Udhëzime për Mbikëqyrësit e Shkollës
NË ÇDO kongregacion një plak caktohet si mbikëqyrës i Shkollës së Shërbimit Teokratik. Nëse të është besuar kjo përgjegjësi, entuziazmi për shkollën dhe vetë interesimi yt për përparimin e çdo studenti mund të jenë faktorë të rëndësishëm për rezultatet që arrihen në shkollë në zonën tënde.
Një pjesë e rëndësishme e caktimit tënd është të drejtosh çdo javë Shkollën e Shërbimit Teokratik në kongregacion. Kujto se përveç studentëve që kanë caktime në çdo rast të caktuar, ka edhe të tjerë të pranishëm. Drejtoje shkollën në mënyrë të tillë që i tërë kongregacioni të marrë përkujtues motivues dhe praktikë lidhur me të paktën një prej qëllimeve të shkollës, të cilët përmenden në faqet 5 deri 8 të këtij manuali.
Interesohu për të gjithë studentët, pavarësisht nëse janë caktuar në program që të bëjnë leximin, të bëjnë prezantime në formë demonstrimi apo të mbajnë fjalime. Ndihmoji që ta shohin atë që janë duke bërë jo thjesht si një caktim, por si një mundësi për të bërë përparim në shërbimin e Jehovait. Përpjekjet që ata bëjnë personalisht janë natyrisht një faktor kyç për përparimin e tyre. Është e rëndësishme edhe që të shfaqësh interes dashamirës, t’i ndihmosh të kuptojnë vlerën e këshillave që u jepen dhe t’u shpjegosh se si t’i zbatojnë këto këshilla. Për këtë qëllim, dëgjo me kujdes çdo fjalim, në mënyrë që të japësh komente të vlefshme.
Sigurohu që ta fillosh e ta mbarosh shkollën në orar. Jep shembull të mirë duke i bërë komentet e tua brenda kohës së caktuar. Në qoftë se fjalimi i një studenti e kalon kohën, ti ose ndihmësi yt duhet t’i bëni një shenjë. Studenti duhet ta përfundojë fjalinë dhe të largohet nga podiumi. Nëse disa pjesë të tjera të programit e kalojnë kohën, shkurtoji komentet e tua dhe pastaj diskutoje çështjen me vëllanë pas mbledhjes.
Kur je i pranishëm, duhet ta drejtosh ti shkollën. Në qoftë se në ndonjë rast nuk mund të jesh i pranishëm, për shkollën duhet të kujdeset një plak tjetër, i caktuar më parë nga trupi i pleqve. Në rast se ke nevojë për ndihmë që të përgatitësh programet, të përpilosh fletët e caktimeve ose të bësh zëvendësime në program, për këto gjëra mund të të ndihmojë një shërbëtor ndihmës, i caktuar nga trupi i pleqve.
Regjistrimi i studentëve. Nxiti të gjithë lajmëtarët që të regjistrohen në shkollë. Të tjerët që po shoqërohen në mënyrë aktive me kongregacionin mund të regjistrohen nëse i pranojnë mësimet e Biblës dhe nëse jeta e tyre është në përputhje me parimet e krishtere. Kur dikush shpreh dëshirën që të regjistrohet, lavdëroje me ngrohtësi. Në qoftë se ai individ nuk është ende lajmëtar, si mbikëqyrës i shkollës duhet të trajtosh bashkë me të kërkesat për t’u regjistruar në shkollë. Do të ishte më mirë nëse kjo do të bëhej në prani të atij që po drejton studimin biblik me të (ose në prani të prindit besimtar). Këto kërkesa janë të njëjta me ato për t’u bërë një lajmëtar i papagëzuar. Ato gjenden në faqet 97 deri 99 të librit Të organizuar për të kryer shërbimin tonë. Mbaj një listë të përditësuar të të gjithë atyre që janë të regjistruar në shkollë.
Përdorimi i fletës së këshillave. Fleta e këshillave për çdo student gjendet në librin e tij personal, në faqet 79 deri 81. Siç tregohet edhe nga kolonat me ngjyra, kur studentit i jepet një caktim për të lexuar mund të përdoret çdo pikë oratorike nga 1 deri në 17. Për prezantimet në formë demonstrimi, mund të përdoret çdo pikë oratorike, përveç pikave 7, 52 dhe 53. Këshillat për fjalimet përfshijnë të gjitha pikat, përveç pikave 7, 18 dhe 30.
Kur caktohet një pikë oratorike, mbikëqyrësi i shkollës duhet të sigurohet që të bëhet një shënim me laps nën titullin «Data kur u caktua», në hapësirën ngjitur me atë pikë në fletën e këshillave në librin e studentit. Pasi studenti ta ketë bërë pjesën e caktuar, pyete veçmas nëse e bëri apo jo ushtrimin a ushtrimet e treguara në fund të trajtimit të pikës oratorike. Nëse i ka bërë, te kutia në fletë duhet vënë një shenjë. Në rast se po e këshillon që të vazhdojë të punojë për të njëjtën pikë, nuk ka nevojë për ndonjë shënim tjetër te fleta e këshillave; thjesht mos e plotëso hapësirën boshe te «Data kur u përfundua». Shenja duhet vënë vetëm kur ai të jetë gati për të kaluar në një pikë tjetër. Veç kësaj, në faqen 82 të librit të studentit, në anën e majtë të rrethanës që u përdor, duhet shënuar data pas çdo fjalimi të studentit. Në fletën e këshillave dhe në listën me rrethana ka hapësirë të mjaftueshme për dy të tilla. Studentët duhet ta kenë me vete librin gjatë programit.
Cakto çdo herë vetëm një pikë oratorike. Zakonisht është më mirë që pikat oratorike të caktohen sipas renditjes në listë. Megjithatë, nëse disa studentë shfaqin aftësi të jashtëzakonshme, mund t’i nxitësh që disa mësime t’i studiojnë dhe t’i zbatojnë vetë. Pastaj mund të punosh me ta për ato pika që mendon se do të ndihmonin shumë në përparimin e tyre si oratorë dhe mësues të efektshëm.
Edhe sikur një student të ketë vite që është regjistruar në shkollë, ai mund të nxjerrë shumë dobi nga studimi dhe zbatimi i çdo mësimi. Për t’i ndihmuar studentët me nevoja të veçanta, në vend që t’i kalosh pikat sipas renditjes në listë, mund të zgjedhësh disa cilësi oratorike rreth të cilave të punojnë.
Dhënia e këshillave. Kur jep këshilla, përdori mirë shembujt dhe parimet biblike. Studentët duhet të ndiejnë se këshilla e dhënë dhe fryma me të cilën është dhënë drejtohen nga parimet e larta të Fjalës së Perëndisë.
Ki parasysh se je një ‘bashkëpunëtor’ me vëllezërit dhe motrat. (2 Kor. 1:24) Ashtu si ata, edhe ti ke nevojë të vazhdosh të ushtrohesh për t’u përmirësuar si orator dhe mësues. Studioje personalisht librin Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik, zbato këshillat e tij, si dhe lër një shembull të mirë që edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.
Ndërsa vepron kështu, vër si synim t’i ndihmosh studentët që të bëhen lexues të mirë, oratorë të aftë dhe mësues të efektshëm. Për ta arritur këtë, përpiqu të japësh çfarëdo ndihme që nevojitet në mënyrë që studentët të kuptojnë se çfarë janë cilësitë e ndryshme oratorike, se përse janë të rëndësishme ato dhe se si t’i kultivojnë. Ky libër është përgatitur në mënyrë të tillë që mund të të ndihmojë ta bësh këtë. Sidoqoftë, nga ana jote shpesh duhet më shumë sesa vetëm t’u lexosh fjalët që janë në libër. Shqyrto idenë që shprehin këto fjalë dhe mënyrën si ta zbatosh atë.
Në rast se një student e bëri mirë pikën lavdëroje. Thuaj shkurtimisht pse ishte e efektshme ajo pikë ose përse është e rëndësishme ajo që bëri ai. Nëse do të nxirrte dobi po të përqendrohej më tej mbi një çështje sigurohu që ta kuptojë arsyen pse duhet ta bëjë këtë. Trego se si ta arrijë atë qëllim. Ji specifik, por në të njëjtën kohë edhe mirëdashës.
Ji i vetëdijshëm se shumë veta e kanë tepër të vështirë të dalin para një grupi e të bëjnë një prezantim. Në qoftë se dikush mendon se nuk e ka bërë mirë, ai mund të jetë në mëdyshje nëse duhet të vazhdojë të përpiqet apo jo. Imito Jezuin, i cili nuk e dërrmoi «kallamin e thyer» ose nuk e shuajti «fitilin e lirit që digjet në vetvete». (Mat. 12:20) Merr parasysh gjendjen emocionale të studentit. Kur jep këshilla, merr parasysh nëse studenti është paksa i ri në të vërtetën ose është një lajmëtar me përvojë. Lavdërimi i ngrohtë dhe i sinqertë mund t’i forcojë njerëzit që të vazhdojnë të bëjnë më të mirën.
Trajtoje me dinjitet çdo student. Romakëve 12:10 na thotë: «Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» Sa këshillë e përshtatshme për një këshillues në Shkollën e Shërbimit Teokratik! Në rast se studenti është më i madh se ti, zbato me kujdes këshillën e dhënë te 1 Timoteut 5:1, 2. Megjithatë, pavarësisht nga mosha e individit, kur këshillat që përfshijnë përmirësime në mënyrën se si i bën gjërat jepen me dashamirësi, shpesh pranohen më me gatishmëri.—Prov. 25:11.
Kur jep këshilla, theksoji studentit qëllimin e stërvitjes. Qëllimi nuk është thjesht që të dalë mirë e të marrë lavdërime për fjalimin, për t’i thënë më pas që të vazhdojë me pikën tjetër. Qëllimi nuk është që të jetë një orator dhe mësues që të admirohet nga të tjerët. (Prov. 25:27) Dëshira jonë është që ta përdorim dhuratën e të folurit për të lëvduar Jehovain dhe për të ndihmuar të tjerët që të arrijnë ta njohin dhe ta duan atë. Stërvitja shërben për të na pajisur që të kujdesemi me efektshmëri për veprën që thekson Mateu 24:14 dhe 28:19, 20. Vëllezërit e pagëzuar, të cilët kualifikohen, me kalimin e kohës mund të ftohen për të marrë pjesë që të përkujdesen për «kopenë e Perëndisë» si oratorë publikë dhe mësues.—1 Pjet. 5:2, 3.
Jepu studentëve këshillën që të lexojnë në libër trajtimin e pikës së mëpasme oratorike brenda disa ditëve pasi u është caktuar fjalimi. Nxiti që atë që mësojnë ta zbatojnë kur përgatitin pjesët që kanë në shkollë, gjatë bisedave të përditshme, kur komentojnë në mbledhje, si dhe në shërbimin në fushë.
Si t’i bësh caktimet? Zakonisht duhen bërë të paktën tri javë më përpara. Të gjitha caktimet duhen bërë me shkrim në qoftë se është e mundur.
Pjesët që përfshijnë mësimdhënien në kongregacion u duhen caktuar pleqve, do të ishte më mirë atyre që mund t’i trajtojnë këto pjesë me efektshmëri, si dhe shërbëtorëve ndihmës që janë mësues të efektshëm.
Për të përcaktuar se cilat fjalime të stërvitjes t’u caktohen vëllezërve dhe cilat motrave, ndiq udhëzimet që jepen bashkë me programin e shkollës. Nëse ka pak vëllezër që bëjnë fjalime të stërvitjes dhe shumë motra ji i kujdesshëm që t’u japësh vëllezërve mundësi të mjaftueshme për të bërë fjalime të cilat nuk përfshijnë vetëm leximin.
Kur bën caktimet mbaj parasysh rrethanat e individëve. A është e domosdoshme t’i caktohet një plaku a një shërbëtori ndihmës një pjesë në shkollë po atë mbrëmje që ka një pjesë në Mbledhjen e Shërbimit ose po atë javë që ka një fjalim publik në kongregacion?
A duhet caktuar një motër që të bëjë një prezantim po atë mbrëmje që ka edhe një prej fëmijëve të saj, të cilin ajo ndoshta duhet ta ndihmojë? A është e përshtatshme tema veçanërisht në rastin e një të riu apo të një studenti që nuk është pagëzuar ende? Kontrollo për t’u siguruar se caktimi është i përshtatshëm për pikën oratorike rreth së cilës po punon studenti.
Për caktimet që u jepen motrave, zakonisht studentja do ta zgjedhë vetë rrethanën në përputhje me udhëzimet në faqet 78 dhe 82. Duhet caktuar një ndihmëse, por mund të përdoret edhe një ndihmëse tjetër. Në rast se ndonjë studente kërkon një ndihmëse, e cila do të ishte veçanërisht e përshtatshme për të paraqitur një rrethanë, kjo kërkesë duhet marrë parasysh.
Klasat ndihmëse. Në qoftë se ka më shumë se 50 studentë të regjistruar, mund të shqyrtoni mundësinë që të përdorni një ambient shtesë për pjesët që do të trajtohen nga studentët. Sipas nevojave lokale, kjo masë mund të përdoret për të gjitha fjalimet e studentëve ose vetëm për dy të fundit.
Çdo klasë ndihmëse duhet të ketë një këshillues të kualifikuar, do të ishte më mirë një plak. Aty ku është e nevojshme mund të zëvendësohet nga një shërbëtor ndihmës i kualifikuar. Miratimi për këta këshillues duhet dhënë nga trupi i pleqve. Bashkëpuno ngushtësisht me ta, në mënyrë që t’u kushtohet vëmendje e mëtejshme studentëve pavarësisht nga vendi se ku do ta mbajnë fjalimin tjetër.
Klasë e veçantë për leximin. Nëse trupi i pleqve vendos se disa individë në kongregacion kanë si nevojë kryesore që të mësojnë të lexojnë në gjuhën që flitet në kongregacion, mund të merren masa për këtë duke e ndërthurur me Shkollën e Shërbimit Teokratik. Kjo mësimdhënie mund të përfshijë aftësitë bazë për të lexuar e për të shkruar ose qëllimi i saj mund të jetë përmirësimi në lexim.
Këto klasa s’ka pse të mbahen në të njëjtën kohë që mbahen fjalimet e stërvitjes në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Për të dhënë ndihmë të mjaftueshme, mund të duhet më shumë kohë sesa do të ishte e mundur gjatë shkollës. Pleqtë mund të vendosin se çfarë nevojitet dhe se kur duhet dhënë ky mësim. Sipas nevojave, mund të merren masa për mësimdhënie në grup ose një nga një.
Duhet një mësues i kualifikuar. Do të ishte më mirë që ky caktim t’i jepej një vëllai që lexon mirë dhe që e njeh mirë gjuhën. Në rast se nuk ka një vëlla, pleqtë mund të kërkojnë ndihmën e një motre të aftë shembullore. Ajo duhet ta ketë kokën të mbuluar kur jep mësim në klasë.—1 Kor. 11:3-10; 1 Tim. 2:11, 12.
Broshura Të mësojmë lexim dhe shkrim është vënë në dispozicion në shumë gjuhë. Ajo është përgatitur për të mësuar aftësitë bazë për të lexuar dhe për të shkruar. Në varësi të nivelit të aftësisë për të lexuar të atyre që janë regjistruar, mund të përdoret edhe material tjetër mësimor. Kur studentët kanë bërë përparim të mjaftueshëm, ata duhen nxitur që të marrin pjesë në programin e rregullt të Shkollës së Shërbimit Teokratik.
Si mbikëqyrës i Shkollës së Shërbimit Teokratik mund të bësh shumë për dobinë e kongregacionit. Përgatitu mirë dhe në përputhje me këshillën te Romakëve 12:6-8, kujdesu për caktimin tënd si për një gjë të çmuar që të është besuar nga Perëndia.