Adhurimi i Baalit: Beteja për zemrat e Izraelitëve
Për afro një mijë vjet, një betejë e tërbuar zhvillohej për zemrat e kombit izraelit. Frika besëtytnore dhe ritet seksuale nga njëra palë luftonin kundër besimit dhe besnikërisë nga pala tjetër. Kjo betejë për jetë a vdekje vinte përballë adhurimin e Baalit me adhurimin e Jehovait.
A DO të mbështetej kombi i Izraelit plot besim te Perëndia i vërtetë që i nxori nga Egjipti? (Eksodi 20:2, 3) Apo do të dezertonin duke shkuar te Baali, perëndia i preferuar i Kanaanit, i cili u premtonte ta bënte tokën pjellore?
Kjo betejë frymore, e luftuar mijëra vjet më parë, ka rëndësi për ne. Përse? «Këto gjëra,—shkroi apostulli Pavël,—u shkruan për një paralajmërim për ne, mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve të gjërave.» (1. Korintasve 10:11, BR) Paralajmërimi bazë i këtij konflikti historik do të jetë më domethënës për ne, nëse kuptojmë cili ishte Baali dhe çfarë përfshinte adhurimi i tij.
Cili ishte Baali?
Izraelitët ranë në kontakt me Baalin kur mbërritën në Kanaan, rreth vitit 1473 p.e.s. Ata panë se kananitët adhuronin një numër të madh perëndish që ngjanin me perënditë e Egjiptit, edhe pse kishin emra të tjerë dhe disa karakteristika të ndryshme. Megjithatë, Bibla e veçon Baalin si perëndinë kryesor të kananitëve dhe zbulimet arkeologjike e vërtetojnë epërsinë e tij. (Gjyqtarët 2:11) Edhe pse Baali nuk ishte perëndia më i lartë i panteonit të tyre, ai ishte perëndia që kishte më shumë rëndësi për kananitët. Ata besonin se ai kishte autoritet mbi shiun, erën dhe retë dhe se vetëm ai mund t’i lironte njerëzit, kafshët dhe prodhimet, nga shterpësia ose edhe nga vdekja. Pa mbrojtjen e Baalit, Moti, një perëndi hakmarrës kananit, patjetër që do të sillte katastrofa mbi ta.
Ritet seksuale i jepnin impuls adhurimit të Baalit. Madje edhe objektet fetare të lidhura me Baalin, si kolonat e shenjta dhe shtyllat e shenjta, kishin domethënie seksuale. Me sa duket, kolonat e shenjta, shkëmbinj ose gurë të latuar në formën e një simboli falik, përfaqësonin Baalin, pjesën mashkullore të lidhjes seksuale. Shtyllat e shenjta, nga ana tjetër, ishin objekte druri ose pemë që përfaqësonin Asherahun, bashkëshorten e Baalit dhe elementin femëror.—1. Mbretërve 18:19.
Prostitucioni në tempull dhe flijimet e fëmijëve ishin aspekte të tjera të dallueshme të adhurimit të Baalit. (1. Mbretërve 14:23, 24; 2. Kronikave 28:2, 3) Libri Bibla dhe arkeologjia (The Bible and Archaeology) thotë: «Në tempujt e kananitëve kishte prostituta femra dhe meshkuj (burra e gra ‘të shenjtë’) dhe në to praktikohej çdo lloj teprimi seksual. [Kananitët] besonin se këto rite shkaktonin në ndonjë mënyrë begatinë e prodhimeve dhe të bagëtive.» Ky të paktën ishte justifikimi fetar, edhe pse një imoralitet i tillë padyshim u bënte thirrje dëshirave të mishit të adhuruesve. Pra, si i joshi Baali zemrat e izraelitëve?
Përse ishte kaq tërheqës?
Ndoshta shumë izraelitë preferonin të praktikonin një fe që kërkonte pak gjëra prej tyre. Duke adhuruar Baalin, ata kurseheshin nga mbajtja e Ligjit, siç ishte sabati dhe kufizimet e shumta morale. (Levitiku 18:2-30; Ligji i përtërirë 5:1-3) Ka të ngjarë që begatia materiale e kananitëve t’i ketë bindur disa të tjerë se Baali duhej qetësuar.
Altarët kananitë, të njohur si vendet e larta dhe të vendosur në zabele me drurë, në shpatet e maleve, duhet të kenë formuar një sfond tërheqës për ritet e pjellorisë që praktikoheshin atje. S’kaloi shumë kohë dhe izraelitët nuk ishin më të kënaqur duke frekuentuar vendet e shenjta të kananitëve, por ndërtuan vendet e tyre të shenjta. «Edhe ata vazhduan të ndërtonin për vete vende të larta, kolona të shenjta dhe shtylla të shenjta mbi çdo kodër të lartë dhe nën çdo pemë të harlisur.»—1. Mbretërve 14:23, BR; Osea 4:13.
Por para së gjithash, adhurimi i Baalit i bënte thirrje mishit. (Galatasve 5:19-21) Praktikat sensuale shkonin përtej dëshirës për një bollëk prodhimesh dhe bagëtish. Aty lartësohej seksi. Kjo dëshmohet nga statujëzat e shumta që janë zbuluar, me karakteristika të ekzagjeruara seksuale, të cilat përshkruanin ndezjen seksuale. Festimi, vallëzimi dhe muzika krijonin sfondin e duhur për një sjellje të shthurur.
Mund të imagjinojmë një skenë tipike në vjeshtën e hershme. Nën një sfond natyror tërheqës, të ngopur nga festimet dhe të stimuluar nga vera, adhuruesit vallëzojnë. Vallja e tyre e pjellorisë ka për qëllim të zgjojë Baalin nga pasiviteti i verës, me qëllim që toka të bekohet me shi. Ata lëvizin rreth e rrotull kolonave të shenjta dhe shtyllave të shenjta. Lëvizjet, veçanërisht ato të prostitutave të tempullit, janë erotike dhe sensuale. Muzika dhe auditori i nxitin vallëzuesit. Ka të ngjarë që në kulmin e vallëzimit, valltarët të tërhiqen në dhomat e shtëpisë së Baalit për marrëdhënie imorale.—Numrat 25:1, 2; krahaso Eksodin 32:6, 17-19; Amos 2:8.
Ata ecën me anë të shikimit, jo me anë të besimit
Ndonëse kjo formë sensuale e adhurimit tërhoqi shumë veta, edhe frika i shtyu izraelitët drejt adhurimit të Baalit. Dora-dorës që izraelitët po e humbnin besimin në Jehovain, frika ndaj të vdekurve, frika për të ardhmen dhe magjepsja me okultizmin i çuan që të praktikonin spiritizmin, gjë që nga ana e vet përfshinte rite të degjenerimit më të madh. The International Standard Bible Encyclopedia përshkruan se si i nderonin kananitët frymërat e të vdekurve, si pjesë të adhurimit të të parëve: «Gostitë . . . kremtoheshin në varrin e familjes ose nëpër kodërvarre, me dehje rituale dhe marrëdhënie seksuale (që ndoshta përfshinin dhe incestin) në të cilat mendohej se merrnin pjesë të vdekurit.» Pjesëmarrja në këto praktika degraduese spiritiste i ndante gjithnjë e më shumë izraelitët nga Perëndia i tyre, Jehovai.—Ligji i përtërirë 18:9-12.
Idhujt dhe ritet që i shoqëronin, tërhoqën, gjithashtu, ata izraelitë që preferuan të ecnin me anë të shikimit, në vend se me anë të besimit. (2. Korintasve 5:7) Edhe pse kishin parë mrekulli spektakolare nga dora e padukshme e Jehovait, shumë izraelitë që kishin lënë Egjiptin, ndjenë nevojën për një përkujtues pamor të tij. (Eksodi 32:1-4) Edhe disa nga pasardhësit e tyre dëshiruan të adhuronin diçka të dukshme, siç ishin idhujt e Baalit.—1. Mbretërve 12:25-30.
Kush doli fitimtar?
Beteja e tërbuar për zemrat e izraelitëve u zhvillua për shekuj me radhë, që nga koha kur ata mbërritën në rrafshinën e Moabit, pak para se të hynin në Tokën e Premtuar e deri në kohën e dëbimit të tyre në Babiloni. Epërsia në betejë dukej sikur lëvizte sa para-prapa. Disa herë, pjesa më e madhe e izraelitëve i qëndruan besnikë Jehovait, por shpesh ata u kthyen nga Baali. Një arsye kryesore përse e bënë këtë ishte shoqërimi me popujt paganë përreth tyre.
