Përse t’i mbajmë premtimet?
«VOTONI për atë që premton më pak, sepse do t’ju zhgënjejë më pak»,—tha ish-këshilltari presidencial Bernard Baruk. Në botën e sotme, duket sikur premtimet bëhen me qëllim që të shkelen. Këto mund të jenë betime martesore, marrëveshje tregtare ose premtime për të kaluar më shumë kohë me fëmijët. Shumë veta e shpërfillin atë që nënkupton kjo e vërtetë e njohur: «Njeri i mirë është ai që e mban fjalën e dhënë.»
Sigurisht, shumë njerëz as që e çojnë ndonjëherë nëpër mend t’i mbajnë premtimet. Të tjerë bëjnë zotime të nxituara të cilat nuk mund t’i plotësojnë ose e thyejnë fjalën e dhënë, thjesht sepse kjo u del rruga më e lehtë për t’u ndjekur.
Kuptohet, mund të jetë e vështirë ta mbash një premtim, kur lindin rrethana të paparashikuara. Por, a shkakton me të vërtetë shumë dëme një premtim që nuk mbahet? A duhet t’i marrim seriozisht premtimet që bëjmë? Një vështrim shkurtimisht i shembullit të Perëndisë Jehova do të na ndihmojë të kuptojmë se përse duhet ta marrim seriozisht këtë çështje.
Jehovai i përmbush premtimet
Ne adhurojmë një Perëndi, emri i të cilit lidhet ngushtë me përmbushjen e premtimeve të tij. Në kohët biblike, emri i një personi shpesh tregonte diçka për personin. Kjo është e vërtetë edhe për emrin Jehova, i cili do të thotë «Ai shkakton të bëhet». (Eksodi 3:14) Pra, emri hyjnor përfshin mendimin se Perëndia do t’i përmbushë premtimet dhe do të plotësojë qëllimet që ka.
Në përputhje me emrin e tij, Jehovai mbajti çdo premtim që i bëri kombit të lashtë izraelit. Lidhur me këto premtime, mbreti Solomon pranoi: «I bekuar qoftë Zoti, që i dha paqe popullit të Izraelit, sipas gjithë atyre premtimeve që kishte bërë. As edhe një fjalë e vetme nuk mbeti pa u zbatuar nga të gjitha premtimet e bëra prej tij me anë të shërbëtorit të tij Moisi.»—1. Mbretërve 8:56.
Besnikëria e Jehovait është e tillë, saqë apostulli Pavël mundi të arsyetonte: «Kur Perëndia i dha premtimin Abrahamit, duke qenë se s’kishte ndonjë më të madh që të përbetohej, bëri be me veten e tij.» (Hebrenjve 6:13) Tamam, vetë emri dhe personi i Jehovait janë garanci se ai nuk do t’i shkelë premtimet që bën, edhe pse ato mund t’i kushtojnë shtrenjtë. (Romakëve 8:32) Fakti që Jehovai i përmbush premtimet, na jep shpresën që është si një spirancë për shpirtin ose jetën tonë.—Hebrenjve 6:19.
Premtimet e Jehovait dhe e ardhmja jonë
Shpresa, besimi dhe vetë jeta jonë, varen që të gjitha nga përmbushja e premtimeve të Jehovait. Çfarë shprese kemi ne? «Ne, sipas premtimit [të Perëndisë], presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia.» (2. Pjetrit 3:13) Shkrimet na japin, gjithashtu, një bazë për të besuar se «do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve». (Veprat 24:15) Gjithashtu, mund të jemi të sigurt se ekziston diçka më tepër sesa jeta e tanishme. Në fakt, ajo që apostulli Gjon e quan «gjëja e premtuar», është «jeta e përhershme». (1. Gjonit 2:25) Por, premtimet e Jehovait, të shkruara në Fjalën e tij, nuk kufizohen vetëm për të ardhmen. Ato i japin domethënie jetës sonë të përditshme që tani.
Psalmisti këndoi: «Zoti është pranë të gjithë atyre që e kërkojnë . . . dhe dëgjon britmën e tyre [për ndihmë, BR].» (Psalmi 145:18, 19) Perëndia na siguron, gjithashtu, se «i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit». (Isaia 40:29) Veç kësaj, sa ngushëlluese është të dimë se ‘Perëndia nuk do të lejojë të na tundojnë përtej fuqive tona, por me tundimin do të na japë edhe rrugëdalje’! (1. Korintasve 10:13) Nëse e kemi përjetuar personalisht përmbushjen e ndonjërit prej këtyre premtimeve, ne e dimë se mund t’i besojmë krejtësisht Jehovait. Duke pasur parasysh dobitë që marrim nga premtimet e shumta që bën dhe mban Perëndia, si duhet t’i konsiderojmë premtimet që ne i bëjmë atij?
