Mbikëqyrës udhëtues—bashkëpunëtorë në të vërtetën
Në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë, gjendeshin mbikëqyrës udhëtues që vizitonin kongregacionet për t’i inkurajuar. Nuk kërkonin të kishin përfitim personal, por bënin çmos për të ndihmuar pjesëtarët e kongregacionit që të vazhdonin të ecnin në mënyrë të denjë për Perëndinë.—Veprat 11:23, 24; 14:21, 22; 15:32; 20:2, 31-35; Filipianëve 2:20-22, 29; 1. Selanikasve 2:5-12.
Edhe sot kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait e shfrytëzojnë ndihmën e mbikëqyrësve udhëtues. Këta burra kanë një eksperiencë shumëvjeçare në aktivitetin e predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait dhe si mbikëqyrës. Kanë hequr dorë prej punëve të kësaj bote dhe përgjegjësisë familjare që të mund të kryejnë shërbimin në kohë të plotë. Nëse janë të martuar, zakonisht edhe gratë zhvillojnë shërbim të plotë kohor me burrat.
Mbikëqyrësit të qarkut i është besuar përgjegjësia e një qarku, të formuar prej 18 deri 25 kongregacionesh. Ai viziton çdo kongregacion të qarkut gati dy herë në vit dhe mbas dy apo tre vjetësh caktohet në një qark tjetër. Në këtë mënyrë kongregacionet mund të përfitojnë prej përvojës dhe aftësive të mbikëqyrësve të ndryshëm qarkorë.
Mbikëqyrësi qarkor shqyrton gjendjen frymore të kongregacionit dhe aktivitetin e kryer prej tij. Mban fjalime të ndryshme në kongregacion dhe mblidhet edhe me pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës për të parë se si mund ta përmirësojnë shërbimin e tyre ndaj kongregacionit.
Gjatë javës, qoftë ai apo edhe e shoqja, nëse është i martuar, shoqërojnë Dëshmitarët lokalë në shërbimin shtëpi më shtëpi për të përmirësuar cilësinë e tyre. Si ai edhe e shoqja vizitojnë të interesuarit e rinj për t’i inkurajuar në besim. Nëse dëshiron mund të kërkosh një vizitë prej tyre.
Mbikëqyrësi krahinor ka cilësi të njëjta frymore dhe një bagazh të njëjtë përvoje. Udhëton nga njëri qark në tjetrin, duke shërbyer çdo javë në asambletë e qarkut. Si ai edhe e shoqja marrin pjesë në shërbimin në fushë me Dëshmitarët e Jehovait në njërin prej kongregacioneve të qarkut që ai viziton. Ai kujdeset për përgatitjet përfundimtare të asamblesë së qarkut dhe mban fjalime të ndryshme gjatë saj, përfshi edhe ligjëratën publike.
Pasi mbaron vizitën në një kongregacion apo qark, mbikëqyrësi udhëtues shkon në tjetrin, duke ndjekur të njëjtin program, derisa në një periudhë prej gjashtë muajsh, të jenë vizituar të gjitha kongregacionet dhe qarqet; pas kësaj fillon nga e para.
Në mjaft vende mbikëqyrësit udhëtues lëvizin me automjete apo mjete publike. Në vende të tjera, ndoshta u duhet të lëvizin me biçikletë apo të ecin në këmbë. Shoqata i mbulon mbikëqyrësit udhëtues shpenzimet e udhëtimit dhe i siguron atij dhe të shoqes një shpërblim modest për nevojat e tyre personale. Zakonisht, ushqimi dhe strehimi për mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre ofrohen prej pjesëtarëve të secilit kongregacion.
Ky shërbim kërkon një frymë vetësakrifice. Mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre janë të vendosur t’u shërbejnë kongregacioneve pa vënë mbi to një peshë të kushtueshme. —1. Selanikasve 2:9.
• Cili ishte qëllimi i mbikëqyrësve udhëtues në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë?
• Në ç’mënyrë mbikëqyrësit e sotëm udhëtues janë kualifikuar dhe aftësuar për këtë shërbim?
• Përshkruaj shërbimin e mbikëqyrësve të qarkut dhe krahinorë; si jetojnë ata?
[Figura në faqen 20]
Një mbikëqyrës krahinor flet në një asamble qarkore
[Figurat në faqen 21]
Mbikëqyrësit qarkorë japin udhëzime gjatë predikimit nga shtëpia në shtëpi, flasin me pleqtë e kongregacionit, vizitojnë një studim biblik me të interesuar të rinj, i drejtohen kongregacionit