Kongregacione të organizuara për të predikuar Mbretërinë e Perëndisë
Kur ishte mbi tokë, Jezu Krishti predikoi Mbretërinë e Perëndisë, duke shkuar fshat më fshat e qytet më qytet. Gjithashtu i mësoi dhe i dërgoi dishepujt për të kryer të njëjtën vepër. Para se të ngjitej në qiell, i urdhëroi ithtarët e tij që të bënin dishepuj nga njerëz prej të gjitha kombeve. Qysh prej fillimit, kongregacioni i krishterë u organizua për të predikuar lajmin e mirë. Kudo që shkonin, dishepujt predikuan Mbretërinë e Perëndisë.—Mateu 4:17, 23; 10:1-16; 28:19, 20; Luka 4:43, 44; 8:1; 10:1-9; Veprat 1:8; 4:31; 5:42; 8:12; 19:8; 28:23, 30, 31; Romakëve 10:9, 10, 14.
Në profecinë e tij mbi përfundimin e sistemit të gjërave, Jezui deklaroi: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar, në dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» Ky predikim është një përgjegjësi themelore e kongregacionit të sotëm të krishterë.—Mateu 24:14; Marku 13:10.
Në të gjithë botën, kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait janë të organizuara për të predikuar rregullisht në territorin lokal lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Që kjo gjë të bëhet në mënyrë të rregullt, në çdo vend dega e Shoqatës Watch Tower i cakton secilit kongregacion zonën ku do të dëshmojë. Kongregacioni e ndan këtë zonë në sektorë më të vegjël, që u caktohen pastaj atyre që janë të gatshëm të marrin përgjegjësinë për të vizituar të gjithë banorët.—1. Korintasve 14:33, 40.
Dëshmitarët e Jehovait i vizitojnë njerëzit, zakonisht duke shkuar shtëpi më shtëpi. Në mbledhjet e tyre të kongregacionit stërviten për të bërë paraqitje të shkurtra të mesazhit të Mbretërisë nëpër dyer, duke përdorur Biblën. Dëshmitarët mbajnë me vete botime biblike për t’ua lënë atyre që dëshirojnë ta njohin më mirë Fjalën e Perëndisë.
Për t’u dhënë mundësi të gjithë banorëve të territorit që të dëgjojnë lajmin e rëndësishëm të Mbretërisë, Dëshmitarët mbajnë një regjistrim të kujdesshëm të veprës së tyre shtëpi më shtëpi, duke marrë shënim ata që s’janë si dhe ata që për një arsye apo për tjetrën nuk ishte e mundur t’u jepej një dëshmi e plotë. Ata do të rivizitohen një herë tjetër. Kur dikush tregon interes, Dëshmitarët e shënojnë me kujdes dhe kthehen për t’i dhënë informata të tjera mbi Shkrimet. Nëse personi dëshiron, fillohet një studim i rregullt biblik. E gjitha kjo bëhet pa pagesë.
Dëshmitarët e Jehovait u ofrojnë gjithashtu revista edhe kalimtarëve në rrugë. Në këtë mënyrë bien në kontakt me njerëz që mund të mos i gjenin në shtëpi. Bëhet një përpjekje e vërtetë për t’i arritur të gjithë ata që janë të gatshëm për të dëgjuar.—Veprat 17:17; Zbulesa 14:6, 7; 22:17.
Po përse Dëshmitarët vazhdojnë t’i vizitojnë njerëzit edhe pse shumica nuk tregon interes? Është vënë re, se shpesh, me ndryshimin e rrethanave, njerëzit ndryshojnë mendim dhe gjatë një vizite tjetër reagojnë në mënyrë të favorshme apo ndoshta në shtëpi do të gjendet ndonjë pjesëtar tjetër i familjes që do të tregojë interes.
Jezui u tha dishepujve të vet: «Vazhdoni, pra, të kërkoni para së gjithash mbretërinë dhe drejtësinë e saj.» Predikimi i Mbretërisë së Perëndisë ka një pjesë të veçantë në të kërkuarit para së gjithash të Mbretërisë dhe për Dëshmitarët e Jehovait është një aspekt shumë i rëndësishëm i jetës së tyre.—Mateu 6: 33; 2. Timoteut 4:2.
• Cila vepër e kryer prej Jezuit dhe të krishterëve të parë u paratha edhe për ditët tona?
• Si është organizuar vepra e predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait?
• Përse Dëshmitarët vazhdojnë t’i vizitojnë njerëzit edhe pse shumica nuk tregon interes?
[Figurat në faqet 16, 17]
Dëshmitarët e Jehovait predikojnë Mbretërinë e Perëndisë në vende të ndryshme
Tailandë
Meksikë
Hollandë
Kore
Kurasao
Ganë
Britani e Madhe
Australi