Të mbajmë premtimet që i bëjmë Perëndisë
Dedikimi ndaj Perëndisë është pa dyshim premtimi më i rëndësishëm që mund të bëjmë. Duke ndërmarrë këtë hap, ne tregojmë se duam t’i shërbejmë Jehovait përgjithmonë. Edhe pse urdhërimet e Perëndisë nuk janë të rënda, mund të mos jetë gjithnjë e lehtë të bëjmë vullnetin e tij, për faktin se jetojmë në këtë sistem të lig gjërash. (2. Timoteut 3:12; 1. Gjonit 5:3) Por, pasi ‘kemi vënë dorën në parmendë’ dhe jemi bërë shërbëtorë të dedikuar të Jehovait dhe dishepuj të Birit të tij, Jezu Krishtit, nuk duhet të shohim kurrë prapa, nga gjërat e botës që i kemi lënë pas.—Luka 9:62.
Kur i lutemi Jehovait, mund të ndihemi të nxitur t’i premtojmë atij se do të luftojmë për të kapërcyer njëfarë dobësie, se do të kultivojmë një cilësi të krishterë ose do të rritim ndonjë aspekt të aktivitetit tonë teokratik. Çfarë do të na ndihmojë t’i mbajmë këto premtime?—Krahaso Predikuesin 5:2-5.
Premtimet e sinqerta dalin jo vetëm nga mendja, por edhe nga zemra. Prandaj, le t’i mbështetim me prova premtimet që i bëjmë Jehovait, duke ia hapur zemrën atij në lutje, duke shprehur me ndershmëri frikën, dëshirat dhe dobësitë tona. Lutjet për ndonjë premtim që kemi bërë do të na e forcojnë vendosmërinë për ta mbajtur atë. Mund t’i konsiderojmë premtimet që i bëjmë Perëndisë si borxhe. Kur borxhet janë të mëdha, pagesa duhet bërë gradualisht. Në mënyrë të ngjashme, shumë premtime që i bëjmë Jehovait do të duan kohë për t’u përmbushur. Por, duke i dhënë atij rregullisht atë që mundemi, tregojmë se e kemi me gjithë mend atë që themi dhe ai do të na bekojë në përputhje me këtë.
Mund ta tregojmë se i marrim seriozisht premtimet tona duke u lutur shpesh për to, ndoshta çdo ditë. Kjo do t’i tregojë Atit tonë qiellor se jemi të sinqertë. Do të shërbejë, gjithashtu, si një përkujtesë e rregullt. Davidi na dha një shembull të shkëlqyer në këtë aspekt. Ai iu lut me ngulm Jehovait në këngë: «O Perëndi, dëgjo me vëmendje lutjen time. . . Do t’i këndoj përjetë lavde emrit tënd dhe do t’i plotësoj zotimet e mia ditë për ditë.»—Psalmi 61:1, 8.
Mbajtja e premtimeve ndërton mirëbesimin
Nëse premtimet ndaj Perëndisë nuk duhen marrë me lehtësi, e njëjta gjë mund të thuhet për premtimet që u bëjmë të bashkëkrishterëve. Nuk duhet të trajtojmë Jehovain në një mënyrë dhe vëllezërit tanë në një mënyrë tjetër. (Krahaso 1. Gjonit 4:20.) Në Predikimin e tij në Mal, Jezui tha: «Fjala jote të jetë: Po, po; jo, jo.» (Mateu 5:37) Një mënyrë për t’u ‘bërë mirë atyre që janë në familjen e besimit’ është duke u siguruar se fjala jonë është gjithnjë e denjë për t’u besuar. (Galatasve 6:10) Çdo premtim që mbajmë ndërton mirëbesimin.
Dëmi që bëhet kur shkelet një premtim, shpesh është më i madh nëse përfshihen paratë. Qoftë në pagimin e një huaje ose në kryerjen e një shërbimi, qoftë në plotësimin e një marrëveshjeje tregtare, një i krishterë duhet ta mbajë fjalën e dhënë. Kjo gjë e kënaq Perëndinë dhe çimenton besimin reciprok, i cili është kaq thelbësor që vëllezërit të «banojnë së bashku në unitet».—Psalmi 133:1.
