A ke inkurajuar dikë kohët e fundit?
ELENA ishte vetëm 17 vjeçe, kur mjekët zbuluan se ajo kishte kancer në vezore. Mamaja e saj, Marija, përballoi vuajtje të madhe tek shihte Elenën me dhimbje të padurueshme.
Elena u transferua në një spital në Madrid, Spanjë, 1.900 km larg shtëpisë së saj në Ishujt Kanarie. Në Madrid, një ekip mjekësh u treguan të gatshëm ta operonin pa gjak. (Veprat 15:28, 29) Por jo shumë kohë pasi kishte filluar operacioni, u bë e qartë se Elena po shkonte drejt vdekjes. Tashmë, kanceri ishte përhapur në të gjithë trupin dhe kirurgët nuk mund të bënin shumë në këtë drejtim. Elena vdiq tetë ditë pasi kishte mbërritur në Madrid.
Marija nuk e përballoi e vetme këtë provë të vështirë. Me shpenzimet e tyre personale, dy pleq të krishterë e shoqëruan atë dhe djalin e saj më të madh në Madrid dhe qëndruan atje deri në vdekjen e Elenës. «Ata më ndihmuan të përballoja ndjenjën e një zbrazëtie të dëshpëruar që ndieja brenda vetes,—shpjegon Marija.—Nuk do ta harroj kurrë inkurajimin që më dhanë. Mbështetja e tyre frymore dhe ndihma praktike që më dhanë nuk kishin të çmuar. Ata ishin me të vërtetë “një mbrojtje nga era”.»—Isaia 32:1, 2.
Jehovai është i kënaqur që barinj të tillë të dashur si këta kujdesen për delet e tij me kaq butësi. (Proverbat 19:17; 1. Pjetrit 5:2-4) Megjithatë, dhënia e inkurajimit nuk është një privilegj që u përket vetëm pleqve. Të gjithë të krishterët mblidhen së bashku për të marrë mësime frymore dhe për të ‘inkurajuar njëri-tjetrin’. (Hebrenjve 10:24, 25, BR) Inkurajimi është një pjesë thelbësore e shoqërisë së krishterë.
Çfarë përfshin inkurajimi?
Ashtu si një lule e bukur mund të fishket nëse nuk ka ujë, po kështu edhe individët, qoftë në familje apo edhe në kongregacion, mund të ligështohen nga mungesa e inkurajimit. Nga ana tjetër, një inkurajim i dhënë në kohën e duhur, mund t’i forcojë ata që përballojnë tundime, mund të ngrejë lart frymën e të dëshpëruarve dhe mund t’u japë fuqi atyre që i shërbejnë besnikërisht Perëndisë.
Fjala greke e përkthyer «inkurajim», përfshin idenë e ngushëllimit, të nxitjes dhe të qetësisë. Prandaj, inkurajimi nuk kufizohet vetëm duke i thënë dikujt se po bën mirë. Mund të përfshijë, gjithashtu, edhe sigurimin e përkrahjes praktike dhe të ndihmës frymore.
Në fakt, fjala greke e përkthyer «inkurajim», fjalë për fjalë do të thotë «të thërrasësh dikë pranë vetes». Duke ecur krah për krah me vëllezërit dhe motrat tona frymore, kemi mundësi të japim një mbështetje të menjëhershme nëse ndonjë prej tyre lodhet apo pengohet. (Eklisiastiu [Predikuesi] 4:9, 10) Është interesant të vërejmë se populli i Jehovait «i shërben atij krah për krah». (Sofonia 3:9) Edhe apostulli Pavël e quajti një të krishterë «shok i vërtetë zgjedhe». (Filipianëve 4:3, BR) Nëse punojmë së bashku nën të njëjtën zgjedhë, duke shërbyer krah për krah, e bëjmë barrën më të lehtë, sidomos për ata që nuk janë të fortë frymësisht.—Krahaso Mateu 11:29.
Ata dhanë inkurajim
Pasi inkurajimi është kaq i rëndësishëm, le të konsiderojmë disa shembuj biblikë në lidhje me të. Kur profeti i Perëndisë Moisiu ndodhej në prag të vdekjes, Jehovai caktoi Josiun si prijës të izraelitëve. Ky nuk ishte një caktim i lehtë, siç e pranoi edhe vetë Moisiu. (Numrat 11:14, 15) Prandaj, Jehovai i tha Moisiut të «urdhëronte Josiun, ta inkurajonte dhe ta forconte atë».—Ligji i përtërirë 3:28, BR.
Gjatë kohës së gjykatësve të Izraelit, vajza e Jeftahut e pranoi me dëshirë betimin e të atit, duke hequr dorë nga mundësia për të pasur një familje, në mënyrë që të shërbente në shenjtoren e Jehovait. A kaloi pa u vërejtur sakrifica e saj? Jo, sepse Gjykatësve 11:40 thotë: «Vit pas viti, bijat e Izraelit shkonin për të lavdëruar bijën e Jeftahut, galaaditit, katër ditë në vit.» (BR) Këto vizita duhet të kenë qenë shumë inkurajuese për vajzën e Jeftahut, e cila ishte treguar e gatshme për të sakrifikuar vetveten.
Dhënia e inkurajimit disa herë kërkon guxim. Gjatë udhëtimit të parë misionar të apostullit Pavël, ai hasi një kundërshtim të ashpër në disa qytete të Azisë së Vogël. U përzu nga Antiokia, në Ikoni mezi shpëtoi nga ekzekutimi dhe në Listria u gurëzua dhe u braktis, duke kujtuar se kishte vdekur. Megjithatë, pak më vonë, Pavli dhe shokët e tij u kthyen përsëri në ato qytete, «duke forcuar shpirtrat e dishepujve, duke i inkurajuar ata që të qëndronin në besim dhe duke u thënë: ‘Duhet të hymë në mbretërinë e Perëndisë nëpërmjet shumë mundimeve.’» (Veprat 14:21, 22, BR) Pavli ishte përgatitur që të rrezikonte jetën e tij, për të inkurajuar ata dishepuj të rinj.
Gjithsesi, dishepujt e rinj nuk janë të vetmit të krishterë që kanë nevojë për inkurajim. Vite më vonë, Pavli kreu një udhëtim të guximshëm në Romë, ku duhej t’i nënshtrohej gjykimit. Ndërsa po afrohej në destinacion, ka mundësi që të jetë ndier disi i shkurajuar. Por kur arriti në një vend që ndodhej 74 km në juglindje të Romës, ai mori zemër. Përse? Sepse vëllezërit nga Roma kishin ardhur për ta takuar në Tregun e Apiut dhe në Tri Tavernat. «Pali, kur i pa, e falënderoi Perëndinë dhe mori zemër.» (Veprat 28:15) Në raste të tilla të ngjashme, vetëm prania jonë mund të jetë shumë inkurajuese për bashkëbesimtarët tanë.
Shfrytëzoni rastet për të dhënë inkurajim
Në të vërtetë, mundësitë për të dhënë inkurajim janë të shumta. A ndihesh i prekur në zemër nga një fjalim i mirë ushtrimi që ka dhënë një vëlla në Shkollën e Shërbimit Teokratik? A ndihesh i gëzuar që në kongregacion ka disa adoleshentë të fortë frymësisht? A të ka prekur qëndrueshmëria e të moshuarve në kongregacion? A të pëlqen mënyra se si një pionier i përdor shkrimet në shërbimin shtëpi më shtëpi? Atëherë, lavdëroji dhe thuaju diçka inkurajuese.
Inkurajimi luan një rol të rëndësishëm në familje, ashtu si edhe në kongregacion. Ai mund t’i ndihmojë prindërit që të rrisin fëmijët e tyre «në disiplinën dhe në rregullin mendor të Jehovait». (Efesianëve 6:4, BR) T’i thuash një fëmije se po punon mirë e t’i shpjegosh edhe përse, mund të jetë shumë inkurajuese! Gjatë viteve të adoleshencës, kur të rinjtë përballojnë shumë tundime e presione, inkurajimi i vazhdueshëm është thelbësor.
Mungesa e inkurajimit gjatë viteve të fëmijërisë mund të jetë e dëmshme. Një plak i krishterë, Michael, është sot një tip i përzemërt, por ai thotë: «Im atë nuk më ka thënë kurrë se e kisha bërë mirë diçka. Kështu që u rrita pa pasur vlerësim për veten. . . . Edhe pse tani jam 50 vjeç, e vlerësoj ende sigurinë që më jepnin miqtë e mi, kur më thoshin se po e kryeja mirë punën time si plak kongregacioni. . . . Përvoja ime personale më ka mësuar se sa e rëndësishme është të inkurajosh të tjerët dhe unë bëj ç’është e mundur për këtë.»
Cilët kanë nevojë për inkurajim?
Pleqtë e krishterë që punojnë me forcë meritojnë inkurajim. Pavli shkroi: «Tashmë, vëllezër, ju lutemi të keni respekt për ata që mundohen midis jush, që janë në krye ndër ju në Zotin dhe që ju qortojnë, edhe t’i vlerësoni shumë në dashuri për veprën e tyre.» (1. Selanikasve 5:12, 13) Është e lehtë që dikush të përfitojë nga puna e rëndë e pleqve, pa shprehur mirënjohje. Por fjalët që shprehin vlerësim të sinqertë dhe inkurajim, mund të bëjnë që pesha e tyre të duket më e lehtë.
Edhe ata individë midis nesh që po përballojnë kushte të vështira kanë nevojë për inkurajim. «Të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit»,—këshillon Bibla. (1. Selanikasve 5:14) Prindërit e vetëm, vejushat, adoleshentët, të moshuarit dhe të sëmurët, janë ndër ata që kohë pas kohe mund të ndihen të dëshpëruar apo të dobët frymësisht.
Marija është një grua e krishterë, e cila mjerisht e pa veten të braktisur nga burri. Ajo tha: «Ashtu si edhe Jobi, në disa çaste dëshiroja të vdisja. [Jobi 14:13] Megjithatë, nuk e dhashë veten, falë inkurajimit që mora. Dy pleq, të cilët i njihja shumë mirë, kaluan shumë kohë duke më ndihmuar të kuptoja rëndësinë e vazhdimit në shërbimin e plotë kohor. Edhe dy motra me kuptueshmëri më ngushëlluan, duke më dëgjuar me durim kur unë u hapja zemrën. Duke përdorur Biblën, ato më dhanë mundësinë që t’i shihja gjërat nga pikëpamja e Jehovait. Nuk e di sa herë kemi lexuar Psalmin 55:22, por e di se duke zbatuar këtë shkrim, dalëngadalë rifitova ekuilibrin frymor dhe emocional. E gjithë kjo ndodhi 12 vjet më parë dhe jam e gëzuar t’ju them se unë vazhdoj në shërbimin e plotë kohor edhe tani. Jeta ime është e kënaqshme dhe e lumtur, pavarësisht se disa herë vuaj akoma emocionalisht. Jam e bindur se inkurajimi gjatë një periudhe të tillë, mund të jetë shumë domethënës në jetën e një njeriu.»
Disa kanë nevojë për inkurajim, pasi kanë bërë gabime dhe tani po luftojnë për t’i ndrequr. Ndoshta mund të jenë qortuar me dashuri. (Proverbat 27:6) Pleqtë që kanë dhënë qortimin, duhet të jenë të gatshëm për ta lavdëruar nëse shohin se këshilla biblike po gjen zbatim. Fjalët e tyre inkurajuese mund të kenë një dobi të dyfishtë: bëjnë të qartë dashurinë e tyre për atë që është qortuar, në mënyrë që të mos ketë ‘trishtim të tepërt’ dhe i kujtojnë atij dobitë e zbatimit të këshillës.—2. Korintasve 2:7, 8.
Një plak bëri një gabim serioz dhe humbi kështu privilegjin e mbikëqyrësit në kongregacion. «Kur u dha lajmërimi për çemërimin tim si plak, mendova se vëllezërit nuk do të ndiheshin rehat në shoqëri me mua,—thotë ai.—Megjithatë, pleqtë i mbajtën mjaft të fshehta arsyet e çemërimit tim dhe bënë ç’ishte e mundur për të më inkurajuar. Në mënyrë të ngjashme, edhe pjesa tjetër e kongregacionit më ofroi dashuri dhe shoqëri, gjë që pa dyshim nxiti përtëritjen time frymore.»
Jini inkurajues
Në jetën tonë të mbushur me punë, është e lehtë të lësh pas dore inkurajimin. Por sa i dobishëm mund të jetë ai! Për të dhënë inkurajim të efektshëm, duhen mbajtur në mendje dy gjëra. Së pari, mendo mbi atë që do të thuash, në mënyrë që inkurajimi juaj të jetë specifik. Së dyti, kërko mundësi për të afruar ndonjë person që meriton lëvdim apo që ka nevojë të ndërtohet.
Sa më shpesh të veprosh kështu, aq më i lumtur do të jesh. Mbi të gjitha, Jezui na siguron: «Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!» (Veprat 20:35) Duke inkurajuar të tjerët, do të inkurajosh edhe veten. Përse të mos kesh si pikësynim që të inkurajosh dikë çdo ditë?