Jehovai e mbledh popullin e tij dhe e përgatit për të vepruar
Në rrjedhën e shekujve, apostazia u shtri në mbarë tokën. Sektet e shumta fetare ruajtën disa doktrina biblike, por më shumë ndiqnin tradita njerëzore dhe zakone pagane. Pritjet në lidhje me kthimin e Krishtit ishin hedhur në plan të dytë.—Krahaso Mateu 13:24-30, 37-43.
Jezui, përkundrazi, kishte këshilluar të rrinim zgjuar në pritje të kthimit të tij. Në Allegheny të Pennsylvanias, SH.B.A., gjendej një grup që e ndiqte këtë këshillë. Në fillimet e dhjetëvjeçarit 1870-1880, Charles Taze Russell me disa miq filluan të bënin një studim të kujdesshëm dhe të pa ndikuar nga fetë të Biblës, të bazuar në kthimin e Krishtit. Filluan të rikërkojnë të vërtetat biblike edhe mbi shumë doktrina të tjera themelore. Kjo shënoi fillimin e aktiviteteve të Dëshmitarëve të Jehovait në kohët moderne.—Mateu 24:42.
Ky grup e kuptoi se doktrina e Trinitetit nuk ishte biblike, por se vetëm Jehovai është Perëndia i Gjithëpushtetshëm, Krijuesi, se Jezu Krishti është krijesa e Tij e parë dhe Biri i tij i vetëmlindur dhe se fryma e shenjtë nuk është person, por forca e padukshme vepruese e Perëndisë. Ky grup e kuptoi se shpirti nuk është i pavdekshëm, se shpresa për të vdekurit është ringjallja dhe se ndëshkimi i të ligjve të pandreqshëm nuk është mundimi i përjetshëm, por asgjësimi.
U kuptua se fakti që Jezui kishte dhënë jetën e tij si shpërblesë për njerëzimin ishte një doktrinë themelore biblike. Fillimisht, 144.000 burra e gra të zgjedhur prej shekullit të I-rë deri në ditët tona, do të shpërbleheshin nga toka për të qenë bashkëtrashëgimtarë të Krishtit në mbretërinë qiellore. Pastaj, me anë të shpërblesës së Jezuit, miliarda qenie njerëzore, shumica e të cilave do të ringjallej nga të vdekurit, do të arrinte përsosjen njerëzore me perspektivën që të jetojnë përgjithmonë mbi tokë nën qeverisjen e kësaj Mbretërie.
Russell-i dhe shokët e tij, kuptuan gjithashtu, se prania e Krishtit do të ishte e padukshme, në frymë. Kohët e Paganëve, periudhë gjatë së cilës sovraniteti i Perëndisë nuk u shpreh mbi tokë me asnjë qeveri, do të merrnin fund në 1914. Pastaj, mbretëria e Perëndisë do të vendosej në qiell. Këto mësime janë sot tipike për Dëshmitarët e Jehovait.
Russell-i dhe shokët e tij i shpallën këto të vërteta anembanë, me anë të fjalimeve dhe publikimeve të shtypura. Në korrik të 1879, Russell-i filloi të botonte revistën Zion’s Watch Tower (Kulla e Rojës e Sionit) e quajtur sot Kulla e Rojës. Ai vendosi që aktiviteti i predikimit të Studentëve Biblikë të mbështetej i tëri në kontribute vullnetare dhe se nuk do të bëhej mbledhje parash. Veç kësaj, mesazhi do të përhapej nëpërmjet impenjimit vullnetar dhe pa pagesë të atyre që do të bëheshin besimtarë. Vetë Russell-i kontribuoi duke vënë në dispozicion mjetet e grumbulluara deri në atë moment në punët e tij.
Studentët Biblikë mblidheshin nëpër klasa, siç quheshin atëherë kongregacionet. Mblidheshin deri në tri herë në javë për biseda, studim të Shkrimeve dhe mbledhje për dëshmi. Rregullisht zgjidhnin si pleq burra me përgjegjësi për të mbikëqyrur aktivitetet frymore të secilës klasë.
Në 1884 Zion’s Watch Tower Society u bë e njohur në Pensilvani si një ent pa qëllime fitimi. Çdo vit duhej të zgjidhej një kryetar. Kjo lejonte për të pasur një insrument juridik, të pavarur nga jeta e secilit individ, që do t’i jepte nxitje veprës së mësimit biblik. Charles Taze Russell u zgjodh kryetar dhe zyra e tij konsiderohej si selia qendrore.
U bënë përpjekje të dukshme për ta shtrirë veprën në vende të tjera. Në fillimet e dhjetëvjeçarit 1880-1890, ajo mbërriti Kanadanë dhe Anglinë. Në 1891 Russell bëri një udhëtim në Evropë dhe Lindjen e Mesme për të parë se ç’mund të bëhej atje për të nxitur përhapjen e së vërtetës. Në fillimet e shekullit të XX u hapën degë të Shoqatës në Britaninë e Madhe, Gjermani dhe Australi.
Në 1909 selia qendrore e Watch Tower Society u transferua në Brooklyn, New York, që vepra e predikimit të mund të shtrihej kështu në shkallë ndërkombëtare. U bë e nevojshme të krijohej një korporacion shoqërues sipas ligjit të shtetit të New York-ut, shoqatë që sot njihet si Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc. Në 1914 u krijua në Londër, Angli, International Bible Students Association (Shoqata Ndërkombëtare e Studentëve Biblikë), për të vënë në lëvizje aktivitetin e Studentëve Biblikë në të gjithë Komonuelthin britanik. Aktualisht ekzistojnë në vende të ndryshme të botës shtatëdhjetë ente dhe shoqëri që veprojnë sipas qëllimeve të Shoqatës Watch Tower. Janë të gjitha ente filantropike, që mbështeten në kontribute vullnetare dhe nga punonjës vullnetarë.
Në 1916 Charles Taze Russell vdiq dhe Josef Franklin Rutherford e pasoi si kryetar i Shoqatës Watch Tower. Në vitet e fundit të Luftës së Parë Botërore, Studentët Biblikë pësuan persekutime të rënda, që arritën kulmin me burgosjen e padrejtë të tetë vëllezërve që zinin vende me përgjegjësi në selinë qendrore të shoqatës në Amerikë. Vepra e Studentëve Biblikë u duk në rrezik. Megjithatë, në 1919 këta vëllezër u liruan dhe u shfajësuan. Filloi kështu një periudhë e përhapjes së madhe të veprës së predikimit.
Nëpërmjet selisë qendrore të Shoqatës, trupi i bashkuar i Studentëve të mirosur Biblikë të krishterë vazhdoi t’u siguronte ushqim frymor në kohën e vet të gjithë atyre që ishin bashkuar me organizatën. Ashtu si në shekullin e parë kongregacioni i krishterë përbënte «skllavin besnik e të matur» të përmendur prej Jezuit, edhe grupi i mirosur i Studentëve Biblikë të dedikuar, i impenjuar në veprën e Mbretërisë, përbën klasën e «skllavit besnik e të matur» në ditët tona. Kur erdhi për të kontrolluar kongregacionin, Jezui e gjeti këtë klasë të impenjuar në sigurimin e ushqimit për pjesëtarët e familjes; prandaj e vuri mbi të gjithë pasurinë e tij.—Mateu 24: 45-47; Luka 12:42.
Mbas Luftës së Parë Botërore, shpejt u bë e qartë se Mbretëria e Perëndisë, e qeverisur prej Krishtit Jezu, ishte vendosur në qiej në 1914-ën. Fjalët vijuese të Jezuit mund të kishin tashmë përmbushjen e tyre të plotë: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të shpallet në mbarë tokën e banuar, në dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» Josef F. Rutherford mori iniciativën për t’ia bërë të njohur këtë lajm të mbretërisë një numri në rritje njerëzish.—Mateu 24:14.
Shoqata vendosi kështu t’i shtypte vetë publikimet, duke përdorur njerëz të dedikuar si punëtorë vullnetarë, që të siguronte një prodhim konstant të literaturës biblike me një kosto sa më të vogël të ishte e mundur. Të gjithë Studentët Biblikë u inkurajuan që të merrnin pjesë rregullisht në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë. Në disa vende u përdor radioja për të transmetuar konferencat biblike.
Përpara 1918-ës Studentët Biblikë mendonin se qëllimi i predikimit të tyre ishte që të mblidhnin ata që kishin mbetur prej të zgjedhurve që duhej të mbretëronin në qiell me Krishtin Jezu dhe të lajmëronin botën për gjykimin e Perëndisë që po afrohej. Nuk mendonin për një mbledhje të atyre që do të mbijetonin në fund të këtij sistemi të lig të tanishëm gjërash për të jetuar mbi tokë. Pastaj, duke filluar prej 1918-ës, u shpall gjerësisht fjalimi «Miliona që tani jetojnë mund të mos vdesin kurrë!»
Në 1923 një studim i shëmbëlltyrës së Jezuit mbi delet dhe cjeptë, e thënë te Mateu 25:31-46, nxori në pah se përpara Harmagedonit njerëz me sjellje të drejtë, jo të destinuar për Mbretërinë qiellore, do të merrnin miratimin e Perëndisë dhe do ta mbijetonin Harmagedonin. Në 1935 një studim i mëtejshëm zbuloi se këta njerëz të krahasuar me delet ishin po ata që përshkruheshin te Zbulesa 7:9-17 si një shumicë e madhe që nuk mund të numurohej. Ata duhej të mblidheshin prej të gjitha kombeve dhe do të kishin perspektivën për të mbijetuar mjerimin e madh e të merrnin jetën e përjetshme mbi tokë. Ky kuptim i dha nxitje të dukshme veprës së predikimit.—Gjoni 10:16.
Në 1931 Studentët Biblikë morën emrin Dëshmitarë të Jehovait. Më parë ishin quajtur Studentë Biblikë, Studentë Biblikë Ndërkombëtarë, njerëzit e Agimit të Mijëvjeçarit dhe të Kullës së Rojës. Ishin mbiquajtur edhe ruselitë apo rutherfordistë. Asnjë prej këtyre emrave nuk i identifikonte saktësisht. Emri të krishterë, që iu dha dishepujve të Jezuit në shekullin e parë nëpërmjet provanisë hyjnore, ishte padyshim i përshtatshëm, por përdorej edhe prej mjaft grupeve fetare që ndiqnin doktrina të rreme. Për t’u dalluar prej milionave që vetëm emrin kishin të krishterë, nevojitej një emër që t’i identifikonte qartësisht ithtarët e vërtetë të Krishtit në kohën tonë.
Një shqyrtim i Shkrimeve bëri të qartë se ashtu si Jehovai e kishte përcaktuar popullin e Izraelit dëshmitar të vetin edhe populli i tij i tanishëm, i dedikuar për të bërë të njohur emrin dhe qëllimin e Tij në përfundim të sistemit të gjërave, me të drejtë duhej të merrte emrin e Dëshmitarëve të Jehovait. Ky emër i dallon në mënyrë të përshtatshme adhuruesit e vërtetë të krishterë të Jehovait nga të gjithë të tjerët që sot vetëquhen të krishterë.—Psalmi 83:18; Isaia 43:10-12.
Në 1942, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Josef F. Rutherford vdiq dhe Nathan H. Knorr e pasoi si kryetar i Shoqatës Watch Tower. U kuptua se profecitë tregonin qartë një periudhë relative paqeje dhe lirie të pasluftës, gjë që do të lejonte një shtrirje të madhe të veprës së predikimit përpara fundit të këtij sistemi. Në shkurt 1943 u krijua Watchtower Bible School of Gilead (Shkolla Misionare e Galaadit) që të përgatiste shërbëtorë në kohë të plotë për t’i çuar si misionarë jashtë shtetit. Si rrjedhojë, po atë vit programit të mbledhjeve javore të Dëshmitarëve të Jehovait iu shtua një program special për përgatitjen e shërbëtorëve.
Në 1950 Shoqata filloi të botonte pjesë të Përkthimit të Botës së Re të Shkrimeve të Shenjta, një version biblik në anglishten moderne i përkthyer prej gjuhëve origjinale. Ky version i kujdesshëm dhe i kuptueshëm i Biblës, i prodhuar me kosto të ulët prej makinave të shtypit të Shoqatës, ka qenë një ndihmë e madhe në veprën e predikimit. Deri tani janë shtypur si ai më shumë se 70 milion kopje në 12 gjuhë.
Në fund të 1992 gati katër milion e gjysmë Dëshmitarë të Jehovait zhvillonin veprën e predikimit në më tepër se 229 vende dhe ishuj. Në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, mbledhja me pjesëmarrjen më të madhe ndër ato që u mbajtën në 1992 në mbi 69.000 kongregacionet e tyre, morën pjesë 11.431.171 veta.
Se Dëshmitarët e Jehovait përdoren me të vërtetë prej Perëndisë, dallohet nga aktiviteti i tyre i qëndrueshëm në shërbim të tij, nga zelli i tyre në mbështetje të emrit të Jehovait e të predikimit të Mbretërisë së tij, nga normat e tyre të larta morale, nga fakti se e pranojnë të tërë Biblën si Fjalën e pagabueshme të Perëndisë dhe se janë të lirë nga bestytnitë dhe spiritizmi.
Faqet që pasojnë tregojnë se si mund të nxjerrësh përfitim nga ky rikthim i adhurimit të vërtetë të Perëndisë.
• Cilat mësime themelore biblike i dallonin Studentët Biblikë prej sekteve fetare?
• Çfarë zhvillimesh organizative u bënë mes Studentëve Biblikë deri në 1918?
• Përse mund të thuhej se grupi i Studentëve Biblikë të mirosur përbënte «skllavin besnik e të matur» të Mateut 24:45-47?
• Cili kuptim i qëllimit të Perëndisë i dha nxitje të ndjeshme përhapjes së veprës së predikimit?
• Përse emri Dëshmitarë të Jehovait është i përshtatshëm?
• Nga ç’gjë vërehet se Perëndia i përdor me të vërtetë Dëshmitarët e Jehovait?
[Figurat në faqen 8]
C. T. Russell në 1879
Kulla e Rojës, korrik 1879
Një nga grupet e para të Studentëve Biblikë, Pittsburgh
[Figurat në faqen 9]
Selia qendrore, 1889-1909, Pittsburgh, Pennsylvania
Zyra qendrore, 1909-1918, Brooklyn, New York
Rezidenca qendrore, 1909-1926, Brooklyn, New York
[Figurat në faqen 10]
Qendra botërore e Dëshmitarëve të Jehovait, Brooklyn, New York
Lart në të majtë: kompleksi i zyrave
Lart në të djathtë: Ndërtesat e rezidencës
Poshtë në të majtë: Kompleksi i fabrikëve
Poshtë në të djathtë: Qendra e dërgimit
[Figurat në faqen 11]
Transmetim radiofonik i J. F. Rutherford
Shtypshkronja e parë rotative e Shoqatës Watchtower e përdorur nga vullnetarë
Përkthimi Bota e re i Biblës, i botuar tani në 12 gjuhë