Gjithsesi, shkelja e marrëveshjeve mund të dëmtojë jo vetëm individët që janë përfshirë drejtpërdrejt, por edhe kongregacionin. Një mbikëqyrës udhëtues vëren: «Grindjet lidhur me tregtinë, të shkaktuara gjithnjë nga marrëveshje, ku të paktën njëra nga palët mendon se është shkelur marrëveshja, shpesh merren vesh edhe nga të tjerët. Për pasojë, vëllezërit ndahen në grupe dhe atmosfera në Sallën e Mbretërisë mund të bëhet e nderë.» Sa e rëndësishme është që të shqyrtojmë me kujdes çfarëdo marrëveshje që bëjmë dhe ta bëjmë atë me shkrim!a
Duhet kushtuar kujdes edhe në rastin kur shesim produkte të kushtueshme ose kur rekomandojmë investime, veçanërisht nëse ne personalisht përfitojmë nga ky veprim tregtar. Në mënyrë të ngjashme, duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos i ekzagjerojmë dobitë e disa artikujve ose produkteve për shëndetin ose të mos premtojmë përfitime jorealiste nga investimet. Dashuria duhet t’i shtyjë të krishterët që të shpjegojnë plotësisht të gjitha rreziqet që përfshihen. (Romakëve 12:10) Meqë shumica e vëllezërve kanë përvojë të kufizuar në tregti, ata mund t’i besojnë këshillës sonë thjesht sepse jemi në një familje besimi. Sa tragjike do të ishte po të shkatërronim këtë mirëbesim!
Si të krishterë, ne nuk mund të përdorim praktika tregtare të pandershme ose që shpërfillin interesat e ligjshme të të tjerëve. (Efesianëve 2:2, 3; Hebrenjve 13:18) Për të pasur favorin e Jehovait dhe për të ‘banuar [si mysafirë, BR] në çadrën e tij’, ne duhet të jemi të denjë për besim. ‘Edhe sikur të jemi betuar në dëmin tonë, ne nuk tërhiqemi.’—Psalmi 15:1, 4.
Jeftai, gjykatës në Izrael, u betua se, nëse Perëndia do t’i jepte fitoren mbi amonitët, ai do t’i jepte Jehovait si ofertë, të parin që do ta takonte kur të kthehej nga beteja. I pari që takoi ishte bija e tij e vetme, por Jeftai nuk e shkeli fjalën. Duke pasur pranimin me gjithë zemër të bijës së vet, ai e ofroi atë për shërbim të përhershëm në shenjtëroren e Perëndisë, një sakrificë që pa dyshim ishte e dhimbshme dhe e kushtueshme, në disa aspekte.—Gjyqtarët 11:30-40.
Në veçanti mbikëqyrësit e kongregacionit kanë përgjegjësinë për t’iu përmbajtur marrëveshjeve që bëjnë. Sipas 1. Timoteut 3:2, një mbikëqyrës duhet të jetë «i patëmetë». Ky është përkthimi i një termi grek që do të thotë «të mos jenë në gjendje ta shtien në dorë, të jetë i paqortueshëm, jashtë çdo qortimi. Nënkupton jo vetëm se ai njeri ka reputacion të mirë, por se e meriton këtë reputacion». (A Linguistic Key to the Greek New Testament) Meqë një mbikëqyrës duhet të jetë i patëmetë, premtimet e tij duhet të jenë gjithnjë të besueshme.
Mënyra të tjera për të mbajtur premtimet
Si duhet t’i konsiderojmë premtimet që u bëjmë atyre të cilët nuk janë të bashkëkrishterë? «Le të shndritë drita juaj para njerëzve,—tha Jezui,—që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.» (Mateu 5:16) Duke dhënë prova se e mbajmë fjalën, ne mund t’i afrojmë të tjerët ndaj mesazhit tonë të krishterë. Pavarësisht nga rënia mbarëbotërore e standardeve të ndershmërisë, shumica e njerëzve e vlerësojnë ende integritetin. Mbajtja e premtimeve është një mënyrë për të treguar dashuri për Perëndinë dhe për të afërmin, si edhe për të tërhequr dashuruesit e drejtësisë.—Mateu 22:36-39; Romakëve 15:2.
