Të bëjmë të njohur në të gjithë tokën emrin e Jehovait
1 Kur Jezui i caktoi dishepujt e tij që të ishin dëshmitarë «deri në skajin e dheut», tashmë u kishte lënë atyre një shembull për ta ndjekur. (Vep. 1:8) Kurdo dhe kudo që gjente njerëz, ai fliste me ta rreth qëllimit të Perëndisë për njerëzimin. Duke imituar Jezuin, klasa e skllavit të besueshëm po përdor shumë lloje mënyrash për ta bërë «të njohur në të gjithë tokën» emrin e Jehovait.—Isa. 12:4, 5, BR.
2 Çfarë është bërë në kohët e mëparshme?: Në vitet e kaluara predikimet botoheshin nëpër gazeta. «Foto-Drama e krijimit» u përgatit dhe iu shfaq miliona njerëzve, u përdorën makina të pajisura me altoparlantë, një përdorim të gjerë patën gramafonët dhe për njëfarë kohe u përdor edhe radioja, të gjitha këto për predikimin e lajmit të mirë. Sigurisht, theksi kryesor vihej gjithmonë në kontaktimin e drejtpërdrejtë të personave, me qëllim që të mund të kultivohej interesi i gjetur. Si pasojë, shërbimi shtëpi më shtëpi ka dalë se është një mjet shumë i efektshëm, për ta bërë kudo të njohur emrin e Jehovait.—Vep. 5:42.
3 Çfarë po bëhet në kohën tonë?: Me ndryshimin e kohërave, bota po lëviz me një ritëm të ethshëm dhe në shumë vende njerëzit gjenden rrallë në shtëpi. Pak njerëz janë të prirur të harxhojnë kohë për të lexuar dhe medituar për gjërat frymore. Prandaj, duhet ta përshtatim shërbimin tonë sipas rrethanave. Ne jemi inkurajuar që përveçse të punojmë vazhdimisht territorin, duke predikuar shtëpi më shtëpi, të shkojmë edhe atje ku janë njerëzit e të jemi «gjithnjë gati» për të bërë një mbrojtje të shpresës që kemi. (1. Pjet. 3:15) Kjo do të thotë që të bëjmë përpjekje për t’u predikuar shokëve të punës, shokëve të shkollës, njerëzve në rrugë, në parqe ose në vende parkimi, nga dyqani në dyqan dhe në çdo vend tjetër ku mund të ketë njerëz. Me mbështetjen e Jehovait, përpjekjet tona do të dalin mjaft të suksesshme. A po angazhohemi për t’i arritur njerëzit kudo që janë?
4 Secili prej nesh le të bëjë çmos për ta bërë të njohur në territor emrin e Jehovait! Ne mund të gjejmë kënaqësi të madhe në përmbushjen e plotë të shërbimit tonë, ndërsa presim që Jehovai të tërheqë njerëzit me zemër të drejtë.—Gjoni 6:44.