BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • fy kap. 14 f. 163-172
  • Duke u plakur së bashku

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Duke u plakur së bashku
  • Sekreti i lumturisë familjare
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PËRSHTATUNI NDAJ PAVARËSISË SË FËMIJËVE TUAJ
  • PËRTËRINI LIDHJEN TUAJ MARTESORE
  • GËZOHUNI ME NIPËRIT E MBESAT
  • PËRSHTATUNI NDËRSA PLAKENI
  • PËRBALLIMI I HUMBJES SË BASHKËSHORTIT
  • TË VLERËSUAR NGA PERËNDIA NË MOSHË TË SHKUAR
  • Siguroni një të ardhme të qëndrueshme për familjen tuaj
    Sekreti i lumturisë familjare
  • Kur vitet e pleqërisë bëhen «një kurorë bukurie»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • Jehovai kujdeset me butësi për shërbëtorët e tij të moshuar
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • Si mund të afrohem më shumë me gjyshërit?
    Zgjohuni!—2001
Shih më tepër
Sekreti i lumturisë familjare
fy kap. 14 f. 163-172

KAPITULLI KATËRMBËDHJETË

Duke u plakur së bashku

1, 2. (a) Çfarë ndryshimesh ndodhin me afrimin e moshës së thyer? (b) Si gjetën kënaqësi në moshë të thyer, njerëzit e devotshëm të kohërave biblike?

SHUMË ndryshime ndodhin, ndërsa plakemi. Dobësitë fizike e venitin forcën tonë. Pasqyra na tregon rrudha të reja dhe një zbehje graduale të ngjyrës së flokëve, madje edhe rënien e tyre. Mund të vuajmë nga ndonjë dobësim i kujtesës. Marrëdhënie të reja zhvillohen kur fëmijët martohen e po kështu kur ia behin nipërit e mbesat. Për disa, largimi nga puna sjell një ndryshim të rutinës së jetës.

2 Vërtet, vitet e shtyra mund të jenë të mundimshme. (Eklisiastiu 12:1-8) Megjithatë, le të shqyrtojmë shërbëtorët e Perëndisë në kohërat biblike. Edhe pse më së fundi ranë në gjumin e vdekjes, ata fituan mençuri dhe kuptueshmëri, të cilat u sollën kënaqësi të madhe në moshë të shkuar. (Zanafilla 25:8; 35:29; Jobi 12:12; 42:17) Si patën sukses në një pleqëri të lumtur? Sigurisht, duke jetuar në përputhje me parimet që sot ne i gjejmë të shënuara në Bibël.​—Psalmi 119:105; 2. Timoteut 3:16, 17.

3. Çfarë këshillash dha Pavli për burrat dhe gratë e moshuara?

3 Në letrën e tij drejtuar Titit, apostulli Pavël u ofroi këshilla të shëndosha atyre që po plakeshin. Ai shkroi: «Burrat e moshuar të jenë të përkorë në zakone, seriozë, me mendje të shëndoshë, të shëndoshë në besim, në dashuri, në qëndrueshmëri. Po kështu, gratë e moshuara të kenë sjellje me nderim të madh, të mos jenë shpifëse, as robinja ndaj verës së shumtë, por mësuese të së mirës.» (Titit 2:2, 3, BR) Dëgjueshmëria ndaj këtyre fjalëve mund t’ju ndihmojë të përballoni sfidat e plakjes.

PËRSHTATUNI NDAJ PAVARËSISË SË FËMIJËVE TUAJ

4, 5. Si reagojnë shumë prindër, kur fëmijët e tyre largohen nga shtëpia dhe si përshtaten disa me situatën e re?

4 Ndryshimi i roleve kërkon përshtatshmëri. Sa e vërtetë është kjo, kur fëmijët e rritur lënë shtëpinë dhe martohen! Për shumë prindër ky është përkujtuesi i parë se po plaken. Edhe pse ndihen të lumtur që pasardhësit e tyre janë në moshë, shpesh prindërit janë të shqetësuar për faktin se a kanë bërë gjithçka të mundur që t’i përgatisin fëmijët për të qenë të pavarur. Gjithashtu, ata mund të ndiejnë mall, duke mos i pasur më pranë.

5 Është e kuptueshme që prindërit do të vazhdojnë të merakosen për mirëqenien e fëmijëve edhe pasi ata të jenë larguar nga shtëpia. Një nënë thotë: «Ah, sikur të dëgjoja sa më shpesh për ta, që të isha e sigurt se janë shëndoshë e mirë; kjo do të më bënte me krahë.» Një baba tregon: «Kur vajza na iku nga shtëpia, qe një kohë e vështirë. La një të çarë të madhe, pasi ne gjithmonë kishim bërë gjithçka së bashku.» Si e përballuan këta prindër mungesën e fëmijëve? Në shumë raste, duke treguar kujdes dhe duke ndihmuar njerëz të tjerë.

6. Çfarë ndihmon për të pasur pikëpamjen e duhur në marrëdhëniet familjare?

6 Kur fëmijët martohen, roli i prindërve ndryshon. Zanafilla 2:24 pohon: «Njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij dhe do të jenë një mish i vetëm.» Pranimi i parimeve hyjnore të kryesisë dhe rregulli i mirë do t’i ndihmojë prindërit që të kenë pikëpamjen e duhur mbi gjërat.​—1. Korintasve 11:3; 14:33, 40.

7. Çfarë qëndrimi të shkëlqyer kultivoi një baba, kur vajzat e tij lanë shtëpinë për t’u martuar?

7 Pasi dy vajzat e një çifti u martuan dhe ikën nga shtëpia, të dy bashkëshortët ndjenë një boshllëk në jetën e tyre. Së pari, burri u mërzit me dy dhëndurët e tij. Por, pasi meditoi mbi parimin e kryesisë, e kuptoi që burrat e vajzave të tij kishin tashmë përgjegjësinë për familjet e tyre respektive. Prandaj, kur vajzat i kërkonin këshilla, ai i pyeste se ç’mendonin burrat e tyre, pastaj sigurohej që të tregohej sa më përkrahës që të ishte e mundur. Tani, dhëndurët e konsiderojnë atë si një mik dhe i mirëpresin këshillat e tij.

8, 9. Si i janë përshtatur disa prindër pavarësisë së fëmijëve të tyre të rritur?

8 Po sikur të sapomartuarit, edhe duke mos bërë diçka kundër Shkrimeve, të mos bëjnë atë që prindërit mendojnë se është gjëja më e mirë? «Ne gjithmonë përpiqemi t’i ndihmojmë që të kenë pikëpamjen e Jehovait,​—shpjegon një çift me fëmijë të martuar,​—por nëse nuk jemi dakort me një vendim që kanë marrë ata, e pranojmë atë dhe u japim përkrahje dhe inkurajim.»

9 Në disa vende aziatike, disa nëna e kanë veçanërisht të vështirë të pranojnë pavarësinë e bijve të tyre. Megjithatë, duke respektuar rregullin dhe kryesinë e krishterë, ato kanë parë se fërkimet me nuset e tyre janë zvogëluar. Një grua e krishterë kuptoi se largimi i vijve të saj nga shtëpia doli një «burim mirënjohjeje gjithnjë në rritje». Ajo ndihet e emocionuar tek sheh aftësinë që kanë ata në mbarështimin e shtëpisë së tyre të re. Në shkëmbim, kjo ka sjellë një lehtësim të ngarkesës fizike dhe mendore që ajo dhe i shoqi duhej të mbanin ndërsa plakeshin.

PËRTËRINI LIDHJEN TUAJ MARTESORE

10, 11. Cilat këshilla nga Shkrimet do t’u vijnë në ndihmë njerëzve për të shmangur disa nga grackat e moshës së mesme?

10 Njerëzit reagojnë në mënyra të ndryshme kur arrijnë moshën e mesme. Disa burra vishen ndryshe, duke u përpjekur të duken më të rinj. Shumë gra shqetësohen për ndryshimet që sjell menopauza. Mjerisht, disa persona me moshë të thyer i lëndojnë dhe i bëjnë xhelozë bashkëshortët e tyre, duke u dhënë pas dashuriçkave me persona më të rinj të seksit të kundërt. Megjithatë, burrat e moshuar dhe me devotshmëri, janë «të shëndoshë në mendje», duke i mbajtur në fre dëshirat e tyre jo të përshtatshme. (1. Pjetrit 4:7) Gjithashtu, edhe gratë e pjekura punojnë për të mbajtur qëndrueshmërinë e martesës së tyre, të nxitura nga dashuria për burrat dhe nga dëshira për t’i pëlqyer Jehovait.

11 Nën frymëzim, mbreti Lemuel i thuri lavde «gruas së aftë», e cila e shpërbleu të shoqin «me të mira dhe jo me të këqija, të gjitha ditët e jetës së saj». Një burrë i krishterë duhet t’i vlerësojë përpjekjet e së shoqes për të përballuar çdo mërzitje emocionale që provon gjatë moshës së mesme. Dashuria do ta nxisë ta ‘lavdërojë’.​—Proverbat 31:10, 12, 28, BR.

12. Si mund të lidhen edhe më ngushtë çiftet, ndërsa vitet kalojnë?

12 Gjatë viteve plot punë të rritjes së fëmijës, ju të dy mund të keni lënë mënjanë dëshirat tuaja personale, për të plotësuar nevojat e fëmijëve. Tani, pas ikjes së tyre, është koha të përqendroni përsëri vëmendjen në jetën tuaj martesore. «Kur vajzat u larguan nga shtëpia,​—thotë një burrë,​—fillova përsëri t’i vija rrotull gruas sime.» Një burrë tjetër thotë: «Shqetësohemi për shëndetin e njëri-tjetrit dhe i kujtojmë njëri-tjetrit nevojën për ushtrime.» Që të mos ndihen të vetmuar, ai dhe gruaja e tij u tregojnë mikpritje pjesëtarëve të tjerë të kongregacionit. Po, shfaqja e interesit për të tjerët sjell bekime. Për më tepër, kjo i pëlqen Jehovait.​—Filipianëve 2:4; Hebrenjve 13:2, 16.

13. Ç’rol luajnë të qenët i hapur dhe ndershmëria, ndërsa dy të martuar plaken së bashku?

13 Mos lejoni që mes jush të zhvillohet ndonjë e çarë në komunikim. Flisni hapur me njëri-tjetrin. (Proverbat 17:27) «Ne e thelluam kuptueshmërinë tonë ndaj njëri-tjetrit, duke u kujdesur dhe duke u treguar të dhembshur»,​—komenton një burrë. E shoqja është dakort dhe thotë: «Duke u plakur, kemi filluar të gëzojmë së bashku duke pirë një filxhan çaj, duke biseduar dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin.» Duke qenë të hapur dhe të ndershëm, mund të ndihmoni në çimentimin e lidhjes suaj martesore, duke i dhënë asaj një elasticitet, i cili do t’u thotë ndal sulmeve të Satanait, thyerësit të martesës.

GËZOHUNI ME NIPËRIT E MBESAT

14. Me sa duket, çfarë roli luajti gjyshja e Timoteut në rritjen e tij si i krishterë?

14 Nipërit janë «kurora» e të moshuarve. (Proverbat 17:6) Shoqëria e tyre mund të jetë një kënaqësi e vërtetë, jetëdhënëse dhe freskuese. Bibla flet mirë për Loidenë, një gjyshe, e cila bashkë me të bijën, Eunikën, e ndanë besimin e tyre me nipçen e vogël, Timoteun. Ky djalosh u rrit, duke e ditur se mamaja dhe gjyshja e çmonin të vërtetën e Biblës.​—2. Timoteut 1:5; 3:14, 15.

15. Në lidhje me nipërit e mbesat, çfarë kontributi të çmuar mund të japin gjyshërit, por çfarë duhet të shmangin ata?

15 Ja, pra, një fushë e veçantë, në të cilën gjyshërit mund të japin kontributin më të vlefshëm. Gjyshër, tashmë ju e keni ndarë njohurinë e qëllimeve të Jehovait me fëmijët tuaj. Tani, mund të bëni po njësoj me një brez tjetër! Shumë vogëlushë rrëqethen tek dëgjojnë gjyshërit, kur u rrëfejnë tregimet biblike. Natyrisht, ju nuk po merrni mbi vete përgjegjësinë e etërve për t’u ngulitur të vërtetat e Biblës fëmijëve të tyre. (Ligji i përtërirë 6:7) Përkundrazi, e plotësoni këtë përgjegjësi. Lutja juaj qoftë si ajo e psalmistit: «Edhe tani që jam plakur dhe jam thinjur, o Perëndi, mos më braktis derisa t’i kem treguar këtij brezi fuqinë tënde dhe mrekullitë e tua gjithë atyre që do të vijnë.»​—Psalmi 71:18; 78:5, 6.

16. Në ç’mënyrë gjyshërit mund të shmangin që të mos bëhen shkak për zhvillimin e acarimeve në familjen e tyre?

16 Mjerisht, disa gjyshër i përkëdhelin kaq shumë të vegjlit, saqë zhvillohen tensione ndërmjet gjyshërve dhe prindërve të fëmijëve. Megjithatë, mirësjellja juaj e sinqertë, ndoshta mund të bëjë që nipërit të hapen më lehtë me ju, nëse nuk janë të prirur t’u hapen prindërve. Disa herë, të vegjlit shpresojnë që gjyshërit e mëshirshëm të vihen në anën e tyre kundër prindërve. Ç’të themi për këto raste? Ushtroni mençuri dhe inkurajoni nipërit të hapen me prindërit e tyre. Ju mund të shpjegoni se kjo i pëlqen Jehovait. (Efesianëve 6:1-3) Nëse është e nevojshme, mund të tregoheni të gatshëm për të folur me prindërit e të vegjëlve, duke i lajmëruar për problemet e tyre. Jini të çiltër me nipërit tuaj, për gjërat që keni mësuar gjatë viteve. Ata mund të nxjerrin dobi nga ndershmëria dhe nga sinqeriteti juaj.

PËRSHTATUNI NDËRSA PLAKENI

17. Cilën vendosmëri të psalmistit duhet të imitojnë të krishterët e moshuar?

17 Ndërsa vitet rrokullisen, dalëngadalë shikoni që s’mund të bëni dot gjithçka që keni bërë më parë apo gjithçka që do të donit të bënit. Si duhet pranuar dhe trajtuar procesi i plakjes? Në mendje ju mund të ndiheni 30-vjeçarë, por një shikim i shpejtë në fytyrë, nxjerr vjedhurazi një realitet të ndryshëm. Mos u shkurajoni! Psalmisti iu lut me zjarr Jehovait: «Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet.» Jini të patundur për të imituar vendosmërinë e psalmistit, i cili tha: «Unë do të kem shpresa gjithnjë dhe do të të lëvdoj gjithnjë e më tepër.»​—Psalmi 71:9, 14.

18. Në ç’mënyrë të vlefshme mund ta përdorë largimin nga puna një i krishterë i pjekur?

18 Shumë persona janë parapërgatitur qysh më parë, për të rritur lavdinë e Jehovait, pas daljes nga puna në botë. «E kisha planifikuar që më parë se ç’do të bëja, kur vajza jonë të mbaronte shkollën,​—thotë një baba, që tani ka dalë në pension.​—Kisha vendosur të filloja shërbimin e plotë kohor, prandaj e lashë tregtinë që të isha i lirë për t’i shërbyer Jehovait më plotësisht. U luta që Perëndia të më jepte drejtim.» Nëse po ju afrohet koha e pensionit, gjeni ngushëllim nga deklarata e Krijuesit tonë të Madh: «Deri në pleqërinë tuaj unë do të mbetem po ai, unë do t’ju mbaj derisa të thinjeni.»​—Isaia 46:4.

19. Çfarë këshille ka për ata që po plaken?

19 Përshtatja ndaj largimit nga puna në botë mund të mos jetë e lehtë. Apostulli Pavël i porositi burrat e moshuar të jenë «të përkorë në zakone». Kjo kërkon përmbajtje të përgjithshme, duke mos u dhënë pas prirjes për të kërkuar një jetë të ngeshme. Pas largimit nga puna, mbase mund të jenë shumë më të nevojshme se më parë rutina dhe vetëkontrolli. Jini të zënë, pra, «duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin». (1. Korintasve 15:58) Zgjerojini aktivitetet tuaja për të ndihmuar të tjerët. (2. Korintasve 6:13) Shumë të krishterë e bëjnë këtë gjë, duke predikuar me zell lajmin e mirë aq sa u lejon mosha e tyre e thyer. Ndërkohë që plakeni, jini «të shëndoshë në besim, në dashuri, në durim».​—Titit 2:2.

PËRBALLIMI I HUMBJES SË BASHKËSHORTIT

20, 21. (a) Në sistemin e tanishëm të gjërave, ç’gjë do t’i ndajë së fundi bashkëshortët? (b) Në ç’mënyrë, Ana siguroi një shembull të shkëlqyer për bashkëshortët e hidhëruar?

