BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • uw kap. 2 f. 12-19
  • Lartësojmë Jehovain si Perëndinë e vërtetë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Lartësojmë Jehovain si Perëndinë e vërtetë
  • Të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Personaliteti i Jehovait
  • Ndihmojmë të tjerët për të njohur të vërtetën mbi Perëndinë
  • «Të ecim në emër të Jehovait»
  • Të madhërojmë Jehovain si të vetmin Perëndi të vërtetë
    Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë
  • Perëndia​—Kush është ai?
    Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë
  • Kush është Perëndia i vërtetë?
    Njohuria që të çon në jetën e përhershme
  • Kush është Perëndia?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
Shih më tepër
Të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë
uw kap. 2 f. 12-19

Kapitulli 2

Lartësojmë Jehovain si Perëndinë e vërtetë

1. (a) Kush është Perëndia i vërtetë? (b) Ndërsa mësojmë mbi të, çfarë ndikimi duhet të ketë kjo mbi jetën tonë?

DUKE u shkruar disa bashkëbesimtarëve të krishterë, apostulli Pavël tha se, megjithëse ka shumë që quhen perëndi, «në të vërtetë për ne ka vetëm një Perëndi, Ati . . . dhe ka vetëm një Zotëri, Jezu Krishti». (1. Kor. 8:5, 6) Ky «një Perëndi», të cilit i referohet Pavli, është Jehovai, Krijuesi i të gjitha gjërave. (Li. përt. 6:4; Zbul. 4:11) Njerëz mirënjohës, që mësojnë mbi cilësitë e tij dhe mbi gjërat që ai ka bërë për njerëzimin, ndihen të tërhequr në mënyrë të papërballueshme drejt tij. Me çfarë rezultati? Provojnë dëshirën e natyrshme për ta lartësuar Atë që admirojnë kaq thellësisht, duke e bërë këtë si me fjalë dhe me vepra. Ndërsa dashuria e tyre për Perëndinë rritet, ata ndihen të shtyrë që t’u flasin të tjerëve për të dhe duan ta imitojnë aq sa është e mundur për ta si qenie njerëzore. Bibla na inkurajon të gjithëve për ta bërë këtë, duke thënë: «Bëhuni imitues të Perëndisë, si bij të dashur, dhe vazhdoni të ecni në dashuri.» (Efes. 5:1, 2) Për të zbatuar këtë këshillë, duhet ta njohim Jehovain ashtu si është në të vërtetë.

Personaliteti i Jehovait

2. Cilat janë disa nga cilësitë e shquara të Perëndisë që na shtyjnë ta lavdërojmë atë?

2 Kudo në Bibël, gjenden shumë deklarata të drejtpërdrejta, që tregojnë cilësitë e jashtëzakonshme të Perëndisë. Kur t’i lexosh, merr kohë për të menduar se cilat janë në të vërtetë ato cilësi dhe se sa të rëndësishme janë për ty. Për shembull, lexojmë që «Perëndia është dashuri». (1. Gjon. 4:8) «Të gjitha rrugët e tij janë drejtësi.» (Li. përt. 32:4) «Pranë tij ka mençuri.» (Jobi 12:13) Është «i fortë në fuqi». (Isa. 40:26) Duke medituar mbi këto veti të Perëndisë, a nuk je i shtyrë nga admirimi që ta lavdërosh atë?

3. Çfarë aspektesh të tjera të personalitetit të Jehovait të bëjnë për vete?

3 Duke na njohur më tej me personalitetin e tij tërheqës, Bibla na thotë se Jehovai është «një Perëndi i mëshirshëm dhe zemërmirë, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur e vërtetësi». (Të Dal. 34:6) «Ti, o Jehova, je i mirë dhe i gatshëm për të falur.» (Psal. 86:5) «Për sa i përket Jehovait, sytë e tij enden nëpër të gjithë tokën, për të treguar forcën e tij në favor të atyre që kanë zemër të plotë ndaj tij.» (2. Kron. 16:9) «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe vepron me drejtësi është i pranueshëm për të.» (Veprat 10:34, 35) Jehovai «jep me bujari» dhe është «Perëndi i lumtur». (Jak. 1:5; 1. Tim. 1:11) Sa freskuese është t’i shërbesh këtij Perëndie të pakrahasueshëm dhe të provosh kujdesin e tij të dashur!

4. (a) Çfarë devotshmërie kërkon Jehovai dhe sa e rëndësishme është ajo? (b) Çfarë na fton të bëjmë Psalmi 34:3?

4 Në përputhje me vetitë e tij, është fakt se ai është «një Perëndi që kërkon devotshmëri të veçantë». (Të Dal. 20:5) Për t’i shërbyer atij në mënyrë të pranueshme, duhet t’i japim devotshmërinë tonë të plotë. Nuk mund të duam në të njëjtën kohë botën, perëndi i së cilës është Satanai. (1. Gjon. 2:15-17; 2. Kor. 4:3, 4) Jehovai e di kur një njeri kërkon vetëm të duket i drejtë. Ai di mjaft mirë jo vetëm atë që bëjmë, por edhe çfarë mendojmë dhe çfarë lloj personash kërkojmë të jemi. Nëse e duam me të vërtetë drejtësinë, ai na ndihmon. (Jer. 17:10; Prov. 15:9) Për shkak të personalitetit të Jehovait, miliona njerëz në të gjithë tokën, kanë pranuar me gëzim ftesën e psalmistit të Biblës që shkroi: «Oh, lartësoni me mua Jehovain, ju njerëz, e le të ngremë lart emrin e tij së bashku.» (Psal. 34:3) A je edhe ti një ndër ta?

5. Çfarë do të na ndihmojë të nxjerrim plotësisht dobi nga studimi ynë i personalitetit të Jehovait?

5 Nëse shqyrton nga afër cilësitë e larta të Perëndisë, dëshira jote për të folur për të do të forcohet e do të gjesh një ndihmë të madhe në përpjekjet e tua për ta imituar atë. Zbulo (1) se çfarë do të thotë me saktësi çdo cilësi, për shembull, ku ndryshon ajo nga cilësitë e tjera, (2) si e ka treguar Jehovai këtë dhe ndaj kujt, e po ashtu (3) si mund ta shfaqësh edhe ti atë apo si duhet të ndikojë ajo mbi pikëpamjet e tua.

6. Duke marrë për shembull dashurinë, shpjego se si mund të analizohen cilësitë e Jehovait. Bëje këtë, duke iu përgjigjur pyetjeve në fund të paragrafit dhe përfshi në përgjigjet e tua disa shkrime.

6 Le të shqyrtojmë vetëm një shembull. Kur Bibla pohon se «Perëndia është dashuri», çfarë do të thotë me këtë? (1. Gjon. 4:8) Natyrisht, ka lloje të ndryshme dashurie. Fjala greke që përdoret në këtë varg është agàpe, që i referohet formës më të lartë të dashurisë, që gjen shprehjen e saj më të lartë në vetë Jehovain. Një dashuri e tillë është një shprehje e vetëmohimit të plotë. Duke pasur parasysh këto, formulo përgjigjet e tua për pyetjet që vijojnë, duke përdorur shkrimet e cituara.

Si është e dukshme kjo cilësi në veprat krijuese të Jehovait? (Veprat 14:16, 17)

Cili është shembulli më i madh i dashurisë së Jehovait për njerëzimin? (Gjoni 3:16) Jehovai veproi kështu nga që njerëzit ishin të mirë? (Rom. 5:8)

Si duhet të ndikojë në mënyrën se si e përdorim jetën tonë, ajo që ka bërë Jehovai nëpërmjet Birit të tij? (2. Kor. 5:14, 15, 18, 19)

Si të krishterë, në cilat mënyra mund të tregojmë se kemi të njëjtën lloj dashurie për të bashkëkrishterët? (1. Kor. 13:4-7; 1. Gjon. 4:10, 11; 3:16-18)

Për kë tjetër duhet të tregojmë dashuri dhe si? (Mat. 5:43-48; 28:19, 20; Gal. 6:10)

7. Në studimin tënd personal, si mund të gjesh informacione të ngjashme mbi cilësi të tjera të Jehovait?

7 A do të të pëlqente të eksploroje disa cilësi të tjera të Jehovait? Mund të fillosh në studimin tënd personal me «drejtësinë» dhe «mençurinë» e pastaj, ndoshta me «dashamirësinë e dashur» dhe «mëshirën». Duke përdorur treguesit e botimeve të Shoqatës dhe një renditje alfabetike të fjalëve biblike, do të gjesh një bollëk informacionesh ndriçuese.

Ndihmojmë të tjerët për të njohur të vërtetën mbi Perëndinë

8. (a) Cilët perëndi adhurojnë njerëzit e botës? (b) Kush është prapa gjithë këtij konfuzioni dhe përse thua kështu?

8 Në kundërshtim me adhurimin e Perëndisë së vërtetë, njerëzit adhurojnë faktikisht miliona perëndi të tjera. Në shekullin IV, i ashtuquajturi krishterim përvetësoi besimin në një «Trinitet», që mësohej më parë nga babilonasit, egjiptianët, hindusët dhe budistët. Përveç këtij koncepti për Perëndinë, qeveritarë të fuqishëm, atletë e këngëtarë të famshëm janë adhuruar si perëndi. Edhe paraja, uni dhe seksi janë bërë perëndi dhe janë objekte të adhurimit të flaktë. Kush është prapa gjithë kësaj? «Perëndia i këtij sistemi gjërash», Satana Djalli. (2. Kor. 4:4; 1. Kor. 10:20) Me çdo mjet të mundshëm dinak, ai përpiqet t’i largojë njerëzit nga Jehovai ose të paktën të përçajë adhurimin e tyre.

9. Cila është mënyra më e mirë për të ndihmuar dikë që të njohë të vërtetën në lidhje me Perëndinë?

9 Si mund t’i ndihmojmë këta njerëz, qoftë ata që quhen të krishterë apo edhe të tjerë, për të njohur të vërtetën mbi Perëndinë? Një nga mënyrat më të mira, është që me efektshmëri t’u tregohet atyre ajo që thotë vetë Bibla mbi identitetin e Perëndisë së vërtetë e mbi personalitetin e tij. Pastaj, duhet ta mbështesim këtë, me një sjellje që pasqyron cilësitë hyjnore në jetën tonë.—1. Pjetr. 2:12.

10. Duke folur me një person që beson tek «Triniteti», përse nuk është e mençur të mendojmë se e dimë saktësisht atë çfarë beson ai?

10 Por, çfarë do të thoshe nëse disa anëtarë të kishave të të ashtuquajturit krishterim, duke diskutuar me ty, do të këmbëngulnin se besimi i tyre në «Trinitetin» është i bazuar në Shkrimet? Para së gjithash, duhet të mbash parasysh që, edhe pse ka deklarata zyrtare të doktrinës së «Trinitetit», shumë njerëz kanë idetë e tyre në lidhje me këtë. Ftoji ata që të shprehen e pastaj ndihmoji të krahasojnë bindjet e tyre me atë që është shkruar në vetë Biblën e tyre. Me kohë, inkurajoji ata që ta krahasojnë mësimin zyrtar të kishës me Fjalën e Perëndisë.

11. Duke shqyrtuar me radhë pesë pikat kryesore, përdor pyetjet dhe shkrimet e treguara në paragraf për të arsyetuar që doktrina e «Trinitetit» nuk është e bazuar në shkrimet.

11 Duke mbajtur në mend dëshirën për të ndihmuar njerëzit e sinqertë, mendo se si mund t’i përdorësh vargjet që vijojnë, për të arsyetuar mbi pikat që kanë lidhje me to.

(1) Disa përkrahës të «Trinitetit» besojnë se ka tre Persona hyjnorë (Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë), por vetëm një Perëndi.

Por, a tregojnë Veprat 2:4, 17 që «Shpirti i Shenjtë» apo «Fryma e Shenjtë» është një person?

Përse është e dobishme të vëmë re se sa persona janë përmendur në secilin nga shkrimet vijuese? (Gjoni 17:20-22; Veprat 7:56; Zbul. 7:10)

(2) Disa besojnë se të gjithë pjesëtarët e «Trinitetit» janë të barabartë në lavdi, që asnjëri nuk është më i madh apo më i vogël se tjetri, sepse janë të njëjtë dhe të bashkëpërjetshëm.

Por, a janë dakort Shkrimet? (Për t’u përgjigjur, shiko Gjoni 14:28; Mat. 24:36; Zbul. 3:14.)

(3) Disa tregojnë Gjonin 1:1 si provë të «Trinitetit». Argumentojnë se në tekstin grek këtu nuk gjendet nyja joshquese «një» dhe që vargu, pra, duhet lexuar: «Fjala ishte Perëndi», në vend se «një perëndi».

Por për sa persona flitet në Gjonin 1:1? Për tre apo për dy? Përse doktrina e «Trinitetit» është në kundërshtim edhe me Gjonin 1:18?

Është e vërtetë që gjuha greke nuk ka nyje joshquese, por shumë gjuhë të tjera e kanë, e në këto gjuhë ajo është përdorur për të shprehur mendimet në mënyrë korrekte. Nëse dikush mendon se është gabim të përdoret nyja joshquese në përkthimin e Gjonit 1:1, a duhet ta heqë atë edhe në Veprat 28:6, sipas përkthimit shqip të Diodati i Ri, 1991-94, LIM? (Një mënyrë tjetër e përkthimit të Gjonit 1:1, siç tregon An American Translation, është «Fjala ishte hyjnore», d.m.th. se kishte të njëjtat cilësi hyjnore që ka Perëndia.)

(4) Përkrahësit e «Trinitetit» argumentojnë gjithashtu se tek Zanafilla 1:1, 26 fjala hebreje e përkthyer «Perëndi» është Elohi̇̀m dhe në hebraisht është në shumës, e në të vërtetë do të thotë «Perëndira».

Përse nuk e mbështet kjo mësimin që tre Persona hyjnorë janë në «një Perëndi»?

Nëse në Zanafillën 1:1 kjo tregon një «Trinitet», çfarë tregon në Gjykatësit 16:23, ku elohim përdoret për «perëndi», me foljen hebreje në njëjës e jo në shumës?

Përse në hebraisht, në këto vargje përdoret forma shumës e Perëndisë? Në hebraisht, kjo është një mënyrë për të shprehur idenë e shkëlqyeshmërisë ose madhështisë. Po të bëhej fjalë për më shumë se një person edhe foljet shoqëruese do të ishin në shumës, por në rastet e lartpërmendura nuk është kështu.

(5) Për shkak të theksit që kanë vënë kishat mbi Jezuin (së bashku me faktin që shumë përkthime të Biblës e kanë hequr emrin Jehova), kur përmendet Perëndia disa mendojnë vetëm për Jezuin.

Por çfarë shembulli na la Jezui për të imituar, për sa i përket adhurimit? (Luka 4:8)

12. Përse Jezui i drejtohet me të drejtë Atit, duke e quajtur atë «Perëndia i vetëm i vërtetë»?

12 Edhe pse në Shkrimet është quajtur «një perëndi», madje edhe «Perëndi i fuqishëm», Jezui lartësoi Atin e tij, duke e quajtur «Perëndia im dhe Perëndia juaj». (Gjoni 1:1; 20:17; Isa. 9:6) Ishte dakort me Moisiun, që më parë kishte thënë: «Jehovai është Perëndia i vërtetë; nuk ka asnjë tjetër përveç tij.» (Li. përt. 4:35) Jehovai është në kontrast të plotë me objekte të tilla adhurimi si idhujt, njerëzit e hyjnizuar dhe Satana Djalli. Në dallim me të gjitha këto, Jehovai është siç e quajti Jezui, «i vetmi Perëndi i vërtetë».—Gjoni 17:3.

«Të ecim në emër të Jehovait»

13, 14. Çfarë përfshin «njohja» dhe ‘ecja në’ emër të Jehovait?

13 Pas shumë vitesh konfuzioni mbi identitetin e Perëndisë, për shumë njerëz është emocionuese të shikojnë për herë të parë emrin personal të Perëndisë, Jehova, në Biblat e tyre. (Të Dal. 6:3) Por, kjo njohje do t’u sjellë atyre dobi të përhershme vetëm nëse ‘ecin në emër të Jehovait përgjithmonë’. (Mik. 4:5) Kjo përfshin shumë më tepër se njohja e thjeshtë e emrit të Jehovait ose pohimi se janë Dëshmitarë të Jehovait.

14 Mbi domethënien e emrit të Perëndisë, Psalmi 9:10 thotë: «Ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim në ty, . . . o Jehova.» Çfarë përfshin kjo? Përfshin më shumë se vetëm njohjen e emrit të Jehovait, sepse kjo nuk do të thotë automatikisht besim në Jehovain. Këtu «njohje» e emrit të Perëndisë, do të thotë të vlerësosh se çfarë lloj Perëndie është Jehovai, të respektosh autoritetin e tij dhe t’u bindesh urdhrave të tij. Në mënyrë të ngjashme, ‘të ecësh në emër të Jehovait’, nënkupton faktin që të jemi të dedikuar e ta përfaqësojmë atë si një nga adhuruesit e tij, duke e përdorur me të vërtetë jetën në harmoni me vullnetin e Perëndisë. (Luka 10:27) A po e bën edhe ti këtë?

15. Përveç ndjenjës së detyrës, për çfarë kemi nevojë që të mund t’i shërbejmë Jehovait përgjithmonë?

15 Nëse dëshirojmë t’i shërbejmë Jehovait në përjetësi, duhet të na nxisë më tepër se një ndjenjë e thjeshtë detyre. Apostulli Pavël e nxiti Timoteun, që i shërbente Jehovait tashmë prej shumë vitesh: «Ushtrohu, duke pasur synim devotshmërinë hyjnore.» (1. Tim. 4:7) Devotshmëria buron nga zemra; ajo ushqehet prej mirënjohjes për personin drejt të cilit është drejtuar. «Devotshmëria hyjnore» është një respekt i thellë për Jehovain personalisht. Shpreh një afrim të dashur me të, për shkak të çmueshmërisë për të dhe për rrugët e tij. Nxit tek ne dëshirën që emri i tij të jetë i nderuar sa më lart prej të gjithëve. Nëse dëshirojmë të ecim përgjithmonë në emër të Jehovait, Perëndisë së vërtetë, duhet të kultivojmë «devotshmërinë hyjnore» si qëllim apo synim të jetës sonë.—Psal. 37:4; 2. Pjetr. 3:11.

Pyetje për përsëritje

● Çfarë personi është Jehovai? Përse është e dobishme të fitojmë një kuptim të qartë për secilën cilësi të tij?

● Si mund t’i ndihmojmë të tjerët për të mësuar të vërtetën mbi Perëndinë?

● Çfarë do të thotë «të njohim» Jehovain dhe «të ecim në emrin e tij»?

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo