BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 15/5 f. 21-23
  • «Një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Mënyra për të zbutur gjuhën
  • Kontrollimi i gjuhës kur jemi të zemëruar
  • Kur heshtja nuk zgjidh gjë?
  • «Një kohë për të folur» për Mbretërinë e Perëndisë
  • Përdore për mirë fuqinë e gjuhës
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
  • Pse them gjithmonë fjalët e gabuara?
    Të rinjtë pyesin
  • Të tregojmë dashuri dhe respekt duke kontrolluar gjuhën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Gjuha, I
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 15/5 f. 21-23

«Një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur»

SA HERË ke psherëtirë, duke thënë: «Do të doja që këtë të mos e kisha thënë»? Përveç kësaj, mund të kujtosh raste të tjera, kur është dashur të flasësh me guxim dhe ke dështuar. Më vonë, duke e kujtuar mund të kesh menduar: «Do të doja të kisha thënë diçka.»

Bibla thotë se ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur». (Eklisiastiu 3:7) Atëherë, ja, ku qëndron problemi: të vendosësh se kur të flasësh e kur të heshtësh. Natyra jonë e papërsosur njerëzore na detyron vazhdimisht të veprojmë e të flasim kur nuk është me vend. (Romakëve 7:19) Si mund ta kontrollojmë gjuhën tonë të papërmbajtur?​—Jakovit 3:2.

Mënyra për të zbutur gjuhën

Për të vendosur se kur të flasim dhe kur të heshtim, nuk kemi nevojë për një listë të gjatë rregullash, të përgatitur për të përfshirë çdo situatë të mundshme. Përkundrazi, ajo që na nevojitet është udhëheqja nga cilësitë, të cilat janë një pjesë e qenësishme e personalitetit të krishterë. Cilat janë këto cilësi?

Jezu Krishti shpjegoi se dashuria është cilësia thelbësore që i nxit dishepujt e tij. «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Sa më shumë ta shfaqim këtë dashuri vëllazërore, aq më mirë do ta kontrollojmë gjuhën.

Dy cilësi që lidhen me njëra-tjetrën, gjithashtu, do të ndihmojnë jashtë mase. Njëra nga këto është përulësia. Ajo na mundëson ‘të konsiderojmë tjetrin më të lartë se vetveten’. (Filipianëve 2:3, BR) Tjetra është butësia, e cila na mban ‘të durueshëm nën ligësinë’. (2. Timoteut 2:24, 25, BR) Tek Jezu Krishti gjejmë shembullin e përsosur të ushtrimit të këtyre cilësive.

Duke qenë se gjuha është më e vështirë të kontrollohet kur jemi nën presion, le të shqyrtojmë natën para vdekjes së Jezuit, një kohë kur ai ishte «thellësisht i trishtuar». (Mateu 26:37, 38) Nuk është çudi që Jezui ndihej kështu, pasi e ardhmja e përhershme e gjithë njerëzimit varej nga besueshmëria e tij deri në fund ndaj Perëndisë.​—Romakëve 5:19-21.

Kjo ishte me siguri koha që Jezui t’i fliste Atit të tij qiellor. Prandaj, ai iku për t’u lutur, duke u kërkuar tre dishepujve të tij që të rrinin syhapur. Pasi kishte kaluar disa kohë, ai erdhi dhe i gjeti duke fjetur. Në këtë moment, ai i tha Pjetrit: «Po si, nuk mundët të vigjëloni me mua të paktën për një orë?» Ky qortim i dashur ishte shoqëruar me fjalë që tregonin kuptueshmërinë e dobësisë së tyre. Ai tha: «Fryma është gati, por mishi është i dobët.» Më vonë, Jezui shkoi përsëri dhe i gjeti dishepujt në gjumë. U foli atyre me mirësjellje e «u largua përsëri dhe u lut për të tretën herë».​—Mateu 26:36-44.

Kur Jezui i gjeti dishepujt për herë të tretë duke fjetur, nuk u tregua i ashpër, por tha: «Në një kohë si kjo, ju flini dhe pushoni. Ja! Është afruar ora që Biri i njeriut të tradhëtohet në duart e mëkatarëve.» (Mateu 26:45) Vetëm dikush me një zemër plot dashuri, që me të vërtetë priret drejt butësisë dhe përulësisë, mund ta përdorte gjuhën në mënyrë të tillë në ato momente të vështira.​—Mateu 11:29; Gjoni 13:1.

Menjëherë pas kësaj, Jezui u arrestua dhe u padit. Nga kjo mësojmë se nganjëherë është më mirë të heshtim, edhe kur jemi në shërbimin tonë të krishterë. Duke sajuar dëshmi për të fajësuar Jezuin, krerët e priftërinjve nuk kishin aspak interes për të zbuluar të vërtetën. Kështu, në këtë situatë shpërthyese, Jezui qëndroi i heshtur.​—Krahaso Mateun 7:6.

Por Jezui nuk heshti, kur kryeprifti e pyeti: «Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë.» (Mateu 26:63) Duke qenë se Jezui ishte vënë në be, ishte koha që ai të fliste. Prandaj, ai u përgjigj: «Ti po thua! Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut, duke ndenjur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur mbi retë e qiellit.»​—Mateu 26:64.

Gjatë asaj dite të rëndësishme, Jezui ushtroi kontroll të përsosur mbi gjuhën. Në rastin e tij, dashuria, butësia dhe përulësia ishin pjesë të natyrës së personalitetit të tij. Si mund t’i përdorim edhe ne këto cilësi për të kontrolluar gjuhën, kur jemi nën presion?

Kontrollimi i gjuhës kur jemi të zemëruar

Shpesh e humbim kontrollin mbi gjuhën, kur zemërohemi. Për shembull, Pavli dhe Barnaba patën njëherë një mosmarrëveshje mendimesh. «Barnaba donte të merrte me vete Gjonin, të quajtur Marku. Por Pali mendonte se nuk duhej marrë me vete ai që ishte ndarë prej tyre në Pamfili dhe nuk kishte shkuar me ata në punë. Atëherë lindi një grindje, saqë ata u ndanë njëri nga tjetri.»​—Veprat 15:37-39.

Majkëlla, i cili kishte punuar për disa vjet me radhë në projekte ndërtimi, tregon: «Në kantierin e ndërtimit kishte një njeri, të cilin e njihja mirë dhe e respektoja. Por më dukej se ai vazhdimisht kërkonte të metat në punën time. Më kishte prekur dhe irrituar, por nuk e shpreha. Një ditë, gjërat arritën kulmin, kur ai kritikoi një punë, që sapo e kisha mbaruar.

Shfryva dufin e të gjitha ndjenjave të ndrydhura. Duke bërë si i tërbuar, kisha harruar se ç’përshtypje të keqe duhet të kishte bërë kjo tek të gjithë ata që na rrethonin. Gjatë gjithë pjesës tjetër të ditës, nuk doja t’i flisja me gojë dhe as ta shihja me sy. Tani e kuptoj se nuk ishte mënyra më e përshtatshme për të zgjidhur problemin. Do të kishte qenë shumë më mirë, po të heshtja e të flisja kur të më kishin rënë nervat.»

Lumturisht, dashuria e krishterë i nxiti këta dy individë të zgjidhnin mosmarrëveshjet e tyre. Majkëlli shpjegon: «Pas disa bisedash të sinqerta, e kuptuam më mirë njëri-tjetrin dhe tani jemi miq të ngushtë.»

Siç mësoi edhe Majkëlli, nganjëherë është e mençur të heshtim, kur jemi të zemëruar. «Një njeri me aftësi shquese është i qetë në shpirt»,—thotë Proverbat 17:27. Aftësia shquese dhe dashuria vëllazërore do të na ndihmojnë të kontrollojmë nxitjen për të llomotitur fjalë lënduese. Nëse jemi ofenduar, të flasim me personin tjetër vetëm për vetëm me një frymë të butë e të përulur, me mendimin për të bërë paqe. Po kur një shpërthim zemërimi tashmë ka ndodhur? Atëherë, dashuria do të na nxisë të gëlltisim krenarinë dhe të kërkojmë me përulësi të ndreqemi. Kjo është koha për të folur, për të shprehur keqardhjen dhe për të shëruar ndjenjat e lënduara me anë të komunikimit të sinqertë.​—Mateu 5:23, 24.

Kur heshtja nuk zgjidh gjë?

