Si të bësh kërkime?
MBRETI SOLOMON «bloi në mendje dhe bëri një kërkim të hollësishëm, që të vinte sipas radhës shumë proverba». Pse? Sepse donte të shkruante «fjalë të sakta të së vërtetës». (Ekl. 12:9, 10) Luka ‘i rrëmoi të gjitha gjërat qysh prej fillimit me saktësi’, me qëllim që t’i tregonte në radhë logjike ngjarjet e jetës së Krishtit. (Luka 1:3) Të dy këta shërbëtorë të Perëndisë bënë kërkime.
Ç’do të thotë të bësh kërkime? Do të thotë të kërkosh me kujdes të dhëna për një temë të caktuar. Përfshin leximin dhe kërkon që të përdoren të njëjtat parime që zbatohen për studimin. Mund të jetë e nevojshme edhe të pyesësh njerëz të tjerë.
Në cilat rrethana është e nevojshme që të bëhen kërkime? Ja disa shembuj. Gjatë studimit ose leximit personal të Biblës mund të të lindin pyetje që të duken të rëndësishme. Kur jep dëshmi, dikush mund të ngrejë ndonjë pyetje dhe ti dëshiron të kesh informacion specifik që t’i përgjigjesh. Mund të të jetë caktuar që të mbash një fjalim.
Ta zëmë se je caktuar për të mbajtur fjalim. Materiali që të është kërkuar të trajtosh mund të duket shumë i përgjithshëm. Si mund ta përdorësh për zonën tënde? Pasuroje fjalimin duke bërë kërkime. Kur një pikë që mund të duket fare e thjeshtë plotësohet me disa të dhëna statistikore ose me ndonjë shembull që i përshtatet materialit dhe që ka të bëjë me jetën e atyre që po të dëgjojnë, ajo bëhet informative e madje motivuese. Materiali i shtypur me të cilin po punon mund të jetë përgatitur për lexuesit në mbarë botën, por të duhet që pikat kryesore t’i shtjellosh, t’i ilustrosh dhe t’i zbatosh për një kongregacion ose për një person. Si duhet të veprosh?
Para se t’u futesh kërkimeve për të gjetur të dhëna, mendo për auditorin tënd. Çfarë dinë tashmë ata? Çfarë kanë nevojë të dinë? Pastaj përcakto pikësynimin tënd. A është pikësynimi që të shpjegosh, të bindësh, të përgënjeshtrosh apo të motivosh? Të shpjegosh kërkon të sigurosh të dhëna të mëtejshme për ta bërë të qartë një çështje. Edhe pse faktet bazë mund të kuptohen, ndoshta është e nevojshme të trajtosh më gjerësisht se kur ose si duhet zbatuar ajo që thuhet. Të bindësh kërkon të japësh arsye që tregojnë pse një gjë është kështu, duke dhënë edhe prova për këtë. Të përgënjeshtrosh kërkon të kesh njohuri të plotë për të dyja anët e një çështjeje, si dhe një analizë të kujdesshme për dëshmitë e përdorura. Natyrisht, nuk kërkojmë thjesht argumente të forta, por edhe mënyra për t’i paraqitur faktet me mirësjellje. Të motivosh përfshin të prekësh zemrën. Do të thotë t’i nxitësh dëgjuesit dhe t’u ngjallësh dëshirën për të vepruar në përputhje me atë që po trajtohet. Shembuj nga jeta reale e atyre që kanë vepruar në këtë mënyrë, edhe pse kanë pasur vështirësi, mund të të ndihmojnë të prekësh zemrën.
Po tani, a je gati për të filluar? Ende jo. Përcakto se sa informacion të nevojitet. Koha mund të jetë një faktor i rëndësishëm për këtë. Në rast se do t’ua paraqesësh informacionin të tjerëve, sa kohë do të kesh në dispozicion? Pesë minuta? Dyzet e pesë minuta? A është e përcaktuar koha, si në një mbledhje kongregacioni, apo ka njëfarë elasticiteti meqë ndoshta është një studim biblik ose një vizitë baritore?
Së fundi, çfarë mjetesh për kërkim ke në dispozicion? Veç atyre që ke në shtëpi, a ka të tjera në bibliotekën e Sallës së Mbretërisë? A ka vëllezër që kanë shumë vjet në shërbim të Jehovait e që do të të linin të përdorje bibliotekën e tyre? A ka ndonjë bibliotekë shtetërore në zonën tënde, ku mund të përdorësh vepra referimi po të jetë e nevojshme?
Të përdorim mjetin tonë kryesor të kërkimit, Biblën
Në qoftë se po bën kërkime për të kuptuar domethënien e një shkrimi, fillo që nga vetë Bibla.
Shqyrto kontekstin. Pyet veten: ‘Kujt i drejtohej ky shkrim? Çfarë lënë të kuptohet vargjet përreth, për sa u përket rrethanave që çuan në këtë pohim ose në qëndrimin e njerëzve që përfshiheshin?’ Hollësi të tilla shpesh mund të na ndihmojnë të kuptojmë një shkrim dhe mund t’i japin gjallëri fjalimit në të cilin përdoren.
Për shembull, Hebrenjve 4:12 citohet shpesh për të treguar fuqinë e Fjalës së Perëndisë që të prekë zemrën dhe të ndikojë në jetën e njerëzve. Konteksti na ndihmon ta kuptojmë më plotësisht se si mund të ndodhë kjo. Në të flitet për përvojat e Izraelit gjatë 40 vjetëve në shkretëtirë, para se të hynin në vendin që Jehovai i kishte premtuar Abrahamit. (Hebr. 3:7–4:13) «Fjala e Perëndisë», domethënë premtimi i tij për t’i çuar në një vend pushimi në përputhje me besëlidhjen që kishte bërë me Abrahamin, nuk ishte e vdekur, por e gjallë dhe po shkonte drejt përmbushjes. Izraelitët kishin çdo arsye për të treguar besim tek ajo. Megjithatë, gjatë kohës që Jehovai i udhëhoqi nga Egjipti për në malin Sinai dhe më tej drejt Tokës së Premtuar, ata treguan vazhdimisht mungesë besimi. Kështu, reagimi ndaj mënyrës se si po e përmbushte Perëndia fjalën e tij tregoi qartë se çfarë kishin në zemër. Në mënyrë të ngjashme sot, fjala e Perëndisë, pra premtimet e tij, zbulon se çfarë kanë në zemër njerëzit.
Kontrollo referimet. Disa Bibla kanë referime. A i ka Bibla jote? Në qoftë se po, ato mund të të ndihmojnë. Shiko një shembull nga Shkrimet e shenjta, Përkthimi Bota e Re. Te 1 Pjetrit 3:6 tregohet për Sarën si një shembull që ia vlen të imitohet nga gratë e krishtere. Një referim që na çon te Zanafilla 18:12 e përforcon këtë, duke na zbuluar se Sara ‘me veten e saj’ e quante Abrahamin zotëri. Pra nënshtrimi i vinte nga zemra. Veç këtyre hollësive, referimet mund të të drejtojnë te shkrime që tregojnë përmbushjen e një profecie biblike ose të një modeli të besëlidhjes së Ligjit. Megjithatë, ki parasysh se disa referime nuk janë vënë për të dhënë shpjegime të tilla. Ato vetëm mund të të drejtojnë te mendime paralele ose te të dhëna biografike a gjeografike.
Kërko me një renditës të fjalëve biblike. Renditësi i fjalëve biblike është një tregues alfabetik i fjalëve të përdorura në Bibël. Ai mund të të ndihmojë të gjesh shkrime që kanë lidhje me argumentin rreth të cilit po bën kërkime. Ndërsa i shqyrton këto shkrime, do të mësosh hollësi të tjera të dobishme. Do të shohësh dëshmi të ‘modelit’ të së vërtetës që gjendet në Fjalën e Perëndisë. (2 Tim. 1:13) Përkthimi Bota e Re përmban një listë bazë «Renditja e fjalëve biblike». Renditësi i plotë i fjalëve biblike është shumë më i zgjeruar. Nëse është në gjuhën tënde, do të të drejtojë te të gjitha shkrimet ku gjenden fjalët kryesore biblike.
Mëso të përdorësh mjetet e tjera për kërkime
Kutia në faqen 33 rendit disa mjete të tjera kërkimi që ka siguruar «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mat. 24:45-47) Shumica prej tyre kanë një tabelë përmbajtjeje dhe disa kanë një tregues në fund, i cili është vendosur që të të ndihmojë të gjesh me saktësi informacione specifike. Në fund të çdo viti, si te Kulla e Rojës, ashtu edhe te Zgjohuni!, botohen treguesit e temave të artikujve për atë vit.
