Të drejtojmë studime biblike të efektshme
1. Çfarë përgjegjësie kanë lajmëtarët që drejtojnë studime biblike?
1 Askush nuk mund t’i shërbejë Perëndisë nëse Jehovai nuk «e tërheq». (Gjoni 6:44) Megjithatë, lajmëtarët që drejtojnë studime biblike duhet të bëjnë pjesën e tyre për t’i ndihmuar njerëzit të afrohen me Atin e tyre qiellor. (Jak. 4:8) Kjo kërkon përgatitje. Vetëm leximi i çdo paragrafi dhe bërja e pyetjeve në libër nuk mjaftojnë për ta ndihmuar studentin të kuptojë mesazhin dhe të bëjë përparim.
2. Çfarë arrihet falë një studimi biblik të efektshëm?
2 Që të drejtojnë studime biblike të efektshme, lajmëtarët duhet t’i ndihmojnë studentët (1) të kuptojnë atë që mëson Bibla, (2) të pranojnë atë që mëson Bibla dhe (3) të zbatojnë atë që mëson Bibla. (Gjoni 3:16; 17:3; Jak. 2:26) Mund të duhen muaj për ta ndihmuar dikë të kalojë në këto etapa. Por secila prej tyre është e nevojshme për të krijuar një marrëdhënie me Jehovain dhe për t’iu kushtuar atij.
3. Pse mësuesit e efektshëm e pyesin studentin për pikëpamjen e tij?
3 Cila është pikëpamja e studentit? Për të kuptuar nëse studenti e kupton dhe e pranon atë që po mëson, mos fol vetëm ti, por inkurajoje studentin të shprehet. (Jak. 1:19) A e kupton ai çfarë thotë Bibla për temën që po shqyrtoni? A mund ta shpjegojë atë temë me fjalët e tij? Çfarë mendon për atë që ka mësuar? A beson se është e arsyeshme ajo që mëson Bibla? (1 Sel. 2:13) A e kupton se ajo që po mëson duhet të ndikojë tek ai sa të ndryshojë mënyrën e jetesës? (Kolos. 3:10) Që të marrim përgjigjet e këtyre pyetjeve, duhet ta pyesim me takt për pikëpamjen e tij dhe pastaj ta dëgjojmë.—Mat. 16:13-16.
4. Çfarë duhet bërë nëse studenti e ka të vështirë të kuptojë ose të zbatojë atë që mëson nga Bibla?
4 Zakonet dhe mënyra e të menduarit shpesh janë të rrënjosura thellë dhe duhet kohë t’i çrrënjosësh. (2 Kor. 10:5) Po nëse studenti nuk e pranon ose nuk e zbaton atë që po mëson? Duhet durim ndërsa i lëmë studentit një periudhë kohe të arsyeshme që Fjala e Perëndisë dhe fryma e shenjtë t’i prekin zemrën. (1 Kor. 3:6, 7; Hebr. 4:12) Në qoftë se e ka të vështirë të kuptojë e të zbatojë një mësim biblik, shpesh është mirë të mos i bëjmë presion, por të kalojmë në një temë tjetër. Ndërsa vazhdojmë ta mësojmë nga Bibla me durim e dashuri, me kalimin e kohës mund të nxitet të bëjë rregullimet e duhura.