Pas disfatës ushtarake, kananitët luftuan me mjete më të stërholluara. Ata jetonin përbri izraelitëve dhe i inkurajuan fitimtarët që t’i bënin të tyret perënditë e vendit. Gjykatës të guximshëm si Gideoni dhe Samueli i rezistuan kësaj tendence. Samueli i bëri thirrje popullit: «Hiqini perënditë e huaja . . . dhe drejtojeni zemrën tuaj në mënyrë të padevijuar drejt Jehovait dhe shërbejini vetëm atij.» Për njëfarë kohe, izraelitët ia vunë veshin thirrjes së Samuelit dhe «i hoqën shëmbëlltyrat e Baalit e të Ashtorethit dhe filluan t’i shërbenin vetëm Jehovait.»—1. Samuelit 7:3, 4, BR; Gjyqtarët 6:25-27.
Pas mbretërimit të Saulit dhe të Davidit, Solomoni në vitet e fundit të jetës së tij filloi t’u bënte flijime perëndive të huaja. (1. Mbretërve 11:4-8) Mbretër të tjerë të Izraelit dhe të Judës bënë po kështu dhe iu dorëzuan Baalit. Megjithatë, profetët dhe mbretërit besnikë, si: Elija, Eliseu dhe Josia, morën drejtimin në luftën kundër adhurimit të Baalit. (2. Kronikave 34:1-5) Më tej, gjatë gjithë kësaj periudhe të historisë së Izraelit, kishte individë që i mbetën besnikë Jehovait. Edhe gjatë kohës së Akabit dhe Jezebelit, kur adhurimi i Baalit ishte në kulmin e tij, shtatë mijë veta refuzuan ‘t’i përkulnin gjunjët para Baalit’.—1. Mbretërve 19:18, BR.
Më në fund, pasi judenjtë u kthyen nga mërgimi i tyre në Babiloni, adhurimi i Baalit nuk përmendet më. Ngjashëm atyre, të cilëve u bëhet referim në Ezdrën 6:21, të gjithë ata ‘u ndanë nga papastërtia e kombeve të vendit dhe të kërkonin Jehovain, Perëndinë e Izraelit’.
Paralajmërime nga adhurimi i Baalit
Edhe pse adhurimi i Baalit ka kohë që është zhdukur, ajo fe kananite dhe shoqëria e sotme kanë një gjë të përbashkët: lartësimin e seksit. Joshjet për t’u përfshirë në imoralitet duket sikur janë edhe në ajrin që thithim. (Efesianëve 2:2) «Jemi kundër fuqisë që nuk shihet, e cila kontrollon këtë botë të errët dhe kundër agjentëve frymorë nga vetë qendra e së ligës»,—paralajmëron Pavli.—Efesianëve 6:12, Phillips.
Kjo ‘fuqi që nuk shihet’ e Satanait nxit imoralitetin seksual, me qëllim që t’i skllavërojë nga ana frymore njerëzit. (Gjoni 8:34) Në shoqërinë e sotme toleruese, shfrenimi seksual nuk praktikohet si një rit pjellorie, por, përkundrazi, si një mënyrë për të gjetur kënaqësi personale ose për t’i bërë gjërat sipas qejfit. Edhe propaganda është po kaq bindëse. Me anë të argëtimit, muzikës dhe reklamave, mesazhet seksuale bombardojnë vetëdijen e njerëzve. Shërbëtorët e Perëndisë nuk janë të imunizuar nga ky sulm. Në fakt, shumica e atyre që përjashtohen nga kongregacioni i krishterë janë individë që janë dorëzuar ndaj këtyre praktikave. Vetëm duke i hedhur vazhdimisht poshtë këto sugjerime imorale, një i krishterë do të mbetet i dëlirë.—Romakëve 12:9.
Dëshmitarët me moshë të re janë veçanërisht të ekspozuar ndaj rrezikut, meqë shumë gjëra të cilat atyre mund t’u duken tërheqëse, kanë si paketim seksin. Sikur të mos mjaftonin këto, atyre u duhet t’i rezistojnë ndikimit të të rinjve të tjerë, të cilët i nxitin ata. (Krahaso Fjalët e urta 1:10-15.) Nuk janë pak ata që kanë hyrë në telashe, për shembull, në grumbullimet e mëdha. Ashtu si në adhurimin e Baalit në kohët e lashta, muzika, vallëzimi dhe tërheqja seksuale përbëjnë një përzierje trullosëse.—2. Timoteut 2:22.