Nëse e di informacionin që gjendet në këto botime për studimin e Biblës, kjo mund të ta përshpejtojë kërkimin. Ta zëmë, për shembull, që dëshiron të dish më shumë rreth profecive, doktrinave, sjelljes së krishterë ose zbatimit të parimeve biblike. Ka të ngjarë që ajo çfarë kërkon të gjendet në Kullën e Rojës. Zgjohuni! shqyrton ngjarjet e tashme, problemet e kohës, fenë, shkencën dhe popujt e vendeve të ndryshme. Një shpjegim i secilit tregim të Ungjijve në radhë kronologjike gjendet në librin Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Një trajtim varg për varg i librave të plotë të Biblës gjendet në botime të tilla, si: Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër!, Kushtojini vëmendje profecive të Danielit! dhe dy vëllimet Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin. Në librin Të arsyetojmë me anë të Shkrimeve, do të gjesh përgjigje të kënaqshme për qindra pyetje biblike që na bëhen zakonisht në shërbimin në fushë. Për të pasur kuptueshmëri më të qartë rreth feve të tjera, mësimeve dhe origjinave të tyre historike, shiko librin Njerëzimi në kërkim të Perëndisë. Disa hollësi të historisë së Dëshmitarëve të Jehovait në kohët e sotme gjenden në broshurën Dëshmitarët e Jehovait: Të bashkuar për të kryer vullnetin e Perëndisë në të gjithë botën. Për një raport të zhvillimeve të sotme në predikimin mbarëbotëror të lajmit të mirë, shih Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait të vitit të fundit. Mendjehollësi mbi Shkrimet është një enciklopedi dhe atlas biblik. Në qoftë se të duhen të dhëna për njerëz, vende, sende, gjuhë ose ngjarje historike që kanë të bëjnë me Biblën, ky është një burim i shkëlqyer.
«Treguesi i botimeve Watch Tower». Ky Tregues, i botuar në më shumë se 20 gjuhë, do të të drejtojë te informacionet e shumë prej botimeve tona. Ai është i ndarë në një tregues temash dhe një tregues shkrimesh. Për të përdorur treguesin e temave, gjej një fjalë që përfaqëson temën rreth së cilës do të bësh kërkime. Për të përdorur treguesin e shkrimeve, gjej në listën e shkrimeve atë që dëshiron të kuptosh më mirë. Në rast se është botuar diçka për atë temë ose atë shkrim në vitet që përfshin Treguesi dhe nëse ky është në një gjuhë që e njeh, do të gjesh listën me referime në të cilën të kërkosh. Përdor listën e shpjegimit të simboleve në fillim të Treguesit për të deshifruar shkurtimet e emrave të botimeve të cituara. (Me ndihmën e saj do të mësoni, për shembull, që w99 1/3 15 i referohet Kullës së Rojës të vitit 1999, numri i 1 marsit, faqja 15.) Tituj kryesorë të tillë, si «Përvoja nga shërbimi në fushë» dhe «Jetëshkrime të Dëshmitarëve të Jehovait» mund të jenë të dobishëm për të përgatitur pjesë motivuese për kongregacionin.
Duke qenë se mund të jetë shumë tërheqëse të bësh kërkime, ki kujdes që të mos shpërqendrohesh nga objekti i kërkimeve. Qëndro i përqendruar në pikësynimin tënd, domethënë që të gjesh materialin e nevojshëm për të cilin i fillove kërkimet. Në rast se Treguesi të drejton te një burim, shko te faqja ose faqet e cituara, pastaj përdor nëntitujt dhe fjalitë e para të paragrafëve si udhëheqje për te materiali që i përshtatet nevojave të tua. Nëse po kërkon për domethënien e një vargu të veçantë biblik, së pari gjeje vargun në faqen që tregon referimi. Pastaj shqyrto komentet përreth.
«Biblioteka Watchtower» në CD-ROM. Në qoftë se ke një kompjuter mund të nxjerrësh dobi duke përdorur Bibliotekën Watchtower në CD-ROM, e cila përmban një koleksion të gjerë të botimeve tona. Programi i kërkimit, i cili është i thjeshtë për t’u përdorur, të jep mundësi të kërkosh një fjalë, një kombinim fjalësh ose një shkrim në çdonjërin nga botimet që gjenden në Bibliotekën Watchtower. Edhe sikur ky mjet kërkimi të mos jetë në gjuhën tënde, mund të nxjerrësh dobi prej tij në një nga gjuhët ndërkombëtare të përdorura gjerësisht që e njeh.
Biblioteka të tjera teokratike
Në letrën e tij të dytë të frymëzuar drejtuar Timoteut, Pavli i kërkoi këtij të riu që t’i sillte në Romë «rrotullat, sidomos pergamenat». (2 Tim. 4:13) Pavli i vlerësonte disa materiale të shkruara dhe i ruante. Edhe ti mund të bësh të njëjtën gjë. A i ruan kopjet personale të Kullës së Rojës, Zgjohuni! dhe Shërbimi ynë i Mbretërisë, edhe pasi janë shqyrtuar në mbledhjet e kongregacionit? Nëse po, do t’i kesh në dispozicion për t’i përdorur si mjete kërkimi, bashkë me botimet e tjera të krishtere që ke. Shumica e kongregacioneve mbajnë një koleksion të botimeve teokratike në një bibliotekë në Sallën e Mbretërisë. Këto botime janë për dobinë e gjithë kongregacionit, prandaj vëllezërit dhe motrat mund t’i përdorin për kërkime kur janë në Sallën e Mbretërisë.
Mbaj një arkiv personal
Ji syçelë ndaj materialeve interesante që mund t’i përdorësh kur flet dhe kur mëson të tjerët. Nëse gjen në gazeta a revista një lajm, një statistikë ose një shembull që mund ta përdorësh në shërbim, prije ose kopjoje informacionin. Përfshi datën, titullin e botimit e madje edhe emrin e autorit ose të botuesit. Gjatë mbledhjeve të kongregacionit, mbaj shënime të shkurtra për disa mënyra arsyetimi dhe ilustrime që mund të të ndihmojnë t’u shpjegosh të vërtetën të tjerëve. A të ka ardhur në mend ndonjëherë një ilustrim i bukur, por nuk ke pasur rast ta përdorësh menjëherë? Shkruaje dhe mbaje në arkiv. Pasi të kesh marrë pjesë në Shkollën e Shërbimit Teokratik për njëfarë kohe, do të kesh përgatitur shumë fjalime. Në vend që t’i hedhësh poshtë shënimet për këto fjalimeve, ruaji. Kërkimet që ke bërë mund të jenë të dobishme më vonë.
Fol me njerëzit
Njerëzit janë një burim i pasur informacionesh. Kur Luka po përgatiste Ungjillin e tij, me sa duket, mblodhi shumë të dhëna duke pyetur dëshmitarët okularë. (Luka 1:1-4) Ndoshta një i bashkëkrishterë mund të ta sqarojë një çështje rreth së cilës je përpjekur të bësh kërkime. Sipas Efesianëve 4:8, 11-16, Krishti i përdor «dhuratat në njerëz» për të na ndihmuar që të rritemi në «njohurinë e saktë të Birit të Perëndisë». Duke folur me ata që kanë përvojë në shërbimin e Perëndisë mund të gjesh disa ide të dobishme. Gjithashtu, bisedat me të tjerët mund të nxjerrin në pah se çfarë mendojnë ata, dhe kjo mund të të ndihmojë të përgatitësh një material që është vërtet praktik.
Shoshiti frytet e kërkimit
Pasi korret gruri, kokrrat duhen ndarë nga kashta. Kështu është edhe me frytin e kërkimeve të tua. Para se të jetë gati për ta përdorur, duhet të ndash atë që është e vlefshme nga ajo që është e tepërt.
Nëse do t’i përdorësh në një fjalim të dhënat që ke gjetur, pyet veten: ‘A i shton diçka të vlefshme prezantimit të temës pika që kam ndër mend të përdor? Ose, edhe pse është interesante, a ka prirjen ta largojë vëmendjen nga tema rreth së cilës duhet të flas?’ Në qoftë se mendon të përdorësh ngjarje të kohës ose material nga fusha e shkencës a e mjekësisë, të cilat ndryshojnë vazhdimisht, sigurohu që informacioni të jetë i përditësuar. Merr parasysh, gjithashtu, që disa pika të trajtuara në botimet tona të vjetra mund të jenë përditësuar, prandaj shqyrto atë që është botuar kohët e fundit për një argument.
Është veçanërisht e nevojshme të jesh i kujdesshëm, nëse zgjedh të mbledhësh informacione nga burime të tjera në botë. Mos harro kurrë që Fjala e Perëndisë është e vërteta. (Gjoni 17:17) Jezui ka rolin kryesor në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë. Prandaj Kolosianëve 2:3 thotë: «Në të janë fshehur me kujdes të gjitha thesaret e mençurisë e të njohurisë.» Shqyrtoji frytet e kërkimit tënd nga ky këndvështrim. Për kërkimet në burimet e tjera në botë, pyet veten: ‘A janë të zmadhuara, të bazuara në hamendje apo dritëshkurtra informacionet që gjenden në to? A janë shkruar me një motiv egoist ose për t’u shitur sa më shumë? A përputhen me të edhe burime të tjera të besueshme? Mbi të gjitha, a janë në harmoni me të vërtetën e Biblës?’
Proverbat 2:1-5 na nxitin që të vazhdojmë ta kërkojmë njohurinë, kuptueshmërinë dhe aftësinë dalluese, ‘si argjendin dhe si thesare të fshehura’. Nënkupton edhe përpjekje, por edhe shpërblime të pasura. Për të bërë kërkime duhen përpjekje, por kjo do të të ndihmojë të gjesh mendimet e Perëndisë rreth çështjeve të ndryshme, të ndreqësh ide të gabuara dhe të bëhesh më i palëkundur në të vërtetën. Gjithashtu, do t’i japë peshë dhe jetë fjalimeve të tua, duke të të sjellë kënaqësi ty kur i mban dhe të tjerëve që i dëgjojnë.