Periudha e Përkujtimit—Një kohë plot me veprimtari
1. Çfarë efekti kishin «festat» tek izraelitët me frikë Perëndie?
1 Në periudha të caktuara gjatë vitit, izraelitët e lashtë kremtonin «festat» e Jehovait. (Lev. 23:2 BR) Gjatë këtyre festave ata kalonin kohë duke medituar për mirësinë e Perëndisë, dhe kjo u sillte gëzim të madh e i nxiste për të qenë të zellshëm në adhurimin e pastër.—2 Kron. 30:21–31:2.
2, 3. Pse është e përshtatshme që ta rritim veprimtarinë tonë të krishterë gjatë periudhës së Përkujtimit, dhe kur do të mbahet Përkujtimi?
2 Në kohët e sotme, çdo vit, veprimtaritë tona të gëzueshme teokratike janë më të shumta gjatë periudhës së Përkujtimit. Kjo është një kohë, gjatë së cilës meditojmë thellë për dhuratën e paçmuar që Jehovai dha për ne, Birin e tij të vetëmlindur. (Gjoni 3:16; 1 Pjet. 1:18, 19) Ndërsa meditojmë për dashurinë që kanë treguar Perëndia dhe Biri i tij, nxitemi ta lavdërojmë Jehovain dhe të përpiqemi me të gjitha forcat për të bërë vullnetin e tij.—2 Kor. 5:14, 15.
3 Këtë vit, Darka e Zotërisë do të mbahet të enjten, më 24 mars, pas perëndimit të diellit. Si mund ta rritim shërbimin tonë gjatë muajve mars, prill dhe maj?
4, 5. (a) Çfarë i ka ndihmuar disa lajmëtarë që të flasin me më shumë njerëz për lajmin e mirë? (b) Çfarë keni parë se ka më tepër sukses në territorin tuaj?
4 Të flasim me më shumë njerëz: Kur jeni në shërbim, kërkoni mënyra të ndryshme për të folur me sa më shumë njerëz. A mund të bëni plane për të predikuar nga shtëpia në shtëpi atëherë kur mund t’i gjeni njerëzit, si për shembull, pasdite vonë ose në mbrëmje? Nëse disa nga lajmëtarët, në studimin tuaj të librit, duan të dalin në shërbim para kësaj mbledhjeje, drejtuesi i studimit të librit mund të marrë masa që të organizojë një mbledhje të shkurtër për shërbim, dhe kështu, të predikojnë në një territor aty afër.
5 Një mënyrë tjetër për të folur me sa më shumë njerëz, është duke dhënë dëshmi në vende publike. Një motër në Japoni donte të shërbente si pioniere ndihmëse, edhe pse kishte një punë 8-orëshe. Plaku i kongregacionit i sugjeroi që, çdo ditë para se të shkonte në punë, të bënte shërbim rrugor afër stacionit të trenit. Pasi kapërceu druajtjen dhe talljen nga disa njerëz që shkonin për në punë, ajo zuri 40 itinerare, duke përfshirë këtu punonjësit e stacionit, shitësit e dyqaneve aty afër dhe disa nga ata që udhëtonin me tren për në punë. Shpërndau mesatarisht 235 revista në muaj. Duke biseduar shkurt çdo ditë me njerëzit, për pika të ndryshme nga Shkrimet, ajo filloi gjashtë studime biblike.
6. Si mund ta shtojnë të rinjtë veprimtarinë e krishterë?
6 Raste të volitshme për të dëshmuar: Shumë lajmëtarë që janë në shkollë, kanë pushime gjatë vitit. Këto mund të jenë raste të volitshme për të shërbyer si pionierë ndihmës. Për më tepër, të rinjtë e krishterë mund ta rritin veprimtarinë e tyre të shërbimit, duke dhënë dëshmi në shkollë. Mund të habiteni kur të shihni se sa kureshtarë mund të jenë shokët e shkollës për bindjet tuaja fetare. Përse të mos përfitoni nga diskutimet ose nga hartimet që bëhen në klasë për të dhënë dëshmi? Disa kanë dhënë dëshmi duke përdorur videokasetat tona. Disa të tjerë kanë filluar studime biblike me shokët e klasës dhe i kanë ndihmuar të bëjnë përparim deri në kushtim dhe pagëzim. Këto janë mënyra të shkëlqyera ‘për ta lëvduar emrin e Zotit’.—Psal. 148:12, 13.
7. (a) Si ka përfituar një vëlla nga rastet e volitshme për të dhënë dëshmi? (b) A keni pasur edhe ju përvoja të ngjashme?
7 Në jetën tonë të përditshme, të gjejmë mënyra të ndryshme për të folur me njerëzit për Perëndinë tonë të mrekullueshëm dhe për premtimet e tij madhështore. Një vëlla, i cili udhëton me të njëjtët trena çdo ditë, kur e sheh të përshtatshme, u predikon bashkudhëtarëve. Për shembull, ndërsa priste në një stacion për të marrë trenin, ai i predikonte çdo ditë një të riu, për afro pesë minuta. Si rezultat, ky i ri dhe kolegu i tij pranuan një studim biblik. Studimin e bënin në tren, ndërsa udhëtonin. Disa kohë më vonë, një grua e moshuar, që kishte dëgjuar bisedat e tyre, iu afrua vëllait dhe i kërkoi edhe ajo një studim biblik. Tani edhe kjo grua e bën studimin ditët që udhëton në të njëjtin tren me këtë vëlla. Në këtë mënyrë, ky vëlla ka drejtuar studime biblike në tren me dhjetë veta.
8. Çfarë forme shërbimi mund të bëjnë ata që kufizohen nga mosha e shkuar dhe nga problemet e shëndetit, në mënyrë që ta rritin shërbimin e tyre?
8 Po sikur të mos jepni dot shumë, për shkak të moshës së shkuar apo problemeve me shëndetin? Prapëseprapë, mund të gjeni mënyra për ta lavdëruar edhe më shumë Jehovain. A keni provuar të jepni dëshmi me telefon? Nëse nuk jeni të sigurt se si mund ta bëni këtë, flitni me mbikëqyrësin e studimit të librit. Ai mund të interesohet që të bashkëpunoni me lajmëtarët që kanë përvojë në këtë formë predikimi. Duke punuar së bashku si shokë shërbimi, mund të mësoni dhe ta ndihmoni njëri-tjetrin, për të dhënë dëshmi të efektshme. Sugjerime të efektshme për të dhënë dëshmi me telefon mund t’i gjeni te Shërbimi ynë i Mbretërisë, shkurt 2001, faqet 5, 6.
9. Si mund t’i ndihmojmë studentët e Biblës që të kualifikohen për të dalë në shërbim bashkë me kongregacionin?
9 Prania në Përkujtim mund t’i nxitë të rinjtë në të vërtetën që ta lavdërojnë më shumë Jehovain. Ne mund t’i ndihmojmë për të kapërcyer çdo frikë që mund të kenë për të predikuar në mënyrë formale, duke u treguar përvoja pozitive nga shërbimi dhe duke i stërvitur vazhdimisht se si t’i shpjegojnë mësimet e Biblës dhe si ta mbrojnë besimin e tyre. (1 Pjet. 3:15) Nëse një student i Biblës shpreh dëshirën për të dalë lajmëtar, të flasim me mbikëqyrësin drejtues. Ai do të takohet me studentin për të përcaktuar nëse kualifikohet që të dalë në shërbim bashkë me kongregacionin. Sa shumë i gëzohet zemra Jehovait kur shikon që të rinjtë në të vërtetën mbajnë anën e tij në çështjen universale!—Prov. 27:11.
10. (a) Si mund të na ndihmojë një program i mirë që të shërbejmë si pionierë ndihmës? (b) A patët mundësi të shërbenit si pionierë ndihmës vitin e shkuar gjatë periudhës së Përkujtimit? Si e arritët këtë?
10 A mund të shërbejmë si pionierë ndihmës? Kërkesa që një pionier ndihmës të bëjë 50 orë në shërbim, duhet parë me seriozitet. (Mat. 5:37) Kjo do të thotë se duhet të llogaritim që të bëjmë mesatarisht 12 orë shërbim çdo javë. A i përshtatet rrethanave tuaja ndonjë nga programet për pionierë ndihmës që ndodhen në faqen 5? Nëse jo, a mund ta bëni ju vetë një program, që do t’ju ndihmojë për të shërbyer si pionierë ndihmës gjatë muajit mars, prill ose maj? Lutjuni Jehovait që të bekojë përpjekjet tuaja për ta rritur shërbimin.—Prov. 16:3.
11. Si mund t’i mbështetin shërbëtorët ndihmës dhe pleqtë, ata që do të shërbejnë si pionierë ndihmës?
11 Pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës do t’i mbështetin plotësisht përpjekjet tona, me qëllim që në periudhën e Përkujtimit, Jehovait t’i jepet lavdërim i veçantë. Ndoshta shumë prej këtyre pleqve dhe shërbëtorëve ndihmës do të shërbejnë edhe vetë si pionierë ndihmës. Pleqtë duhet të marrin masa që, sipas nevojës, të mbahen mbledhje të tjera për shërbim, si për shembull, pasdite vonë, në mbrëmje gjatë javës, si edhe në fundjavë. Për të vendosur se ku, kur do të mbahen dhe kush do t’i drejtojë këto mbledhje, pleqtë mund të flasin me ata që tashmë kanë vendosur të shërbejnë si pionierë ndihmës ose kanë ndër mend ta bëjnë një gjë të tillë. Pleqtë do të përpiqen t’i bashkërendojnë programet e ndryshme, për të pasur lajmëtarë të tjerë që mund të dalin në shërbim atëherë kur keni programuar edhe ju. Në këtë mënyrë, planet do të bëhen më të qëndrueshme, dhe çdo gjë do të ecë mirë.—Prov. 20:18.
12. Çfarë na nxit ta lavdërojmë Jehovain në çdo kohë?
12 Të japim maksimumin: Nëse për shkak të rrethanave, nuk mund të shërbejmë si pionierë ndihmës, s’duhet të harrojmë se Jehovai pranon çdo përpjekje dhe sakrificë që bëjmë ‘sipas asaj që kemi, jo sipas asaj që nuk kemi’. (2 Kor. 8:12) Kemi shumë arsye për ta falënderuar Jehovain. Me të drejtë Davidi shkroi: «Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time.» (Psal. 34:1) Paçim edhe ne të njëjtën vendosmëri, gjatë gjithë periudhës së Përkujtimit!
[Kutia në faqen 3]
Çfarë të bëjmë për ta rritur veprimtarinë tonë?
◼ Të predikojmë kur njerëzit janë në shtëpi
◼ Të predikojmë në vende publike
◼ Të japim dëshmi në punë ose në shkollë
◼ Të japim dëshmi me telefon
◼ Të shërbejmë si pionierë ndihmës
[Tabela në faqen 5]
Programe model për pionierët ndihmës: Programe për të bërë 12 orë shërbim çdo javë
Paraditet—Nga e hëna deri të shtunën
Ndonjërën prej këtyre ditëve mund ta zëvendësoni me të dielën.
Dita Periudha Orët
E hënë Paradite 2
E martë Paradite 2
E mërkurë Paradite 2
E enjte Paradite 2
E premte Paradite 2
E shtunë Paradite 2
Gjithsej orë: 12
Dy ditë të plota
Mund të zgjidhni dy ditë çfarëdo nga java.
(Në varësi të ditëve që zgjidhni, me këtë program mund të arrini të bëni gjithsej vetëm 48 orë në muaj.)
Dita Periudha Orët
E mërkurë Gjithë ditën 6
E shtunë Gjithë ditën 6
Gjithsej orë: 12
Dy mbrëmje dhe fundjava
Mund të zgjidhni dy mbrëmje çfarëdo nga ditët e javës.
Dita Periudha Orët
E hënë Në mbrëmje 1 1⁄2
E mërkurë Në mbrëmje 1 1⁄2
E shtunë Gjithë ditën 6
E diel Gjysmë dite 3
Gjithsej orë: 12
Tri pasdite dhe e shtuna
Ndonjërën prej këtyre ditëve mund ta zëvendësoni me të dielën.
Dita Periudha Orët
E hënë Pasdite 2
E mërkurë Pasdite 2
E premte Pasdite 2
E shtunë Gjithë ditën 6
Gjithsej orë: 12
Programi personal i shërbimit
Vendosni se sa orë do të bëni çdo ditë.
Dita Periudha Orët
E hënë
E martë
E mërkurë
E enjte
E premte
E shtunë
E diel
Gjithsej orë: 12