Zemërimi apo irritimi mund të na bëjë që të mos i flasim personit që na mërzit. Kjo gjë mund të jetë shumë e dëmshme. «Gjatë vitit të parë të martesës, kishte raste kur nuk i flisja tim shoqi për ditë të tëra,—tregon Marija.b—Zakonisht, nuk ishte për ndonjë problem të madh, por përkundrazi, për shkak të grumbullimit të acarimeve të vogla. Vazhdoja të bluaja në mendje gjithë këto mërzitje, derisa më bëheshin si pengesë sa një mal. Atëherë vinte momenti kur nuk mund të duroja më dhe nuk i flisja më tim shoqi, derisa të më kalonte zhgënjimi.»

Marija shton: «Një varg i veçantë biblik: ‘dielli të mos perëndojë mbi zemërimin tuaj’, më ndihmoi të ndreqja mendimet. Burri dhe unë punuam shumë për të përmirësuar komunikimin, kështu që problemet nuk grumbulloheshin. Nuk qe e lehtë, por pas dhjetë vjetësh jetë martesore, jam e lumtur të them se këto periudha heshtjeje të ngurtë janë shumë më të rralla. Megjithatë, duhet të pranoj se akoma po punoj për ta mbajtur në fre këtë prirje.»​—Efesianëve 4:26.

Siç kuptoi edhe Marija, kur ka tensione midis dy njerëzve, pakësimi i komunikimit nuk është një zgjidhje. Në rrethana të tilla, ka të ngjarë që fyerja të rritet dhe marrëdhënia mund të dëmtohet. Jezui tha se duhet të jemi ‘të shpejtë në zgjidhjen e problemeve’. (Mateu 5:25) «Një fjalë e thënë në kohën e duhur» mund të na ndihmojë ‘të kërkojmë paqen’.​—Proverbat 25:11; 1. Pjetrit 3:11.

Duhet të flasim, gjithashtu, edhe kur kemi nevojë për ndihmë. Kur vuajmë për shkak të ndonjë problemi frymor, mund të ngurrojmë që të ngarkojmë më tepër të tjerët. Por nëse heshtim, problemi mund të keqësohet. Pleqtë e emëruar të krishterë kujdesen për ne dhe nëse i lejojmë, ata pa dyshim janë të gatshëm për të na dhënë ndihmë. Ky është një moment kur duhet folur.​—Jakovit 5:13-16.

Mbi të gjitha, duhet të flasim rregullisht me Jehovain me anë të lutjeve të përzemërta, ashtu siç bëri Jezui. Vërtet, le t’ia ‘hapim zemrën’ Atit tonë qiellor.​—Psalmi 62:8; krahaso Hebrenjve 5:7.

«Një kohë për të folur» për Mbretërinë e Perëndisë

Shërbimi i krishterë është një detyrë hyjnore që duhet përmbushur para se të vijë fundi. Prandaj, si kurrë më parë, është e domosdoshme që shërbëtorët e Jehovait të shpallin lajmin e mirë të Mbretërisë. (Marku 13:10) Ashtu si apostujt, të krishterët e vërtetë ‘nuk mund të mos flasin për ato që kanë parë dhe dëgjuar’.​—Veprat 4:20.

Pa dyshim, jo të gjithë duan ta dëgjojnë lajmin e mirë. Në fakt, kur i dërgoi dishepujt e tij të predikonin, Jezui i këshilloi të kërkonin ‘ata që ishin të denjë’. Përderisa Jehovai nuk detyron kurrë askënd që ta adhurojë, nuk duhet të vazhdojmë t’i flasim me kokëfortësi dikujt që e hedh poshtë me forcë mesazhin e Mbretërisë. (Mateu 10:11-14) Por për ne është kënaqësi të flasim për mbretërimin e Jehovait me ata që janë «të prirë drejtësisht për jetën e përhershme».​—Veprat 13:48, BR; Psalmi 145:10-13.

Dashuria, butësia dhe përulësia janë cilësi që mund të na ndihmojnë të kontrollojmë prirjen tonë të papërsosur për të folur pa arsye apo për t’u zhytur në një heshtje të thellë. Ndërsa i përmirësojmë këto cilësi, do të jemi më mirë të pajisur për të dalluar se kur është dhe kur nuk është me vend për të folur.

[Shënimet]

a Nuk është emri i tij i vërtetë.

b Nuk është emri i saj i vërtetë.

[Figura në faqen 23]

Problemet mund të zgjidhen përmes komunikimit të mirë

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo