KAPITULLI 26
Si t’i mbaj nën kontroll ndjenjat?
Çfarë është zjarri për ty, diçka e mirë apo e keqe? Mbase do të thoshe varet. Në një natë të akullt dimri, një trung që digjet në oxhak bën një zjarr që të kënaq. Në këtë rast do të ishte i mirë. Por, nëse flakët dalin jashtë kontrollit, ato mund të përhapen shpejt e të hedhin përtokë gjithë shtëpinë. Në këtë rast do të ishte i keq.
E njëjta gjë është edhe me ndjenjat. Kur mbahen nën kontroll, ato janë të dobishme, pasi të japin mundësinë të krijosh shoqëri të kënaqshme. Por kur lihen pa fre, mund të jenë të dëmshme jo vetëm për ty, por edhe për ata që ke përreth.
Në këtë moshë nganjëherë të duket sikur po të mbyt zemërimi ose trishtimi. Si t’i mbash nën kontroll këto ndjenja? Le t’i trajtojmë një nga një.
Shuaj zjarrin e zemërimit
S’është e lehtë të durosh dhembjen kur je viktimë e keqtrajtimit. Disa nga ata që keqtrajtohen humbin vetëkontrollin. Në fakt, Bibla flet për njerëz ‘zemërakë’ dhe që ‘nxehen kollaj’. (Proverbat 22:24; 29:22) Kjo s’është gjë e vogël. Kur të erren sytë nga zemërimi, mund të bësh gjëra për të cilat më vonë mund të pendohesh. Atëherë, si t’i mbash nën kontroll ndjenjat kur të keqtrajtojnë?
Së pari, analizoje situatën me këmbë në tokë dhe mundohu ta zgjidhësh problemin në zemrën tënde.a (Psalmi 4:4) Mos harro se, duke e kthyer «të keqen me të keqe», do t’i keqësosh gjërat. (1 Selanikasve 5:15) Pasi ta kesh menduar mirë dhe të jesh lutur, mund t’ia dalësh të mos mbash mëri. Po e arrite këtë, atëherë kjo ndjenjë s’të ka më në dorë.—Psalmi 37:8.
Po nëse dhembja s’largohet? Bibla thotë se ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur». (Eklisiastiu 3:7) A mund t’i afrohesh me qetësi atij që të ka lënduar? Nëse kjo s’është e mençur, ndoshta do të ishte mirë të flisje me prindërit ose me një shok të pjekur për t’i treguar si ndihesh. Nëse dikush të ngacmon qëllimisht, bëj çmos të tregohesh i sjellshëm me të. Tabela në faqen 221 mund të të ndihmojë të gjesh përgjigje të tjera për situata që deri tani ndoshta të kanë bërë të reagosh në mënyrë të rrëmbyer.
Lutju patjetër Jehovait dhe kërkoji ndihmë që të mos ushqesh mëri ndaj atij që të lëndon. Asnjëherë mos harro se s’mund ta ndryshosh atë që ka ndodhur, por mund të ndryshosh reagimin tënd ndaj asaj që ka ndodhur. Nëse e lejon veten të të brejë inati, bëhesh po aq i pafuqishëm sa peshku që ka ngecur në grep. Lejon që dikush tjetër të kontrollojë mendjen dhe ndjenjat e tua. A s’do të doje të ishe ti ai që ka kontrollin?—Romakëve 12:19.
Lufta me trishtimin
«Kohët e fundit s’kam qenë në terezi dhe kam qenë tepër e ashpër me veten,—thotë Laura 16-vjeçare.—Nuk kënaqem me asgjë. Qaj gjithë natën.» Njësoj si Laura, shumë të rinjve u duket sikur po i mbytin presionet e jetës. A të ndodh edhe ty? Kërkesat e prindërve, të shokëve dhe të mësuesve; ndryshimet fizike dhe emocionale të pubertetit ose mendimi se je kot fare për shkak të disa të metave të vogla, janë të gjitha gjëra që mund të të bëjnë të ndihesh përtokë.
Disa të rinj arrijnë deri aty sa vetëdëmtohen, që të largojnë dhembjen emocionale.b Nëse edhe ti ke rënë viktimë e këtij vesi, përpiqu të kuptosh pse. Për shembull, vetëdëmtimi zakonisht është një mënyrë për të përballuar disa forma të stresit. A je në ndonjë situatë, ku mund të përfshihet familja ose shokët, që po të shkakton ankth?
Një nga mënyrat më të mira për të luftuar ndjenjat e trazuara është të flasësh me prindërit ose me një vëlla a motër të pjekur në kongregacion, që për ty është si «vëlla në ditë të vështira». (Proverbat 17:17) Liljana 16-vjeçare u hap me disa motra më të rritura në kongregacion. Ajo thotë: «Duke qenë se janë më të mëdha se unë, më japin këshilla shumë të mira. Janë bërë miket e mia.»c Diana 15-vjeçare thotë se e ndihmoi mjaft rritja e shërbimit. «Ishte gjëja më e mirë që mund të kisha bërë,—thotë ajo.—Në fakt, ka qenë koha më e lumtur e jetës sime!»
Nëse të ka pushtuar mërzia dhe trishtimi, mbi të gjitha mos harro lutjen. Psalmisti David, që e kishte provuar edhe vetë vuajtjen, shkroi: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë.» (Psalmi 55:22) Jehovai e di se sa po vuan. Madje, jo vetëm që e di, por edhe ‘kujdeset për ty’. (1 Pjetrit 5:7, ECM) Nëse zemra të dënon, asnjëherë mos harro se ‘Perëndia është më i madh se zemra jote dhe di gjithçka’. (1 Gjonit 3:20) Madje, ai e di më mirë se ti pse je i dëshpëruar dhe mund të ta largojë barrën emocionale.
Nëse trishtimi zgjat, ka mundësi që vuan nga ndonjë sëmundje, si depresioni.d Në këtë rast, është e këshillueshme të vizitohesh. Të shpërfillje situatën do të ishte si të ngrije volumin e radios në makinë, që të mbytje zhurmën e defektit në motor. Është shumë më mirë t’i biesh prapa këtij problemi. S’duhet të kesh turp që je sëmurë. Mjaft të rinj që vuajnë nga depresioni dhe çrregullimet që lidhen me të, kurohen.
Mos harro se ndjenjat janë si zjarri. Kur mbahen nën kontroll, janë të dobishme, por kur lihen pa fre, janë të dëmshme. Bëj çmos ta përmbash veten. Është e vërtetë se ndonjëherë mund të thuash ose mund të bësh gjëra për të cilat më vonë do të pendohesh. Por, ki durim. Me kalimin e kohës, do të mësosh t’i kesh në dorë ti ndjenjat, dhe jo ato ty.
A kërkon gjithmonë përsosmëri? Nëse po, si të mësosh ta pranosh se mund edhe të gabosh?
[Shënimet]
a Nëse keqtrajtimi vjen nga dikush që bën si i fortë me ty, në kapitullin 14 të këtij libri mund të gjesh sugjerime si të veprosh në situata të tilla. Nëse je mërzitur me një shok, mund të gjesh informacione të dobishme në kapitullin 10.
b Këta individë e dëmtojnë veten me dashje, si për shembull, duke u prerë, djegur, vrarë ose gërvishtur.
c Nëse s’ke guxim të bisedosh ballë për ballë me dikë, provo të shkruash një letër ose të flasësh në telefon. Të hapesh me dikë zakonisht është hapi i parë drejt shërimit emocional.
d Për më shumë informacion rreth depresionit, shih kapitullin 13, në vëllimin 1.
SHKRIMI KYÇ
«Mos e lejo të keqen të të mundë, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.»—Romakëve 12:21.
KËSHILLË
Çdo ditë, tregoju prindërve ndonjë gjë të bukur, edhe nëse s’është kushedi se çfarë. Kështu, do ta kesh më të lehtë të flasësh me ta kur të lindë ndonjë problem serioz. Ata, nga ana e tyre, do të jenë më të gatshëm të të dëgjojnë.
A E DIJE . . . ?
Kur nuk çlodhesh dhe ushqehesh sa duhet, e ke më të vështirë t’i përballosh ndjenjat.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Ndjenja negative me të cilën luftoj më shumë, është: ․․․․․
Do ta luftoj këtë ndjenjë duke ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Pse zemërimi i pakontrolluar nuk i pëlqen Perëndisë?
● Cilat janë pasojat kur je nevrik?
● Në cilat mënyra mund ta luftosh trishtimin?
[Diçitura në faqen 223]
«Gjëja më e rëndësishme ishte të dija se dikush interesohej vërtet për mua, se kisha dikë me të cilin mund të flisja kur isha e dëshpëruar.»—Xheniferi
[Tabela dhe figurat në faqen 221]
Fletë pune
Mbaj nën kontroll zemërimin
Plotëso tabelën
Situata
Një shok klase më tall
Reagim i rrëmbyer
T’ia kthej me sharje
Përgjigje më e mirë
T’i shpërfill fjalët e tij dhe t’i tregoj se nuk bie pre e provokimit të tij
Situata
Motra m’i mori pa pyetur këpucët që kam më shumë qejf
Reagim i rrëmbyer
Të marr hak duke marrë diçka të sajën
Përgjigje më e mirë
․․․․․
Situata
Prindërit më kanë dënuar
Reagim i rrëmbyer
․․․․․
Përgjigje më e mirë
․․․․․
[Figura në faqen 220]
Kush mban mëri, është si peshku që ka ngecur në grep—të dy kontrollohen nga dikush tjetër