Si tregon interes personal mbikëqyrësi i Studimit të Librit të Kongregacionit?
1 Synimi i Studimit të Librit të Kongregacionit është «që rritjes frymore të çdo individi t’i kushtohet një vëmendje edhe më personale. . . . Ky është një pasqyrim i dashamirësisë së dashur të Jehovait dhe i kujdesit të tij të butë për popullin e tij.» (om f. 75, Isa. 40:11) Mbikëqyrësi i studimit të librit luan një rol thelbësor në shfaqjen e kësaj vëmendjeje personale.
2 Në studimin e librit: Grupet e studimit të librit mbahen qëllimisht të vogla, kështu që mbikëqyrësi i studimit të librit ka rast t’i njohë mirë pjesëtarët e grupit të tij. (Prov. 27:23) Zakonisht ka mundësi që të shoqërohet me ta çdo javë, para ose pas studimit. Gjatë një muaji, mund të arrijë të bisedojë thuajse me çdokënd në grupin e tij. Kjo gjë i ndihmon pjesëtarët e studimit të librit që të ndihen rehat nëse duhet t’i afrohen atij, kur përballojnë sprova ose kur kanë nevojë për inkurajim.—Isa. 32:2.
3 Mbikëqyrësi i studimit të librit përpiqet t’i inkurajojë të gjithë në grupin e tij që të marrin pjesë gjatë studimit. Një mënyrë si e bën këtë është duke qenë i përzemërt e miqësor teksa drejton studimin. (1 Sel. 2:7, 8) Ai kërkon mënyra se si t’i përfshijë të gjithë në diskutim, edhe më të vegjlit. Nëse disa kanë ndrojtje të komentojnë, ai mund t’u japë ndihmë personale, duke marrë masa që më përpara që ata të lexojnë një shkrim a të komentojnë në një paragraf të caktuar. Ose ndoshta mund t’u tregojë se si të komentojnë me fjalët e tyre.
4 Në rast se ndihmësi i mbikëqyrësit të studimit të librit është shërbëtor ndihmës, mbikëqyrësi merr masa që ai ta drejtojë studimin një herë në çdo dy muaj. Kjo i jep mundësi mbikëqyrësit që ta vëzhgojë ndihmësin dhe t’i japë këshilla të dobishme. Çfarë rregullimi i shkëlqyer për t’i ndihmuar vëllezërit që të përmirësojnë artin e mësimdhënies!—Titit 1:9.
5 Në shërbimin në fushë: Një nga përgjegjësitë kryesore të mbikëqyrësit të studimit të librit është të marrë drejtimin në veprën e ungjillëzimit. (Num. 27:16, 17) Ai merr masa praktike që të jepet dëshmi si grup studimi dhe përpiqet t’i ndihmojë të gjithë në grup që të gjejnë gëzim në shërbim. (Efes. 4:11, 12) Për të arritur këtë, ai vë si synim që të dalë në shërbim me çdo pjesëtar të grupit. Veç kësaj, merr masa bashkë me mbikëqyrësin e shërbimit që lajmëtarët më me përvojë të ndihmojnë ata që duan të përmirësojnë ndonjë aspekt të shërbimit të tyre.
6 Si një bari i dashur: Mbikëqyrësi i studimit të librit interesohet për ata që janë në gjendje të marrin pjesë fare pak në veprën e predikimit, për shkak të rrethanave të tyre. Ai sigurohet që tërë ata që janë shumë të kufizuar për shkak të moshës së thyer ose ngaqë janë invalidë që s’dalin dot nga shtëpia, si edhe ata që janë përkohësisht të kufizuar nga ndonjë sëmundje a dëmtim i rëndë, të jenë në dijeni të një mase që është marrë për ta. Sipas saj, ata kanë mundësi të raportojnë shërbimin në fushë edhe sikur të kenë bërë vetëm 15 minuta, po qe se nuk janë në gjendje të raportojnë një orë të plotë shërbimi gjatë një muaji. (Se kush përfshihet në këtë masë, e përcakton Komiteti i Shërbimit i Kongregacionit.) Gjithashtu, ai tregon interes për ata që janë caktuar në grupin e tij e që mund të jenë joaktivë, duke u përpjekur t’i ndihmojë ta fillojnë sërish aktivitetin e tyre me kongregacionin.—Luka 15:4-7.
7 Sa mirënjohës jemi për interesimin e dashur që tregojnë mbikëqyrësit e studimit të librit! Vëmendja personale që na kushtojnë, ndihmon që «të gjithë ne të arrijmë njëjësinë në besim . . . , në masën e shtatit sipas plotësisë së Krishtit».—Efes. 4:13.