Kapitulli një
«T’i vura fjalët e mia në gojë»
1, 2. Pse i beson asaj që lexon në Bibël?
«KA NJË mik me të cilin lidhesh më ngushtë se me një vëlla.» (Prov. 18:24) A i ke provuar në jetën tënde këto fjalë të frymëzuara? Ti i beson fjalët e një miku të vërtetë. E beson kur të thotë diçka të mirë ose kur të shpjegon çfarë do të bëjë. Nëse të tregon ku duhet të përmirësosh, ka të ngjarë që e pranon këshillën dhe e zbaton. Të ka treguar prej kohësh se të do të mirën, edhe kur të jep këshilla. Ai do që t’ia dalësh mbanë dhe ti dëshiron të njëjtën gjë për të, që miqësia juaj të zgjatë.
2 Në shumë aspekte, miq të tillë mund të jenë për ty njerëzit që Perëndia përdori për të shkruar librat e Biblës. Mund t’u besosh gjërave që dëgjon prej tyre. Ti je i sigurt se ajo që të thonë, është për të mirën tënde. Kështu duhej të ishin ndier izraelitët e lashtë për ‘njerëzit që thanë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë’. (2 Pjet. 1:20, 21) Një prej tyre ishte Jeremia, të cilin Perëndia e përdori për të shkruar librin më të madh profetik. Ai shkroi edhe Vajtimet dhe dy libra të tjerë të Biblës.
3, 4. Si i shohin disa njerëz librat e Jeremisë e të Vajtimeve, por pse është e gabuar kjo ide? Ilustroje.
3 Mirëpo, ndoshta ke vënë re se disa që e lexojnë Biblën, kanë prirjen t’i shohin shkrimet e Jeremisë sikur ‘nuk bëjnë për ta’. Ndoshta mendojnë se librat e Jeremisë e të Vajtimeve kanë vetëm paralajmërime të kobshme e parashikime të zymta. Por, a është realiste kjo pikëpamje për librat e Jeremisë dhe të Vajtimeve?
4 Sigurisht, në shkrimet e Jeremisë ka paralajmërime e këshilla të drejtpërdrejta, por, siç e di, hera-herës një mik e bën këtë. Edhe Jezui nuk heshti kur miqtë e tij, apostujt, shfaqën qëndrime të gabuara. Përkundrazi, i qortoi haptas. (Mar. 9:33-37) Megjithatë, thelbi i mesazhit të Jezuit ishte pozitiv, sepse tregonte si të fitojmë miratimin e Perëndisë dhe lumturinë e ardhshme. (Mat. 5:3-10, 43-45) Njësoj është edhe me shkrimet e Jeremisë, të cilat janë pjesë e ‘të gjithë Shkrimit’ që është i dobishëm «për të ndrequr». (2 Tim. 3:16) Vërtet, Jeremia e tha hapur pikëpamjen e Perëndisë për ata që pretendonin se i shërbenin Jehovait, por që meritonin të korrnin pasojat e rrugëve të tyre të këqija. Gjithsesi, librat e Jeremisë dhe të Vajtimeve përmbajnë një mesazh shprese dhe tregojnë si mund të kemi bekime në të ardhmen. Jeremia përfshiu profeci që tregonin se si do të vepronte Perëndia në përputhje me qëllimin e tij. Sot jemi përfshirë drejtpërdrejt në përmbushjen e tyre. Për më tepër, në këta libra do të gjesh shprehje pozitive e inkurajuese.—Lexo Jereminë 31:13, 33; 33:10, 11; Vajtimet 3:22, 23.