«Si mundet një i ri ta bëjë rrugën e tij të pastër?»—pyeti psalmisti. «Duke e ruajtur me fjalën tënde [të Jehovait].»—u përgjigj po ai. (Psalmi 119:9) Pikërisht ashtu si Ligji i Perëndisë i urdhëroi izraelitët të shmangnin shoqërimin e ngushtë me kananitët, po kështu Bibla na paralajmëron për rreziqet e shoqërimit jo të mençur. (1. Korintasve 15:32, 33) Një i krishterë i ri tregon pjekurinë e tij kur i thotë jo asaj që mund të jetë tërheqëse nga ana sensuale, por të cilën ai e di se është e dëmshme nga ana morale. Si Elija besimplotë, ne nuk mund të lejojmë që rryma e opinionit publik të marrë vendime për ne.—1. Mbretërve 18:21; krahaso Mateun 7:13, 14.
Një paralajmërim tjetër ka të bëjë me humbjen e besimit, «mëkatin në të cilin ngecim lehtësisht». (Hebrenjve 12:1, BR) Duket se shumë izraelitë besonin ende në Jehovain, por i drejtoheshin Baalit si perëndia që do të mbronte prodhimet e tyre dhe do t’u plotësonte nevojat e përditshme. Ndoshta ata mendonin se tempulli i Jehovait në Jerusalem ishte tepër larg dhe se mbajtja e ligjeve të Jehovait nuk ishte praktike. Adhurimi i Baalit ishte kaq i kollajshëm dhe i volitshëm, saqë ata mund t’i ofronin temjan Baalit edhe mbi çatitë e shtëpive të tyre. (Jeremia 32:29) Ka mundësi që ata të jenë përfshirë dalëngadalë në adhurimin e Baalit thjesht duke marrë pjesë në disa nga ritet ose madje duke i bërë oferta Baalit në emër të Jehovait.
Si mund ta humbim ne besimin dhe dalëngadalë të largohemi nga Perëndia i gjallë? (Hebrenjve 3:12) Ndoshta gradualisht ne mund ta humbim çmueshmërinë që kishim më parë për mbledhjet dhe për asambletë. Ky qëndrim tregon një mungesë besimi në masën që ka marrë Jehovai për «ushqim [frymor] në kohën e duhur». (Mateu 24:45-47, BR) Duke qenë të dobësuar në këtë mënyrë, ne mund të lirojmë ‘kapjen pas fjalës së jetës’ ose edhe të zhvillojmë një zemër të ndarë, ndoshta duke u dorëzuar në rendjen pas gjërave materiale ose në imoralitet.—Filipianëve 2:16, BR (Fi 2:15, Dio); krahaso Psalmin 119:113.
Të mbajmë fort integritetin tonë
Nuk ka asnjë dyshim se edhe sot po luftohet një betejë për zemrën. A do t’i qëndrojmë besnikë Jehovait apo do të shpërqendrohemi nga jeta imorale e botës? Mjerisht, ashtu si izraelitët që u tërhoqën nga praktikat e neveritshme kananite, disa burra e gra të krishterë sot janë joshur për të kryer akte të turpshme.—Krahaso Fjalët e urta 7:7, 21-23.
Kjo disfatë frymore mund të shmanget nëse, ashtu si Moisiu, ne ‘vazhdojmë të palëkundur si të shohim Atë që është i padukshëm’. (Hebrenjve 11:27, BR) Vërtet, na duhet të ‘luftojmë me zell për besimin’. (Juda 3, BR) Por, duke i mbetur besnikë Perëndisë sonë dhe parimeve të tij, ne mund të presim me padurim kohën kur adhurimi i rremë do të zhduket përgjithmonë. Pikërisht ashtu si adhurimi i Jehovait triumfoi mbi adhurimin e Baalit, po ashtu ne mund të jemi të sigurt se së shpejti «toka me siguri do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbulojnë vetë detin».—Isaia 11:9, BR.
[Figura në faqen 31]
Rrënoja në Gezer me kolonat e shenjta që përdoreshin në adhurimin e Baalit
[Burimi i figurës në faqen 28]
Muzeu i Luvrit, Paris