Gjatë vitit të shërbimit 1998, Dëshmitarët e Jehovait shpenzuan mbi një miliardë orë duke shpallur publikisht lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 24:14) Një pjesë e këtij predikimi mund të ketë rënë në vesh të shurdhër, nëse nuk kemi mbajtur fjalën tonë në marrëdhëniet tregtare ose në çështje të tjera. Meqë përfaqësojmë Perëndinë e së vërtetës, njerëzit me të drejtë presin që ne të veprojmë ndershmërisht. Duke qenë të besueshëm dhe të ndershëm, ne ‘nderojmë mësimin e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, në çdo gjë’.—Titit 2:10.
Në shërbimin tonë, kemi rast për të mbajtur fjalën kur kthehemi për të rivizituar ata që kanë shprehur interes për mesazhin e Mbretërisë. Nëse u themi se do t’i rivizitojmë, duhet ta bëjmë këtë. Kthimi sipas premtimit që kemi bërë është një mënyrë ‘për të mos ia refuzuar të mirën atij që i takon’. (Fjalët e urta 3:27) Një motër e shpjegoi çështjen në këtë mënyrë: «Në disa raste, kam takuar njerëz të interesuar që kanë thënë se një Dëshmitar u kishte premtuar që do të kthehej, por nuk ishte kthyer. Sigurisht, e di se të zotët e shtëpisë mund të mos kenë qenë aty ose që rrethanat mund ta kenë bërë të pamundur kthimin. Por nuk do të më pëlqente që ndonjëri të thoshte këtë gjë për mua, prandaj bëj sa kam mundësi për ta gjetur përsëri në shtëpi personin. Mendoj se nëse unë zhgënjej ndonjë, kjo gjë do të dëmtojë emrin e mirë të Jehovait dhe të vëllezërve të mi në tërësi.»
Në disa raste, mund të mos ndihemi të prirur të kthehemi, ngaqë nxjerrim përfundimin se personi nuk është vërtet i interesuar. E njëjta motër shpjegon: «Nuk përpiqem të gjykoj masën e interesit të të tjerëve. Vetë përvoja ime më ka mësuar se përshtypjet e para shpesh janë të gabuara. Prandaj, përpiqem të jem pozitive, duke e konsideruar çdo person si një vëlla të mundshëm ose motër të mundshme.»
Në shërbimin e krishterë dhe në shumë fusha të tjera, duhet të tregojmë se fjala jonë mund të besohet. Vërtet, disa gjëra është më e lehtë t’i thuash sesa t’i bësh. Një njeri i mençur vërejti: «Shumë njerëz shpallin mirësinë e tyre, por kush mund të gjejë një njeri besnik?» (Fjalët e urta 20:6) Me vendosmëri, mund të jemi besnikë dhe të vërtetë ndaj fjalës që japim.
Bekime të mëdha nga Perëndia
Bërja me qëllim e një premtimi bosh është e pandershme dhe mund të krahasohet me firmosjen e një çeku pa pasur fondet në bankë për ta mbuluar atë. Por sa shumë shpërblime dhe bekime marrim kur mbajmë premtimet! Një bekim nga fakti që jemi persona të besueshëm është ndërgjegjja e mirë. (Krahaso Veprat 24:16.) Në vend që të na ngacmojë brejtja e ndërgjegjes, ndihemi të kënaqur dhe në paqe. Për më tepër, duke mbajtur fjalën, i kontribuojmë unitetit të kongregacionit, i cili varet nga besimi reciprok. ‘I foluri i vërtetë’ nga ana jonë, gjithashtu, na rekomandon si shërbëtorë të Perëndisë të së vërtetës.—2. Korintasve 6:3, 4, 7.
Jehovai e mban fjalën dhe e urren ‘gjuhën gënjeshtare’. (Fjalët e urta 6:16, 17) Duke imituar Atin tonë qiellor, afrohemi më shumë drejt tij. Patjetër, pra, që kemi arsye të vlefshme për të mbajtur premtimet.
[Shënimi]
a Shiko artikullin «Bëje me shkrim!», në revistën Zgjohuni!, 8 shkurt 1983, faqet 13-15, anglisht.
[Figurat në faqen 10]
Jeftai e mbajti premtimin, edhe pse ishte e dhimbshme për të
[Figurat në faqen 11]
Nëse ke premtuar të kthehesh, përgatitu mirë për ta bërë këtë