BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • A ishte ky qëllimi i Perëndisë?
    Çfarë mëson vërtet Bibla?
    • A ishte ky qëllimi i Perëndisë?

      PROVO të shfletosh një gazetë, të ndezësh televizorin ose radion. Janë plot e përplot me lajme për krime, luftëra e terrorizëm! Ose mendo për hallet që mund të kesh ti vetë. Ndoshta po vuan shumë nga ndonjë sëmundje ose nga vdekja e një njeriut tënd. Mbase ndihesh si Jobi, një njeri i mirë që tha se ishte ‘i mbuluar nga mjerimi’.​—Jobi 10:​15, Dom Simon Filipaj.

      Pyete veten:

      • A ishte ky qëllimi i Perëndisë për mua e për njerëzit e tjerë?

      • Ku të gjej ndihmë për të përballuar problemet e mia?

      • A ka shpresë se do të shohim ndonjëherë paqe në tokë?

      Bibla jep përgjigje të kënaqshme për këto pyetje.

      BIBLA MËSON SE PERËNDIA DO TË SJELLË KËTO NDRYSHIME NË TOKË

      «Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.»​—Zbulesa 21:4

      «I çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre.»​—Isaia 35:6

      «Do të hapen sytë e të verbërve.»​—Isaia 35:5

      «Të gjithë ata që janë në varre . . . do të dalin.»​—Gjoni 5:​28, 29

      «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»​—Isaia 33:24

      «Në tokë do të ketë drithë me bollëk.»​—Psalmi 72:16

      Toka e ndryshuar sipas qëllimit të Perëndisë: të moshuarit bëhen të rinj, të sëmurët e të verbrit shërohen, të vdekurit ringjallen, ka ushqim me bollëk

      NXIRR DOBI NGA AJO QË MËSON BIBLA

      Mos i hidh poshtë menjëherë ato që tregohen në faqet e mëparshme, duke thënë se janë fantazi. Perëndia ka premtuar se do t’i sjellë këto ndryshime, e Bibla shpjegon si do ta bëjë ai këtë.

      Dy burra po studiojnë Biblën me librin Çfarë mëson vërtet Bibla?

      Por Bibla nuk mjaftohet vetëm me kaq. Ajo na tregon mënyrën se si të kemi një jetë vërtet të kënaqshme që tani. Mendo një çast për ankthet ose problemet që mund të kesh ti vetë. Ndoshta ke probleme ekonomike, ndonjë problem familjar, shëndet të dobët ose të ka vdekur një njeri i afërt. Bibla mund të të ndihmojë që të përballosh problemet e sotme, por edhe mund të të japë lehtësim duke iu përgjigjur pyetjeve të tua, si për shembull:

      • Pse kemi vuajtje?

      • Si t’i përballojmë ankthet e jetës?

      • Si ta bëjmë edhe më të lumtur jetën familjare?

      • Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?

      • A do t’i shohim përsëri njerëzit tanë që kanë vdekur?

      • Si mund të sigurohemi se Perëndia do t’i mbajë premtimet që ka bërë për të ardhmen?

      Meqë po e lexon këtë libër, do të thotë se dëshiron të dish çfarë mëson Bibla. Ky libër do të të ndihmojë. Siç do ta shikosh çdo paragraf ka pyetjet përkatëse. Për miliona njerëz që kanë bërë biseda biblike me Dëshmitarët e Jehovait, kjo metodë me pyetje dhe përgjigje ka qenë shumë e dobishme. Shpresojmë të jetë kështu edhe për ty. Urojmë që Perëndia të të bekojë gjatë këtyre bisedave të kënaqshme për të kuptuar se çfarë mëson vërtet Bibla!

      NJIHE SA MË MIRË BIBLËN

      BIBLA përbëhet nga 66 libra dhe letra. Këto janë ndarë në kapituj e në vargje, që t’i gjejmë me lehtësi. Kur në këtë botim janë shënuar shkrime biblike, numri i parë pas emrit, tregon kapitullin e librit ose të letrës, kurse numri tjetër tregon vargun. Për shembull, «2 Timoteut 3:16» do të thotë, letra e dytë drejtuar Timoteut, kapitulli 3, vargu 16.

      Duke i kërkuar shkrimet që janë në këtë botim, s’do të kalojë shumë kohë dhe do ta njohësh mirë Biblën e do të dish si ta përdorësh. Gjithashtu, a ke menduar të fillosh një program për ta lexuar përditë Biblën? Po të lexosh tre deri në pesë kapituj çdo ditë, do të arrish ta përfundosh të gjithë Biblën brenda një viti.

  • Cila është e vërteta rreth Perëndisë?
    Çfarë mëson vërtet Bibla?
    • Një vajzë e vogël sheh lart, bën pyetje

      1, 2. Pse shpesh është mirë të bëjmë pyetje?

      E KE vënë re ndonjëherë sa shumë pyetje bëjnë fëmijët? Shumë fëmijë ia nisin nga pyetjet sapo mësojnë të flasin. Me sytë që u shkëlqejnë e tërë kureshtje, të drejtohen dhe të pyesin: ‘Pse është i kaltër qielli? Pse ndriçojnë yjet? Kush i mësoi zogjtë të këndojnë?’ Ti përpiqesh t’u japësh përgjigje, por s’është gjithmonë e lehtë. Edhe sikur t’u japësh përgjigjen e saktë, menjëherë më pas do të pyesin: Po pse?

      2 Fëmijët s’janë të vetmit që kanë pyetje. Edhe kur rritemi, prapë vazhdojmë të pyesim. Pyesim për të gjetur ndonjë adresë, për të ditur rreziqet që duhet të shmangim ose edhe për të shuar kureshtjen. Mirëpo, me sa duket, shumë njerëz nuk bëjnë më pyetje, e sidomos pyetjet që janë më të rëndësishme. Ose të paktën nuk i kërkojnë më përgjigjet e këtyre pyetjeve.

      3. Pse shumë veta dorëzohen dhe nuk përpiqen më të gjejnë përgjigjet për pyetjet më të rëndësishme?

      3 Mendo për pyetjen që gjendet në kapakun e këtij libri, për pyetjet që gjenden në parathënien e tij ose edhe ato që kemi në fillim të këtij kapitulli. Këto janë ndër pyetjet më të rëndësishme që mund të bëjë një njeri. E megjithatë shumë njerëz janë dorëzuar, nuk përpiqen më që t’i gjejnë përgjigjet. Përse? A i ka Bibla përgjigjet? Disa mendojnë se përgjigjet e saj nuk janë të lehta për t’u kuptuar. Të tjerë kanë merak se mos, po të bëjnë pyetje, kjo do t’i ulë para të tjerëve ose do t’i vërë në siklet. Kurse disa të tjerë mendojnë që këto pyetje më mirë t’ua lënë klerikëve dhe mësuesve të fesë. Po ti, si mendon?

      4, 5. Cilat janë disa nga pyetjet më të rëndësishme që mund të bëjmë për jetën? Pse duhet të përpiqemi t’i gjejmë përgjigjet?

      4 Me siguri që ty të intereson të marrësh përgjigje për pyetjet më të rëndësishme të jetës. Pa dyshim, nganjëherë e pyet veten: ‘Cili është qëllimi i jetës? A është kjo jetë gjithçka? Çfarë personi është vërtet Perëndia?’ Është më se e arsyeshme të bësh pyetje të tilla dhe është e rëndësishme që të mos dorëzohesh derisa të kesh gjetur përgjigje që të kënaqin e që mund t’i besosh. Jezu Krishti, mësuesi i famshëm, tha: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet.»​—Mateu 7:7.

      5 Në qoftë se ‘vazhdon të kërkosh’ përgjigjet e këtyre pyetjeve të rëndësishme, ky kërkim mund të të sjellë shumë të mira. (Proverbat 2:​1-5) Çfarëdo që të të kenë thënë njerëzit e tjerë, për këto pyetje ka përgjigje, dhe ti mund t’i gjesh ato në Bibël. Nuk janë përgjigje shumë të vështira për t’u kuptuar. Për më tepër, të japin shpresë e gëzim dhe mund të të ndihmojnë që të bësh një jetë të kënaqshme që tani. Si fillim, le të marrim në shqyrtim një pyetje që mundon shumë njerëz.

      A ËSHTË PERËNDIA MOSPËRFILLËS DHE I PANDJESHËM?

      6. Pse shumë njerëz mendojnë që Perëndia është mospërfillës ndaj vuajtjeve njerëzore?

      6 Shumë njerëz mendojnë se përgjigjja e kësaj pyetjeje është po. Ata arsyetojnë: ‘A nuk do të ishte krejt ndryshe bota, nëse Perëndia do të interesohej për njerëzit?’ Ngado të hedhim sytë, shohim një botë plot me luftëra, urrejtje dhe mjerime. Edhe ne vetë sëmuremi, vuajmë dhe humbim njerëzit tanë të afërt për shkak të vdekjes. Prandaj, shumë veta thonë: ‘Po të interesohej Perëndia për ne dhe për problemet tona, a nuk do të ndërhynte, që të mos ndodhnin gjëra të tilla?’

      7. (a) Në ç’mënyrë mësuesit fetarë i kanë shtyrë shumë njerëz të mendojnë se Perëndia është i pandjeshëm? (b) Çfarë mëson vërtet Bibla për vuajtjet që mund të kalojmë?

      7 Ç’është më e keqja, nganjëherë janë mësuesit fetarë që i shtyjnë njerëzit të mendojnë se Perëndia është i pandjeshëm. Si ka mundësi? Po ja, kur ndodh ndonjë tragjedi, ata thonë se kështu donte Perëndia. Me fjalë të tjera, këta mësues ia hedhin fajin Perëndisë për gjërat e këqija që ndodhin. A është kjo e vërteta rreth Perëndisë? Çfarë mëson vërtet Bibla? Përgjigjen e gjejmë te Jakovi 1:13: «Kur është nën sprovë, askush të mos thotë: ‘Po më sprovon Perëndia.’ Sepse Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga, dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» Pra, Perëndia s’mund të jetë kurrë burimi i ligësive që ti sheh në botën përreth teje. (Jobi 34:​10-12) Është e vërtetë se ai lejon të ndodhin gjëra të këqija. Por një gjë është të lejosh të ndodhë diçka, dhe krejt tjetër ta shkaktosh atë.

      8, 9. (a) Ç’ilustrim mund të bësh për të shpjeguar se një gjë është të lejosh ligësinë dhe krejt tjetër ta shkaktosh atë? (b) Pse nuk është e drejtë të kritikojmë vendimin e Perëndisë për ta lejuar njerëzimin që të ndjekë një rrugë të keqe?

      8 Sa për ta ilustruar, mendo për një baba të mençur e të dashur që ka një djalë të rritur, i cili jeton ende në shtëpi me prindërit. Kur djali rebelohet dhe vendos të ikë nga shtëpia, babai nuk e ndalon. Djali merr rrugë të keqe dhe futet në telashe. A ishte babai shkaktari i problemeve të të birit? Jo. (Luka 15:​11-13) Po kështu, Perëndia nuk i ka ndaluar njerëzit që kanë vendosur të ndjekin një rrugë të gabuar, por nuk është ai shkaktari i problemeve që kanë ardhur si rrjedhojë. Prandaj, s’është e drejtë t’ia hedhim fajin Perëndisë për telashet e njerëzimit.

      9 Perëndia ka arsye të forta pse e ka lejuar njerëzimin që të ndjekë një rrugë të gabuar. Duke qenë Krijuesi ynë i mençur dhe i fuqishëm, ai s’ka pse të na i shpjegojë arsyet e tij. Megjithatë, nga dashuria, Perëndia na ka shpjeguar pse ka vepruar kështu. Në kapitullin e 11-të do të mësosh më shumë për këtë. Por, për një gjë duhet të jesh i sigurt: nuk është Perëndia përgjegjës për problemet që kemi. Përkundrazi, ai na jep të vetmen shpresë për zgjidhjen e këtyre problemeve!​—Isaia 33:2.

      10. Pse mund të kemi besim se Perëndia do t’i rregullojë të gjitha pasojat e ligësisë?

      10 Për më tepër, Perëndia është i shenjtë. (Isaia 6:3) Kjo do të thotë se është i pastër në gjithçka. Tek ai s’ka asnjë gjurmë ligësie, prandaj mund t’i besojmë plotësisht. Sigurisht, këtë s’mund ta themi për njerëzit, të cilët edhe mund të korruptohen. Por edhe sikur një njeri me autoritet të jetë shumë i ndershëm, shpesh nuk ka fuqinë të rregullojë dëmet që shkaktojnë njerëzit e ligj. Kurse Perëndia është i plotfuqishëm. Ai e ka edhe fuqinë, edhe dëshirën që t’i rregullojë të gjitha pasojat që i ka sjellë njerëzimit ligësia. Perëndia do të veprojë në një mënyrë që do t’i japë fund një herë e mirë ligësisë.​—Psalmi 37:​9-11.

      ÇFARË NDIEN PERËNDIA PËR PADREJTËSITË QË NA BËHEN?

      11. (a) Çfarë ndien Perëndia për padrejtësitë? (b) Si ndihet Perëndia për vuajtjet që kalon ti?

      11 Por, ndërkohë, çfarë ndien Perëndia për atë që po ndodh në botë dhe në jetën e secilit prej nesh? Në radhë të parë, Bibla mëson se Perëndia «e do drejtësinë». (Psalmi 37:28) Prandaj, i intereson shumë se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar. Perëndia urren çdo lloj padrejtësie. Bibla thotë se ai «u hidhërua në zemër» kur në të kaluarën bota u mbush me ligësi. (Zanafilla 6:​5, 6) Perëndia nuk ka ndryshuar. (Malakia 3:6) Ai ndien po atë pakënaqësi të thellë kur sheh vuajtjet e sotme në mbarë botën. Nuk duron dot që njerëzit të vuajnë. Bibla thotë: «Ai interesohet për ju.»​—1 Pjetrit 5:7.

      Gjërat që Perëndia ka krijuar: male, liqen, peshq, zogj dhe pemë

      Bibla mëson se Jehovai është Krijuesi i dashur i universit

      12, 13. (a) Pse ne njerëzit kemi cilësi të mira siç është dashuria? Për shkak të kësaj dashurie, si reagojmë kur shohim situatën e botës që na rrethon? (b) Pse mund të jesh i sigurt se Perëndia do të ndërhyjë vërtet për të zgjidhur problemet e botës?

      12 Si mund të jemi të sigurt se Perëndia nuk duron dot që të ketë vuajtje? Kemi edhe prova të tjera. Bibla mëson se njeriu u bë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. (Zanafilla 1:26) Kështu, ne kemi cilësi të mira ngaqë Perëndia ka cilësi të mira. Për shembull, ti, a prekesh kur shikon njerëz të pafajshëm që vuajnë? Në qoftë se ti nuk i duron dot këto padrejtësi, të jesh i sigurt se Perëndia ndihet akoma më keq për to.

      13 Një nga gjërat më të mira që kanë njerëzit është aftësia për të dashur të tjerët. Edhe kjo pasqyron një cilësi të Perëndisë. Bibla na mëson se «Perëndia është dashuri». (1 Gjonit 4:8) Ne kemi dashuri ngaqë Perëndia ka dashuri. A nuk do të të nxiste dashuria që t’u jepje fund vuajtjeve dhe padrejtësive që sheh në botë? A nuk do ta bëje këtë, po të kishe fuqi? Natyrisht që po! Atëherë mund të jesh po kaq i sigurt se Perëndia do t’u japë fund vuajtjeve dhe padrejtësive. Premtimet që përmenden në parathënien e këtij libri nuk janë fantazi ose shpresa të kota. Perëndia do t’i plotësojë se s’bën premtimet e tij! Mirëpo, që të kesh besim te këto premtime, duhet të dish më shumë për Perëndinë që i ka bërë ato.

Botimet shqip (1993-2025)
Shkëputu
Hyr me identifikim
  • shqip
  • Dërgo
  • Parametrat
  • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
  • Kushtet e përdorimit
  • Politika e privatësisë
  • Parametrat e privatësisë
  • JW.ORG
  • Hyr me identifikim
Dërgo