Duke përhapur njohurinë që çon në jetën e përhershme
1 Jehovai është «Ai që u mëson njerëzve njohurinë». (Psal. 94:10, BR) Ai na përdor për të përhapur njohurinë jetëshpëtuese në lidhje me të, të gjithë atyre që nuk dinë se si t’i shërbejnë në mënyrë të pranueshme. Libri Njohuria që të çon në jetën e përhershme është një mjet i shkëlqyer mësimi, përmes të cilit ata që kanë zemër të ndershme mund të fitojnë një kuptueshmëri të saktë mbi Perëndinë nga Fjala e tij e shkruar, Bibla. (1. Tim. 2:3, 4) Zhvillimi i qartë dhe logjik i së vërtetës në librin Njohuria do t’i ndihmojë njerëzit të kapin se çfarë kërkon Jehovai t’u mësojë. Këtë muaj duam të fillojmë biseda të tilla me njerëzit, që do t’i bëjnë të kenë dëshirë për të lexuar librin. Këtu ka disa sugjerime. Në vend se të mundohesh t’i mësosh ato përmendësh, përpiqu të shprehësh me fjalët e tua dhe natyrshëm mendimet kryesore të bisedës.
2 Duke qenë se shumicës së njerëzve vdekja u ka rrëmbyer një njeri të dashur, mund të ndërtosh shpresën e ringjalljes me një bisedë, duke thënë në fillim diçka të tillë:
◼ «Shumicës prej nesh, vdekja i ka rrëmbyer një njeri të dashur. A e keni pyetur ndonjëherë veten, nëse do t’i shohim përsëri? [Lëre të përgjigjet.] Vdekja nuk bënte pjesë në qëllimin fillestar të Perëndisë për njeriun. Jezui tregoi se njerëzit tanë të dashur mund t’i shpëtojnë vdekjes. [Lexo Gjonin 11:11, 25, 44.] Megjithëse ndodhi shekuj më parë, kjo gjë tregon se çfarë ka premtuar Perëndia të bëjë për ne. [Hap librin Njohuria në ilustrimin që gjendet në faqen 85 dhe lexo diçiturën. Më pas, trego ilustrimin në faqen 86 dhe komentoje.] Nëse do të dëshironit të lexonit më shumë mbi shpresën ngushëlluese të ringjalljes, do të kisha kënaqësinë t’ju lija këtë libër.»
3 Pas bisedës së parë mbi shpresën e ringjalljes, mund ta fillosh bisedën tjetër me të njëjtin person në këtë mënyrë:
◼ «Ndoshta ju kujtohet se ju thashë që vdekja nuk bënte pjesë në qëllimin fillestar të Perëndisë për njeriun. Nëse kjo është e vërtetë, përse ne plakemi dhe vdesim? Disa breshka uji jetojnë mbi 100 vjet dhe ekzistojnë disa pemë që kanë jetuar për mijëra vjet. Po njerëzit, përse jetojnë vetëm 70 apo 80 vjet? [Lëre të përgjigjet.] Ne vdesim sepse çifti i parë njerëzor nuk iu bind Perëndisë.» Lexo Romakëve 5:12. Kthehu në faqen 53 të librit Njohuria dhe lexo titullin e kapitullit. Shqyrto tre paragrafët e parë, duke nxjerrë përgjigjet e pyetjeve të shtypura. Lër një takim për t’u kthyer një herë tjetër e për të trajtuar vazhdimin e kapitullit. Inkurajoje personin që ndërkohë ta mbarojë së lexuari atë pjesë.
4 Nëse je duke folur me një person, i cili të jep përshtypjen se është fetar, mund të thuash:
◼ «Sot ekzistojnë me qindra fe të ndryshme, të cilat mësojnë lloj-lloj bindjesh kontradiktore. Disa njerëz thonë se të gjitha fetë janë të mira dhe s’ka rëndësi se çfarë besojmë ne. Cili është mendimi juaj? [Lëre të përgjigjet.] Jezui mësoi fenë e vërtetë dhe tregoi se format e tjera të adhurimit nuk janë të pranueshme për Perëndinë. [Lexo Mateun 7:21-23.] Nëse duam t’i pëlqejmë Perëndisë, duhet ta adhurojmë atë në harmoni me vullnetin e tij.» Hap librin Njohuria në kapitullin 5, lexo titullin dhe trego disa nga nëntitujt. Shpjego se ky informacion e ndihmon një person të mësojë se si t’i pëlqejë Perëndisë. Ofroji librin, nëse personi të premton se do ta lexojë dhe përmend se pranon dhurata për veprën mbarëbotërore.
5 Njerëzit që janë të pështjelluar për shkak të ekzistencës së kaq shumë feve, mund ta çmojnë përgjigjen e kësaj pyetjeje, kur të kthehesh për rivizitë:
◼ «Me kaq shumë fe të ndryshme që ekzistojnë sot, si mund të themi se cila është e drejta? Në ç’mënyrë do ta përcaktonit se cila është feja e drejtë? [Lëre të përgjigjet.] Jezui na tregoi se si t’i identifikojmë ithtarët e tij të vërtetë.» Lexo Gjonin 13:35. Trajto paragrafët 18 dhe 19 në kapitullin 5 të librit Njohuria. Thekso se duke përdorur këto udhëzime biblike dhe duke bërë dallimin, një person mund të njohë fenë e vërtetë. Trego se si Dëshmitarët e Jehovait janë të njohur në mbarë botën për dashurinë e tyre të sinqertë dhe për norma të larta morale. Shpjego se në ç’mënyrë një studim i Biblës me librin Njohuria do të identifikojë qartë formën e adhurimit që miraton Perëndia.
6 Nëse takon një prind, mund të jetë e efektshme kjo hyrje:
◼ «Çdo ditë dëgjojmë raporte mbi sjelljen e pabindur të të rinjve, të cilët duket se nuk kanë asnjë vlerë morale. Disa të rritur fajësojnë sistemin shkollor se nuk u mëson fëmijëve ndryshimin ndërmjet të drejtës dhe të gabuarës. Si mendoni, kush duhet ta sigurojë këtë stërvitje? [Lëre të përgjigjet.] Dëgjo se çfarë thotë Bibla mbi këtë gjë. [Lexo Efesianëve 6:4.] Kjo, pra, na tregon se rrënjosja e vlerave morale tek fëmijët është përgjegjësi e prindërve.» Hap librin Njohuria në faqen 145, lexo paragrafin 16 dhe komento ilustrimin që gjendet në faqen 147. Shpjego se libri është përgatitur për të bërë studim familjar. Duke përdorur paragrafët 17 dhe 18 në faqen 146, trego se si e drejtojmë këtë studim me familjet.
7 Nëse ke filluar një studim me një prind të shqetësuar në vizitën e parë, mund ta vazhdosh studimin gjatë rivizitës, duke thënë:
◼ «Bota e sotme vë para të rinjve shumë tundime. Kjo gjë e bën të vështirë që ndërsa rriten ata të bëhen persona me frikë Perëndie. Ndoshta ju kujtohet se në bisedën e fundit që bëmë, ne veçuam dy parime. Si prindër të perëndishëm, duhet t’u lëmë fëmijve një shembull të shkëlqyer dhe duhet t’u shprehim vazhdimisht dashurinë që kemi për ta. Ka edhe diçka tjetër që Bibla thotë se fëmijët kanë nevojë nga prindërit.» Lexo Proverbat 1:8. Kthehu në faqen 148 të librit Njohuria dhe vazhdo studimin me paragrafët 19-23. Sugjeroji që të kthehesh përsëri për të studiuar me gjithë familjen, duke filluar nga kapitulli 1.