20 Është fakt i trishtueshëm dhe i vërtetë, se në sistemin e tanishëm të gjërave të martuarit së fundi i ndan vdekja. Bashkëshortët e hidhëruar të krishterë e dinë se tani të dashurit e tyre po flenë dhe kanë besim se do t’i shohin ata përsëri. (Gjoni 11:11, 25) Megjithatë, humbja mbetet gjithsesi pikëlluese. Si mund ta përballojë atë shoku që mbetet gjallë?a

21 Do të jetë e dobishme, po të mbajmë në mendje se çfarë bëri një personazh i Biblës. Ana kishte mbetur vejushë vetëm shtatë vjet pas martesës dhe në kohën kur ne lexojmë për të, ajo ishte 84 vjeçe. Mund të jemi të sigurt se edhe ajo ka qenë e hidhëruar nga humbja e të shoqit. Si e përballoi? Ajo i bënte shërbim të shenjtë Perëndisë Jehova në tempull, natë e ditë. (Luka 2:36-38) Jetesa e Anës në shërbim e me lutje, ishte pa dyshim një ilaç i fortë kundër pikëllimit dhe vetmisë që ndiente si vejushë.

22. Si e kanë përballuar vetminë disa vejusha e vejanë?

22 «Sfida më e madhe për mua ka qenë mungesa e një partneri, me të cilin të mund të flisja,​—shpjegon një grua e moshuar 72-vjeçare, e cila mbeti e ve dhjetë vjet më parë.​—Im shoq ishte një dëgjues i mirë. Ne flisnim për kongregacionin dhe për pjesëmarrjen tonë në shërbimin e krishterë.» Një vejushë tjetër tha: «Edhe pse koha të shëron, për mua ka qenë më e saktë të thosha se është përdorimi që dikush i bën kohës, ajo që të ndihmon të shërohesh. Je në një pozitë më të mirë për të ndihmuar të tjerët.» Një tjetër vejan 67-vjeçar është dakort, duke thënë: «Një mënyrë e shkëlqyeshme për të përballuar hidhërimin, është ofrimi i vetvetes për të ngushëlluar të tjerët.»

TË VLERËSUAR NGA PERËNDIA NË MOSHË TË SHKUAR

23, 24. Ç’ngushëllim të madh jep Bibla për njerëzit e moshuar, veçanërisht për ata që kanë mbetur të ve?

23 Edhe pse vdekja rrëmben një njeri të dashur, Jehovai mbetet përherë i besueshëm, përherë i sigurt. «Një gjë i kërkova Zotit,​—këndoi në moshë të thyer mbreti David,​—dhe atë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij.»​—Psalmi 27:4.

24 «Ndero vejushat që janë me të vërtetë të veja»,​—nxiti apostulli Pavël. (1. Timoteut 5:3) Këshilla që pason këtë udhëzim, tregon se vejushat që e meritojnë e që nuk kanë të afërm të afërt, mund të kenë nevojë për mbështetje materiale nga kongregacioni. Megjithatë, kuptimi i udhëzimit për «të nderuar», përfshin idenë e vlerësimit. Sa ngushëllim mund të nxjerrin vejushat dhe vejanët e devotshëm, duke ditur se Jehovai i vlerëson dhe do t’i mbështesë!​—Jakovit 1:27.

25. Çfarë synimi mbetet akoma për të moshuarit?

25 «Nderi i pleqve janë thinjat e tyre»,​—deklaron Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Ato janë «një kurorë lavdie [kur] e gjejmë në rrugën e drejtësisë». (Proverbat 16:31; 20:29) Vazhdoni, pra, sido që të jeni, të martuar apo përsëri të vetëm, duke mbajtur shërbimin e Jehovait në vend të parë në jetën tuaj. Në këtë mënyrë, do të keni tani një emër të mirë pranë Perëndisë dhe perspektivën e jetës së përhershme, kur dhimbjet e moshës së thyer nuk do të ekzistojnë më.​—Psalmi 37:3-5; Isaia 65:20.

a Për një diskutim më të hollësishëm të këtij argumenti, shikoni broshurën Kur të vdes një njeri i dashur, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

SI MUND T’I NDIHMOJNË KËTO PARIME BIBLIKE . . . ÇIFTET QË PO PLAKEN?

Nipërit e mbesat janë një «kurorë» për gjyshërit.​—Proverbat 17:6.

Mosha e thyer mund të sjellë mundësi të tjera për t’i shërbyer Jehovait.​—Psalmi 71:9, 14.

Burrat e moshuar janë inkurajuar të jenë «të përkorë në zakone».​—Titit 2:2, BR.

Bashkëshorët e pikëlluar, edhe pse në hidhërim të thellë, mund të gjejnë ngushëllim në Bibël.​—Gjoni 11:11, 25.

Jehovai i vlerëson të moshuarit me besim.​—Proverbat 16:31.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo