Xhelozë për adhurimin e pastër të Jehovait
«Jehovai, emri i të cilit është Xheloz, është një perëndi xheloz.»—TË DALËT 34:14, BR.
1. Cila është cilësia dominuese e Perëndisë dhe si lidhet ajo me xhelozinë e tij?
JEHOVAI e përshkruan vetveten si «një perëndi xheloz». Ndoshta mund të habiteni për këtë, meqë fjala «xhelozi» ka ngjyrime negative. Pa dyshim, cilësia mbizotëruese e Perëndisë është dashuria. (1. Gjonit 4:8) Prandaj, çfarëdo ndjenjë xhelozie nga ana e Jehovait duhet të jetë për të mirën e njerëzimit. Në fakt, ne do të shohim që xhelozia e Perëndisë është jetësore për paqen dhe harmoninë e universit.
2. Cilat janë disa mënyra të përkthimit të fjalëve hebreje për «xhelozi»?
2 Në hebraisht, fjalët përkatëse për «xhelozi» ndeshen mbi 80 herë në Shkrimet Hebreje. Gati gjysma e këtyre referimeve janë për Perëndinë Jehova. «Kur i aplikohet Perëndisë,—shpjegon G. H. Livingston,—koncepti i xhelozisë nuk mbart domethënien e një emocioni të shtrembër, por një këmbëngulje në adhurimin e veçantë të Jehovait.» (The Pentateuch in Its Cultural Environment) Kështu që, Përkthimi Bota e Re, ndonjëherë e përkthen këtë emër hebre «këmbëngulje mbi devotshmërinë e veçantë». (Ezekieli 5:13) Përkthime të tjera të përshtatshme janë «zjarr» ose «zell».—Psalmi 79:5; Isaia 9:7.
3. Në ç’mënyrë, ndonjëherë, xhelozia i shërben një qëllimi të mirë?
3 Njeriu u krijua me aftësinë për të qenë xheloz, por rënia e njeriut në mëkat çoi në një shtrembërim të xhelozisë. Megjithatë, xhelozia njerëzore mund të jetë një forcë që mund të shërbejë për një qëllim të mirë. Ajo mund ta shtyjë një person të mbrojë një njeri të dashur nga ndikimet e këqija. Mbi të gjitha, njerëzit mund të tregojnë në mënyrë të duhur xhelozi për Jehovain dhe adhurimin e tij. (1. Mbretërve 19:10) Për të transmetuar kuptimin e drejtë të një xhelozie të tillë për Jehovain, emri hebre mund të përkthehet «mostolerim i asnjë lloj rivaliteti» ndaj tij.—2. Mbretërve 10:16.
Viçi i artë
4. Cili urdhër, që përmbante xhelozinë e drejtë, ishte i dukshëm në Ligjin e Perëndisë dhënë Izraelit?
4 Një shembull i xhelozisë së drejtë është ajo që ndodhi pasi izraelitët morën Ligjin në malin Sinai. Në mënyrë të përsëritur, ata ishin paralajmëruar që të mos adhuronin Perëndi të bëra ng njerëzit. Jehovai u tha atyre: «Unë, Jehovai, Perëndia juaj jam një perëndi që kërkoj një devotshmëri të veçantë [ose, ‘një perëndi që është xheloz (i zellshëm); një perëndi që nuk toleron rivalitet’].» (Të Dalët 20:5, BR shënimi; krahaso Të Dalët 20:22, 23; 22:20; 23:13, 24, 32, 33.) Jehovai hyri në një marrëveshje me izraelitët, duke u premtuar atyre t’i bekonte dhe t’i çonte në Tokën e Premtuar. (Të Dalët 23:22, 31) Dhe populli tha: «Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti dhe do t’i bindemi.»—Të Dalët 24:7.
5, 6. (a) Si mëkatuan rëndë izraelitët, ndërsa fushonin në malin Sinai? (b) Si treguan xhelozi të drejtë Jehovai dhe adhuruesit e tij besnikë në malin Sinai?
5 Megjithatë, izraelitët shpejt mëkatuan kundër Perëndisë. Ata ishin akoma duke fushuar në këmbët e malit Sinai. Moisiu kishte qenë në mal shumë ditë, duke marrë udhëzime të mëtejshme nga Perëndia dhe populli e detyroi vëllain e Moisiut, Aaronin, të bënte një perëndi për ta. Aaroni ua plotësoi dëshirën dhe bëri një viç prej arit që dha populli. Pretendohej se ky idhull përfaqësonte Jehovain. (Psalmi 106:20) Ditën tjetër ata i ofruan flijime dhe u «përkulën para tij». Pastaj ata «u ngritën për të dëfryer».—Të Dalët 32:1, 4, 6, 8, 17-19.
6 Moisiu zbriti nga mali ndërsa izraelitët po festonin. Kur pa sjelljen e tyre të pahijshme, ai thirri: «Kush është me Zotin, le të vijë tek unë!» (Të Dalët 32:25, 26) Bijtë e levit u mblodhën rreth Moisiut dhe ai i udhëzoi ata të merrnin shpatat dhe të ekzekutonin ahengxhinjtë idhujtarë. Duke treguar xhelozinë e tyre për adhurimin e pastër të Jehovait, vranë rreth 3.000 prej vëllezërve të tyre fajtorë. Jehovai e përforcoi këtë veprim duke dërguar një plagë mbi ata që mbijetuan. (Të Dalët 32:28, 35) Atëherë Perëndia përsëriti urdhrin: «Nuk do t’i përulesh një Perëndie tjetër, sepse Zoti emri i të cilit është ‘Xhelozi’, është një Perëndi xheloz.»—Të Dalët 34:14.
Baali i Peorit
7, 8. (a) Si ranë shumë izraelitë në një idhujtari të rëndë në lidhje me Baalin e Peorit? (b) Si erdhi më në fund ndëshkimi nga ana e Jehovait?
7 Dyzet vjet më vonë, kur kombi i Izraelit ishte gati për të hyrë në Tokën e Premtuar, gra tërheqëse moabite dhe medianite, joshën shumë izraelitë të vinin dhe të shijonin mikpritjen e tyre. Këta duhej ta kishin refuzuar shoqërinë intime me adhuruesit e perëndive të rreme. (Të Dalët 34:12, 15) Në vend të kësaj, ata shkuan si cjapi te kasapi, duke kryer kurvëri me gratë dhe duke i shoqëruar ato në përkuljen para Baalit të Peorit.—Numrat 25:1-3; Proverbat 7:21, 22.
8 Jehovai dërgoi një ndëshkim për të vrarë ata që u përzien në këtë adhurim të turpshëm të seksit. Perëndia, gjithashtu, urdhëroi izraelitët e pafajshëm që t’i vrisnin vëllezërit e tyre fajtorë. Në një kundërshtim të paturpshëm, një prijës izraelit, i quajtur Zimri, solli një princeshë medianite në çadrën e tij për të pasur marrëdhënie me të. Kur pa këtë gjë, Fineasi, një prift me frikë Perëndie, e ekzekutoi çiftin imoral. Atëherë ndëshkimi mori fund dhe Perëndia deklaroi: «Fineasi . . . e largoi zemërimin tim prej izraelitëve; ai shfaqi të njëjtin zemërim xheloz që më shtyu edhe mua dhe prandaj unë nuk shfarosa izraelitët në xhelozinë time.» (Numrat 25:11, The New English Bible) Megjithëse kombi shpëtoi nga shkatërrimi, të paktën 23.000 izraelitë vdiqën. (1. Korintasve 10:8) Ata humbën shpresën e tyre që e kishin ushqyer prej kohësh për të hyrë në Tokën e Premtuar.
Një mësim paralajmërues
9. Çfarë u ndodhi banorëve të Izraelit dhe Judës për shkak se ata nuk ishin xhelozë për adhurimin e pastër të Jehovait?
9 Në mënyrë të trishtueshme izraelitët i harruan shpejt këto mësime. Ata nuk treguan xhelozi për adhurimin e pastër të Jehovait. «E bënë ziliqar [Perëndinë] me skulpturat e tyre.» (Psalmi 78:58) Si rezultat Jehovai lejoi që dhjetë fise të Izraelit të binin robër tek asirianët në vitin 740 p.e.s. Dy fiset e mbetura mbretërore të Judës vuajtën një ndëshkim të ngjashëm kur kryeqyteti i tyre Jerusalemi u shkatërrua në vitin 607 p.e.s. Shumë vetë u vranë dhe ata që mbijetuan u çuan robër në Babiloni. Çfarë shembulli paralajmërues për të gjithë të krishterët sot!—1. Korintasve 10:6, 11.
10. Çfarë do t’u ndodhë idhujtarëve të papendueshëm?
10 Një e treta e popullsisë në tokë—rreth 1 miliardë e 900 milionë—thonë se janë të krishterë. (1994 Britannica Book of the Year) Shumica prej këtyre u përkasin kishave që përdorin ikona, shëmbëlltyra dhe kryqe në adhurimin e tyre. Jehovai nuk e kurseu popullin e tij, i cili e shtyu atë në xhelozi me anë të idhujtarisë së tij. As nuk do të kursejë të krishterët e vetëquajtur, të cilët adhurojnë me ndihmën e objekteve materiale. «Perëndia është Frymë dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën»,—tha Jezu Krishti. (Gjoni 4:24) Për më tepër, Bibla i paralajmëron të krishterët që të ruhen nga idhujtaria. (1. Gjonit 5:21) Idhujtarët e papendueshëm janë ndër ata persona, të cilët nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë.—Galatasve 5:20, 21.
11. Si mund të bëhet një krishterë fajtor për idhujtari pa u përkulur para një idhulli dhe çfarë do ta ndihmojë për të shmangur një idhujtari të tillë? (Efesianëve 5:5)
11 Megjithëse një i krishterë i vërtetë nuk do të përkulet kurrë para një idhulli, ai duhet që të shmangë çdo gjë që Perëndia e shikon si një idhujtari, si të papastër dhe mëkatare. Për shembull, Bibla paralajmëron: «Të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari; për këto gjëra zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes.» (Kolosianëve 3:5, 6) Bindja ndaj këtyre fjalëve kërkon hedhjen tej të sjelljes imorale. Kjo bën thirrje për shmangien e argëtimeve që synojnë të nxisin oreksin e papastër seksual. Në vend që të kënaqin një oreks të tillë, të krishterët e vërtetë janë xhelozë për adhurimin e pastër të Perëndisë.
Shembuj të mëvonshëm të xhelozisë hyjnore
12, 13. Si dha Jezui një shembull të jashtëzakonshëm në shfaqjen e xhelozisë për adhurimin e pastër të Perëndisë?
12 Shembulli më i jashtëzakonshëm i dikujt që ka treguar xhelozi për adhurimin e pastër të Perëndisë ishte Jezu Krishti. Në vitin e parë të shërbimit të tij ai pa tregtarë lakmitarë që tregtonin në oborrin e tempullit. Hebrenjtë vizitorë mund të kishin nevojë për shërbimin e këmbyesve të parave për të këmbyer monedhat e tyre të huaja, të cilat do t’u duheshin për të paguar taksën e tempullit. Ata, gjithashtu, kishin nevojë për të blerë kafshë dhe zogj me qëllim që të ofronin flijimet e kërkuara nga Ligji i Perëndisë. Veprime të tilla tregtare duhej të bëheshin jashtë oborreve të tempullit. Më keq akoma, tregtarët, haptazi po përfitonin padrejtësisht nga nevojat frymore të vëllezërve të tyre, duke vënë çmime tepër të larta. I përpirë nga xhelozia për adhurimin e pastër të Perëndisë, Jezui përdori një kamzhik për të përzënë delet dhe gjedhët. Ai, gjithashtu, përmbysi tavolinat e këmbyesve të parave, duke thënë: «Mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!» (Gjoni 2:14-16) Në këtë mënyrë Jezui përmbushi fjalët e Psalmit 69:9: «Zelli [ose, «xhelozia», Byington] i shtëpisë sate më ka përpirë.»
13 Tre vjet më vonë, Jezui, përsëri pa tregtarët lakmitarë që po tregtonin në tempullin e Jehovait. A do ta pastronte ai atë për të dytën herë? Xhelozia e tij për adhurimin e pastër të Perëndisë ishte po aq e fortë sa edhe atëherë kur ai filloi shërbimin e tij. Ai përzuri, së bashku, tregtarët dhe blerësit. Dhe ai dha një arsye edhe më të fortë për veprimet e tij, duke thënë: «Vallë nuk është shkruar: ‘Shtëpia ime do të quhet shtëpi e lutjes për të gjithë kombet?’ Ju, përkundrazi, e keni bërë shpellë kusarësh!» (Marku 11:17) Çfarë shembulli i mrekullueshëm i këmbënguljes në shfaqjen e xhelozisë së perëndishme!
14. Si duhet të ndikojë tek ne xhelozia e Jezuit për adhurimin e pastër?
14 Personaliteti i Zotit Jezu Krisht, tashmë i ngritur në lavdi, nuk ka ndryshuar. (Hebrenjve 13:8) Në shekullin e 20-të, ai është po aq xheloz për adhurimin e pastër të Atit të tij, sa edhe kur ndodhej mbi tokë. Kjo mund të shihet në mesazhet e Jezuit dërguar shtatë kongregacioneve që përmbahen në librin e Zbulesës. Këto mesazhe e kanë plotësimin e tyre më të madh tani, në «ditën e Zotërisë». (Zbulesa 1:10; 2:1–3:22) Në vizion apostulli Gjon pa Jezu Krishtin e ngritur në lavdi dhe «sytë e tij i ngjanin një flake zjarri». (Zbulesa 1:14) Kjo tregon se asgjë nuk i shpëton vëzhgimit të Krishtit, ndërsa ai kontrollon kongregacionet për t’u siguruar që ato janë të pastra dhe të pranueshme për shërbimin e Jehovait. Të krishterët e ditëve të sotme duhet të mbajnë në mendje paralajmërimin e Jezuit ndaj përpjekjeve për t’u shërbyer dy zotërinjve—Perëndisë dhe pasurive. (Mateu 6:24) Jezui u tha anëtarëve materialistë të kongregacionit të Laodiceas: «Mbasi je kështu i vakët dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime . . . ji i zellshëm dhe pendohu.» (Zbulesa 3:14-19) Me anë të fjalëve dhe shembullit të tyre, pleqtë e emëruar në kongregacion duhet të ndihmojnë bashkëbesimtarët e tyre që të shmangin grackën e materializmit. Pleqtë, duhet gjithashtu të mbrojnë tufën nga korruptimi moral i botës, që është orientuar nga seksi. Për më tepër, populli i Perëndisë, nuk duhet të tolerojë ndonjë ndikim të Jezebelës në kongregacion.—Hebrenjve 12:14, 15; Zbulesa 2:20.
15. Si e imitoi apostulli Pavël Jezuin në shfaqjen e xhelozisë për adhurimin e Jehovait?
15 Apostulli Pavël ishte një imitues i Krishtit. Për të mbrojtur të krishterët e sapo pagëzuar nga ndikimet frymore të pashëndetshme ai tha: «Jam xheloz për ju me xhelozinë e Perëndisë.» (2. Korintasve 11:2) Përpara kësaj, xhelozia për adhurimin e pastër e kishte shtyrë atë që ta mësonte këtë kongregacion të përjashtonte një kurvar të papenduar, i cili ishte një ndikim ndotës. Këshillat e frymëzuara, të dhëna në atë rast, janë një ndihmë e madhe për pleqtë e sotëm, ndërsa ata përpiqen që të mbajnë të pastër më shumë se 75.500 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait.—1. Korintasve 5:1, 9-13.
Xhelozia e Perëndisë i sjell dobi popullit të tij
16, 17. (a) Kur Perëndia ndëshkoi Judën e lashtë, çfarë qëndrimi treguan kombet? (b) Mbas 70 vjet robërie të Judës, si e tregoi Jehovai xhelozinë e tij për Jerusalemin?
16 Kur Perëndia ndëshkoi banorët e Judës, duke lejuar që ata të merreshin robër në Babiloni, ata u bënë objekt talljeje. (Psalmi 137:3) Nën një urrejtje xheloze, edomitët, madje i ndihmuan babilonasit për të sjellë mjerim mbi popullin e Perëndisë dhe Jehovai e regjistroi këtë. (Ezekieli 35:11; 36:15) Në robëri të mbijetuarit u penduan dhe Jehovai, mbas 70 vjetësh, i rivendosi ata në tokën e tyre.
17 Fillimisht, banorët e Judës ishin në një gjendje të vështirë. Qyteti i Jerusalemit dhe tempulli i tij ishin rrënuar. Por, kombet përreth iu kundërvunë me të gjitha forcat rindërtimit të tempullit. (Ezdra 4:4, 23, 24) Çfarë ndjeu Jehovai për këtë? Tregimi i frymëzuar pohon: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: ‘Unë jam shumë xheloz për Jerusalemin dhe për Sionin; por jam zemëruar shumë me kombet që jetojnë në mirëqenie, sepse, kur isha zemëruar pak, ata luajtën rol për ta shtuar të keqen.’ Prandaj kështu thotë Zoti: ‘Unë po i drejtohem përsëri Jerusalemit me mëshirë; tempulli im do të rindërtohet aty, thotë Zoti i ushtrive.’» (Zaharia 1:14-16) Në vërtetësi të këtij premtimi, tempulli dhe qyteti i Jerusalemit u rindërtuan me sukses.
18. Çfarë përvoje kaluan të krishterët e vërtetë gjatë luftës së parë botërore?
18 Kongregacioni i të krishterëve të vërtetë ka një përvojë të ngjashme në shekullin e 20-të. Gjatë luftës së parë botërore, Jehovai e disiplinoi popullin e tij sepse ata nuk kishin qenë plotësisht neutralë në atë konflikt botëror. (Gjoni 17:16) Perëndia i lejoi fuqitë politike ta shtypnin atë dhe kleri i të ashtuquajturit krishterim u gëzua për këtë mjerim. Në fakt, klerikët ishin në ballë të përpjekjeve për t’i shtyrë elementët politikë në ndalimin e veprës së Studentëve Biblikë, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait.—Zbulesa 11:7, 10.
19. Si e ka treguar Jehovai xhelozinë për adhurimin e tij që prej 1919-ës?
19 Sidoqoftë, Jehovai tregoi xhelozi për adhuruesit e tij dhe e rivendosi popullin e tij të penduar në favorin e tij, në vitin e pasluftës 1919. (Zbulesa 11:11, 12) Si rezultat, numri i lavdëruesve të Jehovait u rrit nga më pak se 4.000 në 1918, në 5 milionë sot. (Isaia 60:22) Shpejt, xhelozia e Jehovait për adhurimin e tij të pastër do të shfaqet në mënyra edhe më dramatike.
Veprime të ardhshme të xhelozisë hyjnore
20. Çfarë do të bëjë së shpejti Perëndia për të treguar xhelozinë e tij për adhurimin e pastër?
20 Për shekuj kishat e të ashtuquajturit krishterim kanë ndjekur rrugën e judenjve apostatë, të cilët e shtynë Jehovain në xhelozi. (Ezekieli 8:3, 17, 18) Së shpejti, Perëndia Jehova do të veprojë duke vendosur një mendim të prerë në zemrat e pjesëtarëve të Kombeve të Bashkuara. Ky mendim do t’i shtyjë këta politikanë ta shkatërrojnë të ashtuquajturin krishterim dhe pjesën tjetër të fesë së rreme. (Zbulesa 17:16, 17) Adhuruesit e vërtetë do të mbijetojnë këtë ekzekutim të frikshëm të gjykimit hyjnor. Ata do t’u përgjigjen fjalëve të krijesave qiellore që thonë: «Aleluja! . . . Ai në fakt gjykoi laviren e madhe [fenë e rreme], që e prishi dheun me kurvërinë e saj [mësimet e saj të rreme dhe përkrahja e politikanëve të korruptuar] dhe mori hak për gjakun e shërbëtorëve të vet të derdhur prej dorës së saj.»—Zbulesa 19:1, 2.
21. (a) Çfarë do të bëjë Satanai dhe sistemi i tij mbasi të shkatërrohet feja e rreme? (b) Si do të përgjigjet Perëndia?
21 Çfarë do të ndodhë pas shkatërrimit të perandorisë botërore të fesë së rreme? Satanai do të nxisë fuqitë politike të organizojnë një sulm të përgjithshëm mbi popullin e Jehovait. Si do të reagojë Perëndia i vërtetë ndaj kësaj përpjekjeje të Satanait për të fshirë adhuruesit e vërtetë nga faqja e dheut? Ezekieli 38:19-23 na thotë: «Në xhelozinë time dhe në zjarrin e zemërimit tim, unë [Jehovai] deklaroj. . . . Do të ekzekutoj vendimin tim mbi të [Satanain] me murtajë dhe me gjak, do të bëj të reshë mbi të, mbi ushtrinë e tij dhe mbi shumë popuj që janë bashkë me të, një shi që zhurin, gurë prej akulli, zjarr dhe squfur. Kështu do të lartësohem dhe do të shenjtërohem dhe do të bëhem i njohur në sytë e shumë kombeve dhe do të pranojnë se unë jam Zoti.»—Shiko edhe Sofoninë 1:18; 3:8.
22. Si mund të tregojmë se jemi xhelozë për adhurimin e pastër të Jehovait?
22 Sa lehtësuese është të dimë që Sovrani i universit në mënyrë xheloze kujdeset për adhuruesit e tij të vërtetë! Me vlerësim të thellë për dashamirësinë e tij të pamerituar, le të jemi xhelozë për adhurimin e pastër të Perëndisë Jehova. Të vazhdojmë të predikojmë me zell lajmin e mirë dhe të presim me besim ditën e madhe kur Jehovai të lartësojë dhe të shenjtërojë emrin e tij të madh.—Mateu 24:14.
Pika për meditim
◻ Çfarë do të thotë të jesh xheloz për Jehovain?
◻ Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i izraelitëve të lashtë?
◻ Si mund të shmangim shtyrjen e Jehovait në xhelozi?
◻ Si kanë treguar xhelozi për adhurimin e pastër Perëndia dhe Krishti?
[Kutia në faqen 7]
Dashuria nuk është xheloze
NË LIDHJE me zilinë, studiuesi biblik i shekullit të 19-të Albert Barns, shkroi: «Është një nga shfaqjet më të zakonshme të ligësisë dhe tregon qartë zvetënimin e thellë të njeriut.» Më tej ai tha: «Ai që është në gjendje të hulumtojë të gjitha luftrat dhe mosmarrëveshjet si edhe planet botërore deri në origjinën e tyre—të gjitha skemat dhe qëllimet të madje edhe atyre që thonë se janë të krishterë, skema dhe qëllime të cilat dëmtojnë kaq shumë fenë e tyre dhe i japin një mentalitet botëror—do të habitej se sa shumë këto i detyrohen zilisë. Ne ndiejmë dhimbje për faktin se të tjerët jetojnë më mirë se ne; dëshirojmë të kemi atë që të tjerët e kanë, ndonëse nuk kemi të drejtë për të; dhe kjo çon në metoda të ndryshme faji të cilat kryhen për të dëmtuar gëzimin e tyre mbi ato gjëra ose për t’i fituar ato ne vetë, ose për të treguar që ata nuk zotërojnë aq shumë sa duket se kanë. . . . për këtë arsye fryma e zilisë gjen kënaqësi në kraharorin tonë.»—Romakëve 1:29; Jakovi 4:5.
Në dallim me këtë, Barns bën një pohim interesant në lidhje me dashurinë, e cila «nuk ka smirë». (1. Korintasve 13:4, DSF) Ai shkroi: «Dashuria nuk i ka zili të tjerët për lumturinë që gëzojnë; ajo kënaqet në mirëqenien e tyre; dhe ndërkohë që lumturia e tyre rritet . . . , ata që janë të shtyrë nga dashuria . . . nuk do ta pakësojnë lumturinë e tyre; nuk do t’i bëjnë të ndihen në pozitë të vështirë për atë që kanë; nuk do ta përçmojnë atë lumturi; nuk do të pëshpërisin apo të shprehin pakënaqësi për shkak se ata vetë nuk janë kaq të favorizuar. . . . Nëse i duam të tjerët—nëse gëzohemi për lumturinë e tyre, nuk duhet t’i kemi zili.»
[Figura në faqen 5]
Fineasi ishte xheloz për adhurimin e pastër të Jehovait