëse po, a është vërtet i penduar dhe a e bren sinqerisht ndërgjegjja për atë që ka bërë? Ose ka prirjen të ma vërë fajin mua për shkeljen e vet? A i vjen me të vërtetë keq për lëndimin që ka shkaktuar? Ose, përkundrazi, është i mërzitur vetëm ngaqë marrëdhënia e tij e paligjshme është zbuluar dhe është ndërprerë?
Ç’të themi për të ardhmen? A ka filluar t’i korrigjojë qëndrimet dhe veprimet që e çuan deri në tradhti bashkëshortore? A është fortësisht i vendosur që të mos e përsëritë fajin? Ose ka ende njëfarë prirjeje për të flirtuar dhe për të krijuar lidhje të papërshtatshme emocionale me seksin e kundërt? (Mateu 5:27, 28) A angazhohet plotësisht për rindërtimin e martesës? Nëse po, çfarë po bën për këtë gjë? Përgjigjet pozitive për këto pyetje mund të jenë një bazë për të besuar se rivendosja e marrëdhënies bashkëshortore është e mundur.
Komunikimi jetësor
«Planet prishen,—thotë një shkrimtar i Biblës,—aty ku nuk ka të folur me mirëbesim.» (Proverbat [Fjalët e urta] 15:22, BR) Ky është sigurisht rasti kur partnerja e pafajshme ndjen nevojën për të folur rreth jobesnikërisë me burrin e saj. Pa qenë nevoja të futen në detaje intime, ata mund të zhvillojnë një diskutim të ndershëm dhe të sinqertë që mund të zbulojë të vërtetën rreth asaj që ka ndodhur dhe të sqarojë idetë e gabuara. Kjo gjë, nga ana e saj, mund të ndihmojë që të parandalohet ndarja e mëtejshme mes çiftit si pasojë e keqkuptimeve dhe mërive të gjata. Kuptohet, si për burrin, ashtu edhe për gruan, këto diskutime ka të ngjarë që të jenë të dhimbshme. Por shumë veta kanë zbuluar se ato janë një pjesë e rëndësishme e procesit të rikthimit të besimit.
Një hap tjetër i domosdoshëm drejt një pajtimi të efektshëm është të përpiqesh të identifikosh zonat problematike në martesë, domethënë gjërat rreth të cilave të dy bashkëshortët mund të kenë nevojë të punojnë. Zelda Uest-Mids këshillon: «Pasi keni biseduar gjerë e gjatë mbi situatën e dhimbshme, pasi keni përcaktuar se ajo marrëdhënie ka marrë fund përfundimisht dhe se e doni ende lidhjen tuaj bashkëshortore, ndreqni gjërat që kanë shkuar keq dhe ripërtërini martesën.»
Ndoshta ju e trajtonit shkujdesshëm njëri-tjetrin. Aktivitetet frymore mund të jenë lënë pas dore. Mbase nuk kalonit mjaft kohë së bashku. Ka të ngjarë që të mos i keni dhënë bashkëshortit tuaj aq dashuri, përzemërsi të butë, lavdërime dhe nderim sa kishte nevojë. Rishqyrtimi së bashku i synimeve dhe i parimeve që janë me vlerë për ju do të bëjë shumë për t’ju afruar dhe do të ndihmojë që të parandalohet jobesnikëria në të ardhmen.
Duke punuar për faljen
Me gjithë përpjekjet e sinqerta që bën, një bashkëshorte e lënduar mund të mos e ketë të lehtë ta falë burrin e saj e aq më pak gruan tjetër. (Efesianëve 4:32) Është e mundur, megjithatë, që të punohet hap pas hapi për ta larguar mërinë dhe hidhërimin. «Partnerja besnike duhet ta pranojë se vjen një kohë kur këto ndjenja duhen mënjanuar,—këshillon një vepër referimi.—Është e rëndësishme që të mos vazhdosh të përmendësh mëkatet e kaluara të partnerit tënd për ta ndëshkuar [atë] sa herë që ndodh një zënkë.»
Shumë bashkëshortë kanë zbuluar se duke u përpjekur të pakësojnë dhe të eliminojnë ndjenjat e mërisë së thellë, më në fund kanë pushuar së ndjeri armiqësi ndaj ofenduesit. Ky është një hap jetësor në rindërtimin e një marrëdhënieje bashkëshortore.
Mësoni të keni përsëri besim
«A do të jemi në gjendje ta kemi përsëri besimin e fillimit?»—pyeste me ankth një bashkëshorte e tronditur. Shqetësimi i saj është i drejtë, sepse mashtrimi i kurorëshkelësit e ka shkatërruar ose të paktën e ka dëmtuar rëndë besimin. Ashtu si një vazo e çmuar, besimi thyhet me lehtësi, por rindërtohet me vështirësi. E vërteta është që duhet të ekzistojë një besim dhe respekt reciprok, në mënyrë që një marrëdhënie jo vetëm të mbijetojë, por edhe të lulëzojë.
Zakonisht kjo gjë përfshin të mësosh të kesh përsëri besim. Në vend se të kërkojë në mënyrë të pandjeshme që ta besojnë, bashkëshorti fajtor mund të ndihmojë në rindërtimin e besimit duke qenë plotësisht i hapur dhe i ndershëm në lidhje me aktivitetet e tij. Të krishterët inkurajohen që ‘ta lënë mënjanë gënjeshtrën dhe t’i thonë të vërtetën’ njëri-tjetrit. (Efesianëve 4:25) Për ta rifituar besimin, në fillim mund «t’i jepni [bashkëshortes] tuaj itinerarin e saktë të vendeve ku ndodheni pikërisht,—thotë Zelda Uest-Mids.—Tregojini [bashkëshortes] tuaj ku po shkoni, kur do të ktheheni dhe sigurohuni se jeni atje ku thatë se do të ishit». Nëse planet ndryshojnë, vëreni vazhdimisht në dijeni.
Mund të duhet kohë dhe përpjekje që të rindërtohen ndjenjat e respektit për veten. Bashkëshorti fajtor mund të ndihmojë duke qenë bujar në përzemërsi dhe në lavdërime, domethënë duke i treguar shpesh gruas së tij se e çmon dhe e do. Një këshilluese e respektuar martese këshillon: «Jepini asaj meritën për gjithçka që bën.» (Fjalët e urta 31:31, Today’s English Version) Bashkëshortja, nga ana e saj, mund të punojë për rindërtimin e besimit te vetja duke u përqendruar në ato gjëra të jetës së vet që i bën mirë.
Kërkohet kohë
Duke pasur parasysh se dhimbja e shkaktuar nga jobesnikëria është e thellë, nuk është e çuditshme që pas shumë vitesh të jetë ende e mundur që të kesh kujtime të gjalla dhe të dhimbshme. Megjithatë, ndërsa plaga shërohet dalëngadalë, përulësia, durimi dhe qëndrueshmëria nga ana e të dyve do të ndihmojnë që të rindërtohet besimi dhe respekti.—Romakëve 5:3, 4; 1. Pjetrit 3:8, 9.
«Dhimbja e tmerrshme e atyre pak muajve të parë nuk zgjat,—siguron libri To Love, Honour and Betray (Ta duash,ta nderosh dhe ta tradhtosh).—[Ajo] më në fund fashitet . . . Përfundimisht ju zbuloni se mund të kaloni ditë, javë, muaj dhe madje vite të tëra pa menduar rreth kësaj gjëje.» Ndërkohë që vazhdoni të zbatoni parimet e Biblës në martesën tuaj e të kërkoni bekimin dhe udhëheqjen e Perëndisë, do të përjetoni pa dyshim ndikimin qetësues të ‘paqes së Perëndisë që ia tejkalon çdo mendimi’.—Filipianëve 4:4-7, 9, BR.
«Duke hedhur vështrimin mbrapa,—tregon Pedro,—shohim se kjo përvojë ka ndryshuar rrjedhën e jetës sonë. Kemi ende nevojë që herë pas here të bëjmë disa rregullime në marrëdhënien tonë bashkëshortore. Por e kemi mbijetuar situatën e rëndë. Jemi ende të martuar. Dhe jemi të lumtur.»
Por ç’të themi në rastin kur bashkëshortja e pafajshme nuk ka arsye për ta falur bashkëshortin jobesnik? Ose në rastin kur ajo e fal bashkëshortin e vet (deri në atë masë që largon mërinë) dhe prapëseprapë, për arsye të forta, zgjedh të shfrytëzojë masën biblike të divorcit?b Çfarë kërkesash mund të vendosë divorci mbi një individ? Ju ftojmë të shqyrtoni elementet që përfshin divorci, si edhe mënyrën se si e kanë përballuar atë disa individë.
[Shënimet]
a Për thjeshtësi, do të flasim në përgjithësi për bashkëshorten besnike. Sidoqoftë, parimet e trajtuara u aplikohen edhe bashkëshortëve të pafajshëm, gratë e të cilëve janë jobesnike.
b Të lutemi shiko artikullin «Pikëpamja e Biblës: Tradhtia bashkëshortore—Të falet apo të mos falet?» në numrin e Zgjohuni! të 8 gushtit 1995, anglisht.
[Kutia në faqen 6]
MBËSHTETJE DOMETHËNËSE
Duke qenë se faktorët që mund të shqyrtohen janë të shumtë, mund të jetë e dobishme të kërkohet ndihma e një këshilluesi me përvojë dhe të ekuilibruar. Dëshmitarët e Jehovait, për shembull, kanë mundësinë për t’iu drejtuar pleqve të përzemërt dhe të dhembshur të kongregacionit.—Jakovit 5:13-15.
Këshilluesit, miqtë dhe të afërmit janë të inkurajuar të mos e vënë theksin mbi opinionin e tyre personal ose të mos përkrahin a të dënojnë qoftë divorcin e bërë mbi baza biblike, qoftë pajtimin. Një grua e krishterë që përjetoi divorcin nxit: «Thjesht jepni shumë mbështetje dhe na lini të ndajmë mendjen se çfarë të bëjmë.»
Këshillat duhet të jenë fortësisht të bazuara në Bibël. «Mos u tregoni se si duhet ose se si nuk duhet të ndihen,—sugjeron një grua e divorcuar.—Në vend të kësaj, lërini të hapin zemrën.» Ndjenjat e përbashkëta, përzemërsia vëllazërore dhe dhembshuria e butë do të ndihmojnë që të lehtësohen plagët e thella të shkaktuara nga tradhtia bashkëshortore. (1. Pjetrit 3:8) Një këshillues me përvojë vërejti: «Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë, por gjuha e të urtëve sjell shërim.»—Fjalët e urta 12:18.
«Kisha nevojë për mirëkuptim, për një fjalë ngushëlluese dhe për inkurajim,—kujton një bashkëshort besnik.—Veç kësaj, gruaja ime ishte e dëshiruar për një drejtim dhe lavdërim specifik për përpjekjet që po bënte, domethënë për një mbështetje konkrete që ta ndihmonte të vazhdonte në përmirësimin e saj.»
Në rast se pas një meditimi të kujdesshëm e me lutje një person vendos të divorcohet ose të ndahet për një arsye biblike, nuk duhen dhënë këshilla në një mënyrë që e bën atë të ndihet fajtor. Përkundrazi, ky person duhet ndihmuar që të kapërcejë ndjenjat e pajustifikuara të fajit.
«Nëse dëshironi të jeni burim i vërtetë ngushëllimi,—tha një viktimë,—mos harroni kurrë emocionet e thella njerëzore që përfshihen.»
[Kutia në faqen 7]
PËRSE DISA QËNDROJNË SË BASHKU?
Në shumë vende ka bashkëshorte që s’kanë mundësi tjetër zgjedhjeje, përveçse të qëndrojnë me bashkëshortin e papenduar kurorëshkelës. Për shembull, disa bashkëshorte të krishtere që jetojnë në zona të copëtuara nga konfliktet dhe me të ardhura të pakta kanë qëndruar me një bashkëshort jobesnik, i cili në aspektet e tjera vazhdon të kujdeset për shtëpinë, edhe pse mund të mos jetë një besimtar. Si rezultat, ato kanë një shtëpi, mbrojtjen e nevojshme, të ardhura të vazhdueshme dhe stabilitetin relativ të pasjes së një babai në shtëpi, edhe pse ai mund të jetë jobesnik. Ato kanë arsyetuar se fakti që kanë qëndruar, ndonëse jo i pëlqyeshëm ose i lehtë, u ka dhënë, në rrethanat e tyre të veçanta, një kontroll më të madh mbi jetën e tyre nga ç’do ta kishin nëse do të luftonin të vetme.
Pasi kanë duruar një situatë të tillë, ndonjëherë për shumë vite, disa prej këtyre bashkëshorteve kanë pasur bekimin e gëzueshëm që t’i shohin më në fund bashkëshortët e tyre të ndryshojnë rrugën dhe të bëhen bashkëshortë të krishterë të dashur e besnikë.—Krahaso 1. Korintasve 7:12-16.
Prandaj, ato që zgjedhin të qëndrojnë me bashkëshortin, megjithëse ai është i papenduar, nuk duhen kritikuar. Atyre u është dashur të marrin një vendim të vështirë dhe duhet t’u jepet e gjithë ndihma dhe mbështetja që u nevojitet.
[Kutia në faqen 8]
KUSH ËSHTË PËRGJEGJËS?
Vërtet, në disa raste, të metat e partnerit të pafajshëm mund të kenë kontribuar në acarimin e marrëdhënies. Sidoqoftë, Bibla pohon se «secili provohet duke qenë i tërhequr dhe i joshur nga vetë dëshira e tij. Pastaj dëshira, kur është bërë pjellore, lind mëkatin». (Jakovit 1:14, 15, BR) Ndonëse mund të ekzistojnë faktorë të ndryshëm kontribues, përgjegjës kryesor për kurorëshkeljen e një personi është «vetë dëshira e tij». Nëse të metat e një bashkëshorti shkaktojnë probleme martesore, kryerja e kurorëshkeljes patjetër që nuk është mënyra për t’i zgjidhur ato.—Hebrenjve 13:4.
Në vend të kësaj, problemet martesore mund të zgjidhen kur si burri, ashtu edhe gruaja ngulmojnë në zbatimin e parimeve të Biblës. Kjo përfshin ‘të durojnë njëri-tjetrin dhe të falin lirisht njëri-tjetrin’. Ata duhet, gjithashtu, të këmbëngulin në shfaqjen e cilësive të tilla si «përzemërsitë e buta të dhembshurisë, dashamirësisë, përulësisë së mendjes dhe të shpirtmadhësisë». Ç’është më e rëndësishmja, duhet të ‘vishen me dashuri, sepse ajo është një lidhje e përsosur bashkimi’.—Kolosianëve 3:12-15, BR.
[Figura në faqen 7]
Dëgjimi me kujdes i njëri-tjetrit mund ta ndihmojë një çift të rindërtojë martesën
-
-
Alternativa e divorcitZgjohuni!—1999 | Maj
-
-
Alternativa e divorcit
«Nëse bashkëshorti yt vdes, njerëzit të kuptojnë, edhe nëse nuk ke qenë një bashkëshorte e shkëlqyer. Por nëse burri të lë, e mirë, disa mendojnë se ti nuk je përpjekur sa ç’duhet. Ju lutem, ju lutem, NDIHMË!»—Një lexuese e Zgjohuni! në Afrikën e Jugut.
JOBESNIKËRIA dhe divorci mund të jenë shumë tronditëse. Edhe pse shumë persona kanë gjetur arsye të vlefshme për t’u pajtuar me partnerin e tyre dhe për ta ruajtur martesën, të tjerë kanë arsye të vlefshme që të zgjedhin alternativën e siguruar nga Perëndia për t’u divorcuar nga një partner kurorëshkelës. (Mateu 5:32; 19:9) Për shembull, siguria, marrëdhënia me Perëndinë dhe mirëqenia e përgjithshme e një bashkëshorteje besnike dhe e fëmijëve të saj mund të jetë në rrezik. Ajo mund të jetë, gjithashtu, e merakosur se mos infektohet me ndonjë sëmundje të transmetuar seksualisht. Ose ndoshta ajo e ka falur të shoqin për faktin që ka kryer kurorëshkelje, por nuk ka ndonjë bazë për të shpresuar se mund të rivendoset besimi i sinqertë dhe se mund të vazhdojë të jetojë me të si burrë e grua.
«Ky qe vendimi më i vështirë i jetës sime»,—pranoi një bashkëshorte e tronditur. Një vendim i vështirë vërtet. Jo vetëm sepse tradhtia është shumë e dhimbshme, por edhe sepse divorci ka pasoja të shumanshme që do të ndikojnë në gjithë jetën e saj. Prandaj, nëse një bashkëshorte duhet të divorcohet ose jo nga partneri i saj jobesnik është një vendim personal. E drejta biblike e bashkëshortes së pafajshme për të marrë këtë vendim duhet respektuar prej të tjerëve.
