Përjashtimi: Një masë e dashur?
«I SHENJTË, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Perëndi, i Plotfuqishmi.» (Zbulesa 4:8) Në përputhje me këtë përshkrim, Jehovai është Burimi i normave të shenjta. Ato janë shfaqur në «shkrimet e shenjta» dhe të krishterët janë të detyruar të ndjekin këta udhërrëfyes. Në të vërtetë, ata duhet të shmangin çdo gjë të papastër në sytë e Jehovait.—2. Timoteut 3:15; Isaia 52:11.
Bibla jep këtë urdhër të qartë: «Ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: ‘Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.’» (1. Pjetrit 1:15, 16) Që nga koha kur kongregacioni i krishterë filloi së ekzistuari, 19 shekuj më parë, të krishterëve të vërtetë u është dashur të luftojnë shumë, për ta mbrojtur atë nga papastërtitë frymore dhe morale.—Judës 3.
Përse është e nevojshme mbrojtja?
Të gjithë shërbëtorët e Perëndisë ballafaqohen me sfida në mbajtjen e pastërtisë morale dhe frymore. Për t’ia arritur këtij qëllimi, duhet t’u rezistojmë tre armiqve të fuqishëm: Satanait, botës së tij dhe prirjeve tona mëkatare të mishit. (Romakëve 5:12; 2. Korintasve 2:11; 1. Gjonit 5:19) Bota e Satanait do të të tundojë që të jesh imoral, do të të sfidojë që t’u përshtatesh rrugëve të saj dhe do të të ofrojë pasuri materiale, famë, pozitë, emër dhe fuqi. Por ata që janë të vendosur të ndjekin adhurimin e vërtetë, u rezistojnë ofertave të Satanait dhe mbesin «të pastër nga bota». Përse? Sepse dëshirojnë të qëndrojnë nën kujdesin mbrojtës e të dashur të organizatës së pastër të Jehovait.—Jakovit 1:27; 1. Gjonit 2:15-17.
Jehovai ka siguruar ndihmë për çdo anëtar të kongregacionit të krishterë që bie viktimë e tundimeve të Satanait, për shkak të dobësive njerëzore. Pleq të kualifikuar frymësisht janë caktuar për të mbrojtur kongregacionin dhe me dashuri i ndihmojnë ata në gabim që të pendohen prej mëkatit të tyre e të bëjnë rregullimet e nevojshme për të marrë veten. Çdo i krishterë që përfshihet në ndonjë veprim të gabuar duhet ndihmuar me durim, që të pendohet e të ndryshojë rrugë.—Galatasve 6:1, 2; Jakovit 5:13-16.
Në ç’mënyrë përjashtimi është një masë e dashur?
Shërbëtorët e pagëzuar të Jehovait, të cilët me dëshirë ndjekin një rrugë të keqe dhe nuk pranojnë të ndryshojnë, duhet të konsiderohen si të papenduar e si të tillë, të padenjë për shoqërinë e krishterë. (Krahaso 1. Gjonit 2:19.) Individë të tillë nuk mund të lejohen që të qëndrojnë në kongregacionin e pastër të krishterë e në këtë mënyrë ta ndotin. Ata duhet të përjashtohen.
Se sa është e përshtatshme që të përjashtohen ata që praktikojnë vepra të liga, mund të ilustrohet me situatën e mëposhtme. Për shkak të rritjes së sulmeve dhe krimeve të rënda kundër studentëve, disa shkolla kanë adoptuar një politikë të tillë që «kërkon përjashtimin e përkohshëm të studentëve që përdorin apo kërcënojnë se do të përdorin armët», raporton gazeta The Globe and Mail e Torontos, Kanada. Përjashtimi kryhet për të mbrojtur studentët që duan të përfitojnë nga programi edukativ, pa u bërë objekte të veprimeve të dhunshme.
Përse tregon dashuri përjashtimi i një keqbërësi të papenduar nga kongregacioni? Kjo është një shprehje e dashurisë për Jehovain dhe rrugët e tij. (Psalmi 97:10) Ky veprim tregon dashuri për ata që ndjekin një rrugë të drejtë, pasi heq nga shoqëria e tyre dikë që mund të ushtrojë një ndikim të keq mbi ta. Mbron, gjithashtu, pastërtinë e kongregacionit. (1. Korintasve 5:1-13) Nëse imoraliteti i rëndë apo papastërtia frymore lejohen të qëndrojnë në kongregacion, ai do të ndotej e nuk do të ishte i denjë për t’i bërë shërbim të shenjtë Jehovait, i cili është i shenjtë. Për më tepër, përjashtimi i keqbërësit mund ta ndihmojë atë që të kuptojë seriozitetin e rrugës së tij të gabuar, të pendohet e të bëjë ndryshimet e nevojshme, për t’u pranuar përsëri në kongregacion.
Ndikimi mbi të tjerët
Kur një anëtar i kongregacionit bën një mëkat serioz, si tradhëtia bashkëshortore, ai nuk e gëzon zemrën e Jehovait. (Proverbat 27:11) Çdo i krishterë që bie në imoralitet seksual, nuk është duke menduar siç bëri Jozefi, kur gruaja e Putifarit u përpoq ta nxiste për të pasur marrëdhënie seksuale me të. Reagimi i Jozefit ishte: «Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?» (Zanafilla 39:6-12) Jozefi respektoi normat e shenjta të Jehovait dhe shpëtoi nga situata tunduese. Nga ana tjetër, duket se një tradhëtar bashkëshortor nuk ka mjaft dashuri për Perëndinë, sa të përmbahet nga plotësimi i pasionit të tij mishor.—Galatasve 5:19-21.
Një person i pagëzuar që shkel urdhrat e Perëndisë, nuk tregon kujdes për dëmin dhe dhimbjet që do t’i shkaktojë të afërmve besimtarë. Për disa, dhimbja emocionale mund të jetë më e madhe, sesa mund të durojnë. Pasi kishte zbuluar se i biri ishte imoral, një grua e krishterë u ankua: «Shumë pak vëllezër e motra, për të mos thënë asnjë, duket që e kuptojnë se sa të lënduar e të shkatërruar jemi. . . . Na është thyer zemra.» Mund të vihet në dyshim emri i mirë i një familjeje të tërë. Anëtarët besnikë të familjes mund të ndihen fajtorë e të bien në depresion. Pra, rruga e keqe e shkelësit i sjell familjes dhimbje të mëdha.
Ndihmë e dashur për familjarët
Të krishterët besnikë, familjarë të personave të përjashtuar, duhet të kujtojnë se përjashtimi është një masë e dashur dhe mbrojtëse. Për të ndihmuar shkelësin është bërë çdo përpjekje e mundshme. Por nëse ai është i pabindur ndaj Perëndisë dhe këmbëngul të mos pendohet, kongregacioni duhet të veprojë siç tregon Fjala e Perëndisë: «Nxirreni të ligun nga vetja juaj.» (1. Korintasve 5:13) Siç tha një Dëshmitar: «Përjashtimi është një çështje besnikërie ndaj Jehovait.»
Kur përjashtohet një pjesëtar i familjes, të afërmit e krishterë ndiejnë dhimbje. Prandaj, pleqtë e emëruar duhet të bëjnë të pamundurën për t’i freskuar ata frymësisht. (1. Selanikasve 5:14) Pleqtë mund të luten për ta e me ta. Shpesh, mund t’u bëhet një vizitë këtyre të krishterëve besnikë, për të diskutuar mendime ndërtuese nga Shkrimet. Barinjtë e kopesë duhet të shfrytëzojnë çdo mundësi për t’i forcuar frymësisht këta njerëz të dashur, para dhe pas mbledhjeve të krishtere. Inkurajim i mëtejshëm mund të jepet, duke i shoqëruar në shërbimin në fushë. (Romakëve 1:11, 12) Barinjtë frymorë duhet t’u tregojnë këtyre shërbëtorëve besnikë të Jehovait dashurinë dhe kujdesin që meritojnë.—1. Selanikasve 2:7, 8.
