Dashuria—Çelësi për një shërbim të suksesshëm
1 «Ejani tek unë, . . . e unë do t’ju freskoj.» (Mat. 11:28) Këto fjalë që të bëjnë për vete, nxjerrin në pah dashurinë e thellë të Jezuit për njerëzit. Si shërbëtorë të krishterë, ne dëshirojmë të imitojmë Jezuin dhe t’u shfaqim dashuri njerëzve që janë të sfilitur emocionalisht në këtë botë pa dashuri. Si mund ta bëjmë këtë ndërsa përhapim lajmin e mirë?
2 Me fjalë: Dashuria për të tjerët e shtynte Jezuin të shfrytëzonte çdo mundësi për të përhapur lajmin e mirë. (Gjoni 4:7-14) Dashuria do të na ndihmojë të kapërcejmë ngurrimin për të dëshmuar në mënyrë joformale. Një gjashtëvjeçare i dha dëshmi të shkëlqyer një gruaje që ishte ulur përbri saj në sallën e pritjes të një ambulance. Çfarë e shtyu ta bënte këtë? Ajo shpjegoi: «M’u duk që ajo zonja kishte nevojë të mësonte për Jehovain.»
3 Mund t’ua tregojmë interesin tonë njerëzve me një buzëqeshje të sinqertë dhe të ngrohtë e me një zë miqësor. Gjithashtu, mund t’ua tregojmë dashurinë duke i dëgjuar me vëmendje, duke kuptuar çfarë i shqetëson dhe duke shfaqur interes të vërtetë personal. (Prov. 15:23) Ashtu si Jezui, duhet të theksojmë mesazhin inkurajues për Mbretërinë dhe dhembshurinë e Jehovait për njerëzit.—Mat. 24:14; Luka 4:18.
4 Me vepra: Jezui ishte i ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve në mënyrë praktike dhe konkrete. (Mat. 15:32) Edhe ne mund të kemi raste për të kryer vepra dashamirësie gjatë shërbimit. Një motër pa një grua që mezi po kuptonte një telefonatë të rëndësishme. Ajo u ofrua ta ndihmonte duke i përkthyer fjalët e telefonuesit. Nga ky akt i dashur u krijua mundësia për të bërë një bisedë rreth Biblës, gjë që e ndihmoi gruan të pranonte një studim biblik. Në një rast tjetër, një vëlla, kur u kthye për një rivizitë, pa se i zoti i shtëpisë ishte i dëshpëruar sepse i kishte mbetur divani në mes të derës dhe nuk po e lëvizte dot. Pak më pas, ky vëlla ishte ulur në divanin që sapo kishte ndihmuar për ta lëvizur dhe po fillonte një studim biblik me këtë burrë mirënjohës.
5 Kur marrim pjesë në shërbim, tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë dhe për të afërmin. (Mat. 22:36-40) Dashuria e treguar me fjalë dhe me vepra i ndihmon ata me zemër të sinqertë të kuptojnë se ne kemi të vërtetën.