Është tragjike, ama, që shumë njerëz nguten për t’u divorcuar pa llogaritur siç duhet koston. (Krahaso Lukën 14:28.) Cilët janë disa prej faktorëve që përfshihen në alternativën e divorcit?
Nëse kanë fëmijë
«Prindërit, që janë shumë të përpirë nga problemet e veta, shpesh i harrojnë ose i shpërfillin nevojat e fëmijëve»,—pohon libri Couples in Crisis. Kështu, kur ke ndër mend divorcin, mbaj parasysh marrëdhënien me Perëndinë dhe mirëqenien e fëmijëve të tu. Shumë studiues vërejnë se sa më miqësor të jetë një divorc, aq më pak mundësi ka që fëmijët të vuajnë. Edhe nën rrethana të vështira, butësia do ta ndihmojë një person ‘të mos luftojë, por të jetë i butë ndaj të gjithëve, duke e mbajtur veten të kufizuar nën të ligën’.—2. Timoteut 2:24, 25, BR.a
Nëse dikush zgjedh të divorcohet, duhet të mbajë në mend se ata që po divorcohen janë burri dhe gruaja, jo fëmijët. Fëmijët kanë ende nevojë si për mamin, ashtu edhe për babin. Sigurisht, mund të ekzistojnë rrethana ekstreme, si në rastin kur rrezikohet që të abuzohet me fëmijën. Por ndryshimet fetare ose personale nuk duhen përdorur për t’i privuar fëmijët nga dobia e pasjes së dy prindërve.
Gjithashtu, duhen marrë parasysh ndjenjat e brishta të fëmijëve dhe nevoja e tyre për sigurim, dashuri dhe përzemërsi të bollshme. «Kjo mosndërprerje e dashurisë,—pohon një libër,—do t’u sigurojë atyre si një mjedis, ashtu edhe një themel për të përballuar situatën e re.» Veç kësaj, kushtimi i vëmendjes ndaj nevojave të tyre të përditshme frymore mund t’i ndihmojë të mbajnë stabilitetin.—Ligji i përtërirë 6:6, 7; Mateu 4:4
Të ardhurat dhe procedurat ligjore
Në mënyrë të pashmangshme, divorci i heq çdo bashkëshorti një sasi të caktuar të ardhurash dhe pronash, disa komoditete e ndoshta një shtëpi shumë të dashur. Meqë mund të duhet të përballohen shpenzime më të mëdha me të ardhura më të pakta, është e mençur të hartohet një buxhet realist sipas përparësive financiare. Duhet mënjanuar dëshira e fortë për të kompensuar humbjet dhe ndjenjat e lënduara duke harxhuar sa më shumë ose duke u futur në borxhe.
Nëse është marrë vendimi për t’u divorcuar, është e nevojshme edhe që të zgjidhet bashkë me bashkëshortin çështja se si do të administrohen llogaritë e përbashkëta. Për të parandaluar, për shembull, keqpërdorimin e fondeve në një llogari të përbashkët bankare, mund të jetë e mençur t’i sugjerohet drejtorit të bankës që të kërkojë firmat e të dy bashkëshortëve për tërheqjen e parave derisa secili të ketë llogarinë e vet.
Është, po ashtu, diçka e matur të mbahen regjistrime të sakta të të ardhurave dhe të shpenzimeve, në përgatitje të bisedimeve për lidhjen e një pensioni. Gjithashtu, në shumë vende është kërkesë ligjore që njerëzit të informojnë drejtoritë e tatimeve për ndryshimin e rrethanave të tyre.
Përveç kësaj, shumica e njerëzve nxjerrin dobi nga konsultimi me një avokat që ka përvojë të veçantë në çështjet e divorcit. Disa vende lënë ndërmjetës ose pajtues që t’i ndihmojnë çiftet të bashkëpunojnë për të arritur marrëveshje paqësore dhe të pranueshme nga të dyja palët, të cilat do të miratohen më pas nga një gjykatë. Veçanërisht në rastin kur përfshihen fëmijë, shumë prindër preferojnë të përdorin shërbimet e një avokati, i cili nuk është kundërshtar. Në vend se të kërkojnë përfitime sa më të mëdha materiale, prindërit synojnë të minimizojnë konfliktet dhe lëndimet. Disa fitime materiale thjesht nuk kanë vlerë po të krahasohen me koston emocionale dhe financiare që kërkohet për t’i marrë ato.
Marrëdhënie të ndryshuara
«Nuk duhet ta nënvlerësojmë sikletin dhe dyshimet që ndiejnë shumë njerëz në lidhje me miqtë e tyre të divorcuar»,—informon një studiuese. Edhe pse bashkëshortja besnike po vepron brenda të drejtave të saj ligjore, morale dhe biblike, ka shumë të ngjarë që disa veta ta konsiderojnë atë si shkakun e prishjes së martesës. Reagimi i tyre mund të shkojë nga një përshëndetje e ftohtë deri në shmangie të hapur. Më keq akoma, ish-shoqet e afërta mund të tregojnë sheshit armiqësi.
Shumë njerëz thjesht nuk e kuptojnë se për sa shumë mbështetje ka nevojë një person kur divorcohet; ata mund të kenë përshtypjen se një letër e shkurtër ose një kartolinë është e mjaftueshme. Megjithatë, zakonisht ekzistojnë miq që «kanë tamam ndjeshmërinë e duhur,—vëren libri Divorce and Separation,—dhe që telefonojnë për të parë nëse keni nevojë të jeni e shoqëruar për diku, nëse keni nevojë të bëjnë ndonjë gjë ose nëse thjesht doni të flitni». Vërtet, në një moment të tillë në jetë, një person ka nevojë, siç thotë Bibla, për «një mik që është më i lidhur se një vëlla».—Fjalët e urta 18:24.
Duke punuar drejt rimëkëmbjes
Gjashtëmbëdhjetë vjet pas divorcit, një nënë pranon: «Ka akoma raste kur ndjej një vetmi të jashtëzakonshme, madje edhe kur jam midis njerëzve.» Si e përballon ajo këtë situatë? «Ndërtova një lloj mekanizmi mbrojtës,—kujton ajo,—duke e mbajtur veten të zënë me punë, duke u kujdesur për djalin tim dhe duke mirëmbajtur shtëpinë. Fillova, gjithashtu, të frekuentoja mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, t’i ndaja bindjet e mia me fqinjët dhe të bëja gjëra për të tjerët. Kjo më ndihmoi shumë.»
Disa data dhe momente të vitit mund të zgjojnë kujtime dhe emocione të dhimbshme: dita kur u zbulua jobesnikëria, koha kur ai u largua nga shtëpia, data e gjyqit. Rastet e gëzueshme që çifti kalonte së bashku, të tilla si pushimet dhe përvjetorët e martesës, mund të jenë përvoja emocionale të vështira për t’u përballuar. «I kapërcej ato ditë duke u organizuar që ta kaloj kohën me familjen ose me miqtë e afërt, të cilët e dinë gjendjen time,—thotë Pati.—Ne bëjmë gjëra që do t’i kompensojnë mendimet e së kaluarës dhe do të krijojnë kujtime të reja. Por ndihma më e madhe për mua është marrëdhënia ime me Jehovain, duke e ditur që ai e kupton se si ndihem.»
Mos u dëshpëroni
Partnerët e pafajshëm që zbatojnë parimet e Biblës dhe zgjedhin të veprojnë sipas së drejtës që jep Perëndia për t’u divorcuar nga një bashkëshort kurorëshkelës, nuk duhet të ndihen fajtorë ose të kenë frikë se mos janë braktisur nga Jehovai. Është rruga tradhtare e partnerit kurorëshkelës, e cila ka shkaktuar «të qara dhe psherëtima», ajo që urrehet nga Perëndia. (Malakia 2:13-16, BR) Madje Jehovai, Perëndia i «dhembshurisë së butë», e di se si ndihesh kur hidhesh poshtë nga një person i dashur. (Luka 1:78, BR; Jeremia 3:1; 31:31, 32) Jini të sigurt, pra, se «Jehovai është dashurues i drejtësisë dhe nuk do t’i lërë besnikët e tij».—Psalmi 37:28, BR.