Rruga mëkatare e një personi nuk është arsye për të mos përfillur të tjerët në familjen e tij, të cilët i mbesin besnikë Jehovait. Mbreti i keq i Izraelit, Sauli, u përbuz nga Perëndia, por Davidi nuk lejoi që kjo të ndërhynte në dashurinë e përzemërt që ai kishte për birin e Saulit, Xhonatanin. Në fakt, lidhja midis Davidit dhe Xhonatanit u bë shumë e fortë. (1. Samuelit 15:22, 23; 18:1-3; 20:41) Prandaj, të gjithë në kongregacion duhet të jenë të durueshëm dhe të dashur kundrejt të krishterëve, të afërmit e të cilëve mëkatojnë kundër Jehovait.
Ç’mungesë dashurie do të ishte sikur të mos i përfillnim apo të tregoheshim të pasjellshëm me individë të tillë besnikë! Familjarët besnikë kanë nevojë të veçantë për inkurajim. Ata mund të ndihen të vetmuar e mund të kenë shumë vështirësi në situatën që ndodhen. Ndoshta duke u telefonuar, mund të ndani me ta ndonjë gjë të çmuar frymore ose ndonjë përvojë ndërtuese. Nëse në telefon përgjigjet personi i përjashtuar, kërko në mënyrë të thjesht të flasësh me të afërmit e krishterë. Mund t’i ftosh familjarët besnikë për ndonjë drekë në shtëpinë tënde apo në ndonjë grumbullim me qëllim zbavitjeje. Nëse i takon duke bërë pazarin, mund të përfitosh nga rasti për t’u shoqëruar në mënyrë ndërtuese. Mos harro, të krishterët besnikë që kanë të afërm të përjashtuar janë ende pjesë e organizatës së pastër të Jehovait. Ata mund të veçohen apo të shkurajohen me lehtësi. Prandaj, tregohu i gatshëm t’u shfaqësh mirësi dhe dashuri. Vazhdo t’u bësh mirë «atyre që janë në familjen e besimit».—Galatasve 6:10.
Vlerësoje masën e Jehovait
Sa mirënjohës mund të jemi që Perëndia Jehova tregon kujdes të dashur për secilin në familjen botërore të adhuruesve të tij. Nëpërmjet organizatës së tij, ai ka siguruar me dashuri një rregullim për të na ndihmuar të ecim përpara tij në mënyrë të drejtë. Edhe nëse një pjesëtar i familjes me vullnet praktikon mëkatin dhe duhet përjashtuar nga kongregacioni, ekziston mënyra për t’u kthyer, nëse pendohet me të vërtetë. Kjo ilustrohet nga shembulli i mëposhtëm:
Pleqtë u përpoqën të ndihmonin një grua, të cilën ne do ta quajmë Ana, por ajo filloi të pinte duhan, të dehej e të drogohej. Nuk u pendua dhe nuk qëndroi në kongregacion. Megjithatë, shumë shpejt, Anën e mori malli për shoqërinë e dashur të kongregacionit të pastër të Jehovait dhe iu lut atij ta ndihmonte. Ajo pranon se nuk e kishte vlerësuar plotësisht kujdesin e madh që tregojnë pleqtë për ata që ndryshojnë rrugë. Ana filloi të merrte pjesë në mbledhje dhe kjo bëri që të pendohej. Më pas, u pranua përsëri në kongregacionin e dashur dhe mbrojtës. Përsëri Ana po mbështet normat e larta morale të Jehovait. Ajo është mirënjohëse për dashurinë që i treguan pleqtë dhe thotë: «Nuk e keni idenë se sa shumë më ndihmuan botimet e krishtere. Sigurisht, Jehovai kujdeset shumë për nevojat tona.»
Po, Perëndia ka siguruar një mënyrë kthimi për ata që janë përjashtuar nga kongregacioni, por që më pas pendohen. Ne kemi parë që edhe vetë përjashtimi është një masë e dashur. Por sa më mirë do të ishte që ta shmangnim këtë përvojë të trishtueshme, duke u mbajtur gjithmonë fortë pas rrugëve të drejta të Perëndisë tonë të shenjtë! Qofshim gjithmonë mirënjohës ndaj privilegjit që kemi për të lavdëruar Jehovain si pjesë e organizatës së tij të pastër, të dashur e mbrojtëse!
[Figura në faqen 26]
A po tregon dashuri ndaj të afërmve besnikë të atyre që janë përjashtuar nga kongregacioni?