5. Si mund të nxjerrim dobi nga shkrimet e Jeremisë?
5 Lumturia jonë e tanishme në popullin e Perëndisë dhe shpresa jonë për të ardhmen, lidhen me disa gjëra që shkroi Jeremia. Për shembull, të mendojmë për vëllazërinë tonë të bashkuar. Shkrimet e tij do të na ndihmojnë ta forcojmë vëllazërinë e të zbatojmë këshillën e apostullit Pavël: «Vëllezër, vazhdoni të gëzoni, të ndreqeni, të ngushëlloheni, të jeni në një mendje dhe të jetoni në paqe. Perëndia i dashurisë dhe i paqes do të jetë me ju.» (2 Kor. 13:11) Gjithashtu, shkrimet e Jeremisë lidhen drejtpërdrejt me mesazhin që predikojmë. Ndonëse u flasim të tjerëve për ditët e fundit dhe i paralajmërojmë se këtij sistemi po i afrohet fundi, prapëseprapë mesazhi ynë është pozitiv dhe jep një bazë për shpresë. Për më tepër, shkrimet e Jeremisë mund të na ndihmojnë në jetën e përditshme. Jeta dhe mesazhi i tij kanë shumë paralele me situatën tonë. Për të kuptuar këtë, shqyrto kontekstin dhe caktimin e këtij profeti shembullor, të cilit Perëndia i tha: «Ja, t’i vura fjalët e mia në gojë.»—Jer. 1:9.
6, 7. Pse jemi të sigurt se Perëndia interesohej për Jereminë dhe si ishte situata në Judë kur lindi ai?
6 Një çift që presin një fëmijë, mendojnë shpesh për djalin (ose vajzën) që do të kenë. Pyesin veten se si do të jetë dhe ç’do të bëjë kur të rritet—çfarë do t’i interesojë, ç’punë do të zgjedhë, çfarë do të arrijë. Me siguri, prindërit e tu i kanë menduar këto gjëra për ty. Po njësoj duhet të kenë bërë edhe prindërit e Jeremisë. Mirëpo, rasti i tij ishte i veçantë. Përse? Jeta dhe veprimtaria e Jeremisë i interesonte në mënyrë të veçantë Krijuesit të universit.—Lexo Jereminë 1:5.
7 Po, që para se të lindte Jeremia, Perëndia përdori aftësinë e Tij për t’i njohur gjërat që më përpara. U interesua veçanërisht për një djalë, i cili do të lindte në një familje priftërore që jetonte në veri të Jerusalemit. Ishte mesi i shekullit të shtatë p.e.s., një kohë e trishtueshme për Judën, për shkak të mbretërimit të keq të Manaseut. (Shih faqen 19.) Ai mbretëroi 55 vjet dhe pjesën më të madhe të kohës, bëri ç’ishte e keqe në sytë e Jehovait. Edhe i biri, Amoni, ndoqi një rrugë të ngjashme. (2 Mbret. 21:1-9, 19-26) Mbreti tjetër i Judës solli një ndryshim rrënjësor. Po, mbreti Josia e kërkoi Jehovain. Tashmë në vitin e 18-të të mbretërimit të tij, e kishte pastruar vendin nga idhujtaria. Sa duhet të jenë kënaqur prindërit e Jeremisë! Pikërisht gjatë mbretërimit të Josisë, Perëndia i dha caktimin djalit të tyre.—2 Kron. 34:3-8.
Pse duhet të të interesojnë librat e Jeremisë e të Vajtimeve?
PERËNDIA ZGJEDH NJË ZËDHËNËS
8. Ç’detyrë iu caktua Jeremisë dhe si reagoi?
8 Nuk e dimë ç’moshë kishte Jeremia kur Perëndia i tha: «Të bëra profet të kombeve.» Mund të ketë qenë afro 25 vjeç, mosha kur një levit hynte në fazën e parë të shërbimit priftëror. (Num. 8:24) Sidoqoftë, Jeremia u përgjigj: «Oh, Zotëri Sovran Jehova! Unë nuk di të flas, sepse s’jam veçse një djalosh.» (Jer. 1:6) Ngurronte, sepse ndoshta mendonte se ishte tepër i ri ose i pakualifikuar për këtë përgjegjësi të madhe dhe për gojëtarinë që kërkohej nga një profet.
9, 10. Në cilat rrethana e nisi Jeremia caktimin e tij, por përse ai caktim u bë i vështirë me kalimin e kohës?
9 Jeremia u caktua si profet gjatë kohës kur mbreti Josia po zhdukte adhurimin e rremë të neveritshëm dhe po nxiste adhurimin e vërtetë. Pavarësisht sa kanë komunikuar me njëri-tjetrin Jeremia dhe Josia, dukej qartë se kushtet ishin të favorshme për një profet të vërtetë. Në fillim të mbretërimit të Josisë, në Judë shërbyen edhe Sofonia e Naumi.a Edhe profetesha Hulda shërbeu në të njëjtën periudhë, por ajo paratha se do të vinin kohë të këqija. Jeremia i përjetoi ato kohë. (2 Mbret. 22:14) Në fakt, në disa raste, miqve të Jeremisë, si Ebed-Melekut dhe Barukut, iu desh ta shpëtonin atë nga vdekja e sigurt ose ta mbronin nga armiqtë hakmarrës.
10 Si do të ndiheshe sikur Perëndia të të thoshte se ishe caktuar posaçërisht si profet që të shpallje një mesazh të fortë? (Lexo Jereminë 1:10.) Shqyrto vetëm një shembull të asaj që duhej të shpallte Jeremia. Në vitin 609 p.e.s., forcat babilonase po i afroheshin Jerusalemit. Mbreti Zedekia shpresonte që Perëndia t’i jepte një mesazh të favorshëm nëpërmjet Jeremisë. Por Ai s’kishte mesazh të tillë për mbretin.—Lexo Jereminë 21:4-7, 10.
NJË NJERI SI NE
11. Pse për Jereminë mund të ketë qenë e vështirë, por edhe forcuese, të kryente caktimin e tij?
11 Mendo sikur të na duhej të shpallnim denoncime dhe gjykime të ashpra kundër mbretërve të ligj, priftërinjve të korruptuar dhe profetëve të rremë! Jeremia duhej ta bënte këtë. Por, ashtu si ai, edhe ne kemi mbështetjen e Perëndisë. (Jer. 1:7-9) Perëndia kishte besim tek i riu Jeremia dhe i dha guxim me këto fjalë: «Unë të kam bërë sot si një qytet të fortifikuar, si një shtyllë hekuri dhe si mure prej bakri kundër tërë vendit, përpara mbretërve të Judës, përpara princave të saj, përpara priftërinjve dhe përpara popullit të vendit. Ata kanë për të luftuar kundër teje, por nuk do të të mposhtin, sepse unë jam me ty për të të çliruar,—thotë Jehovai.»—Jer. 1:18, 19.
12. Cilat janë disa arsye pse mund të gjesh veten te Jeremia?
12 Mos e mendo Jereminë si një njeri jashtëzakonisht të fortë. Ai ishte njeri si ne. Për më tepër, vlen të përmendet që, ndonëse jetoi në një epokë tjetër, Jeremia hasi situata të ngjashme me tonat. Në jetën e përditshme dhe në aktivitetet e kongregacionit kemi të bëjmë me njerëz të ndryshëm, ashtu si Jeremia me njerëzit që e rrethonin. E gjithë kjo lidhet me atë që mund të mësojmë prej tij, i cili ishte «njeri me ndjenja si tonat», ashtu si edhe profeti Elija. (Jak. 5:17) Shqyrto disa shembuj se ç’mund të mësojmë nga Jeremia.
13, 14. Pse disa të krishterë mund ta kuptojnë si u ndie Jeremia kur Pashkuri e vuri në fallaka, siç është paraqitur në faqen 10?
13 A ke pasur të përpjeta e të tatëpjeta në jetën tënde? Edhe Jeremia pati. Një herë, Pashkuri, një prift i njohur, e goditi dhe urdhëroi ta vinin në fallaka. Për orë të tëra, Jeremia mbeti i ngujuar në atë strukturë druri ku i kishin futur këmbët, duart dhe qafën, duke e detyruar të rrinte i kërrusur. Përveç dhembjes, duhet të ketë duruar edhe kushedi sa tallje nga kundërshtarët. A mendon se do t’i kishe përballuar dot talljet dashakeqe, e madje keqtrajtimin fizik?—Jer. 20:1-4.
14 Në atë situatë, s’është çudi që Jeremia u ndie i shtyrë të thoshte: «Mallkuar qoftë dita kur linda! . . . Pse dola nga barku që të shoh mund e hidhërim, dhe që ditët e mia të marrin fund me turp?» (Jer. 20:14-18) E pra, kishte arsye të ndihej i dëshpëruar. A je ndier ndonjëherë kaq zemërlëshuar sa ke dyshuar për vlerën tënde si njeri, për atë që po bëje ose edhe nëse ia vlente të vazhdoje? Të gjithë ata që kanë pasur ndonjëherë ndjenja të tilla, mund të nxjerrin dobi duke i kuptuar më mirë përvojat e Jeremisë dhe si rrodhën gjërat për të.
Çfarë të bën përshtypje për caktimin e Jeremisë si profet nga Jehovai? Pse mund të gjesh veten te Jeremia?
15. Pse mund të nxjerrim dobi duke shqyrtuar luhatjet emocionale të Jeremisë?
15 Shprehjet e dëshpërimit që lexojmë te Jeremia 20:14-18 vijnë menjëherë pasi profeti i nxiti të tjerët t’i këndonin Jehovait e ta lëvdonin. (Lexo Jereminë 20:12, 13.) A të ka ndodhur ndonjëherë të vëresh te vetja luhatje emocionale paksa të shpejta? Ishe shumë i lumtur e pastaj menjëherë kalove në shkurajim. Me siguri, të gjithë mund të nxjerrim dobi duke shqyrtuar përvojat e Jeremisë. Është e qartë se ai pati ndjenja normale njerëzore, ashtu si ne. Prandaj, patjetër që mund të përfitojmë shumë duke shqyrtuar veprimet dhe reagimet e këtij njeriu, të cilin Krijuesi e përdori fuqishëm si zëdhënës.—2 Kron. 36:12, 21, 22; Ezd. 1:1.
16. Për kë mund të ketë rëndësi të veçantë gjendja civile e Jeremisë?
16 Një arsye tjetër pse disa gjejnë veten te Jeremia, lidhet me gjendjen e tij civile. Perëndia i dha atij një urdhër të pazakontë e ndoshta të vështirë: mos u marto! (Lexo Jereminë 16:2.) Pse Jehovai i tha kështu Jeremisë dhe si ndikoi kjo tek ai? Ç’pjesë e këtij tregimi mund të ketë rëndësi sidomos për vëllezërit e motrat që nuk kanë bashkëshort, qoftë ngaqë kanë vendosur vetë, qoftë për shkak të rrethanave? Madje, a ka diçka në fjalët që Perëndia i tha Jeremisë, të cilën duhet ta mendojnë seriozisht Dëshmitarët e martuar që nuk kanë «bij e bija» ose edhe ata që kanë? Si mund të të ndihmojë tregimi i Jeremisë?
17. Për çfarë na nxitin të mendojmë fjalët e profetit te Jeremia 38:20?
17 Është interesante se, në një rast, Jeremia e nxiti mbretin e atëhershëm të Judës: «Të lutem, bindju zërit të Jehovait për atë që po të them, dhe do të të shkojë mbarë e shpirti yt do të jetojë.» (Jer. 38:20) Ky tregim na jep udhëzime të shkëlqyera se si të sillemi me të tjerët. Këtu përfshihen edhe njerëzit që ende nuk ecin në udhët e Jehovait, por që ne mund t’i ndihmojmë. Gjithashtu, qëndrimi i Jeremisë ndaj atyre që i bindeshin Perëndisë dhe ajo që bëri për ta, janë një shembull i mirë për ne sot. Po, mund të mësojmë vërtet shumë nga Jeremia.
Ç’MUND TË PRESËSH NGA KY LIBËR?
18, 19. Në cilat mënyra mund të shqyrtohen librat e Jeremisë dhe të Vajtimeve?
18 Ky botim do të të ndihmojë të analizosh librat biblikë të Jeremisë e të Vajtimeve dhe të mësosh prej tyre. Si? Nën frymëzim, apostulli Pavël shkroi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi.» (2 Tim. 3:16) Këtu përfshihen edhe dy librat që sapo u përmendën.
19 Natyrisht, ka disa mënyra të dobishme se si mund të shqyrtohen librat e Jeremisë e të Vajtimeve. Për shembull, dikush mund t’i studiojë varg për varg, duke u përpjekur të kuptojë kontekstin ose domethënien e çdo vargu. Dikush tjetër mund të përqendrohet te paralelet e vlefshme, pra të gjejë ngjashmëritë ose dallimet mes njerëzve e ngjarjeve të përshkruara në këta dy libra dhe barasvlerësve ose zhvillimeve të sotme. (Krahaso Jereminë 24:6, 7; 1 Korintasve 3:6.) Një mënyrë tjetër mund të jetë duke studiuar sfondin historik dhe ngjarjet që zbulojnë këta dy libra. (Jer. 39:1-9) Madje, deri në njëfarë mase, një pjesë e këtij informacioni është i domosdoshëm për çdo shqyrtim dobiprurës që mund t’u bëjmë librave të Jeremisë e të Vajtimeve. Prandaj, në kapitullin 2, me titull «Shërben në ‘ditët e fundit’», do të shohim një tablo të përgjithshme të periudhës historike në të cilën jetoi Jeremia dhe si i drejtoi Perëndia gjërat.
20. Si do t’i shqyrtojmë në këtë botim librat e Jeremisë e të Vajtimeve?
20 Por, qëllimi kryesor i këtij botimi është një tjetër. Do t’i shqyrtojmë librat e Jeremisë e të Vajtimeve si dhurata nga Perëndia për të na ndihmuar të jetojmë si të krishterë. (Titit 2:12) Do të kuptojmë më shumë se kurrë që këta dy libra kanë me bollëk informacione ‘të dobishme për të mësuar’. Ata kanë këshilla dhe shembuj praktikë që na japin mundësi të jemi të zotë e të pajisur për të përballuar sfidat e jetës. Kjo vlen pavarësisht nëse jemi beqarë, të martuar, pleq kongregacioni, pionierë, kryefamiljarë që punojmë, shtëpiake ose nxënës shkolle. Në këta dy libra të frymëzuar, secili nga ne do të gjejë ndihmë nga Perëndia që të jetë «i pajisur për çdo vepër të mirë».—2 Tim. 3:17.
21. Pse e pret me padurim programin e studimit që do të vijojë?
21 Ndërsa shqyrton çdo kapitull të këtij botimi, kërko pika që mund t’i përdorësh. S’ka dyshim se librat e Jeremisë e të Vajtimeve do të nxjerrin në pah atë që shkroi Pavli: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.»—Rom. 15:4.
Çfarë mund të mësosh për jetën e përditshme duke studiuar librat e Jeremisë e të Vajtimeve?
a Më vonë gjatë shërbimit të Jeremisë si profet, pati edhe profetë të tjerë bashkëkohës, si Habakuku, Abdia, Danieli dhe Ezekieli. Jeremia kishte rreth 40 vjet që shërbente si profet kur Jerusalemit i ra gjëma në vitin 607 p.e.s., dhe jetoi edhe mbi 20 vjet të tjerë.