Sigurisht, do të ishte shumë më mirë nëse jobesnikëria bashkëshortore dhe pasojat e saj tragjike do të mund të shmangeshin qysh në fillim. Sekreti i lumturisë familjare,b një udhëzues praktik për familjen, po ndihmon shumë njerëz përreth botës që të ndërtojnë martesa të lumtura dhe të shmangin jobesnikërinë bashkëshortore. Ai përmban kapituj mbi ndërtimin e një martese të lumtur, edukimin e fëmijëve dhe përballimin e problemeve martesore. Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj ose botuesit e kësaj reviste do të jenë të lumtur t’ju sigurojnë më shumë informacion mbi këtë çështje.
[Shënimet]
a Më shumë informacion mund të gjendet në seritë «Kujdestaria e fëmijëve: Cila është pikëpamja e ekuilibruar?» dhe në artikullin «Si të ndihmohen fëmijët e të divorcuarve», në numrat e Zgjohuni! të 8 dhjetorit 1997 dhe 22 prillit 1991, anglisht.
b Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Kutia në faqen 10]
FËMIJËT NUK E MERITOJNË DIVORCIN
Në vitin 1988, e ndjera Diana, Princeshë e Uellsit, tha se vetëm në Britani, deri në 420 fëmijë çdo ditë përjetojnë divorcin e prindërve të tyre. Një e treta e këtyre fëmijëve janë më pak se pesë vjeç. Tragjikisht, pas divorcit, të paktën 40 për qind e fëmijëve humbasin lidhjet me njërin prej prindërve.
Ndryshe nga ç’mendojnë shumë njerëz, një shkrimtare e respektuar në fushën e shëndetësisë dhe mjekësisë vëren se «shumë pak fëmijë të prindërve të divorcuar e presin me kënaqësi prishjen. Shumica dërrmuese e fëmijëve do të preferonin t’i shihnin prindërit e tyre së bashku, edhe pse atmosfera familjare është e nderë». Ndonëse në kohën e jobesnikërisë një çift grindet shumë, ata nuk duhet të arrijnë me ngut në përfundimin se prishja e martesës do të ishte gjëja më e mirë për fëmijët. Bërja e ndryshimeve në qëndrimet dhe sjelljen e tyre mund të bëjë të mundur që ata të qëndrojnë së bashku për të mirën e gjithë familjes.
«Bashkëshortët që janë imoralë,—pohon autorja Pamela Uinfild,—duhet të mendojnë për dhimbjen në sytë e fëmijëve të tyre, të cilët shohin shkatërrimin e familjes, dhimbje që do të pasojë marrëzinë e tyre.»
[Kutia në faqen 11]
A E URREN PERËNDIA ÇDO LLOJ DIVORCI?
«Gjëja që më shqetësonte shumë,—pranon Pati,—ishte mendimi që ‘Jehovai e urren divorcin’. S’më hiqej nga mendja pyetja: ‘A po bëj atë që i pëlqen Jehovait?’ »
Le të shikojmë kontekstin e Malakisë 2:16, për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Në kohën e Malakisë, shumë burra izraelitë po divorcoheshin nga bashkëshortet e tyre, ndoshta për t’u martuar me gra më të reja pagane. Perëndia e dënoi këtë sjellje mashtruese dhe të pabesë. (Malakia 2:13-16, BR) Prandaj, ajo që është e urryer për Perëndinë është lënia me mendjelehtësi e partnerit, në mënyrë që të marrësh një tjetër. Një person që në mënyrë mashtruese kryen kurorëshkelje dhe pastaj ose e divorcon partneren e tij, ose i bën presion që ajo të bëjë divorc, ka kryer një mëkat të urryer pabesie.
Mirëpo, këto vargje nuk dënojnë çdo lloj divorci. Kjo mund të vërtetohet nga fjalët e Jezuit: «Kushdo që e lëshon gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën.» (Mateu 19:9) Këtu Jezui pranoi se sipas Shkrimeve kurvëria është një arsye e pranueshme për divorc: është, në të vërtetë, e vetmja arsye e pranueshme që lejon rimartesën. Bashkëshortja e pafajshme mund të vendosë ta falë partnerin fajtor. Megjithatë, një person që zgjedh të përdorë thënien e Jezuit si bazë për t’u divorcuar nga partneri kurorëshkelës nuk po bën diçka që Jehovai e urren. Ajo që urrehet nga Perëndia është sjellja mashtruese e bashkëshortit jobesnik.
[Figurat në faqen 10]
Bashkëshortët e pafajshëm dhe fëmijët e tyre nxjerrin dobi nga mbështetja e dashur
-